Kulturë
Kristo Çipa: Armiku i kthyer në mik
E hene, 12.10.2020, 05:24 PM
Armiku i kthyer në mik
Tregim
nga një ngjarje e vërtetë
Nga
Kristo Çipa
Doli
tek kryqezimi i rrugës së lisave me atë të Vanovës. Ktheu kokën nga kasha
e Shen Kollit, sikur deshi t’i merrte
aprovimin, por shenjti ishte në telashet e tij me sistemin e kohës dhe ky e
dinte litarin e mjegulltë që prodhonte diktatura, prandaj hoqi dorë nga marrja
e aprovimit dhe vendosi të vepronte ashtu siç ja thoshte rradakja i tij.
Hodhi
vështrimin nga shtëpitë tej në të Callos dhe pa tufat e grave veshur me të zeza dhe dëgjoi vajtimet dëshpëruese e drithëruese që
përhapeshin valë valë nga jehona që përcillte “Përroi i së diellës”. Pa burrat që ecnin grupe grupe me kokën ulur,
sikur të ishin duke u kthyer të mundur nga ndonjë betejë.
Hoqi
festen e zezë dhe e vuri tek xhepi i brendshëm i tallaganit, shpupurisi çepenë
me flokët e rrallë, qëlloi gjoksin me grushte dhe lëshoi britmën therese- Oi,
Oi, Oi. derëziu, derëziu!
Zëri
i tij i fortë e metalik, fytyra e gjerë dhe krejtësisht e llahtarisur, gjoksi
leshtor i hapur dhe i goditur nga duart
e mbledhura grusht, të jepnin idenë se ishte këputur një majë mali dhe po
rrokullisej me rrapëllimë nëpër faqet e brinjave e po shkonte të largonte detin
e vajtimit. Njerzit hapnin rrugën të shtangur dhe flisnin me njeri-tjetrin:- Po
ky çka që bën sikur i ka vdekur djali i
vetëm? Për ku shkon?
Asnjeri
nuk po orientohej. Ndërsa bërtiste dhe ecte,
mendja e tij po bënte luftë me
vetveten
-Unë
e kisha kundërshtar këtë burrë të rrëndë, që sot u nda nga jeta. Vallë a më takon të shkoj atje dhe aq me
tepër duke vajtuar me bërtitje e
ulërima? Zëri i brendshëm i thoshte :
-Po, po! Të takon të shkosh se vërtet të iku një kundërshatar, por ai të jepte
nder dhe lezet në luftën që bëje.
Duke
bërë këtë luftë me vetveten, këmbët e çuan tek lisi mbi shtëpinë ku kishte
ndodhur gjëma. Aty ndali, mblodhi fuqitë, pa malet, kullotat, fushën e
blegtorisë, grykën që shkonte drejt detit dhe rifilloi të qarët me bot, me
atë oi, oi e grushtet që godisnin
gjoksin.
Grumbulli
i njerëzve kthyen kokën dhe panë atë shkëmb të çuditshëm që po zbriste me
këmbët e tij të qante me gjëmë dhe të
nderonte kundërshtarin e vdekur. Çudia
po ndodhte dhe askush nuk mund të fliste e të orientohej. Kishte ngrirë jeta
dhe vdekja. Njerëzit i hapnin rrugën dhe ai po ecte drejt odës
së madhe. Hyri dhe hodhi syte. Kundershtari i tij ishte shtrirë në
pafajsinë e tij, ashtu trupvigan siç
kishte qënë në gjalljen e tij. Heshti disa sekonta me shami në dorë dhe filloi
vajtimin karakteristik pilurjot:
Ngrehu
o burrë e dil përballë
Unë
a derëziu
Siç
dalin mali me malë
Më
ke goditë, s’më ke sharë
Nderin
zvarrë s’ma ke marrë
Se
të dy në rrap kur dilnim
Edhe
pa llafosur flisnim
Tani
këta që mbenë prapa
Janë
si bregu me të kapta
Ti
ike po unë mbeta
Vallë
do më ket’ lezet jeta?
Unë
a derëziu
Lisi
ra vetiu!
Fshiu
lotët me shami, psherëtiu thellë dhe u kthye nga njerëzit e praanishëm në odën
e mortit, si për të gjetur vend për t’u ulur. Djali i madh i të ndjerit e morri
për krahu dhe e uli në qoshën e shtëpisë, aty ku ulej miku më i nderuar. Dikush
i zgjati kutinë e duhanit dhe ai filloi ta dridhte ngadalë, sikur donte të
rikthente vitet e shkuar. Dajua i kundërshtarit, njëherëz dhe baxhanak e theu
heshtjen:
-Qysh
e hodhe këtë gurr të rrëndë mbi supe dhe erdhe të vajtosh kundërshtarin
tënd, këtu në shtëpinë e tij, në këtë ditë të zezë të tij? Të gjithë prisnin me ankth përgjigjen. Ai nuk
nxitoi. Dukej sikur po nxirrte me shumë mundim gurin, jo nga supet por nga
zemra.
-U
lehtësova-tha pas pak. -E nxorra nga zemra se po më bluante. Tani jam
supepërpjetë. Më kishte lezet lufta more vëllezër! Ishte kundërshtar që më
jepte nder. Hallall e pastë për ç’kemi
shkuar!
Kaq
foli dhe s’kish nevojë për më tutje. Kodi i burrërisë qe vendosur me përpikmëri
të hatashme. Nderohej kundërshtari për cilësite e tij burrërore.
Komente
nuk u bënë por vdekja e rrëndë erdhi e u lehtësua sikur do përcillej një re e
bardhë që vishte majat e maleve në pranverë apo vjeshtë. Armiku ishte kthyer në
mik.