Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Qeverisja para se gjithash është kulturë
E shtune, 17.04.2021, 05:35 PM
Ndue Ukaj:
Qeverisja
para se gjithash është kulturë, është mendësi dhe kjo "mendësi e re"
politike, goxha bashibozuke, po tregon e dëshmon mungesë të thellë të sensit
kulturor në qeverisje. Dhe kjo mungesë për mua është për keqardhje dhe
njëkohësisht është provë e një agonie të frikshme politike nëpër të cilën po
kalojmë si shoqëri.
Kosova
në të kaluarën ka pasë mjaft qeveri mediokre, pa përvojë, por kjo e reja, ka
filluar vrullshëm të tregojë - përveçse injorancë të thellë - arrogancë të pashembullt, edhe mungesë serioze
të sensit kulturor gjë që më bën të dyshoj se frytet e saj do të jenë të
barasvlershme me demagogji, justifikime, dokrra e arrogancë.
Të
flasësh kuturu, të thuash të pavërteta historike e politike në takime të
rëndësishme ndërkombëtare, pastaj të sulmosh mediat, të kërkosh e të gjesh
gjithmonë fajtorin larg për të justifikuar dështimet tua është mendësi e kalbur
politike dhe mungesë e sensit kulturor qeverisës. Dhe kjo qasje përhapë duhmë
fort të keqe politike.
Pra
ndryshimet politike që bëhen si rezultat i mllefit, urrejtjes e propagandës
populiste, pra ndryshimet politike pa ide politike, kulturore e pa projekt
qeverisës, veç e rrisin agoninë politike.
Sepse
një ide e keqe kurrë s' mund të luftohet me një ide tjetër të keqe, por me një
ide shumë më të mirë - kanë këshilluar të mençurit. Ne s' po shohim askund ide,
pos disa seriale të përsëritura që kanë natyrë tallavaje qeverisëse.
Thjesht,
cilësia e qeverisjes dhe udhëheqjes s' matet me fjalë koti, që mund të peshojnë
shumë për turma të dehura e entuziaste, që gjithmonë i skuqin duart duke
duartrokitë udhëheqësit, as me dokrra, like në rrjetet sociale, takime krejt të
pavlera, shkuarje ardhjet të kota, por me veprime të mençura, të analizuara,
solidare e alturiste, që mund të kthehen në dobi konkrete për përmasimin e
cilësisë së jetës së qytetarëve.