Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Elsa Martinelli, gruaja e gazetarit të vrarë Nebil Çika
E merkure, 06.10.2021, 07:33 PM
Elsa Martinelli, gruaja e gazetarit të vrarë Nebil Çika
Nga
Kastriot Dervishi
Elsa
Lavrentos Martinelli, lindur në vitin 1907 në Korfuz ishte bashkëshortja e
Nebil Çikës. Fejesën e tyre e njoftoi revista “Minerva”, nr.38, maj 1936. Nebil
Çika u vra në hotel “Bristol” në Tiranë më 12.11.1944 në prag të vendosjes së
plotë të pushtetit komunist në kryeqytet. Në dokumentet e kohës thuhej se Nebil
Çika ishte “ekzekutuar në ditët e çlirimit”.
Për
Elsën erdhën ditë të vështira. Nuk u mjaftuan që i vranë bashkëshortin, por
vijuan besnikërisht persekutimin. Ajo u arrestua më 18.5.1947. U përfshi në një
proces me 20 të pandehur të tjerë të cilët akuzoheshin se ishin vënë në shërbim
të “spiunazhit imperialist anglo-amerikan”, si anëtarë të organizatës
“terroriste agjento-sabotatorë të deputetëve tradhtarë tekniko-intelektualë e
demokristianë”. Për këta thuhej se kishin bërë një sërë “sabotimesh në dëm të
popullit dhe të pushtetit” dhe në ndërmarrjet e ndryshme shtetërore si në
kantieret Rubik, Kuçovë, Selenicë, etj, duke dhënë informata me karakter
politik, ekonomik, ushtarak, etj.
Në
pohimet e saj para gjyqit Elsa mohonte të kishte qenë agjente e OVRA-s dhe
SIM-it.
Gjykata
Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.131, datë 21.7.1948, e deklaroi fajtore dhe e
dënoi me 8 vjet burgim. Nuk dihet deri tani kur është liruar nga burgu, por në
fund të viteve ’50 ka të dhëna se ajo gjendej në Tiranë.
Për
Elsën thuhej se ishte vënë në përpunim “si e huaj dhe lidhje e legatës
italiane”, si “agjente e zbulimit italian”, dhe se i vinin çdo muaj 30-50
dollarë nëpërmjet legatës. Për ta përpunuar (marrë informacione prej saj sipas
vijësjelljeve të operativëve) ishin aktivizuar informatoret “Makina”, “Riga”,
“Uthull vere” dhe agjenti “Përpjekja”.
Thuhet se është riatdhesuar në Itali, por data e saktë nuk dihet. Të
dhënat për fundin e jetës së saj mungojnë.