E enjte, 10.10.2024, 08:54 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Puna e shkrimtarit është e rëndë por e shenjtë!

E diele, 03.01.2021, 06:20 PM


Krijimtaria letrare dhe fenomeni i sfidave krijuese nëpër kohëra dhe pesha e vitit 2021

PUNA E SHKRIMTARIT, ËSHTË E RËNDË POR E SHENJTË...!

Nga Sejdi BERISHA

Krijimtaria letrare dhe krijuesi sikur janë themelet më të vjetra të njerëzimit. Dhe, nëse është kështu, atëherë pesha, roli dhe rëndësia e këtyre dy faktorëve, jo vetëm është domethënës, por janë ajo pasqyra dhe drita e njerëzimit. Mirëpo, është karakteristike, se krijuesit në shumë periudha kohore, mbase edhe gjithnjë, disi si janë përbuzur, andaj edhe ky realitet ua ka rënduar jetën dhe ua ka bërë plotësisht të veçantë, e të ngarkuar me gjithçka që jetën e përcjell. Andaj krijuesi, si i tillë, i cili më shumë është përballur me problemet sociale, me përplasjet me kohërat dhe sistemet, por që të gjitha këto atë e ka bërë të qëndrueshëm, problem të cilit i druan shoqëria, por që ai gjithnjë është promotor i komuniteteve dhe i kombeve në çdo kohë, situatë dhe periudhë.

I theksova të gjitha këto i theksova, se krijuesi në trojet tona, sikur më shumë e diku më pak, veprën dhe jetën e tij e ka të mbingarkuar më shumë probleme, bile edhe nder ato më banalet. Ndoshta edhe për këtë ata janë ose duken se janë të shkapërderdhur, edhe të ndarë me atë tharmin e inateve, që krijimtaria letrare, shpirti i krijuesit nuk ishte dashtë ta toleroj kurrë dhe në asnjë rast e situatë.

Po kështu ishte edhe krijimtaria e shkrimtarëve në vitin që e lëmë pas. Ky vit, përkundër lëvizjeve të rënduara shoqërore mbase edhe të vetë dukurive e problemeve që na i sjellë natyra, edhe pse kanë qenë angazhime të bollshme dhe pothuaj se kudo, megjithatë, lënë përshtypjen se më shumë u ngjajnë takimeve kurtuazie dhe sa për t’u takuar miqtë në mes vete, sesa takime ku janë prezantuar vlerat e qëndrueshme dhe ato që i japinë begati vulës së historisë dhe kulturës kombëtare.

Është për çdo lëvdatë fenomeni i “daljes” në skenë të krijuesve të rinj, të cilët i ushqejnë dhe i trimërojnë shpresat e tyre për t’u bërë krijues të mirëfilltë, por e tërë ky invazion më shumë ka qenë me libra e botime me vlera që nuk kënaqin, e që njëherësh ndikojnë edhe në rrugëtimin e krijuesit të gjeneratave të reja, por edhe në vlerat e qëndrueshme letrare kombëtare.

Promovimet dhe botimet e shumta gjatë vitit 2020, krijonin njëfarë kënaqësie edhe për autorët por edhe për ata që i përgëzonin shkrimtarët, e që aktivitetet e tilla, pothuaj se menjëherë harrohen dhe i mbulon pluhuri i harresës, që është reflektim i punës rutinore apo edhe kuantitative. Në këtë aspekt, po ashtu, kujtoj se edhe në këtë vit ishte një punë “vetjake”, si e klubeve dhe e shoqatave, por edhe e vetë krijuesve, e që kjo ndikon negativisht në aspektin e bashkimit të vlerave, për t’i prezantuar ato në nivelet më të larta, në instancat ku afirmohet edhe fjala edhe shkruar, edhe krijuesi.

Ndërsa, duke u nisur nga e tërë kjo që theksova, por edhe nga problemet e natyrave të shumta që i solli pandemia, respektivisht, COVID-19, dhe jo vetëm pandemia, viti 2021 do të jetë një ecje me paterica e të gjitha fushave, pra, edhe e krijimtarisë letrare. Megjithatë, krijuesit kurrë nuk janë dorëzuar dhe as nuk janë zhgënjyer nga asnjë luftë, nga asnjë e papritur, nga asnjë shtrëngesë e pengesë. Përkundrazi, të gjitha këto kanë shërbyer për begatimin e inspirimit edhe më të thuktë, edhe më të sertë, edhe më filozofik të tyre...

Ikja e shkrimtarëve është e rëndë e prekëse dhe të dhembshme që e dridh,…e trondit edhe tokën...!

Mirëpo është edhe një dukuri, së shoqërinë por edhe krijuesin e zë ngushtë për shumë gjëra që shpirtin ia ndrydhin, e një prej tyre është edhe “ikja” e shkrimtarëve!

Bile, ikja tek ne, çfarëdo ikje qoftë, çuditërisht është si diçka e zakonshme, që nuk na bën përshtypje edhe kur prej nesh ikën ajo që të tjerët do ta lakmonin dhe do ta prisnin me decenie e me decenie, atë që do ta kultivonin dhe respektonin deri në fund të fundit. Pse është kështu?! Arsyetimet janë ose nuk janë nga shumë kënde dhe të shumëllojshme, bile edhe të pamatura e shpesh edhe tejet sipërfaqësore e të papërgjegjshme, qesharake. Mendime që shpesh ua vënë disa vula të zverdhura, apo shenja për të treguar  se ne i braktisim gjurmët, ua vëmë pluhurin pikërisht me ikjen dhe me harresën e qëllimshme apo të paqëllimshmet shkrimtarit.

Njerëzit, pra, edhe shkrimtarët, për kombin janë ushqim ashtu si gjaku për trupin. E, shkrimtarët ikin në mënyra të ndryshme. Ata i kanë muzat e tyre që u flasin, u shushuritin dhe ua përkujtojnë gjërat. Pikërisht për këtë, ata janë shumë delikatë dhe shpesh treten duke kënduar, veniten duke medituar,… Ata shpesh pëlcasin nga parakumtët, nga pafuqia e zërit, nga rrënimet e ngritjet. Janë naksa, shkrimtarët! Shpesh ndodh që ikjet e tyre janë të shumëfishta, të pa kthim, të rënda e prekëse dhe të dhembshme që e dridhin,…e tronditin tokën. Për këtë, ata nuk e dëshirojnë ikjen në çfarëdo mënyre, sepse janë të lidhur me tokën, bile shpesh edhe përtojnë të ikin edhe në mënyrën-ikje përgjithmonë, pa i thënë të gjitha ato që ua dedikon mendja e tyre, që ua dedikojnë muzat e tyre, pa ia çmuar e vlerësuar shoqëria. Por,… edhe ikjet e tyre janë të çuditshme, e që kjo temë do të shpenzonte mijëra faqe e fletë fletoresh dhe sërish do t’u mbetnim borxh këtyre kasnecëve kryeneçë, të cilët shpesh nuk pajtohen as me vetveten. E dinë ata vetë për çfarë arsye...!

Sikur të na tregonin arsyen, do të na rëndohej jeta me mungesën e respektit, me nënçmimet, me urinë dhe etjen e tyre?!... Andaj, nuk do t’ia dilnim dot kësaj teme, por ikja,… ikja është gjithnjë trishtuese...!

Në këtë kontekst, më kujtohet Faik Konica i ikur,…edhe amaneti i tij për dy metra tokë në atdhe! Pra, ikja si ikje, ikja si kthim,… kthimi si ikje, athua a duan studim dhe koment?!

Dhe, për fund, kujtoj rrugëtimi i shkrimtarit është i rëndë dhe i dhembshëm, sepse, në penën e tij përherë mund thahet ngjyra, dhe kështu shkrimin e lë të pakryer.

Po ashtu, është e padrejtë që shkrimtari të vdes në dhe të huaj,… Për këtë le të mendojë kush si të dojë...

Kjo është e vërtetë e cila lë hapësirë për komentim dhe për qortim...!

Këtë shkrim, m’u duk e arsyeshme që ta përfundoj me mendimin e dijetarit  nga Kina

Ming Çu: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata, është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’ua mbyllësh portën për të mos i pranuar”...!

(©S. B.)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora