E enjte, 28.03.2024, 01:30 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Lamtumirë poeti penë ndritur Luigj Çekaj!

E merkure, 06.01.2021, 10:11 PM


Lamtumirë poeti penë ndritur Luigj Çekaj!

Nga Keze Kozeta Zylo

Nuk kam shkruar gjatë gjithë jetës sime dhe t’i përcjellë publikut kaq shumë homazhe sa viti që shkoi dhe po aq gllabërues po duket dhe ky fillim viti…

Sot është ndarë nga jeta poeti penë ndritur Luigj Çekaj.  Lajmin e dhimbshëm e dha në llogarinë e saj në F/B, vajza e tij Enkolana Çekaj Mundija.  Me trishtim dhe keqardhje të madhe e prita këtë lajm të ndarjes së parakohshme të Luigjit mikut tonë të perbashket për të cilin kishim nje respekt reciprok nga më njerëzorët.  Kur ngushëlluam të bijen dhimbja të kaplonte shpirtin, kur tha që ju donte dhe ju respektonte shumë të dy me Qemalin.  Natyrshëm të vinë kujtime dhe komente pafund për shkrimet dhe poezite, përvojat tona artistike që shkembenim midis.  Poeti Luigj Çekaj është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë e cila humbi një poet të mirënjohur, kurse Diaspora një atdhetar zemërzjarr.

Dritë të pastë shpirti poeti penë ndritur Luigj Çekaj!

Si homazh po sjellë pranë jush essenë time kushtuar poetit brilant Luigj Çekaj

Poezia e Luigj Çekaj një hartë me metafora plagësh...

...Pasi me ta mbusha sarkofagët, vjeshtat dhe lumenjtë/ Nxorra sytë nga vendi dhe vendosa t'i hedh në det/ Bota nënujore me lashtësinë e shkruar në shtrat/ Me sytë e mi sfidoi thellësinë e ujit të vet...

Marrë nga poezia "Me lotët e popullit tim" fq.102

Kam kohë që lexoj poetin Luigj Çekaj, ish të vuajturin nga diktatura, por jo në kohën e akullt kur dritën mbyllnin nën gur morti...

I lexoj sot nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës.  Vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t'ju zhveshë atyre fisnikërinë si poet dhe njerëz, edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.

Ndonëse kanë kaluar 22 vjet nga rënia e diktaturës është e çuditshme se si këtyre poetëve të persekutuar dhe burgosur më parë nuk iu kushtohet vëmendje e merituar anipse poeti Çekaj rilindi në Amerikë...

Poezite e tij të shkruara brenda qelive pus të zi të burgjeve, apo nën një Hënë të përgjakur nga hanxhari i një gardiani, medoemos bëhen si gjoksi i Rozafës së murrrosur që la amanet për të ushqyer fëmijët.  Ndryshe çmimdhënësit i lënë poetët siç do të shprehet Çekaj në poezinë "Justinës"  Kryet si qyqe shkoj dhe i mbëhtes tek vrasësi im i vjetër.  De-pre-si-o-ni.

Ai shkruan me një butësi Bible për nënën e tij të shtrenjtë dhe kjo ndodh shpesh me poetë të kësaj race dhe ja se si:

Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema...

Këtë lidhje aq të ngushtë nënë e bir e bën dhe më hyjnore poeti bir që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.

Duke lexuar ndjen se poeti i burgosur i ka shkruar me lotin blu të Hënës vargjet dhe i ka stamposur brenda trupit ku me siguri kishte fshehur fletoren poetike të shpirtit.

Ai i shkruante natën në muret e ftohta të dhomës së burgut ku metafora bëhej zjarri i ngrohtë, ndërsa qerpikët e rënduar nga lodhja bënin roje për të ruajtur legjendat që shkruheshin në libërthin e zemrës.

Libërthi u bë si një dritëz ylli, violinë Apostulli, një legjendë që do të tregohet gjatë... Autori shpesh duket dhe një romantik i kohës plot kulturë dhe mirësi dhe ja si e përshkruan bukurinë e një vajze meksikane:  Balli i saj paksa i verdhë, dukej si një shpatullëz hënet/ ku si dy pellgje të kaltër yjesh, i shkëlqenin fort dy sytë/ Ngado që ta shikoje/ dukej se ishte meksikane/ por një meksikane e çuditshme, që sfidonte dhe mrekullitë. Me këto vargje Çekaj të kujton ciganen e bukur të Frederica Garsia Lorkës i cili u frymëzua prej saj dhe ja se si: "O mjellmë e zeshkët që noton në një liqen/ Me lotuse të rritura, me valë të portokallta/ Me karafila të kuq, ku shkulma kundërmon/ Foletë e roitura që ti mban nën flatra/ Martire andaluze, grua e mbetur beronjë/ Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di/ Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate/ Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri".

Pena e tij nxjerrë nga gjoksi nimfat e bukura, perëndeshat e bukurisë që emocionojnë me ndjesi të holla si filigramet e artizanëve të punuara në shekuj aq mjeshtërisht në poezinë "Trëndafilat e Majamit".  "Sapo i pashë këta trëndafila m'u kujtuan buzët e tua të kuqe/ Kopshtet erotike të Shkodrës dhe gjethet jeshile të tulipanit/ Tani dhe shpirti im i lodhur belbëzon dalëngadalë emrin"...

E bukura tërheq kudo e për më tepër një poet si Çekaj që prek ylberet përmallimthi në qerpikët e bukur të vashave.  Poeti aty ndërton folezën e dashurisë hyjnore, i cili i jep një dritëz të re botës dhe ndez flakën e dashurisë aq të munguar.  Poezitë e tij kanë mbirë natyrshëm si një ngushëllim për shpresë, ato janë filiza të një aristokrati të poezise dhe bëhen model qytetarie të një poezie në perfeksion.

Vargjet e tij më duket sikur më sjellin pranë Ana Ahmatovën ku nobelisti Brodcki thotë se rigjeti gjuhen e ligjërimit në universin shurdhmemec.

Në dhuratën me librat e tij që më dërgoi midis të tjerave në dedikim më shkruante se: "Lorka e quan poezinë thjesht si..."Një drer të plagosur",  kurse unë vazhdon poeti me një modesti për t'u pasur zili, vjershat e mia dosido do t'i quaja "si një Njeri i plagosur" duke e zëvendësuar me artin e zëvendësimit fjalën dreri me njeri ...

Ashtu si dreri me sy të magjishem dhe vështrim te butë që shetit pranë pemëve dhe ul kokën për të pirë ujë, buzë një pellgu a liqeni të pastër plagoset pafajësisht nga gjahtarët, ashtu më duket dhe poeti, zemra e të cilit u plagos pafajësisht nga gardianët e dhjamosur që zbatonin urdhërat e diktaturës verbërisht.

Diçitura e shkruar me një shkrim të bukur kaligrafik do të ruhet gjatë dhe me krenari në arshivën time personale dhe ndërkohë të kujton poetin tjetër hyjnor Frederik Rreshpjen me poezinë vdekjen e Dedelit të cilit varrin ja bënë në aerodromin e qiellit, ndërsa Zeusin modern e mallkoi.  Poezite e Çekajt jane si një far që fshehin shkëndijëza brenda metaforave të tyre me një ngarkese të theksuar emocionale plot gazavaje që prekin thellë zemrat e lexuesve të shumtë.

Shokët e burgut të tij janë dhimbja e madhe e poetit.  Një prej poezive kushtuar bashkëvuajtesve është ish të burgosurit politik "Luigj Kabashit" të cilët kanë lindur në një qytet me disidentë të rebeluar si metaforat e Selman Ruzhdiut, ku plagët e viktimave s'ka mundur asnjë pushtet t'i shërojë, mjerisht...

"Me Luigjin, dashtë pa dashtë/ Kam patur një si fat absurd/ Sepse kur Ai shpresonte të dilte jashtë/ Unë trëmbesha se do të hyja në burg"/

Në poezitë e tij ngrihen probleme të mprehta sociale dhe shoqërore që po kalon shoqëria jonë.  Kështu hapja e dosjeve me të cilët spekullojnë shumë nga parlamentarët tanë ai shkruan:  "Hapeni shtatoren/ o ushtarë që të shoh/ Shkodrën dhe time motër..." Dhe krejt si në historinë e njërës nga ato me telefaks ma dërgoni urgjent "Dosjen".  Dhe nxini ku të mundni/ Bëjeni sterrë deri në fund/...Se me "dosjen" time të bardhë, Kam ndërmend të bëj biznes, Në blefsha atje njëqind dollarë, Dy milion këtu do e shes..."

Ato pikojnë dhe trokasin mendueshëm mbi shpirtrat tanë, mbi shpirtrat e lexuesve, por nuk jam e sigurtë, se sa ndihen ndër shpirtra ligjvënësish??

Poezitë e Çekaj janë vatër e prushtë me thëngjij ndezur.  Ai bisedon poetikisht me shkrimtarë të shquar i ka ftuar për darkë në tryezën e tij dhe  ndjen dhimbje për njerëzit e papërgjegjshëm që gjejnë lloj lloj mënyrash per të hedhur baltë mbi punën e tyre dhe ja se si: "Parmbrëmë, Noli me Konicën qenë për darkë tek unë, Të dy nervoz, sepse i shanin në Internet edhe pas vdekjes!... Kurse Millosh Gjergj Nikolla/ Me një penë të ngulur në gjoks!  I tundur më tha: Atdheu im m'u ankua!  Tashti duket se s'ka më nevojë për mua!"

Marrë nga poezia "Shpirtrat e Shqiptarëve më duken si Ata të purgatorëve", fq.34.

Poeti ndjen dhimbje gjer në eshtër për përbaltjen që iu bëhet burrave të ndritur të Kombit, apo vuajtjet e tmerrshme që pësoi kjo klasë fisnikësh, ndaj ai lutet duke thënë në poezinë: "Le të jem unë shpirti i fundit/ Që po gërryhem/ Nga tërë ky përrua gjaku/ Sajuar për zhdukjen e popullit tim.  Marrë nga poezia "Le të jem unë" fq.25

Duke përfunduar poezitë e Cekaj pashë dhe preka nga afër një hartë me metafora plagësh, ku pena e tij siç dhe shprehet është një lufte poetike, është hartë e dhimbshme plagësh vizatuar me thika hijesh mbi shpinë...

Staten Island, New York

5 Janar, 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kozeta Zylo: Në përkujtim të Inxh. Xhaferr Agaraj, ish i burgosur politik i Spaçit Kozeta Zylo: 57-Vjetori i pushkatimit të poetit disident tepelenas Trifon Xhagjika Kozeta Zylo: Në tre Vjetorin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. New York Kozeta Zylo: Ëndrra e dhjetoristëve - "E duam Shqipërinë si gjithë Europa"... Kozeta Zylo: Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” festuan 108-Vjetorin e Pavarësisë Kozeta Zylo: Falja e kokës së gjelit nga Presidentët në Shtepinë e Bardhë Kozeta dhe Qemal Zylo: Lamtumire Nuri Dragoi Kozeta Zylo: Saranda, Dea dhe Joni Kozeta Zylo: Në 60-të Vjetorin e një aktivisti të nderuar të Diasporës z. Mark Qehaja Kozeta Zylo: “Alba Life” me mësimet Online mundi Covdi 19 Kozeta Zylo: Lamtumirë koleg dhe gazetar i shquar Sulejman Gashi Kozeta Zylo: Shkolla Shqipe “Alba Life” NY do të fillojë në online vitin akademik mësimor 2020-2021 Kozeta Zylo: Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” vazhdon të jetë aktive Kozeta Zylo: Ernest Koliqi dhe Martin Camaj dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit Kozeta Zylo: Bisedë me znj. Zelfina Sela kandidate për deputete në zonën 5, në Maqedoninë e Veriut Kozeta Zylo: Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin Kozeta Zylo: Urime Ambasadore Sahatqija, Bijë e denjë e Kombit tim Kozeta Zylo: Flet Dr. Pjerin Gjoni nga Fronti i Luftës Kozeta Zylo: Njeriu George Floyd meriton vetëm drejtësi, jo se është afrikan, por është Njeri Kozeta Zylo: Dr. Linda Ciu në vijë të parë në frontin e Luftës kundër Coronavirusit në Massachusetts

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora