E enjte, 03.10.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Lamtumirë vëlla i dashur Dr. Safet Idrizi

E shtune, 02.01.2021, 06:30 PM


LAMTUMIRË VËLLA I DASHUR DR. SAFET IDRIZI!

Nga Hazir Mehmeti, Vushtrri

Lajmi i ndarjes prej nesh i kushëririt  Dr. Safet Idrizit dridhi shpirtra gjithandej vendit. Ringjalli tek ne madhështinë e veprës së tij që nga fëmijëria gjerë në ditën e sotme kur iku nga kjo jetë. Qysh si fëmijë me inteligjencën e tij ndrite fushën e fshatit tonë të varfër ku ai dilte të luante me kalamajtë moshatarë. Të gjithë flitnin për te: E ke provuar se si llogaritë aq saktë edhe pse ka vetëm katër vjet, -pyeteshim mes veti. Nuk ishte e rrallë kur mësuesi sheshi e merrte në klasë si shembull para nxënësve edhe pse ai ishte disa vjet më i ri. Shtatshkurtër me sy të zinj dhe të kthjelltë, i tërhequr por shpirt vullkan brenda gatuar në dashuri e respekt ndaj të gjithëve. Kjo dashuri u brumos në urtësi dhe vendosmëri në rrugën e dijes, rrugën e forcës, për të ndihmuar njeriun dhe atdheun. I dinte Doktori vuajtjet dhe nevojat e kombit, i njihte dhembjet damarëve të tij shekujve.

Çdo vit i jetës së tij sillte për fshatin tonë gëzim e shpresë.

Ishte sfidë e madhe të ishe bir i një fshatari në malësinë e varfër të Drenisë. Ai e kaloi me vendosmërinë e tij, bukë misri dhe librin bashkë shtigjeve të panjohura të dijes. Filloi të flitej për dhjetat e studentit të shkëlqyeshëm të mjekësisë.

- Profesori ynë para auditorit përplot absolventë pas provimit të tij me brucoshët  e filloi: “Sot jam i disponuar shumë, i ngazëllyer aq sa më duket se po fluturoj, dhe vazhdoi me përshkrimin e studentit që e kishte lumturuar. Ai ishte pikërisht Dr.Safeti ynë i cili hapte rrugë drejtë shkencës dhe afirmimit të tij. Krenaria e asaj ligjërate nuk do më largohet kurrë dhe do ia përcjell edhe në botën tjetër ku ai u ngut të ikte. Përkushtimi i tij, edukata e tij u bënë shembull për të tjerët jo vetëm në fshatin tonë, por edhe më gjerë.  Tani atyre shtigjeve Dr. Safeti do marshon me stetoskop, gërshërë e pushkë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare në rrugën e Lirisë dhe porosive të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Dr. Safeti nuk ndiente lodhje ditë as natë, kurdo ishte i gatshëm në ndihmë të të sëmurëve në luftë e në liri. Së fundi, në luftën kundër Kuçedrës së padukshme mori krah dragoi për mundjen e saj. Ai, Doktori fitues i  luftës, i paqes, tani ra dëshmor në Luftën me Kuçedrën e padukshme për të mos vdekur kurrë kujtimi i tij.

Prehu i çetë në dheun e bekuar të Mëmëdheut për të cilin dhe shumë!

Lavdi në jetë të jetëve!

Me pikëllim të thellë!

Hazir Mehmeti, Austri

Dr. Safet Idrizi u lind në Beçiq, fshat malor të Drenicës. Prindërit e tij Ramadani dhe Eminja e edukuan në frymën njerëzore e kombëtare. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Vushtrri. Fakultetin e Mjekësisë dhe specializim e lartë në Universitetin e Prishtinës me nota të shkëlqyeshme.  Qysh si student, edhe pse në situatë të rëndë ekonomike, ai notat i kishte dhjeta. Dr. Safeti Ishte veprimtar i pa përulur për të drejtat kombëtare, ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke dhënë ndihmë të madhe në kohën e luftës. Pas luftës punoi në Vushtrri, ishte drejtor i Qendrës Shëndetësore, Kryetar për Shëndetësi i Komunës.  Ishte aktiv në jetën politike të Komunës e më gjerë, mes tyre asamblistë në disa mandate në Komunën e Vushtrrisë. Mori shumë mirënjohje nga institucione për veprimtarinë e tij në shërbim të qytetarëve dhe si ushtar i devotshëm për liri. E gjithë familja e tij ishin të angazhuar në luftën çlirimtare.    Virtyti i lartë njerëzor e karakterizonte personalitetin e tij gjatë gjithë jetës.  Së fundi ishte në ballë të luftës me korona virusin duke u dhënë ndihmë shumë prej të sëmurëve. Nga ky virus preket edhe Dr. Safet Idrizi i cili vdiq pas disa javësh i infektuar rëndë. Vushtrria dhe gjithë Kosova humbën në njeri të jashtëzakonshëm. Ai do pushon në varrezat e fshatit të tij, Beçiq, të cilin e donte shumë dhe bëri shumë për te dhe bashkëfshatarët e tij. Lavdi!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora