Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Nëse s’duam të jemi thjesht zombi, duhet të ngopemi me letërsi
E enjte, 01.07.2021, 07:44 PM
Nëse s’duam të jemi thjesht zombi, duhet të ngopemi me letërsi – këshillon shkrimtari i madh Mario Margas Llosa
Nga
Ndue Ukaj
Shkrimtari
i madh Mario Vargas Llosa, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, autor i shumë
veprave mahnitëse letrare, vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Festivalin e
Letërsisë në Berlin ku ka folë për peshën dhe fuqinë e madhe të letërsisë, për
mundësitë e pafundme që ka ajo për të na treguar se diçka nuk shkon mirë me
shoqërinë njerëzore.
Ai
në këtë festival ka thënë se diktaturat janë gjithmonë dyshuese ndaj letërsisë,
sepse ata e dinë që letërsia është një kërcënim për ta. Këtë të vërtetë
shoqëria njerëzore e ka mësuar dhe e ka përjetuar rënd, me një luftë të ashpër
mes artit e totalitarizmit, kurse ne shqiptarët kemi arsye më shumë se shumë
popuj tjerë ta kuptojmë këtë të vërtetë, meqë kemi jetuar nën terror, ku
letërsia e arti vërtet janë konsideruar kërcënim për pushtetin dhe regjimet
totalitare.
Më
tej Llosa thotë se “nëse ne si qytetarë
nuk duam të jemi thjesht zombi, qenie që pranojnë gjithçka që imponohet nga
lart, ne duhet ta ngopim shoqërinë me letërsi”.
Mendimet
e këtij shkrimtari të madh janë tejet të vlefshme për secilën shoqëri, sidomos
për tonën, që vazhduan të vuajë pasojat e një ligështie morale e kulturore, ku
politika e mbrapshtë i është mbivendosë krejt shoqërisë, duke e shëmtuar e duke
e larguar përditë e më shumë prej vlerave estetike e humane.
Shoqëria
jonë ka nevojë më shumë se kurrë të ngopet me letërsi, sepse letërsia na
mundëson të ëndërrojmë një botë më të mirë, të zhvillojmë ndjenjat e
mosgatishmërisë për t’u nënshtruar e për t’u kthyer në zombi.
Për
fat të keq, ne tash e sa kohë kemi zhvilluar një raport tejet negativ me
kulturën e letërsinë dhe kjo na ka kthyer në shoqëri shëndetlige dhe impotente.
Ne
kemi lejuar që vendin e letërsisë ta zë politika dhe ajo na ka ngopë tej mase
me dokrra, mllef, urrejtje, ashpërsi. E pasojat manifestohen përditë me dukuri
të shëmtuara e helmuese.
Prandaj,
në vend se vazhdojmë të ushqemi me dokrra, ta largojmë politikën nga tryeza e
përditshme dhe të fillojmë të ushqehemi me letërsi, sepse librat na
përmirësojnë shëndetin shpirtëror, na mundësojnë të imagjinojmë një botë më të
mirë dhe na edukojnë të mos nënshtrohemi e të kthehemi në zombi.
______________
Hanah
Arend shkruan diku se vetëm në shoqëritë e pacivilizuara, ku raporti i
politikës me kulturën është negativ, një gram pushtet peshon më shumë sa një
tonelatë intelekt.
Mjerisht,
duhet të themi se raporti i politikës me kulturën edhe te ne është tejet
negativ, prandaj një gram pushtet peshon më shumë sa një tonelatë intelekt,
përkundër faktit se kombit tonë njerëzit e kulturës i kanë dhënë më së shumti
formë dhe përmbajtje. Pikërisht te ky raport negativ duhet kërkuar një nga arsyet kryesore pse kemi kaq
shumë rrëmujë politike e shpirtërore, por edhe kriza të thella identitare.