Kulturë
"Amazon" boton novelën “Pacientja e dhomës 203”, të autores Elona F. Paja
E marte, 05.01.2021, 10:01 AM
"Amazon" boton në anglisht, Thrillerin psikologjik, novelën “Pacientja e dhomës 203”, të autores ELONA F. PAJA
Nga
Albert Z. ZHOLI - redaktor
Novela
“Pacientja e dhomës 203”, është një rrëfim dramatik plot tensione, kthesa, të
papritura në jetën e personazheve interesantë që parakalojnë nëpër ekranin e
këtij rrëfimi. Duket sikur çdo gjë është qendërzuar pikërisht te Dhoma 203, por
në fakt dramaciteti përfshin jo vetëm pacienten fatkeqe të kësaj dhome, por
edhe të tjerë jashtë saj, duke i shtuar viktimat e pafajshme.
Mjeku
i ri i spitalit psikiatrik, Roberti, që duket se po i ngjit i sigurt dhe i
kënaqur shkallët e karrierës, fsheh në vetvete edhe një enigmë e mister, që
shpaloset dhimbshëm nëpër faqet e rrëfimit. Ai, ka kaluar një fëmijëri
tragjike, i abuzuar seksualisht prej të atit, rritur me shumë sakrifica prej
një nëne fatkeqe, e cila edhe ajo më pas përfundoi në psikiatri. Roberti si
mjek, por sidomos si njeri, është i mbrujtur me dramën e pashlyeshme nga
kujtesa e ndërgjegjja e tij. Kjo do të kushtëzojë edhe karakterin e tij të
deformuar gjatë jetës, sjelljet e tij të maskuara e hipokrite ndaj të tjerëve,
madje edhe ndaj njerëzve më të afërt e të dashur, siç është gruaja e tij
fisnike, Anja. Çuditërisht, ai aktron, nuk është vetvetja në asnjë rast, kërkon
të realizojë veset e egon e tij të sëmurë mbi fatkeqësinë e tjetrit, mbi jetën
e tjetrit. Ai arrin dhe shfrytëzon në kuptimin më antihuman pacienten e tij
të dhomës 203, duke “i vjedhur” asaj
jetën e dhimbshme që ka kaluar, duke e nxitur të shkruajë kujtimet e brengat e
saj, e duke i marrë ato e duke i përdorur si të tijat, duke u shfaqur mes miqve
dhe kolegëve jo vetëm si mjek i zoti, por edhe si tregimtar e shkrimtar i
suksesshëm!
Por
nuk është vetëm kjo ana e zezë e karakterit të tij të deformuar e të vrarë përfundimisht.
Ai edhe si mjek eksperimenton në mënyrë çnjerëzore mbi pacienten e dhomës 203,
por edhe ndaj pacientëve të tjerë. Në mjaft raste, nga këto lloj abuzimesh
eksperimentale, jeta e pacientëve është rënduar së tepërmi, madje edhe është
kërcënuar seriozisht, ose ka përfunduar në vetëvrasje.
Rrëfimi
dramatik në novelë është njëra anë. Se në fakt, jeta dhe personazhet ndërthuren
e përplasen edhe në planin psikologjik. Ndonëse dhoma 203 është “skena”
kryesore e ngjarjeve, këto dallgëzojnë madje edhe më fort jashtë dhomës, jashtë
spitalit. Dhe bie në sy gruaja e doktorit, Anja e brishtë, e padjallëzuar, një
femër sa fisnike aq edhe fatkeqe që ka rënë pa dashur në duart e një “njeriu të
frikshëm”, mbushur me vese dhe ego vrastare. Ajo e ndien se diçka nuk shkon në
jetën e saj bashkëshortore me mjekun karizmatik, në sjelljet e tij me pacienten
e dhomës 203, me koleget e tij infermiere, që duket sikur diçka mbulojnë,
maskojnë pas së qeshurave dhe miqësisë
që ofrojnë. Dhe për të zbuluar se cili është në të vërtetë i shoqi i saj,
doktor Berti, të cilin ajo e dashuroi si
e marrë, pa kushte që në çastin e parë të njohjes, i duhet të përfshihet në
punë konspirative, në ndjekje e vëzhgim të fshehtë. Kjo është diçka tepër e rëndë
për të, krejt e padëshiruar prej saj, sepse nuk është në natyrën e brishtë, të
çiltër e të ndershme të Anjës. Me zemër të lënduar, ajo beson se ka me vete
edhe infermieren e spitalit, vartësen.