Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dita e Europës
E diele, 09.05.2021, 03:53 PM
Dita e Europës
Nga
Ndue Ukaj
Europa
nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik, siç pretendohet të vlerësohet
kuturu në kontekstin tonë, por para se gjithash është koncept kulturor. Është
stil jete.
Ndaj,
Europën nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për
ta humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim.
Shkrimtari
Umberto Eco shkruante se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo gjë
në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar
mendon se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për
dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion dhe kjo përmbajtje ndërlidhen me
identitetin e saj kulturor.
Është
thënë shpesh se në historinë e mendimit europian karakteristikë e përhershme ka
qenë ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për
dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë.
Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së
cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.
Por
ne ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit
politik me Unionin Europian duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e
organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t' i qartësuar
mosmarrëveshjet tona dhe kuruar veset kombëtare.
Kultura
e dialogut si mendësi dhe stil jete.
Solidariteti
dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e
njeriut.
Të
kujtojmë se Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin "Në
emër të Europës", ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë
ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin
më të lartë të kësaj fjale".
Koha
ka dëshmuar se nuk mjaftojnë parullat, llomotitjet dhe retorika proeuropiane
për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për
Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të
përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së
përbashkët.
Sot
në Ditën e Europës dhe çdo ditë të rrugëtimit tonë politik, ne nuk duhet të
bëhemi të marrë dhe ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që
iu përshtatet ambicieve tona, standardeve tona, kërkesave tona. Sepse, kjo
Europë është ireale. Është groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për
ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço Panços së tij, që luftojnë me
mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin
nga të ligat dhe padrejtësitë.
Europa
është një fakt politik dhe kulturor, me kriza e përpljasje, por me një prirje
politike që admirohet nga krejt planeti ynë. Me një ekonomi të fuqishme, të
cilën e aspiron krejt bota.
Në
thelbin e vet, siç është thënë, është një prirje shpirti, ndaj, siç porosiste
Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.
Në
këtë ditë të Europës, në vend se të gulçojmë e të gërvallemi, më mirë të
rikujtojmë At Zef Pllumin e mençur.
"Secili
shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto
pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej
Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin
e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka
na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”
5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të
drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”,
kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të
ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet
vedit.”
__________
Shkrimtari i madh Gjergj Fishta në vitin 1914 e ka botuar
satirën e njohur, "Nën hajat të parrizit."
Sipas
këtij teksti, Shën Pjetëri në derë të Parrizit, mediton për fatin e
shqiptarëve, dhe, duke biseduar me Djallin dhe Skënderbeun, thotë:
"shqiptarët janë çoroditë krejt" dhe "kanë dalë faret",
ndaj as që iu shkon mendja të trokasin në derë të parrizit, për të kërkuar
shpëtimin.
Dhe
sipas Fishtës, kjo mund të jetë arsyeja pse Shqipëria s'gjen shpëtimin dhe
lumtuni.
Në
këtë tekst të dramarik, përmes figurës së Shën Pjetërit, shqiptarët del se janë
pre e veseve të këqija, tradhtisë, krenarisë së madh, koprracisë, rrenës,
patriotizmit të rremë, adhurimit të gabuar...
Dialogu
i Skënderbeut më Djallin përshkohet nga një ton kritik dhe dramatik, kurse
kulmi i këtij shpërthimi, është momenti kur djalli i thotë Skënderbeut se emri
i tij është në libra, por nuk dihet nëse është në zemër të shqiptarëve.
Dialogun
dramatike mes Djallit dhe Skënderbeut e ndërprenë Shën Pjetëri, i cili thotë:
"për inad të Djallit dhe Shqiptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më
kombë me nder e me lumni".
Sot,
po të ishte gjallë Gjergj Fishta do të na qortonte fort me kamçikun e tij të
fortë të satirës, duke na thënë: mbajeni Skënderbeun më shumë në zemra sesa në
Facebook dhe libra. Këshillojuni nga ai dhe mësoni nga filozofia e tij. Mos u
dalldisini. Line anash hipokrizinë dhe dyfytyrësinë. Mos ndieni figurat që më
shajnë. Duajene njëri-tjetrin. Sepse, vetëm kështu, jeni të fortë mjaftueshëm
përballë rreziqeve të shumta që u kanosen dhe kështu gjeni lumtuni!