Kulturë
Fran Gjoka: Gëzim Tushi - Pandemia - Asgjë nuk do jetë si më parë
E enjte, 14.01.2021, 01:09 PM
RECENSE LIBRI
SOCIOLOGU GËZIM TUSHI
DHE LIBRI
“PANDEMIA-ASGJË NUK DO
JETË SI MË PARË…”
Nga
Fran GJOKA
Sapo
ka dalë nga shtypi dhe tashmë është në qarkullim libri i sociologut, “Mjeshtër
i Madh” Gëzim Tushi: “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Autori, gjatë
gjithë kohës së pandemisë, ka qenë i përfshirë përmes analizave të veta në
shtypin e përditshëm, por edhe në median televizive, në të cilat ka shfaqur
aftësinë e gjerë të analizave psikosociale, të efekteve të pandemisë në jetën
shoqërore. Ishte e natyrshme që shfaqja e virusit Covid-19 dhe kthimi në
përmasa pandemike, të bëhej objekt për debat intelektual, polemika mjekësore,
profesionale, politike, etike gjatë gjithë vitit 2020. Ndoshta një nga “debatet
planetare”, me spektrin më të gjerë të mundshëm të përfshirjes publike. Në të u
përfshinë të gjithë. Besoj se pesha e trajtesave të ndikimeve të pandemisë në
jetën shëndetësore, ekonomike, financiare etj., të sociologut të njohur Gëzim
Tushi, është e ndjeshme. Një ndjeshmëri qytetare e sociaologjike e pandërprerë
pothuaj gjatë gjithë vitit pandemik 2020, e cila u kurorëzua me një punë shumë
serioze e këmbëngulëse të autorit, që tashmë e kemi të sintetizuar në librin e
tij “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Sociologu Tushi ka ndjekur me
shumë vëmendje e profesionalizëm reagimet sociale, intervenimet publike e
mediatike, diskutimet e transformuara në shumë raste në formë polemikash
politike, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndihmuar apo ndriçuar realitetin
patologjik të sëmundjes, sidomos impaktet sociale të saj.
Libri
ka përmasa të gjëra e të gjithanshme të analizës së situatës, sidomos në
rrafshin kontekstual të pasojave në jetën tonë individuale dhe shoqërore. Sipas
autorit, pandemia është një faktor, i cili do të ndikojë në transformimin,
ndryshimin e drejtimeve të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shumë aspekte e
drejtime. Në këtë kontekst, sociologu Tushi nuk ka lënë “cep të shoqërisë” ku
ka ndikuar pandemia pa e analizuar, jo vetëm në aspektin e ndikimeve aktuale,
por edhe të perspektivës. Libri është shkruar me pasion dhe me bindjen e plotë
të autorit se “asgjë nuk do jetë si më parë” në epokën postpandemike. Me një
vullnet të veçantë e forcë analizuese e argumentuese të gjerë, autori e ka
shkruar librin në kohë të shpejtë dhe “flakë për flakë” me pandeminë, pa
pritur, sipas teorisë së distancës, për t’i parë gjërat. Emergjenca e situatës
e ka shtyrë atë që reflektimet e veta t’i hedhë sa më shpejt në letër, duke
bërë trajtime psikosociale të efekteve dhe kundërefekteve të pandemisë në jetën
e shoqërisë tonë. Këtë libër, sociologu Tushi e ka shkruar në periudhën
shtator-dhjetor 2020 dhe ka munduar të diagnostikojw disa dukuri, fenomene e
fusha të reflektimit psikosocial të pandemisë në jetën e shoqërisë shqiptare.
Ndoshta kjo vepër është rezultat i faktit që autori u angazhua intelektualisht
e profesionalisht që në fillimet e shfaqjes së virusit. Ai u angazhua
seriozisht dhe në mënyrë të pandërprerë në shumë biseda televizive, shkrime në
shtypin periodik, i bindur dhe duke menduar se virusi Covid-19 nuk do ishte
thjeshtë një “patologji kalimtare”, sezonale, pa efekte të thella.
Ai
thotë se nga zhvillimet e virusit dhe zgjerimi intensiv i infektimeve të
ardhura prej tij, u kuptua që ishim në vorbullën e “kohës pandemike”. Sipas
autorit, është historia që na mëson se pandemitë kanë kurbën kohore, statusin e
efekteve të tyre në jetën e shoqërisë. Kjo ishte arsyeja pse autori e “zgjeroi
optikën” sociologjike të shikimit në këtë libër, duke qenë i bindur se pandemia
ishte një faktor që do sillte shumë pasoja ekonomike, sociale, zakonore,
institucionale dhe shëndetësore të dukshme, të prekshme, shpesh edhe tragjike.
Duke u nisur prej kësaj analize komplekse, autori në këtë libër është përpjekur
jo vetëm të bëjë analiza e reflektime të çasit apo sipërfaqësore, por dhe të
bëjë parashikime e të nxjerrë disa konkluzione specifike të ndikimit për
periudhën post-pandemike.
Autori
është i ndërgjegjshëm për vështirësitë për ta sintetizuar tërë ontologjinë e
pandemisë kaq shumë të ndërlikuar në një libër. Kjo, sepse situata aktuale dhe
koha kur u shkrua libri, ishte dhe është disi kaotike, e paqartë e pasigurtë.
Kjo, megjithë përpjekjet sociologjike që ka bërë sociologu Tushi, brenda
mundësive njohëse të fenomenologjisë virusale, sipas tij, përsëri e bën
sidoqoftë të vështirë parashikimin me saktësi të ndryshimeve të së ardhmes së
afërt dhe të largët. Libri ka një mesazh të qartë, të qëndrueshëm dhe optimist.
Sipas autorit, kjo situatë kërkon me patjetër që si shoqëri të zgjerojmë më
shumë “kufijtë” e arsyes sociale, në mënyrë që të ndërgjegjësohemi komunitarisht
për rrezikun.
Në
këtë libër, sociologu Gëzim Tushi, është marrë gjerësisht me “plasaritjet” e
thella që po shfaqen në strukturën, performancën e institucioneve sociale,
shfaqjen e anktheve dhe pasigurive që kanë cënuar disa parametra të “arsyes
individuale”.
Autori
ka një kolanë të gjerë librash në fushë të sociologjisë dhe analizës së
detajuar të dukurive në jetën sociale dhe individuale, në të cilat ai
“diagnostikon” shumë dukuri të jetës postmoderne, që sipas tij po bëhet
gjithnjë e më shumë likuide, e rrëshqitshme, e pasigurtë, ide, të cilën akoma
më shumë e ka theksuar në këtë libër, duke arritur në përfundimin se ndryshimet
që do të ndodhin, duan trajtuar me kujdes nga që, sipas tij, pothuaj “asgjë nuk
do të jetë ashtu si ka qenë më parë”. Gjërat, mendon autori, do të ndryshojnë
me ritme të ndryshme. Pavarësisht se disa me shpejtësi të madhe, me ndryshime
thelbësore e të menjëhershme, ca të tjera me gradualitet dhe ritme më të
ngadalta. Por një gjë është e sigurtë, sipas mendimit të sociologut Tushi, Covid-19,
thotë ai, do jetë “gurë caku”, që do shënojë piketa të reja të orientimit
social, ndryshimeve që do të ndodhin në tipologjinë e jetës sociale dhe
individuale. Mbase deri në nivelin, që mund të shërbejë si “vijë ndarje” e
mënyrave të sjelljeve të sotme, nga ato që do duhen dhe janë të dobishme për të
ardhmen. Me këtë bindje, ai, në librin e tij, bën analiza të zgjeruara dhe
refleksione për efektet polivalente dhe pasojat e pandemisë në jetën
individuale e sociale, duke u bazuar në idenë se pandemia ka ndikuar në
“rishikimin” e sistemit të vlerave sociale, të cilat do të ndikojnë edhe në
mënyrën e sjelljes individuale të njeriut në raport me veten, tjetrin dhe
shoqërinë në tërësi. Në libër ka trajtesa të zgjeruara e konkluzione të qarta
për ndikimet e izolimit në jetën psikologjike të individit, për lidhjet dhe
marrëdhëniet e reja midis brezave dhe ndikimet kontraversale të pandemisë.
Autori është marrë dhe ka vlerësuar në këtë libër punën heroike të mjekëve,
duke vlerësuar ridimensionimin pozitiv të “pushtetit të dijeve“ të tyre, bashkë
me magjinë e padiskutueshme që patën “bluzat e bardha” në këtë kohë të
shqetësimeve pandemike.
Libri
ka trajtesa për rolin e familjes dhe funksionet polivalente të saj, e cila mori
përsipër disa role e funksione, të cilat nuk mund t’i realizonte shteti.
Sociologu Tushi trajton rolin e shtëpisë si institucion me rëndësi i jetës
private, e cila gjithashtu na solli në mend se sa i rëndësishëm është ky
institucion për njeriun, për sigurinë fizike e morale.
Në
të njëjtën kohë ai bën analiza të marrëdhënieve midis pjesëtarëve të familjes
dhe ndërlikimet e tyre në kushtet e një izolimi, të cilin ai e quan “bunkerizim
shtëpiak”. Doemos nuk mund të ishte jashtë vëmendjes dhe analizës së tij
shkolla, e cila gjithashtu ju nënshtrua ndryshimeve të shpejta të tipologjisë
klasike të mësimdhënies. Një përpjekje gati në përmasa ekesperimentale për
zhvillimin e mësimit në distancë. Po kështu ai analizon ndryshimet që kanë
ndodhur në “botën e punës” dhe reflektimet e punës në distancë në tregun e
punës.
Autori
e mbyll librin me një kapitull përfundimtar, që e titullon “E nesërmja”, në të
cilin ai bën konkluzione përmbyllëse të librit. Sikurse shkruan autori, “ajo që
kam dashur të evidentoj në këtë libër, është ideja se në shoqërinë shqiptare të
“kohës post-pandemike”, edhe pse shoqëri rezistente, me “taban të fortë”
tradicional, inerci sociale, qëndresë të njohur ndaj ndryshimeve, duket se
pandemia e ka vënë në lëvizje të përshpejtuar “trenin e ndryshimeve” sociale.
Ai ka filluar të dalë nga “stacioni i vjetër”…
Ky
është libri i fundit i sociologut Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh” në kolanën e
gjerë me mbi 20 vëllime të shkruara prej tij në fushën e politologjisë,
sociologjisë dhe shkencave humane. Libri “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më
parë” besoj se është me vlerë për t’u lexuar, sepse është adekuat me kohën dhe
problemet që jetojmë dhe ndihmon për perceptimin e duhur të zhvillimeve
psikosociale në jetën tonë. Për sot dhe për nesër…!