Kulturë
Besnik Mustafaj: Lidhur me vendin e heroit në bashkëkohësinë tonë
E shtune, 09.01.2021, 09:00 PM
LIDHUR ME VENDIN E HEROIT NË BASHKËKOHËSINË TONË
(Është
fjala për esenë e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën)
NGA
BESNIK MUSTAFAJ
Poeti
Rexhep Shahu, te botimet “Klubi i poezisë”, ka nxjerrë një libër, i cili, sipas
mendimit tim, meriton vëmendje. Fjala është për esenë “Bisedë e përfytyruar me
Havzi Nelën”. Do vënë më së pari në dukje se kjo vepër është pjesë e një pune
të jashtëzakonshme që Rexhep Shahu, në kuadër të “Klubit të poezisë”, ka bërë
vitet e fundit dhe vazhdon të bëjë plot përkushtim për gjurmimin dhe nxjerrjen
në dritë të veprës letrare të poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, vepër
kjo e lënë kryesisht në dorëshkrim, dhe ruajtur më së shumti nëpër arkivat e
Sigurimit si “provë materiale e krimit të tyre kundër diktaturës së
proletariatit”, apo edhe andej – këndej nëpër të afërmit të tyre. Të shtatë
fletoret me poezi të Havzi Nelës, për shembull, vëllai i tij i kishte varrosur
në rrënjë të një peme. Nderimi i sinqertë, që po shpreh në këtë rast për Rexhep
Shahun, i shkon edhe sipërmarrësit Flamur Hoxha, i cili përbën një shembull të
bukur, por fatkeqësisht ende shumë të rrallë në botën shqiptare të
sipërmarrjes, duke hequr një pjesë të fitimeve të veta për t’u dhënë jetë
projekteve letraro - politike të “Klubit të poezisë”. Sjellja, për më tepër me
cilësi të lartë editoriale, e veprës së papërfunduar letrare të Havzi Nelës,
Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës dhe ndonjë tjetri, është një
shërbim shumë i çmuar që i bëhet jo vetëm kujtesës politike të shoqërisë tonë,
por mbi të gjitha letërsisë dhe më gjerë, kulturës tonë kombëtare. Uroj me
mendje dhe me zemër që Rexhep Shahu dhe bërthama rrezatuese e “Klubit të
poezisë” të kenë vullnet të fortë për ta vazhduar këtë punë, pa u shkurajuar
nga vonesa e mirënjohjes publike dhe shtetërore, me të cilën shoqërohet
përkushtimi i tyre.
Do
të kisha thënë pa ngurrim se libri “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” është
një shprehje sipërore e këtij përkushtimi të Rexhep Shahut. Kjo që po them e do
një shpjegim. Në këtë rast, Rexhep Shahu nuk ka ndërmarrë shkrimin e një
biografie të poetit martir. Ai nuk është më as në rolin e hulumtuesit të
zellshëm të shkrimeve poetike ose jo të Havzi Nelës, me qëllimin e lartë për
t’i botuar ato, duke i bërë kështu pasuri publike për mbarë shoqërinë tonë. Ai
me sa duket e ka mbaruar këtë punë, të paktën në pjesën e saj më thelbësore dhe
ndjen në vazhdim nevojën sa intelektuale aq dhe morale të shkojë më tej për të
na dhënë shembullin, i pari, ashtu siç beson se i takonte, të marrëdhënies që
duhet të ndërtojë një pjesëtar i elitës së sotme shqiptare me Havzi Nelën. Por
jo thjesht tashmë me poetin Havzi Nela. Elitës së sotme shqiptare, asaj
intelektuale dhe asaj politike, nuk do të duhej t’i mjaftonte pozita e lexuesit
kureshtar, qoftë ky edhe dashamirës për poezitë e Havzi Nelës. Rexhep Shahu,
nëpërmjet kësaj sprove, synon me seriozitet të madh të na kujtojë bindjen e tij
prej pasardhësi se Havzi Nelës nuk do t’i pëlqente kurrsesi që elitën shqiptare
të shekullit XXI në semantikën më të gjerë të kësaj fjale ta shihte kaq të
rehatuar në kanapenë e shtëpisë së vet, mbathur me pantofla të ngrohta, me
librin e poezive të tij në dorë, duke përsiatur në heshtje rreth estetikës së
pakryer të këtyre vargjeve. Në këtë kuptim, Havzi Nela, me krejt jetën e tij,
ku krijimtaria poetike është shprehje e vetëm një aspekti të caktuar të kësaj
jete komplekse, shndërrohet në qasjen e Rexhep Shahut në një referencë sublime,
një standard për të gjykuar mbi të sotmen e atdheut dhe të shoqërisë së
shqiptarëve përsa i përket cilësisë së lirisë dhe demokracisë, që ata gëzojnë,
pësojnë apo edhe ndërtojnë.
Duke
zgjedhur një qasje të tillë, e cila si stil shkrimi nuk është më e lehta,
autori Rexhep Shahu nuk niset paraprakisht nga qëllimi i bukur romantik për të
sublimuar më tej poetin martir Havzi Nela, duke e kthyer atë në një ikonë të
“revolucionarit të pamposhtur” siç e përcakton vetë në tekst. Nuk ka shfaqje
idhujtarie në këtë qasje. Mua, të paktën, gjatë leximit të vëmendshëm, nuk ma
la për asnjë çast ndonjë përshtypje të ngjashme. Përkundrazi. Autori i tekstit
gjen brenda vetes gjuhën e duhur për ta nxjerrë martirin nga bota e amshueme,
ku prehet prej 30 vjetësh, e sjell në bashkëkohësinë tonë dhe i jep atij një
energji specifike për veprim të drejtpërdrejtë prej heroi të gjallë mbi
aktualitetin. Pra, duket se autori i esesë e vendos heroin në detyrën e tij
përballë historisë së kombit. Ka një shëmbëllim prej rilindasi në këtë qëllim
të Rexhep Shahut. Rilindasit, siç dihet, e sollën fuqishëm Skënderbeun në kohën
e tyre për ta bërë udhërrëfyes shpirtër të ndërmarrjes së tyre.
Nuk
po them kurrsesi se Rexhep Shahu e krahason Havzi Nelën me Skënderbeun. Po dua
vetëm ta vendos sprovën në fjalë në suazën e një tradite komb?tare. Asgjë më
shumë. Fjalën e kam, pra, te shërbimet e gjithëkohëshme politike dhe kulturore
te heroit për të frymëzuar kombin, duke i ushqyer atij besimin në vete. Parë
kështu, heronjtë janë një pasuri e çmuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe jo
një stoli e mbyllur në kornizë, që na zbukuron të kaluarën. Në këtë frymë edhe
autori i esesë konstaton me të drejtë se në një masë të madhe shoqëria e sotme
shqiptare është tulatur moralisht, po humbet kthjelltësinë politike, po bjerr
guximin për të kundërshtuar, po pajtohet me frikën, po mësohet sërish me të
keqen. Thënë shkurt: po nënshtrohet. Në këto rrethana, Rexhep Shahu merr
përsipër të bëjë të mundshmen e vet si poet: me penën e tij të shqetësuar
rreket t’i vendosë kësaj shoqërie e posaçërisht elitës ose asaj që do të duhej
të ishte elitë, përballë heroin e përshtatshëm, atë që është sakrifikuar
pikërisht për idealet e lirisë politike dhe të demokracisë. Nga kjo pikëpamje,
titulli i esesë “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” më duket jo aq domethënës
për përmbajtjen. Shkrimtari i madh grek Niko Kazanzaqi ka një libër me titullin
“Raport për El Grekon” e ku ai, si procedim letrar, e vendos veten në pozitën e
raportuesit para El Grekos. Më duket se diçka e ngjashme do t’i shkonte edhe
esesë së Rexhep Shahut.
Duke
i “raportuar” me nerv Havzi Nelës për gjendjen, ku është katandisur liria jonë
politike dhe demokracia, Rexhep Shahu nuk pretendon për asnjë çast se është
zbuluesi i parë i krizës së thellë morale, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe
posaçërisht elitën, e cila po humbet me shpejtësi referencat ndaj vlerave
themeltare. Fjala është për ato vlera, të cilat do të duhej ta bënin këtë elitë
vazhduese të ëndrrës së heroit martir. Autori i esesë nuk shfaq asnjë shenjë
protagonizmi. Në tekst ai sillet si dikush, që po konteston një lëngatë të
dallueshme me sy të lirë nga kushdo. Po ashtu, duke thirrur në skenë heroin, të
cilin nuk e kërkon si udhëheqës të aktualitetit, por si mishërues frymëzimi, ai
përsëri nuk pretendon për risi. Rexhep Shahu, përmes kësaj sprove, po na thotë
se, për të dalë nga bataku e për ta shpëtuar të ardhmen, na mjafton përvoja që
kemi, mjaft që këtë përvojë ta nxjerrim nga arkivi, ta shqyrtojmë me sy kritik
për ta pastruar nga gabimet dhe ta përvetësojmë si energjitizëm. Është një kurë
e provuar se përtërin. Unë për veten time kështu e lexova.
Dhjetor, 2020