Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Reflektime në ditëlindjen e Fan S. Nolit
E enjte, 07.01.2021, 04:05 PM
Reflektime në ditëlindjen e Fan S. Nolit
(Janullatosi
që ecën triumfator mbi Kishën shqiptare të Nolit)
Nga
Keze Kozeta Zylo
Sot
ka ditëlindjen Fan Stelian Noli, Burri i ndritur i Kombit. Vepra dhe historia e Tij janë përjetësuar në
zemrat e shqiptarëve. Në këtë shkrim nuk
do të rendis veprat, përkthimet, publicistikën si një intelektual erudit, ngase
janë thënë, lexuar dhe sigurisht do të mësohen dhe përsëriten brez pas brezi,
por dua të ndalem se si kemi reflektuar ne si shqiptarë dhe a ecim në hapat e
udhërrëfyesit? Një burrë të ndritur nuk
mjafton vetëm ta përjetsosh duke i përmendur thëniet e famshme ku shumë
politikanë, kuvendarë, gazetarë, përdorin për t'i dhënë pak më vëmendje vehtes
së tyre apo shkrimeve, por një burr të ndritur e respekton atëhere kur ndjek në
cdo hap rrugën e tij. Ka shumë gjëra kur
politikanët, udhëheqësit sot pas një shekulli mund të reflektojnë, të hedhin
sytë se sa është udhëhequr nga vepra e të ndriturve, që në fakt dhe mjerisht
vazhdon të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme për ta bërë...
Ja
po e vë gishtin vetëm në disa plagë të trupit të sëmurë të Mëmëdheut tonë në
ethe: Ndonëse Noli e shkëputi njëherë e
përgjithmonë kishën ortodokse shqiptare nga Patrikana e helmuar greke dhe për
herë të parë në saje të përkujdesit të tij atdhetar dha meshën e parë në gjuhën
shqipe në Kishën "Shën Gjergji" në Boston, më 22 mars, 1908, ka që
nga viti 1992 që në krye të saj është prifti grek Janullatosi i cili trazon dhe
kockat e të vdekurve. Ai ecën triumfator
mbi tokën e Nolit dhe shkel mbi gjakun e Papa Kristo Negovanit, Petro Nini
Luarasit, Pandeli Sotirit dhe shumë e shumë të tjerë patriotë që u helmuan
pabesisht nga vëllezërit e një gjaku të Janullatosit. Priftit grek Janullatos ka 22 vjet që i
puthin duartë dikush dhe në buzë, si qeveritarët, kuvendarët dhe një pjesë e
sahanlëpirësve që u hedh nga një kockë për të lëpirë dhe për të ruajtur
gjithçka që ai ka futur në Shqipërinë tonë nëpërmjet kalit të Trojës, sidomos
kur shumë shqiptarëve iu ndërron emrat nga Ilir në grekë, ndërsa për vehte e
mban dhe e ruan me fanatizëm, pa frikë, pa ndrojtje me krenari mu në zemër të
Arbërit në Tiranë: Anastas Janullatos. Sidoqoftë
në këto trazira dhe konfuzione historike shqiptarët e vërtetë e kanë në mendje
vlerësimin e Faik Konicës për Nolin i cili thotë: "Dita që mëshoi për të
parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë,
as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Një
plagë tjetër e hapur që nuk ja kemi zbatuar amanetin Nolit është asimilimi i
mijëra femijeve shqiptarë në Diaspore që nuk flasin dhe shkruajnë shqip, nga se
nëpër shtete të ndryshme ose ka shumë pak shkolla ose nuk egzistojne fare. Shqiptarët vazhdojnë si në eksodet biblike
duke marrë rrugët e mërgimit për një jetë më të mirë. Duam nuk duam ne të gjitha këto probleme
çojnë ujë në mullirin e Janullatosit që bluan dhe prodhon pesticide për Kombin
Shqiptar dhe për kauzën e Nolit.
Kryeprifti
Janullatos nuk ka dhënë një meshë për shpirtrat e çamëve te masakruar nga
genocidi që kreu gjenerali Zerva rreth popullsise çame, nuk është distancuar
nga ligji i luftës me vendim të parlamentit grek të vitit 1940 dhe 1966 për
Vorio Epirin, pajtohet me qeverinë greke për të mos lejuar të hapen shkolla
shqipe në Greqi për emigrantët etj, etj...
është tragjike dhe komike se çfarë ndodh me politikanët tanë mjeranë dhe
puthadorës të Janullatosit.
Noli
e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Amerikë dhe edukimi i lartë që mori
medoemos që lanë gjurmë në veprimtarinë e tij.
Edhe në Diasporë ai punoi jashtëzakonisht, mbi të gjitha i bashkoi
shqiptarët për çështjen kombëtare por dhe tregonte kujdes dhe për emigrantët e
thjeshtë, gjë që është shumë e domosdoshme dhe për ne që jetojmë në Diasporë të
reflektojmë në prurjen e re të emigrantëve të rinj që ikën nga Shqipëria në
këto 20 vjet. Në lidhje me kujdesin e Nolit
për emigrantët dhe duke pasur fatin të kem komunikim të rregullt me prof.Peter
Priftin do të ndalem në një letër të tij i cili ma dërgoi në vitin 2010 për ta
lexuar në Boston ku shoqata e shkrimtarëve në Amerikë shkoi për të nderuar
veprën e Nolit, në 101 vjetorin e Meshës së tij në shqip, atje u mirëpritëm nga
At Artur Liolin.
Prof.Peter
R.Prifti, një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ish
bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit dhe sekretar i Vatrës, ndërmjet të tjerash
kujton: “…pata fatin të ndodhem në Boston kur ishte Noli gjallë, më saktë,
gjatë shtatë viteve të fundit të jetës së tij. Shumë bashkatdhetarë, që nuk u
njohën me Nolin, më kanë thënë se do të dëshironin fort të kishin të njëjtën
fat si unë. Nuk habitem aspak, kur dëgjoj fjalë të tilla. Une mbaj mend shumë
gjëra nga takimet me Nolin. Por këtu do të përqëndrohem vetëm tek një a dy
gjëra, që më bënë përshtypje të madhe, dhe këto kanë të bëjnë me marrëdhëniet e
Nolit me emigrantët e thjeshtë, që s’kishin bërë emër, por që ishin megjithatë
ndër veteranët e lëvizjes shqiptare në Amerikë. Vura re se Noli e çmonte shumë
punën e tyre vetëmohuese për të mirën e çështjes kombëtare. …Noli e respektonte
dhe e çmonte përkrahjen e tyre, dhe kështu së bashku ata bënë histori”.
Prandaj
në se do të vazhdohet të mbahen vetëm konferenca, përkujtimore, ngritje
monumentesh, apo perkujtime ditelindjesh dhe ditëvdekjesh, sa per t'i hedhur hi
syve popullit, atëhere rrezikohesh se nuk ndjek udhërrëfyesin, por zjarrvënësin
që djeg dhe shkrumbon kulturën duke të humbur identitetin ngadalë dhe
pakuptuar...
6 Janar, 2020
Staten Island, New York