Kulturë
Qazim Shehu: Panoramë e historisë së Rremullit dhe të Matit
E marte, 05.01.2021, 11:10 AM
Panoramë e historisë së Rremullit dhe të Matit, nga lashtësia deri më sot
Nga
Qazim D. Shehu
Në
bisedat e herëpas’hershme me Bajram Canametin, midis të tjerave, binte fjala
për historinë dhe të kaluarën, prerjet e saj kohore dhe integritetin perms
vazhdimësisë së saj. Bajrami shpjegonte me pasion këtë lidhje dhe me ekzaktësi
fliste për njerëz, ngjarje, të cilat mbanin brenda një sharm trimëror dhe
romantik.
Ai,
me një kujtesë të admiruar, mbante mend emra të pafundmë nga fise të ndryshme,
duke dhënë detaje të hollësishme për ‘to e këto detaje ishin aq mbresëlënëse,
sa shpesh arrin deri te bërthama e një poezie. Ky studiues i zellshëm, ca i
njihte e për të tjerët kishte lexuar e sillte fakte të pakundërshtueshme.
Kështu, bisedat bëheshin të këndshme, sugjestionuese. Ndenja bashkë me një
njeri të rëndësishëm është gjithnjë një përfitim.
Bajrami,
poet, studiues, publicist dhe njeri i kulturës, vjen me këtë libër me një
prezantim dinjitoz, ku bie në sy faktologjia e pasur dhe interpretimi i
besueshëm. Për të ardhur këtu, atij i është dashur një rrugë e gjatë, e
mundimshme, por pasionante dhe mbresëlënëse.
Bajram
Canameti i përket racës së atyre krijuesve që janë të heshtur e modestë, por që
flasin me mirësinë e veprës së tyre, gjithnjë të mbrujtur nga dashuria për të
vërtetën dhe për njerëzit, të përkushtuar ndaj leximit dhe dijes, duke sjellë
një botëkuptim, si adhurim ndaj historisë dhe vlerave të trashëguara në shekuj.
Kjo
është fryma që tejçohet fund e krye në këtë libër të ri, impresionues dhe
ngulmues, pretencioz, për të shkuar gjer në thellësi të kohërave e shekujve dhe
për të zbuluar tokën e begatë ku ushqehen këto rrënjë të identitetit dhe të
rritjes, pavarësisht nga stuhitë që kanë shfryrë pezm e vrulle idhnake për ta
gërryer këtë tokë.
Besimi
se e kaluara e lavdishme e të parëve ende kërkon punë për ta zbuluar, se, sado
të thuhen gjërat nga autorët e tjerë, ende mbetet për t`u thënë, e ka shtyrë
Canametin të kërkojë dhe të rendisë gjithë ato fakte e të konkludojë në
domethënie të forta, jashtë çdo mitizimi e panegjirizmi fals, sa për modë.
Duke
ndjekur traditën e historianëve tanë, ai shkruan një histori totale për
Rremullin, analizon lashtësinë, jetën historike, shoqërore-kulturore të kësaj
krahine, duke vendosur në lupën e tij çdo gjë, jo nga frika se mund t`i
shpëtojë, por se duhet thënë dhe se e di dhe përderisa e di (si rezultat i
studimit), nuk ngurron ta thotë. Kjo traditë hijeshohet dhe merr vlerë te Bajrami,
për të vijuar me faktin tjetër mbresëlënës se ai është kushëri i Arif Matit,
(Matje Aref), profesorit të shquar në Francë, i cili bëri lidhjen shkencore nga
pellazgët te shqiptarët.
Librin
e tij, ku përzihen disa zhanre, (mund ta quajmë studim, disertacion për titull,
monografi, poezi, rrëfimtarí e lirë, ngjyrosur me intonime poetike, një tërësi
subjektesh të denja për ta zgjeruar frymëmarrjen në zinxhirë episodikë për
novela e romane) mund ta kundrojmë pikë së pari si një manifest të shpirtit
njerëzor, një dëshmi e kujtesës, nga zotësia për ta çprangosur nga harrimi
historinë.
Rremulli
është një fshat i pashkëputur nga Mati, nga historia e moçme e kësaj treve,
rëndësia e së cilës nuk është e pakët, sepse në atë zonë lindi Principata e
Arbërit, aty janë zhvilluar kuvende me rëndësi si: Kuvendi i Dukagjinit dhe i
Lisit, aty është lindur heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe, duke
shfrytëzuar të dhëna nga Sami Frashëri dhe Hahn, Bajrami përmend një sërë
qytetetsh që u ngritën, lulëzuan dhe u shkatërruan, si rezultat i luftrave me
pushtuesin e huaj si: qyteti i Xibrit, Shkopetit, Komsisë, Albanoi, Laç-Bruçit,
Lisit etj. E gjithë kjo përmendje nuk është pa rëndësi, sepse ajo dëshmon
nervin qytetërues dhe zhvillimin urbanizues të kësaj treve.
Duke
e parë Rremullin si vrullim malli dhe dëshmi krenarie, Bajram Canameti tenton
dhe ia arrin me suksese të ndalet tek emri i tij, për të shpjeguar se nga vjen
ky emër. Ai shpjegon se Romuli vinte nga komuniteti Alban, nga fisi Fugasi… Kjo
natyrisht nuk është trill, po një e vërtetë historike se, nganjëherë, përkimi i
emrave nuk është rastësi. Si vis arbëror, ai shpjegon rolin e tij si periferi,
i lidhur me qendrat imperatorake të kohës, lidhjet e shumta, lëvizjet etj, duke
përdorur teorinë e hulumtimit si model analizues përmes faktit. Autori e shtrin
metodën e tij në bindjen vetëm përmes faktit dhe të referimeve historike, duke
u përqëndruar në hapësirën e Remullit, më tepër si rrafsh historik dhe duke e
përcjellë dinamikën e historisë në fushën e një debati, i cili sido që të
hapet, i jep të drejtë autorit, varësisht prej referencave dhe faktologjisë, në
kufinjtë e së vërtetës së pamohueshme.
Përcjellës
i vemendshëm i kësaj dinamike historike, që përvijohet nga ngjarjet kulmore e
ato që vijnë si plotësim i tyre, që nga njerëzit e rëndësishëm dhe figurat me
peshë e deri te të zakonshmit, autori përmend një tërësi emrash, duke filluar
nga mbretërit ilirë, figurat e Remullit, udhëheqësit e kryengritjeve për liri,
Pleq e kadillarë e deri te njerëzit që patën pozita kyçe në Perandorinë Osmane,
për të ardhur pastaj te fiset e Remullit si fiset Pepa, Stana, Bajlika,
Rizvani, Përlekajt, Dervishajt, Hoxha, Palluçi, Ruka, Stafajt, Likajt, Shehu,
Canameti etj, fise të përmendura, ku shquan tradita e atdhedashurisë,
mikpritjes, dashurisë për jetën dhe shqiptarizimi i kulluar në ruajtjen e
këtyre traditave. Autori shpjegon hollësisht origjinën e tyre, disa të ardhur
nga Kelmendi, Dibra, Kosova, por dhe Gramshi, për arsye të ndryshme, por që
gjetën në Rremull tokën e begatë të mirëseardhjes dhe të besës, çka flet për
një hapësirë me dritën e bujarisë të shpirtit rremullak.
Këto
fise, të dalluar nga njëri-tjetri, por absolutisht të përbashkët në fatin e
tyre, përbëjnë atë kor historik, që përcjell frymën e kombit, ku fati dramatik
u caktoi të mbanin në dorë më tepër shpatën sesa plugun, e megjithatë kurrë nuk
u mungoi dashuria për punën, dijen, dritën, arsimin dhe prirjen e vazhdueshme
perëndimore, në përkrahje të vlerave të larta të qytetërimit. Janë pikërisht
këto fise, me pleqnarët dhe kuvendarët e tyre, që ngritën çetat e para
antiosmane, që morën pjesë në luftën e Gjallishit më 1875, në Lidhjen e
Prizrenit më 1878, apo në Kuvendin e Suçit më 1908, në luftën e Shkallës së
Deshëve më 1913 dhe në betejen e
Kakarriqit, për të ardhur pastaj në Shpalljen e Pavarësisë e deri te
kryengritjet kundër garnizonit fashist në luftën e dytë botërore, sepse, siç
pohon autori: “Për atdhe Rremulli çohej në këmbë me krahë vetëtimash, me
rrufetë e zjarrta të qëndresës”.
Përmes
një qasjeje reale, Bajrami sjell emrat një për një të tyre, figurat më të
rëndësishme, dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë, origjinën e këtyre fiseve dhe
kontributin e tyre jo të pakët në jetësimin e çeshtjes kombëtare.
Këtë
qasje ai e bën me fluksin e informimit, po dhe të nënvizimit të atyre aspekteve
që i bëjnë këto fise të ndihen të pasqyruara denjësisht në penën e studiuesit.
Ai përmend figura të shquara të historisë kombëtare me origjinë nga Rremulli,
si Gjergj Kuka, gjeneral i Skënderbeut; Gjon Gjergji, pjesëmarrës në Kuvendin e
Dukagjinit; po nga Rremulli, Mehmet Hysen e Musafa Pasha, rremullakë; Mehmet
Hyseni, valí, me origjinë nga fisi Canameti, Mehmet Aliu, themelues i dinastisë
së Egjiptit, edhe ky rremullak, si dhe dinastia Gjika në Moldavi e Vllahi, me
origjinë nga Macukulli dhe Dervish Hima me origjinë nga Klosi.
Duke
e parë historinë si burim i vitalitetit të njeriut që mbart vlera të caktuara
të qëndresës dhe të dashurisë për liri, Canameti arrin të na imponohet përmes
një proze sa informuese aq edhe reflektive në shpalosjen e këtyre vlerave.
Argumenti
njerëzor është argument më i pamohueshëm që e dëshmon këtë vitalitet dhe nga
kjo premisë është nisur autori për të ndërtuar metodën e vet të pasqyrimit dhe
të analizës. Zona e Remullit ka qenë një zonë tensionesh, jashtë çdo konflikti
imagjinar, dhe ky tension ka ardhë për shkak të rrethanave ngushtuese
historike, të imponuara nga dyndjet pushtuese dhe kërcënuese, që kanë dashur ta
zhbëjnë etnitetin vendas të këtyre banorëve. Në kohëra të reja, edhe Rremulli u
përfshi në proceset e tyre social-politike, kulturore, duke dëshmuar dashurinë
për arsimin dhe kulturën.
Nga
ky fshat i lashtë i Rremullit dolën mjaft kuadro drejtues: kryetarë bashkie,
inxhinierë, mësues, sa, një familje (Canameti) kishte dhjetë mësues), poetë,
artistë, ndër të cilët, mund të përmendim Esat Rukën, këngëtar i shquar,
muzikolog; piktorin Tahir Tahiri, Van Gogun e peizazheve veriore; Ali Shehin,
piktor, e të tjerë e të tjerë.
Por
pas çlirimit, edhe në Rremull veproi kosorja e luftës së klasave, përçarja
ideologjike si shafran lindor, e cila, megjithatë nuk mundi ta zhbënte
burrërinë dhe genin ilirik të këtyre malësorëve të lirë, ndonëse solli dëme.
Fiset fisnike të Matit, në përgjithësi, dhe të Rremullit, ditën ta ruajnë
dinjitetin dhe të shpresonin te liria, e cila kishte qenë gjithnjë për ‘ta një thirrje
shekujsh që vinte si kushtrim gjenetik i të parëve.
Autori
Canameti bën gjithashtu një përshkrim të shtrirjes së Rremullit, si një
guiditim i arrirë gjeografik, duke shpalosur bukuritë natyrore të fshatit, po
njëherit me nuancat e poetizimit të përshkrimit nuk i kalon kufinjtë e
saktësisë dhe rri brenda tyre, pa shkuar në mjegullim poetizues. Si gjithnjë,
brenda natyrës së tekstit studimor, edhe këtu asgjë nuk humbet nga saktësia dhe
të bëjnë përshtypje toponimet, emrat e vendeve, të cilat, në shqiptimin e tyre,
mbartin lashtësi e dëshmojnë emërtesat krejt shqip, që vijnë nga moçmëria e
rrjedhës së tyre
gojë
më gojë, me ndonjë përjashtim. Kjo është një tjetër tregues i qëndresës
etno-kulturore dhe i përcjelljes së tyre në kujtesën popullore për të mbetur
ashtu, thjesht shqipe.
Edhe
pse mikrotoponimia në Shqipëri ka qenë e rrezikuar nga emërtesat sllave, si
rezultat i dyndjeve dhe invazioneve që dihen, në periudha të mugëta në histori,
në Rremull vjen fakti i gëzueshëm, për të thënë se ato janë të pandjeshme,
dëshmi e fortë e artikulimit shqiptarisht të emërtimeve gojë pas goje. Sheshi i
Shën-Pjetrit, Kisha e Shën-Pjetrit, Arat nën Kishë, Nën Kisha, Kisha e
Shën-Vlashit, Shën-Gjoni, Kodra e Shën-Gjergjit, Kisha e Shën-Gjergjit,
Shën-Marku, Kodra e Shën-Markut, disa toponime që dëshmojnë katolicizmin e
hershëm dhe toponime të tjera për emra njerëzish të ndryshëm.
Viset
arbërore të Rremullit e të Matit jepen nga autori me një vështrim të kujdeshëm
dhe të pasuruar me informacion bindës, deri shterues, çka tregon se autorit i
është dashur punë e gjatë, e kujdeshme dhe rigoroze, duke na sjellë një
panoramë të plotë që identifikohet dhe përmasohet perms një rrëfimi plot
dashuri për vendlindjen, e cila nuk mund të mjaftonte, pa kompetencën dhe
zotësinë autoriale. Si shkrimtar e poet që është, Bajrami nuk mund të rrijë pa
përmendur edhe detaje që vijnë nga episode mbresëlënëse, siç është ai i Tahir
Tahirit me Et`hem Barhamin, personalitet i kohës. Futja e episodeve me vlerë
emocinuese si shenjë e kohës dhe e shpirtit njerëzor, i jep librit një timbër
artistik, krijon një farë pauze dhe çlodhje leximore, pas analizave shkencore
që kërkojnë vemendje dhe intesitet të saj.
Autori
bën një ndërlidhje konceptuale midis kohës dhe njeriut, një raport i përcaktuar
nga rrethana të ndryshme, herë të favorshme, herë jo. Dhe patjetër, nga ky
raport, vjen natyrshëm edhe mesazhi bindës se, në këtë vendosje, trinomi
krenari, qëndresë, vazhdimësi të pashkëputshme, është ai çelësi emblematik që
ka hapur dyert e jetës për rremullakët dhe rri vetëm në këto përmasa. Në asnjë
rresht, dhe pse përshkruhen momente të zymta, nuk ndihet apostrofa e pikëllimit
apo e zhgënjimit, përkundrazi, tregohet në dritë të diellit gjallëria e jetës,
e përshkuar nga limfa e patriotizmit dhe e qenësisë.
Libri
i Bajram Canametit edhe pse ndahet në pjesë, funksionon në shijen e leximit si
i tërë, sepse është shkruar me vetëdije shkencore, letrare, gjuhësore,
artistike, në respekt të Remullit, të Matit, të traditave, të historisë, të
burrave të mirë me vlera. Është një libër që krijon hapësira të gjera të
pasqyrimit dhe njëkohësisht këto hapësira ai i shpalos dhe u heq mjegullën e
kohërave, në saj të zotësisë së tij, larg të qenit i anshëm në pasqyrim, por i
hapur,
duke
e parë Rremullin si pjesë të historisë së Matit, Matin si pjesë të historisë
kombëtare dhe jo rrallë si promotor e zhvillues i ngjarjeve të mëdha me peshë
për fatet e kombit. Në kuptimin shkencor, historik e narratorologjik të fjalës,
autori i ndërton mirë tonalitetet e stilit të tij, që vijnë e rrjedhin nga një
mendje e ditur dhe e një shpirti të pastër. Shpesh poezitë e tij, po edhe të
poetëve të tjerë, të pasqyruara në libër, sjellin gjithashtu kumte të reja dhe
përforcojnë idetë e shkulmojnë artistiksht rrjedhën rrëfimore të autorit Bajram
Canameti.
Si
përfundim, mund të themi se libri i Bajramit lexohet me një frymë dhe aty mëson
mjaft për historinë, për figura (ca të lëna padrejtësisht në harrresë) dhe në
morinë e librave monografikë, zë një vend të nderuar në radhët e para të tyre,
që mund të merret si model i thellimit në një çështje, para se ta shkruash atë,
duke mbajtur si devizë porosinë e Konicës së madh.