Kulturë
Hamza Halabaku: Dashuria që nuk u kurorëzua
E enjte, 07.01.2021, 11:30 AM
DASHURIA QË NUK U KURORËZUA
Nga
Hamza Halabaku
Çadrat
e vendosura në ranë nuk ishin afër njëra-tjetrës sikur gjatë dy muajve të
shkuar. Gjatë korrikut e gushtit, cili do plazh i Ulqinit, ishte aq i ngarkuar
që, si thuhet, as mollën nuk kishe ku ta lije! Atë fillim shtatori moti kishte
vazhduar të jetë i nxehtë sikur në fund të gushtit, ndërsa çadra të lira kishte
sa të duash. Edhe pse moti vazhdonte të jetë i nxehtë çadrat jepeshin me çmim
të zbritur e shumë nga ato mbetnin të pa shfrytëzuara!
Në
mëngjesin e të dielës së dytë të shtatorit ndër të parët në plazh kishte dalë
Albani. Atë ditë kishte vendosur të rrezitet në Plazhin e Vogël!
Dita
kur Albani ishte shtrirë, gati i vetmuar, në Plazhin e Vogël, ishte ditë shumë
e nxehtë! Duhej një kujdes i shtuar për mbrojtje nga djegia e lëkurës.
Në
hyrje të Plazhit vëreheshin dy-tri shporta të vogla fiku të freskët kokërrmadh të cilat mbledhësit e hershëm i kishin
sjellë që në agim për shitje. Brenda murit, që në anën e veriut e rrethonte plazhin,
në ranë, përveç Albanit, aty këtu, dukej ndonjë pushues i rrallë që herët
kishte zënë vend në plazh. Kishte edhe çadra, aty këtu, pjesërisht të mbuluara
me ndonjë peshqir plazhi që të bënte me dije se ishin të zëna!
Nga
faqja e fundit, Albani, kishte nisur ta lexonte gazetën e asaj të diele
shtatori! Sa po e kishte gjetur fjalëkryqin kishte filluar ta plotësonte së
pari vertikalisht e pastaj, ishte përpjekur t’i gjente edhe fjalët në pozitën
horizontale të fjalëkryqit! Shumica e njerëzve
kur nisin plotësimin e fjalëkryqeve fillojnë t’i gjejnë fjalët që
kërkohen në pozitën horizontale e pastaj ato në pozitën vertikale, ndërsa Albani
e bënte të kundërtën! Edhe vet habitej pse nuk bënte si të tjerët!
Sa
po e kishte rrotulluar fletën e gazetës
ku ishte fjalëkryqi, në çadrën e parë fqinje jo, një rresht çadrash përtej,
kishte arritur një femër flokë gështenje e sy ngjyrë liqeni!
Duke
e shtri peshqirin e pambuktë ngjyrë hiri me vija të zeza horizontale në ranë,
ajo e kishte përshëndetur Shpendin me të cilin i ndante vetëm një çadër boshe
në mes. Përshëndetja nuk ishte në gjuhën shqipe edhe pse ishin në plazhin e qytetin ku më së shumti flitej
shqipja. Përshëndetjen Albani ia kishte kthyer në gjuhën e vet amtare!
-
Mirëmëngjesi edhe për juve zonjushe - i kishte thënë ai buzagaz - e si nën faj
që nuk e kishte kuptuar fare gjuhën në të cilën e kishte përshëndetur vajza
flokëgështenjë! Gjatë shkollimit, si gjuhë të huaj, e kemi mësuar gjuhën
franceze e gjuhën në të cilën më përshëndetët ju, që më duket se ishte
anglishte, le që nuk di ta flas, por edhe se kuptoj dot fare!
-
Më vjen mirë që e flisni frëngjishten. Unë fola në gjuhën angleze, por nga pak
e flas edhe atë frënge! Në Londër, që nga klasa e dytë, si gjuhë të huaj, e
kemi mësuar gjuhën franceze – ishte përgjigjur vajza me sy ngjyrë liqeni emrin
e të cilës ende nuk e kishte mësuar Albani!
Ditë
të mbarë e pushim të këndshëm! - i
kishin dëshiruar njëri-tjetrit. Ajo nga çanta e saj kishte nxjerrë një libër me
kopertinë të fortë dhe kishte filluar të
lexoj.
Kjo
kishte qenë e tërë biseda e tyre paraditen e asaj të diele shtatori!
Menjëherë
pas mesit të ditës ajo ishte ngritur në këmbë dhe po shikonte valët e qeta të
ujit ngjyrë kaltër që vinin nga jugu e përplaseshin lehtë në rënën e plazhit.
Albani
i kishte përcjellë lëvizjet e saj dhe
ishte përpjekur t´ia lexojë mendjen. Me gjasë kjo do t’i bie ujit, kishe
menduar ai!
-Doni
të freskoheni? - e kishte pyetur në frëngjishten e tij jo edhe aq të
rrjedhshme!
-Dua
të bëj pak not. Gjatë leximit, më duket se më është ngrohur edhe truri nga këto rreze të forta dielli. Nuk e kam
vërejtur se më paska ikur hija e çadrës – kishte thënë ajo.
-
Më mirë do të ishte sikur të rrinit më gjatë nën çadër. Këtu dielli është shumë
i fortë – i tha Albani.
-Do
të përpiqem kur të kthehem nga noti, edhe pse e dua shumë diellin – i kishte
thënë me ngadalë ajo në gjuhën frënge, duke ecur herë në maje të gishtërinjve
të këmbës e herë në thembra për shkak të nxehtit të madh të rënës derisa iu
afrua ujit dhe u zhytë në të.
Albani
kishte vazhduar me leximin e një vështrimi interesant, në faqen e tretë, të
gazetës së asaj të diele të ngrohtë shtatori.
Kur
ishte kthyer ajo nga noti, Albanin nën hijen e çadrës, me gazetën mbi fytyrë, e
kishte kot gjumi.
Deri
sa ajo po e tundte peshqirin e saj ngjyrë hiri me vija të zeza horizontale, për
ta hequr rënën, Albani ishte zgjuar nga gjumi i lehtë i drekës nën hijen e
çadrës së diellit.
-Hë,
ishte ujë i mirë për not apo...? – e
kishte pyetur ai.
-
Kur të hysh në ujë të duket pak i freskët, po trupi mësohet shpejt me freskinë
e tij e pastaj vështir e ke të dalësh! Është mrekulli të notosh në këtë ujë.
Është i pastër edhe i qetë. Valët që duken mbi sipërfaqen e detit janë nga
lëvizjet e këtyre barkave të rralla që po lundrojnë me pasagjerë
nga Plazhi i Madh këtu dhe anasjelltas, si dhe nga noti i këtyre pak notuesve
që janë në ujë.
Albani
deshi ta pyeste edhe diçka po ajo e ndërpreu.
-
Tani do të iki për drekë, por së pari e kam një lutje. A mund të kujdeseni derisa
të kthehem për këto rraqet e mia këtu nën hijen e çadrës – i tha ajo Albanit nga i cili në vend të përgjigjes mori
një buzëqeshje, e cila asaj iu duk shumë magjepse. Duke lëvizur me një
delikatesë të veçantë iu afrua Albanit. Ia zgjati dorën dhe i tha: Unë jam
Elizabeta. Njerëzit e mi më thërrasin Liza. Tani edhe ju mund të më thërrisni,
si të doni, Elizabeta, ose Liza.
-Të
faleminderit shumë, i tha Albani. Unë jam Albani. Alban Guri. Tani mund të më
drejtoheni me ti e jo me ju! Tërë paraditen ishim fqinjë të parë me çadra, këtu
në plazh. Ishim shumë afër në këtë ranë kaq të gjerë e të nxehtë e me kaq pak
pushues. Kurse, sa për rraqet, mos u merakos fare. Ashtu si do t’i lesh do t’i
gjesh – tha Albani .
Të
nesërmen çadrën që e kishin në mes nuk ishte më. Ata ishin vërtet fqinjët e
parë. Liza ishte ofruar për një çadër më afër Albanit .
Sa
herë Albani shkonte e sillte ndonjë pije freskuese nuk e harronte asnjëherë
Lizën. Edhe Liza e bënte të njëjtën gjë. Në mbrëmje secili shkonte në banesën e
vet me dëshirë që të pushonin e të flinin të qetë.
-Nesër
ai që zgjohet i pari i zë çadrat e njëjta – i kishte thënë Liza në ndarje.
E
tërë java e atij fillim shtatori ishte e Lizës dhe e Albanit. Mëngjesin e
fundit që ishin së bashku, Albani i pari kishte treguar se të nesërmen, pas
dite, do të largohej nga Ulqini.
-Edhe
unë kam siguruar biletën për të udhëtuar pikërisht nesër. Autobusi, me të cilin
do të udhëtoj deri në aeroport, niset në orën gjashtëmbëdhjetë! Deri në ora
dymbëdhjetë do të jem këtu në ranë. Besoj që katër orë më mjaftojnë për drekë
dhe për ta përgatitur valixhen e udhëtimit – tha Liza.
Të
nesërmen i kishin zënë të njëjtat çadra. Biseda e tyre ishte më e afërt se
ditëve të shkuara. Koha ecte shpejtë e atyre u kishin mbet shumë gjëra pa ia
thënë njëri-tjetrit.
-
A ke nevojë që të ofroj deri në stacionin e autobusëve? – e kishte pyetur
Albani.
-
Të faleminderit shumë, që mbrëmë e kam porositur taksinë – ishte përgjigjur
Liza, duke i thënë se do t’ia lë adresën e saj.
-
Unë, mbrëmë vonë e kam shkruar timen, e ke në këtë copë letre – kishte folur Albani
duke ia ofruar një copë letre ngjyrë të kuqe ku e kishte shkruar adresën e
shtëpisë dhe numrin e telefonit.
Atë
ditë gjatë kishin notuar së bashku duke u kujdesur për njëri-tjetrin që as
njëri të mos largohej shumë nga bregu i detit.
-Ky
Plazhi i Ulqinit mund të sjell edhe befasi... – kishte folur Albani.
Nuk
kishte shkuar shumë kohë pas ndarjes, e Albanit në arkëzën e postës së vendosur
para dyerve të hyrjes, i kishte ardhur një letër nga metropoli i Mbretërisë së
Bashkuar! Në mes tjerash në letër shkruante: “Nëse ke kohë të lirë, për festen e Krishtlindjeve, do të na gëzoje mua
dhe familjen, sikur të jesh me ne në Londër! Këtu në familjen tonë, po edhe në
tërë kryeqytetin bëhet festë e mrekullueshme! Babi dhe mami do të gëzohen shumë
nëse na paralajmëron se do të na bashkohesh për festë”.
Deri
në festën e Krishtlindjeve kishte më shumë se një muaj kohë. Albani edhe pse i
ishte përgjigjur letrës së Lizës nuk i kishte përmendur fare festat e
fundvitit.
Pa
ndërpre kishin vazhduar korrespodencën.
Në letrën e javës së parë të dhjetorit Albani
i kishte premtuar se për festë do të jetë në kryeqytetin e Britanisë së Madhe. Në ditën e njëzetë e
dytë të muajit të fundit të atij viti Liza kishte dalë, me veturë, për ta
pritur Albanin në aeroportin më të afërt të Londrës. Festa e Krishtlindjeve
kishte edhe dy ditë dhe familja e Lizës i kishte bërë të gjitha përgatitjet e
nevojshme.
Atë
ditë në orët e pasdites Albani për herë të parë kishte shkelur në tokën e
Mbretërisë së Bashkuar.
Pas
festës së Krishtlindjeve Albani edhe disa ditë e kishte vazhduar qëndrimin e
tij në Londër.
Liza
kishte vendosur që kur ta përfundojë Albani vizitën, të mos e lë vetëm të
kthehet në vendlindje. Liza do ta shoqëronte Albanin derisa ai do t’i
rregullonte dokumentet e nevojshme për të lidhur kurorën e martesës.
-Kurorëzimin
do ta bëjmë këtu në Londër. Këtu me rastin e celebrimit, kur zyrtarizohet
martesa dhe regjistrohet në zyrën e gjendjes civile është një ceremoni interesante dhe e
mrekullueshme.
Me
propozimin e saj ishte pajtuar edhe Albani.
Javën
e fundit të qëndrimit të Albanit në Londër, gati për çdo ditë kishin qarkulluar
nëpër shitoret më të mira të kryeqytetit për të blerë dhurata për prindërit e
Albanit, për motrat e vëllezërit e tij, por Liza, nuk i kishte harruar as ata
të rrethit të dytë të farefisit të Albanit.
Ditën
e fundit, duke u kthye nga qyteti për në shtëpinë ku jetonte Liza me prindërit,
pak pasi kishin hyrë në autobusin urban, Liza ishte me duart plot rraqe të
vendosura në qeska najloni e letre. Me kokë i kishte bërë shenjë Albanit që ai
ta shtypte biletën e udhëtimit. Albani ishte bërë se nuk po e kuptonte shenjën
që i kishte bërë Liza.
-Shtype
biletën – kishte folur me një zë të ultë Liza, që në autobus ishte ulur dy
karrige më përpara se Albani. Albani, duke buzëqeshur, ishte bërë se nuk e
kishte dëgjuar atë që i kishte thënë ajo.
Për
së treti, Liza ishte përpjekur edhe një herë ta bindte Albanin që ta shtypte
biletën e udhëtimit në vendin e caktuar në hyrje të autobusit. Albani, prapë
kishte buzëqeshur e biletën nuk e kishte shtypur dot.
Autobusi
kishte mbërri në stacionin ku Liza e Albani duhej të zbritnin! Liza me duart
plot po edhe Albani me rraqet që i mbante në të dyja duart kishin zbritur nga
autobusi. Liza kishte dal nga dera e mesme e autobusit e Albani nga ajo e
fundit. Ata nuk kishin mund të uleshin afër njëri-tjetrit nga numri i madh i
pasagjerëve. Si në kryeqytet ma...
Tanimë
dukej e qartë se Liza nuk ishte në qejf si ditëve të tjera. Kur mbërritën në
shtëpi, pas një pushimi të shkurtër Albani i kishte propozuar që t’i
rregullojnë rraqet me të cilat do të fluturonin të nesërmen herët në mëngjes.
-Jo,
kishte folur Liza – nesër do të fluturosh vetëm! Unë nuk do të vij me ty.
Kishte
pushuar pak dhe prapë kishte folur – nuk më vihet.
-
Liza, ne jemi marrë vesh që nesër herët të fluturojmë së bashku?!
-Jo
Alban!
Tani
më Liza nuk i tha, si ditëve të tjera, Alban i dashur. Kështu i kishte
thënë për çdo ditë sa kishte qëndruar ai
në Londër.
-Ti
sot, gjatë udhëtimit me autobus, e kishe biletën e udhëtimit e nuk e shtype. Me
fajin tënd të dy udhëtuam me autobus pa bileta. Udhëtuam në të zezë, si thuhet.
Ti sot e mashtrove vendin tim për vetëm pesë Pound! E çka do të bësh me mua nesër, për pak më
shumë para?! Po deshe do të mbesim në një farë miqësie, po për t’u martuar, nuk
do të martohem kurrë me ty...!
Të
nesërmen herët në mëngjes Liza e përcolli deri në aeroportin më të afërm të
Londrës e Albani fluturoi i vetmuar për në vendlindje.