| E merkure, 28.04.2021, 08:46 PM |
Ndue Ukaj:
Sikur
të tregonim ndjeshmëri dhe afinitet për kulturë dhe vlera të nalta estetike,
siç tregojmë ndjeshmëri për tema politike dhe udhëheqës të trullosur, me siguri
s' do të kishte kaq shumë rrëmujë e shëmti politike mes nesh.
Sikur
të tregonim ndjeshmëri për vlera kulturore dhe estetike me siguri do të mundë
t' i jepnim shtytje edhe emancipimit politik dhe rrjedhimisht përparimit
kombëtar.
Por
jo - ne s' tregojmë ndjeshmëri e as afinitet për vlera të nalta kulturore dhe
shpirtërore, por dalldisemi pas politikës shterpe e udhëheqësve mediokër.
Kombi
ynë, me pak përjashtime, s' ka pasë politikë që i ka sjellë lumturi, paqe,
harmoni e unitet, por ka pasë politikë që i ka sjellë varfëri, hidhërim dhe
çorientim. Dhe kjo është një e vërtetë e provuar historikisht.
Atëherë
pse kjo joshje e dalldi pas politikës?
Të
gjitha parametrat thonë se dalldia jonë pas politikës nuk lidhet me ndonjë
arsye të fortë morale, as s' është
rezultat i edukimit cilësor politik, por pasojë e paqëndrueshmërisë shpirtërore
dhe kjo ka shkatërruar bazat për politikë normale.
Në
fakt, politikës së mirëfilltë ia ka zënë frymën mllefi, egoizmi, mendimet
stihike e gjykimet aspak racionale.
Impulset
e forta politike që shfaqen përditë në jetën tonë kombëtare janë shenjë e
varfërisë së madhe shpirtërore dhe kulturore, e kequshqimit të gjatë politik,
kurse ngarendjet e trullosura pas politikanëve dhe debatet e përditshme për ta,
janë në funksion të agonisë dhe jo normalitetit mes nesh.
Kurrkund
në Europë s'adhurohen dhe s' pështyhen politikanët më shumë se te ne! E kjo
flet shumë për ne dhe jo sinqeritetin tonë në raport me politikën dhe
udhëheqësit politikë.
Prandaj
mjedisi ynë politik ka nevojë urgjente që të ajroset dhe të pastrohet nga duhma
e keqe dhe këtë duhmë të keqe kurrë s' mund ta pastrojë politika vetë, nëse s'
ushqehet ajo me vlera humane, kulturore dhe estetike, pra pa një shtytje të
fortë intelektuale e kultutore.
Pa
dyshim, qytetarët duhet të marrin pjesë aktive në jetën politike, por jo të ecin të trullosurur pas liderëve që as
vetë s' e dinë kah shkojnë, rrjedhimisht s' dinë as kah iu çojnë.
Historia
mëson se një shoqëri që krijon idhuj e profetë të rremë politikë ajo goditet
fort dhe ecë pavetëdije kah e nesermja. E ecja pavetësije është bjerrje kohe.
Aty
ku flitet tërë kohën për politikë, aty qytetarët në njëfarë mënyre bëhen
skllevër të politikës dhe aty s' bëhet fjalë për vlera politike e liri të
njëmend, pos për liri partiake, e liria partiake është gjithmonë e kundërta e
lirisë së njëmend.
Prandaj
nëse vërtet e duam të mirën e vendit duhet të shërohemi - siç ka këshilluar
Konica - nga dashuria për indvidin dhe duhet të edukohemi me vlera të nalta
kulturore dhe estetike.
E
kombit i shërbejmë duke mos u bërë partizanë politikë.
Si
pasojë injorancës së thellë politika dhe kequshqimit të gjatë me ide të shkreta
politike - osmane e komuniste - ne jetojmë në një rrëmujë të vërtetë, pa parime
e pa vlera e ku idetë normale politike rrallohen përherë e më shumë dhe vendin
e tyre e zënë trishtueshëm thashethemet, gulçimat, intrigat, mllefi.
Kjo
ecje pavetëdije s' çon askund!