Kulturë
Mihal Kalia: Hiqmet Mehmetaj - Lirika
E diele, 11.10.2020, 10:35 AM
Hiqmet Mehmetaj (në vëllimin me poezi)
“LIRIKA”
Nga
Mihal KALIA, kritik letrar
Lirikat e poetit
Hiqmet Mehmeti janë plot tul e lëng. Në to ka jetë, ka lëvizje, ka brengë, ka
dashuri. Eshtë një zë poetik i ëmbël. Eshtë i tillë, sepse poeti ka bindjen që bota dhe jeta në të është e
bukur. Ai është i ndërgjegjshëm se zëri i tij në këtë zhurmë e gjullurdi mund të mos dëgjohet, e mbyt rrëmuja e
rrokopuja që, me sa duket, po tenton të fusë në vorbullën e vet edhe shpirtin
krijues të popullit. Por ai thërret. Ta dëgjojnë! Dhe nuk është i vetëm. Janë
shumë që e kuptojnë dhe e ndiejnë krizën, por që nuk e huazojnë atë për artin
dhe letërsinë, paçka se e pasqyrojnë dhe kjo është dëshmi e forcës, e
kundërvënies ndaj “pashmangësisë” së fatalitetit. Apokalipsi nuk është
parashikim i letërsisë, është i “fallxhorëve” që terrorizojnë njerëzit me
fundin e Botës. Letërsia dhe artet parashikojnë të kundërtën, gëzimin e jetës
dhe jo kotësinë apo banalizimin e saj. Janë zëra që vijnë nga drejtime të
ndryshme; njëri nga vilat luksoze dhe institucionet, që e bëjnë atë
mbizotërues, dhe tjetri nga shtëpitë e fshatit a qytetit, nga fushat dhe malet,
si zëri i bilibilit që, pa dyshim, do të bëjë të heshtë krakëllima e korbit.
Hiqmet Mehmetaj është
poet i ndjenjës, i butësisë, i mirësisë, miqësisë e dashurisë, i mirëkuptimit
dhe harmonisë. Të gjitha këto bëhen të pranishme në poezi dhe formësojnë
profilin e tij nëpërmjet një përpjekjeje të mundimshme për t’u shkëputur
ndjenjash frymëzënëse dhe gjendjesh trishtuese dhe mjeruese prej kalbëzimit
moral që ka përfshirë shoqërinë. Ai e sheh veten si të rrëzuar në ujërat e
detit prej anijes klandestine dhe, në ftohtësinë dhe drithmat e këtij
realiteti, kacafytet me brengën, padrejtësinë, makutërinë e babëzinë, që
tentojnë e pretendojnë të jenë zot i
tij, duke fundosur në errësirën e thellësive të ujërave shpresat për të
përqafuar lirinë. Mos vallë, liria është një iluzion?! Në përpjekje për t’iu
afruar, ajo bën gjithmonë e më larg?! Jemi ne që nuk i afrohemi lirisë, apo
është liria që largohet prej nesh? Kjo pyetje që lind nga rëndesa të tilla
shoqërore, të cilat, për shpeshësinë e të shfaqurit e të moszgjidhjes, mëtojnë
deri në privilegjin e natyrores, shtrohet thjesht e qetë nga poeti, jo si i
tillë që sodit nga larg, i vetëmjftueshëm në individualitetin e tij, por si
individ, pjesëtar i shoqërisë, i cënuar në lirinë e vet. Në detin e trazuar, ku
dallgët lozin duke e zhytur dhe ngritur përsëri mbi ujë, si të kapur për
flokësh, në atë interval kohe të një gulçi përzier me gulfa dallgësh, poeti në
fjalën e tij të qetë e të shtruar si prej oshënari, ka mbledhur gjithë mllefin,
kundërshtinë, revoltën dhe zemërimin në një shpërthim - buçimë të një shpirti
të vrarë. Ndërthurje mjeshtërore e lirikes me epiken, veçori kjo e artit të
poetit H. Mehmetaj, ku butësia e fjalës shpreh drejtpërsëdrejti, qysh në
nivelin e parë të leximit, ulërimën e shpirtit:
“Zot, jam i butë, s’jam egërsirë,
S’mund t’i meritoj këta zinxhirë!”
(“Liria”)
Poeti është i pozicionuar në krijimtarinë e tij. Ai
nuk bën pjesë ndër ata që e kërkojnë lavdinë te brenga “lotmbytur” (H.M) ,
lavdi të cilën ai e përbuz dhe e neverit. Ai i bindet muzës dhe shpirtit të vet, i sigurt në drejtësinë dhe vërtetësinë e
idesë së tij, edhe pse në trysninë e zhytjes në detin brenglotës.
Antikonformizmin e vet dhe kundërvënien ndaj “poetëve të brengës”, poeti nuk e
jep nëpërmjet ndarjes apo armiqësisë me ta, qëndrime këto që përcillen qartazi
nëpërmjet të së kundërtës, miqësisë e mirësisë:
“Do të shkruani për mua, o miqtë e mi,
Do të m’i qani vargjet me tuajin lot,
Paçka se po vdes nëpër gushë e gjinj
Dhe hënën s’arrita ta puthja dot.”
(“Poetëve të brengës”)
Ka sinqeritet në
këto vargje dhe aspak ironi, qoftë tekstuale apo ndërtekstuale. Ka shumë paqësi
në vargjet e jo egërsi, paçka se hakërrimi spikat ndjeshëm dhe është më
rrëqethës kur rrjedh dhe rrëshqet mbi butësi ndjenjash, si për të theksuar një
pabesi dhe tradhti. Brenga, varfëria dhe
zhgënjimi spikatin në lirikën shoqërore të poetit. E, megjithatë, vargjet nuk
ndjellin dëshpërim dhe kotësi jete, përkundrazi, të frymëzojnë e të japin
shpresë.
Ndërthuren bukur
konturet e jetës me kapërcimet nga njëri korridor i saj në tjetrin dhe, me
“çelësin magjik” të përrallave që zgjon e i jep krahë fantazisë, poeti
kurdis zemberekun e jetës që, duke
perifrazuar U. Econ, kapërcimet të bëhen me hapin e viganit, prej botës si një
libër i mbyllur në një libër si botë e hapur, pra, në botën e poetikës. Poeti
na prezantohet (“Kënga ime”) dhe nuk mjaftohet me atë se çfarë dhe cili është,
por edhe se çfarë nuk është. Për të qenë
më i qartë dhe për të lënë gjurmë te lexuesi, ai shfrytëzon kontrastin si
mjet artistik “jam-nuk jam”:
“Jam një bredh në shpat të malit,
Nuk jam myshku i kënetës,
Por jam këngë, muzikë e gjallë,
Jam nektar i së vërtetës.”
(“Kënga ime”).
Në kapërcimin nga
bota, libër i mbyllur, në poezinë, botë e hapur, sinqeriteti i poetit është
gati fëminor kur kërkon të vdesë bashkë me frymëzimin, duke u mjaftuar vetëm me
kaq, me dhënien e shpirtit të tij, pa pretenduar pavdekësinë që ky akt shënon.
Veshtullor për
mbërthimin e vargjeve në poezi autori përdor antitezën; në ndjenjë, gjendje si
dhe në ngërthimin e të dyjave së bashku. Eshtë veçori kjo e lirikës shoqërore
të poetit, është mjet artistik i kundërvënies së realitetit me pritshmëritë e
tij, jo si të një heroi lirik të romantizmit, ëndërrimtar, por të një vepruesi
aktiv që, edhe pse në angazhimet e veta për ndryshime, në kuadrin e lëvizjes së
gjerë për progres shoqëror, ndihet i arrirë e, megjithatë, përsëri i brengosur
dhe i papërfillur. Këtë dredhi e djallëzi poeti nuk mund të mos e denoncojë,
nuk mund të mos e akuzojë, sepse ai kërkon harmoni të ndjenjës me gjendjen dhe
jo helmim të ndjenjës prej gjendjes:
“Veç në limanin e prehjes,
Në mbretëreshën dashuri,
Atje në sofrën e dehjes
Largoj pak bushtrën varfëri”.
(“Bushtra varfëri”)
Lirika e H.
Mehmatajt është për publikun e gjerë, sepse problemet që trajton i përkasin
pikërisht këtij publiku, ndaj poeti tregohet tepër i kujdesshëm në përpunimin e
vargut, në mënyrë që mesazhi të përthithet natyrshëm dhe të kënaqë shijen e
lexuesit e të drithërojë ndjenjat deri në derdhje tingujsh si paqësim me
mesazhin . Në këtë kuptim, poezia e tij do të ishte e pavlerë, nëse, për të
qenë i kuptueshëm, do të ulte nivelin e referimit, duke u kthyer kështu një
predikues i rëndomtë. Publiku i sotëm jo vetëm që vlerëson pasurinë gjuhësore
dhe mjeshtërinë në përdorimin e mjeteve stilistike, artin e autorit, por, siç
thekson U. Eco “ai ka thithur me rrugë të ndryshme shumë nga teknikat e letërsisë
së sotme, dhe pra, përballë best sellerve cilësorë ndjehet më pak në siklet se
disa sociologë të letërsisë”. Një konsideratë e tillë për lexuesin bashkëkohor
e bën autorin të mos ngurrojë në përdorimin e strategjisë së ironisë
ndërtekstuale, duke ruajtur teknikën e tij të ngjizjes së vargjeve,
kundërshtinë e brendshme të ndjenjës e të mendimit, të llojit zhgënjyes. Poezia
“Kikoja” nuk është thjesht një raport i poetit me macen e bukur dhe nuk
ka dyshim që lexuesi nuk mjaftohet me këtë raport dhe, aq sa për nivelin e
kërkesave ndaj poetit, aq edhe për përmbushjen prej tij të pritshmërisë
artistike, nivelit të parë letrar i
bashkangjitet dhe ai moral:
“Veç gabimet përsëritëse kthehen në faj,
dënohen rëndë nga ligji familjar,
ndaj një ditë në thes të futa,
larg ty të çova, të sillesh si kusar”
(“Kikoja”).
Shkathtësia dhe
natyrshmëria e raportit të kësaj kafshe me njeriun shërben mjaftueshëm për
nivelin e parë të leximit. Monologu i brendshëm të përgatit për diçka më tepër
që merr ngjyrë dhe konturohet në trillin me kohën dhe hapësirën, për të
përcjellë qartë mesazhin. Kjo i intereson poetit dhe në këtë proces ai dallon
nga ata që, për t’u ndier bashkëkohorë,
e konsiderojnë veprën, si autorë, apo e kërkojnë, si kritikë a studiues,
vetëm si akt krijues; funksionet e tjera nuk kanë asnjëfarë interesi dhe rëndësie për ta. Poeti H. Mehmeti nuk i
përket kësaj kategorie krijuesish, sepse mes tyre do të ndihej i lajthitur, siç
thotë në poezinë “Lajthitje”;
“Harroj të paharruarën,
Zbuloj të pambuluarën ,
Çmoj çmendurinë,
Shijoj të shëmtuarën!..”
(“Lajthitje”).
Poezi meditative
katërvargëshe, model i koncizitetit; çdo varg vetëm me dy fjalë, një folje dhe
një emër, mbartëse të të kundërtave në veprim, në shije dhe vlerësim,
kundërshti në logjikën e pohimit, të
mëshuarit fort e së cilës ravijëzon situata absurdi dhe, duke qenë kështu,
lajthitja merr përmasa më të gjera e ngarkesë më të fuqishme, duke kapërcyer në
shoqëri. “Lajthitja” e shoqërisë është tregues i krizës në të cilën ajo ndodhet dhe që “për çudi”, një numër
krijuesish e studiuesish e konsiderojnë këtë krizë si avangardën e mendimit e
krijimit, gjejnë tek ajo bashkëkohësinë (modernen) dhe përpiqen të paraqiten sa
më shumë krizoman, në ruajtje dhe mbështetje të politikave institucionale, gjë
që poeti H. Mehmetaj, qytetarisht dhe artistikisht, e mohon prerazi dhe, duke
reflektuar për një çast se “ç’jam (ç’jemi) duke bërë?”, kundërvënia e tij
shfaqet dukshëm dhe bindëse. Poeti
kërkon dhe jep filozofinë e poezisë dhe
poezinë e filozofisë, jep realitetin dhe jo iluzionet, kërkon të edukojë dhe jo
të shastisë publikun, kërkon ta zbukurojë mendimin e jo ta mpijë atë.
***
Ndryshimet
politike në Shqipëri u diktuan nga domosdoshmëria për t’i shpëtuar krizës që po
kërcënonte vendin. Por, nëse refuzuam krizën e mëparshme, mos vallë në atë
dëshirë të papërmbajtur për demokraci, në atë entuziazëm të masave do të
pohonim e pranonim krizën në të cilën u përfshimë, sapo dolëm nga regjimi i
mëparshëm? Dhe nuk po e marrim veten për
të qenë në gjendje të përcaktojmë statusin tonë politik, ekonomik dhe kulturor!
Poeti është i përgjegjshëm, ndaj ka shfrytëzuar vetën e parë të foljeve që jo
të imponojë, por të orientojë interpretimin e poezisë drejt mesazhit të tij,
gjë që kërkon shkrirjen e niveleve të leximit, atij letrar e moral me atë
alegorik.
Lirika e poetit
është si lira e muzikantit, me të gjitha telat që i akordon radhazi duke i
tërhequr e shtrënguar pas çdo tingëllimi që provon me mollëzat e gishtave, deri
sa kthjellohet, për t’i kaluar pastaj me një”rrahje”- kombinim harmonioz të
tingujve të telave të shpirtit, brengës, trishtimit, shpresës, zhgënjimit,
dashurisë, adhurimit, mërisë, joshjes, djallëzisë, hipokrizisë, rënies e
lartësimit. Poetët kanë ura komunikimi me njëri – tjetrin. Nuk mund të ndodhë
ndryshe me poetin H. Mehmetaj. Ai i thur vargje nënës; nuk e”kupton” ai që nuk
thur, por ai vetëm ndien atë çka është e thurur në shpirtin e tij qysh me
lindjen. Ai veç e zbulon këtë ndjenjë të madhërishme për nënën, që te poetët
kalon deri në blatim. Çdokush ka nënën e vet, ashtu si çdo poet ka të paktën
një poezi “Nënës”, ndryshe s’do të quhej poet. Personazhi “nënë” nuk është as
plagjiaturë, as emigracion (personazhi), sepse aty ku ngjashmëria përbën
origjinalitetin, arketipin, as që mund të bëhet fjalë për për kopjo (ektip).
Nënat kurdoherë dhe kudo në botë janë njësoj në dashurinë dhe dhimbsurinë, ndaj
dhe meritojnë aureolën poetike të Eseninit apo D.Agollit, para të cilëve poeti
ynë ndihet ngushtë e i drojtur, se aureola e tij nuk është thurur me fjalët
“nënoçka ime”, që ngjizin gjithë dashurinë e botës, por me “ashpërsinë” ëngjëllore,
mbresën e pashlyeshme, që ka lënë tek ai masha e “pamëshirshme” në mes të
vatrës që largonte hirin dhe përhapte prushin, duke përtërirë valët e
ngrohtësisë që pushtonte shpirtrat fëminorë. Këtë detaj përdor autori, jo për
ta zbehur, por për t’i dhënë ngjyra më të forta nëpërmjet një kontrasti
tekstual asaj për të cilën të gjithë
poetët e rruzullit janë të një fjale e mendimi, se nëna është “hyjnorja
perëndeshë në këtë botë”.
Veçoritë që
konstatohen në poezinë e H. Mehmetajt, aq sa e mbajnë lidhur me traditën, aq edhe janë tregues i përpjekjeve për një
mënyrë të re të konceptimit, perceptimit, përjetimit e formësimit letrar të
realitetit jetësor dhe atij të brendshëm shpirtëror. Kjo është poezi në të
cilën mishërohen karakteristikat e krijimtarisë moderne bashkëkohore, që
rrjedhin prej ndjenjës së tij poetike të fuqishme , e cila i shërben jo vetëm
procesit krijues të poetit, por edhe
veprës, misionit të tij atdhetar e patriotik. Krijimtaria e poetit H.
Mehmetaj është reflektim i drejtpërdrejtë i realitetit jetësor, i marrëdhënieve
dhe qëndrimit të tij ndaj këtij realiteti. E veçanta e këtij autori është se,
duke mos përjashtuar për asnjë çast lexuesin nga mendimi poetik dhe formësimi
artistik në vargjet e poezisë së vet, ai nuk ia transmeton shqetësimin duke i
nomatisur, sepse do t’i duhet kështu të futet në mijëra e qindra mijëra botë,
ku padyshim do të ishte një bujtës i mirëpritur, por ai hap dyert e botës së
vet shpirtërore dhe strehon në të pafundësi ndjenjash e shqetësimesh, të cilat
i përpunon dhe i derdh në realitetin jetësor nëpërmjet vargjesh, ku lexuesit
natyrshëm gjejnë veten e vet, ndjenjat, mendimet, brengat, gëzimet dhe
shqetësimet e tyre. Edhe pse në poezinë e H. Mehmetajt ka brengë dhe zhgënjim,
ai nuk është poet i dëshpërimit. Poezitë e vëllimit “Lirika” janë të
gjitha të pas vitit 90-të e këtej, pra, pas rënies së komunizmit, kur mendohej
se prangat e dukshme dhe të padukshme të diktaturës, më së fundi, do të
flakeshin tej me fitoren e demokracisë dhe të pluralizmit në vendin tonë. Por çfarë
na kujtojnë vargjet e poezisë “Liria”:
“Nata kryeneçe s’i hap udhë ditës,
Me blozë mbuluar e shenjta Liri,
Errësira flet në emër të dritës,
Bodrumeve dremisin sytë e mi.”? Kohën Migjeniane! Dëshpërimin Migjenian! Por edhe
shpërthimin Migjenian!
“Sikur të kisha forcën e Anteut
Dhe shpirtin e zi si një hienë,
Për ty me kthetra do të hapja
Në këtë vend gropën më të thellë”
(“Një Pushtetari”).
Eshtë një referim
ndërtekstual që, po ta lexonte Migjeni sot pas afro treçerekshekulli, do të
ndihej i trishtuar e tepër i zhgënjyer në shpresën e ngrohtësisë së Diellit, i
cili akoma nuk ka mundur të shpërthejë me rrezet e tij. Poetët komunikojnë me
gjuhën e tyre me njëri-tjetrin. Errësira ka nisur të japë ndriçim, të ndrisë,
të shkëlqejë, të rrezatojë! Pra, për Diell nuk ka më nevojë! Metamorfozë e
habitshme! Poeti nuk mund të pajtohet me të, nuk e pranon, e denoncon si “krijesë
të pazakontë/terr i rënduar/barkpërbindësh, i panginjshëm/shpirtkalbësirë,
rrënojë e vjetruar” (“Një pushtetari”).
I shkakton
dhimbje, brengë e mpirje poetit llahtaria që sheh para syve: botën të përmbysur
dhe gjithçka në të e rrëzuar, e përplasur, thyer e shkatërruar si në
tmerret apokaliptike, mynxyrë që të
përfshin në lemerinë e vet e, në këtë bafasi shpartalluese, ndihesh i tradhtuar
e i poshtëruar. I brengosur! Titull sinjifikativ “Brengë”, me një
aliteracion të brendshëm që ndjell gurgullimë, kërkëllimë, që ndjell ndjesinë e
një burgu, braktisje, prangë, rrokullisje, krrokatje korbash, pushtash e
pushtetarësh. Në këtë “dimër të gjatë zemërkallkan” duket sikur vargjet derdhen
zhurmshëm, si copëra akulli që thyhen, vargje që duket se nuk burojnë prej
brengosjes, por sikur vetë brenga përplaset para nesh dhe na fton në pellgun e
saj, në atë ndeshje- përleshje të virtytit me vesin, të shpresës me mashtrimin,
të hipokrizisë me çiltërinë e që, për çudi, ndien se ke luftuar edhe vetë për
triumfin e së keqes, e cila, e fshehur në zemrën e shpresës, e ka gërryer atë me kthetrat e lugatit, për ta
sjellë të asfiksuar. Poeti nuk përshkruan; ai shikon dhe na fton të çmpihemi,
të shohim e të kuptojmë, jo me moralizime të thata dy – a mëshumëkuptimëshe, për
t’u pozicionuar artificialisht në postmodernizëm. Ai është tepër i vërtetë me atë që na tregon,
të cilën më tepër e shohim të konkretizuar sesa e lexojmë. Eshtë forca e fjalës
së tij dhe e konceptimit mjeshtëror të trajtesës, që na jep mundësinë të shohim
me sytë tanë, të reagojmë me ndjenjat tona, të dëgjojmë tringëllimat e
përplasjeve, të përplasemi edhe vetë në to. Pra, fjalët dhe vargjet e poezisë
transformohen, shndërrohen në realitet jetësor të gjallë, ku çddokush e sheh
veten të përfshirë, në kthjellësi e qartësi të anshmërisë së vet, nisur nga
autoriteti i padiskutueshëm i autorit në vërtetësinë e realitetit dhe mundësinë
që ai i jep gjithkujt për interpretim të lirë. Kjo hapje e tekstit poetik për
një realitet të caktuar është shumësi këndvështrimesh e profilit të këtij
realiteti, pa dalë jashtë tij, për të mos u rrëzuar në “hemisferën kozmike”,
por për të përmirësuar atë ekzistues. Të prangosësh lirinë, ta shohësh atë
lidhur me hekura, ta shohësh të burgosur mbas gjithë asaj përpjekjeje e shprese
për të qenë “të burgosurit”e saj, është njësoj si të dalësh prej cikmës e
thëllimit me shpresën e çmpirjes në ndonjë rrezinë, shpresë e vrarë, deri në
lebeti, kur sheh gjëmën e madhe se Dielli është shuar e prej tij derdhen rreze
të akullta, acari i të cilave bëhet më dridhës, kur mendon se në këtë hata je
përdorur edhe vetë pabesisht,
djallëzisht e tradhtisht.
Poeti H. Mehmetaj
e njeh dhe e ushtron forcën e ndjeshmërisë poetike, e njeh madhësinë dhe
madhështinë e kësaj bote, ndaj ia rrëmben Diellin Satanait tallës e përqeshës
dhe e struk në shpirtin e tij për të ngrohur çka ai ka strehuar në të, atdheun,
jetën, gëzimin, dashurinë, lirinë, vargjet e tij, që ato të përvëlojnë “djallin
që s’na largohet asnjëherë” e që “na krasit për qejf e sillet si rrufjan/këmbëkryq
në trurin tonë luan e pi verë” (“Të nderuar miq”).
***
Në vitet pas
rënies së komunizmit krijuesit dhe më tepër “kritikët” kanë shkruar për
periudhën e diktaturës, por ajo që konstatohet është se aspak ose fare pak
është shkruar për periudhën e pasdiktaturës, qoftë në këndvështrimin e
arritjeve të demokracisë, apo të zhgënjimit prej saj. Mungesën e një letërsie
të realitetit të ri, boshllëkun e saj, bëhen përpjekje për ta kompensuar me një
interpretim të ri të veprave letrare të periudhës së komunizmit, të autorëve më
në zë të saj. Umberto Eco, kur flet për funksionet e letërsisë, thekson se:
“Tekstet letrare jo vetëm që na thonë shumë qartë atë që s’mund ta vëmë dot në
dyshim, por na njoftojnë me një autoritet të plotfuqishëm për atë që mund të
merret si e rëndësishme dhe atë që nuk mund ta marrim dot si pikënisje për
interpretime të lira”.
Anafora në poezinë
“Udha e lotit” i jep alternimit të rimës ritmin e marshit në udhëtimin e
gjatë të lotit, jo duke u mbytur në detin e tij, në dëshpërim e brengë; poeti
do të donte që të qarët e tij të ishte si ajo e foshnjës së porsalindur, si shenjë
e daljes në jetë, e kontaktit të parë me ajrin dhe natyrën, do të donte që
përpëlitjet e para në këtë botë të përmblidhnin gëzimin e jetës. Por qenka
thënë që poeti të lotojë për një lindje të dështuar, foshnjë e asfiksuar në
hemorragjinë e 97-ës. Ky është lot për lotin që nuk pikoi, për frymën që nuk
frymoi, por te poeti ynë butësia, brishtësia, melankolia, dhimbja, trishtimi
dhe ngashërimi janë ngërthyer në një brengë shpërthyese, revoltë, shprehje e
antikonformizmit, i cili rënien dhe demoralizimin e vet e hap si shtrojë, mbi
të cilën pritshmëritë parakalojnë shëmtueshëm para pritësve të tyre e, duke
vënë theksin në këtë buzë të paqeshur, ai, me urtësinë e rebeluar, i jep udhë
lotit që të arrijë “nëpër dhimbje dashurinë”.
Duke luajtur me
lirinë e interpretimit, edhe kur nuk është nevoja për interpretim, për arsye të
qartësisë së thënies, aq më tepër kur këto interpretime zyrtarizohen, siç ka
ndodhur jo rrallë, pra, duke e kufizuar lirinë, duke mos e vënë kështu në
dyshim interpretimin, nuk bëhet gjë tjetër, veçse e burgosim letërsinë në emër
të lirisë, duke e tjetërsuar atë, rolin dhe funksionin e saj. T’i kushtosh
rëndësi procesit të krijimit, aktit krijues dhe pastaj veprën artistike të mos
e përfillësh, do të thotë që letërsisë dhe artit t’u mohosh dhe t’u heqësh
frymën, funksionin, rolin, mesazhin, edukimin, do të thotë të mos i shërbejnë
publikut në jetën e përditshme si nxitje për veprim, por të mjaftohen vetëm me
kënaqësinë shpirtërore. Qysh në fillimet e veta, në antikitet, në mesjetë, në
periudhën e Rilindjes e deri në zhvillimet moderne të shoqërisë, përfshirë edhe
postmodernen, artet dhe letërsia e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë funksionin
dhe rolin edukativ dhe, nëse vlerësohen, kjo për arsye të trupëzimit të formës
me përmbajtjen, për mesazhet që përcjellin, për rolin në përparimin e shoqërisë
njerëzore.
Vëllimi poetik i
H. Mehmetajt përmbledh lirika shoqërore, të peizazhit, të dashurisë dhe një
cikël poezish të titulluar “Zambakët e dashurisë”. Embëlsia e fjalës dhe
mirësia e shpirtit të poetit ndihet në çdo varg të poezisë së tij; edhe kur
mërzitet e brengoset, edhe kur i kënaqet natyrës dhe peizazhit, edhe kur u
gëzohet miqve e shokëve, edhe kur ngjatjetohet me poetët, edhe kur i zemërohet
arixheshkës, edhe kur i mërzitet lustraxhiut, edhe kur nervozohet me dasmën e
putanës. Tematika e lirikës e poetit është e gjerë. Por, edhe pse i mbetet
besnik realitetit, pa fluturuar mbi të, apo pa u fundosur nën të, në kërkim të
parajsës apo për t’i shpëtuar ferrit, poezia e tij është moderne bashkëkohore,
sepse teknika e të shkruarit përmban “strategji të ngritura me frymëzim
popullor.” (U. Eco). Në poezinë e H. Mehmetajt lexon dhe kupton se nuk kanë
shterur problemet e realitetit për të kapërcyer në transhendencë dhe se nuk është
transhendenca zgjidhje për aktualitetin
e mbërthyer nga kriza, darët e së cilës nuk shkulin gozhdët e ngulura, por i
këpusin ato, për t’i lënë përjetësisht në trupin e realitetit, duke e kalbëzyer
atë e shkaktuar dhimbje, të cilave u këndohet dhe u gëzohen si të ishin dhimbjet
e lindjes e jo të shkatërrimit e dekompozimit.
“Modernistët” kërkojnë një realitet tjetër, që as vetë nuk e dinë se ku
ndodhet e ku duhet kërkuar.
Të cilësosh e të
vlerësosh një krijues si përfaqësues të vërtetë të postmodernizmit, duke
evidentuar bashkëjetesën me prirjet e kulturës moderne, besimin iluminist,
përvojën e re të një megaligjërimi, do të thotë që këtë krijues me
postmodernizmin e lidh vetëm fakti kohor i përcaktuar nga parashtesa “post”,
sepse, përsa i përket postmodernizmit, si doktrinë filozofike dhe drejtim
letrar – artistik, ndër veçoritë kryesore ka pikërisht kapërcimin e modernes
dhe shmangien e megaligjërimeve (meganarracioneve, tregimeve të mëdha), ku
përfshihet dhe iluminizmi. Në qoftë kështu, postmodernizmi nuk e pranon këtë krijues,
i cili, sigurisht, nuk ia ndien nevojën, ndaj dhe nuk e afron një doktrinë të
tillë si drejtim artistik të krijimtarisë së vet letrare.
Poezia “Pendim”
është e atij lloji që e vë në lëvizje mendimin dhe përfytyrimin e lexuesit.
Simbolika e saj, në të gjitha zbërthimet e mundshme mbetet e kuptimshme dhe
lexuesi është i lirë në interpretimin e tij për aq sa ai mund të qëndrojë në
shtratin e pendimit , pa i kaluar caqet e tij, të cilat autori i ka përcaktuar
qysh në titullin e poezisë. Pra, brenda këtij “kufizimi”, interpretimi dhe
fantazia bredhërin pa cak. Lexues të ndryshëm përfytyrojnë subjekte, ngjarje të
ndryshme, që shërbejnë si shtysë për një krijim letrar rreth një dashurie të
mospërfillur, për një miqësi të refuzuar, për një angazhim në frontin e gabuar
të lëvizjes për zhvillimet e vendit, qëndrim për të cilin protagonisti pendohet, pse jo dhe i vënë në pozita ta
pakëndshme e ndëshkuese. Polisemantizmi i poezisë, alegoria e përdorur, janë në
funksion të lexuesit, që secili të gjejë dhe të marrë nga poezia atë ushqim që
ia kërkon shpirti dhe ia tret stomaku e, nëse poezia e mundëson dhe e realizon
një mision të tillë, autori u shërben
bashkëkohësve të vet dhe kaq është e mjaftueshme për të qenë bashkëkohor, pa e
kërkuar një cilësim të tillë, sepse vlerësim nuk mund ta konsideroj, në
“vështirësimin” e të kuptuarit, që do ta quaja abuzim me fjalën, për gjoja
hermetizimin, që vetëm se u jep mundësi spekuluesve të përcjellin mesazhe që
nuk janë të autorit, sado të shkathët të tregohen në invencën dhe hermeneutikën
e tekstit. Interpretimi merr shkas nga teksti dhe konteksti. Jashtë tyre ke të
bësh me tekst tjetër, për rrjedhojë, dhe me tjetër autor, sigurisht me tjetër
botëkuptim dhe mesazh. Të tilla kapërcime nuk janë në natyrë të bashkëkohësisë
dhe modernitetit, por të jashtëkohësisë e të absurditetit e banalitetit. Në
letërsinë tonë, me pretekstin e luftës kundër skematizmit, të ushqyer dhe nga
disa “teoricienë dhe kritikë” që ngasin të parashtrojnë platformën e artit
modern, ngatërrohen në rrjetën e polisemantikës, sepse futen në të jo si
ustallarë të fjalës e të letërsisë, por si çirakë të politikës. Janë shumë të
vjetër në trajtimin e së resë, shumë kategorik në mohimin e traditës dhe, në
rastet e pamundësisë së denigrimit të autorëve, siç ndodh me I. Kadarenë, D.
Agollin, Migjenin dhe deri te N. Frashëri, tjetërsojnë vlerat e veprës së tyre
në përshtatje me shijet gjoja postmoderniste, sepse këta shërbëtorë të mjerë
kërkojnë t’i shërbejnë filozofisë politike nëpërmjet filozofisë së artit, pa kuptuar
se kjo doktrinë (postmodernizmi) dhe ithtarët e saj synojnë që arti të bëhet
paradigmë e filozofisë.
Në letërsinë tonë
mendimi kritik duket se e ka bërë të vetin postmodernizmin dhe këron ta
evidentojë atë nëpër veprat e shkrimtarëve, të cilat janë të vetëmjaftueshme
për të qenë interesante, tërheqëse, ndërtuar ndryshe, dialoguese, frymëzuese,
që shtrojnë probleme, kritikojnë, ironizojnë, krahasojnë, përsiatin, ëndërrojnë
etj. Janë të vetëmjaftueshme edhe pa ato karakteristika të postmodernizmit si
doktrinë, veçse janë postmoderne, sepse janë të kohës së pas modernizmit, të
ndërthurura me të kaluarën, shpresëplota për të ardhmen. Ndofta përpjekje të
tilla të ndonjë esteti janë bërë me qëllimin e mirë, për të radhitur autorët
tanë në repartin postmodernist, por me uniformën tonë. Kjo edhe për arsye të
pështjellimit e të paqartësisë në kodifikimin e postmodernizmit, duke shpresuar
në prioritetet e saj avangardiste. Umberto Eco thotë se “Sido që unë për vete
ende nuk e di se ç’është tamam postmodernia , megjithate duhet të pranoj se
karakteristikat e sipërpërmendura të narrativës së ashtuquajtur postmoderne
janë të pranishme në romanet e mia”. Një nga këto karakteristika është metanarrativiteti, ndërkohë që themeluesi kryesor
i postmodernizimit filozofik, Zhan Fransua Liotar, thekson se “…postmodernia do
të thotë se njeriu nuk beson në meta dhe mega tregime”.
Modernizmi i
veprës qëndron në forcën e fjalës, të ndikimit e të veprimit, të ndjenjës që
trazon, ëmbëlsisë së saj dhe bukurisë që shfaq, thellësisë së mozaikut
figurativ e kuptimor në funksion të qartësisë së mendimit dhe idesë që përcjell
në përkim dhe mbështetje të zhvillimeve të shoqërisë, të përpjekjeve të saj për
t’iu përgjigjur dhe përshtatur kërkesave
të reja që shtron koha. Çdo kohë është e re ne krahasim me atë që ka kaluar dhe
e vjetër me atë që do të vijë. Në këtë kuptim çdo kohë ka modernen e vet, e
cila nuk mund të jetë e tillë, nëse nuk garanton lidhjet me modernen
paraardhëse, apo ajo pasardhëse mohon të
mëparshmen. Ato janë “vitet” që shënojnë
rritjen në moshë, pjekurinë, që shoqërohet me veprimtari të
jashtëzakonshme të mendjes e të shpirtit të njeriut për të modernizuar jetën,
për ta ndriçuar atë, për ta shijuar, për t’i dhënë kuptim, për të krijuar
atmosferë gjallërie, miqësie, harmonie, vazhdimësie, për të ruajtur e avancuar
humanizmin, përbërësin themelor e thelbësor të këtij drejtimi filozofik dhe
letraro- estetik. Humanizmi, ndjenjë e
dashurisë për njeriun, historikisht ka qenë dhe do të mbetet sot e përgjithmonë
nervi i lëvizjes progresiste, ndaj i duhet dhënë fund spekulimit të çdo
varianti antihuman nëpërmjet “pagëzimit”
me emrin “modernizëm” e “postmodernizëm”. Modernia dhe modernizmi
qëndrojnë në forcën e njeriut dhe jo në zbehjen e kalimin e jetës me frikën e
pritjes së vdekjes. Nuk ka filozofi, shkencë dhe art që të mundësojnë shmangien
e vdekjes; vdekja është aq e natyrshme sa edhe jeta. Nuk është zbulim i ri.
Megjithatë, njerëzit kanë jetuar, kanë gëzuar, kanë vuajtur e janë munduar të
mos i nënshtrohen frikës prej saj. Pra, ku qëndron modernia dhe modernizmi i
asaj filozofie apo arti bashkëkohor që kërkon t’i japë frymë vdekjes, duke
tulatur njerëzimin me kotësinë e jetës? Heroizmi i vdekjes qëndron në jetën,
heroikja e jetës nuk qëndron në vdekjen;
themi vdiq heroikisht (pas një jete) dhe jo jetoi vdekësisht (para një vdekjeje), ose me frikën e vdekjes.
Nuk vdesin njerëzit që i japin frymë njerëzimit me veprën e tyre, nëpërmjet së
cilës ata flasin, qeshin, dashurojnë, zemërohen, këshillojnë etj.
***
Nëse disa autorë
vlonjatë, edhe pse jo fort të njohur në publikun e gjerë, veç të tjerash, edhe
për mospasjen si qëllim rendjen pas lavdisë, janë objekt i disa shkrimeve të
mia, kjo për arsye se në to kam konstatuar, veç vlerave artistike të
mjaftueshme për t’i marrë në konsideratë, një konceptim për lirinë krejt
ndryshe nga ai që na është servirur në
vitet e pluralizmit “demokratik”. Ata janë të mendimit se nuk është kjo liria
që na ka munguar, as në jetën e përditshme , as
edhe në letërsi e art. Ashtu si këta, edhe shumë krijues të tjerë në
vendin tonë, nuk i bëjnë hosana këtij realiteti, përkundrazi, me guxim qytetar
kanë ndërmarrë misionin fisnik t’i kundërvihen me artin e vet atij lloj arti që
përligj këtë realitet zhgënjyes, në emër të demokracisë dhe hapësirave që ajo
mundëson. Ata i këndojnë jetës, vendlindjes, atdheut, miqësisë, dashurisë jo
nga pozitat e të pafuqishmit, e të dobëtit dhe të nënshtruarit, jo nga pozitat
e frikës dhe ankthit, të pesimizmit që të prêt krahët dhe të hedhë në
pasivitet, në kotësi, në pamundësi për t’i shpëtuar vuajtjes, brengës,
tragjedive, të cilat, sipas teoricienëve që ushqejnë këtë realitet, janë
kuptimi i jetës që do të thotë moskuptimi i saj. Të tillë krijues, si dhe H.
Mehmetaj, nuk jetojnë vdekjen, por vdekjes i japin jetë. Ata janë shumë të
ndjeshem ndaj lirisë dhe nuk duan ta ndotin me përfytyrimet e pista të
pushtetarëve për të, të hipokritëve, servilëve, ambiciozëve që shpërthyeshëm
kultivohen në realitete udhëkryqesh. (“Pseudomiqtë”). Zhgënjimi i poetit
nuk është nënshtrim. Poeti dhe pushtetari! Dy portrete, dy realitete! Fisnikëri
e poetit dhe harbutëri e pushtetarit! Pikërisht, aty ku lufta duket se është e
ftohtë, ajo është më përvëluesja se, “duke hequr dorë” nga shpagimi, për të
ruajtur hiret e poetit, fjala e tij “e butë”
e mbyt atë (pushtin) në pellgun e pamoralësisë së gropës që vetë hapi,
për të mbetur brenda saj në degjenerim të përjetshëm.
Poezia e H.
Mehmetit frymëzohet nga realiteti jetësor, i kundërvihet atij virtual, parajsën
e sheh me sy, e prek me dorë, e ndien me shpirt, e breron me vargje. Ai e sheh
parajsën në fshatin e tij, në flladin e Drashovicës, në djemtë dhe vajzat e
fshatit, te lumi i kaltër dhe uji i burimit, te rrapet shekullorë. Sado “post”
të vendosen në art e letërsi, romantika e jetës
është frymëmarrje, lëvizje, dashuri, vazhdimësi. Nuk mund të vërshojnë
vargje kaq shumë të ndiera për fshatin pa pasur kontakte me të, pa e mbështetur
kokën në kraharorin e tij e të dehesh nga aroma frymëdhënëse që lëshon:
“Ndërsa rrapet shekullorë
Ftojnë bagëtinë në hije,
Prehen zile e këmborë
Nëpër brigje simfonie”.
(Fllad”).
Kjo është
transhedenca e poetit H. Mehmetaj, një realitet gufues, ku vajzave te burimi
çunat
“Tok me ujin e
burimit
Meskëputurit si yje,
U lipin nga guri i gjirit
Pakëz ujë Perëndie”
(“Fllad”).
Cila “teknikë”
poetike do të përshkruante një parajsë të tillë, që nuk do të stisej nga
përfytyrimet e realitetit? Dhe është pikërisht ky kontakt që ngjiz ndjenjën me
jetën, që e bën njeriun të ruajë “parajsën”, të luftojë për të, duke i dhënë
kështu kuptim jetës së vet. Cili poet “bashkëkohor” do të gjente adhurimin në
vargje që pretendon se kanë kode të veçanta interpretimi, të cilat jo çdokush mund t’i gjejë?! Poeti ynë ka kode referimi të larta, ka
motive popullore, ka ndjeshmëri, përcjell mendimin, përpunon zgjidhjet, të
ofron mundësi dekodimi, komunikon mesazhin, në funksion të realitetit dhe jo
virtualitetit, paçka se abuzimi me teknologjinë rreket për zëvendësimin e tyre.
Ja pse kemi të bëjmë me një poet që vjen me një art të kultivuar, i mbështetur
fort në realitetin jetësor, misionar, antikonformist, bashkëkohor, origjinal në
platformën artistike, inicues i një kundërvënieje ndaj artit frymëzënës, që
grish skepticizmin dhe kotësinë e jetës:
“Në kopshtin tim ka lule jargavanë,
fruta, diell dhe yje qiellorë,
ti s’ke as kopsht as drurë të tharë,
je rrëzuar në humnerë, i gjorë”
(“Një ambiciozi”)
Natyra është
shtrojë e muzës poetike të poetit. Ai e shijon atë në kohë dhe hapësirë.
Fshati, qyteti, pyjet, malet, livadhet, lumenjtë, zogjtë janë ngasësit e
ndjenjës së poetit, e cila i sjell kënaqësi që shfaqet emocionalisht prej botës
së brendshme në larminë e vezullimeve stinore, që me aq kujdes i qëmton dhe i shkarkon në poezinë e vet, për
t’u dhënë vargjeve një feksje ngashënjyese të veçantë, që nuk mund të kuptohet
pa praninë e vashëzës mes tyre:
“Pranvera me ngjyrat fshehur
Po fillon të vishet,
Vashëza nga fllad’ i dehur
Dalëngadalë zhvishet
(“Fillim pranvere”)
Poeti specifikon
karakteristkat e çdo stine, ku bie në sy “ashpërsia” e dimrit, ndoshta më tepër
ngaqë është i llastuar si vëllai i vetëm i tri motrave që, megjithatë,
asnjëherë nuk tenton të zgjerojë perandorinë e vet në hapësirat e stinëve të
tjera, “motrave” të dhembshura, pranverës, verës e vjeshtës. Harmoni e përsosur
e veçorive karakteristike të secilës stinë: pranverë e praruar, verë
zhegtërbuar, vjeshta flokartë dhe dimri zemërak, huligan i shkalluar. Duket
sikur përjashtojnë njëra-tjetrën, por së bashku përbëjnë një simfoni, një
mrekulli, atë që quhet jetë, paçka se netëve dimërore:
“Prishin gjumin arushat nëpër pyje,
Zëri i stuhive ushton fuqishëm,
Retë qorrojnë qiellin me yje,
Lumenjtë kërcasin eshtrat habitshëm!”
(“Natë dimërore”).
Janë ligjet e
natyrës, të ekzistencës, të cilat, si mençurinë, ashtu dhe çmendurinë e tyre e
kanë në funksion të qenies, të ekzistencës, të jetës. Lindja e njeriut është
dukuri natyrore dhe vdekja, gjithashtu e tillë, nuk është shenjë e krizës
natyrore, përkundrazi. Nga lindja në vdekje natyrore është ajo periudhë që
përbën jetën e individit. Nëse këtë periudhë, për të qenë “bashkëkohës”, do ta
konsiderojmë si periudhë vuajtjeje, mundimi, frikë nga vdekja etj., do të thotë
që atë periudhë që natyra ta ka falur për të jetuar të mos e gëzosh, të mos
kontribuosh për progres shoqëror, për trashëgimtarët dhe pasardhësit, por të
vdesësh duke qenë gjallë. Gjykimi normal do të ishte që, duke qenë se vdekja
është ligj i natyrës, përpjekjet e shoqërisë duhet të përqëndrohen në një
marrëdhënie të tillë ku të mbizotërojë optimizmi, puna dhe përkushtimi për një
jetë më të mirë, pa ngatërruar vdekjen nëpër këmbë, e cila, realisht, është
pjesë e jetës, sepse njerëzimi vazhdon të jetojë. Kujt i intereson të përhapë
nëpërmjet të gjitha formave të ideologjisë e artit, me entuziazmin me të madh,
kotësinë e jetës? E, nëse brenda kësaj
vorbulle do të shihnin edhe veten e vet, entuziazmi i tyre, gjithashtu, do të
ishte i shuar, pa pasur kohë e interes për të promovuar e nderuar me çmime ata
shërbëtorë që natyrojnë zhvillimet shoqërore për të ruajtur statukuonë e
vendosur pej tyre. Ligji i shoqërisë është progresi që përfshin pa përjashtim
të gjithë anëtarët e saj. Mosrealizimi apo pengimi i kësaj aspirate e çon
shoqërinë në krizë. Poetin H. Mehmetaj e shqetëson vënia dorë mbi natyrën dhe
kësaj here qëndrimin e tij, tërësisht kundër kësaj flame që po përhapet me
kënaqësi prej “mendjeve të ndritura”, e shpreh nëpërmjet sinqeritetit fëminor
në vargjet:
“Çarçafin e pastër/të bardhë/të dëborës/e adhuroja.
Në mëngjes/habitshëm/e pashë/të grisur!Sa kam qarë!
Vallë, kush/ kish vënë dorë?!
Zëri i nënës/kumboi:
Jo biro,/ e grisi/ dielli/pranveror!”
(“Dëborë e grisur”).
E, nëse e grisi
dielli pranveror, një tjetër bukuri ai do të qëndisë. Por, nëse e gris dora e
njeriut atë që natyra stis, kjo është kuja e krizës.
Në ciklin e
poezive të titulluar “Zambakët e dashurisë”, poeti ka quajtur të tillë të
mirënjohurit, kampionë të lirikës, O. Khajamin, R. Bënsin, S. Eseninin,
Çajupin, A. Asllanin dhe L. Poradecin. Shkon poeti te Khajami, apo vjen Khajami
tek ai, ata tashmë e kanë shtruar rrugën për te njëri-tjetri, sado larg në kohë
dhe hapësirë. Trokasin kupat e verës dhe romuzet e persianit e bëjnë të
përndizet “i shuari”. Përdorim mjeshtëror i kësaj fjale, duke i dhënë vargut
shprehësi, qoftë nëpërmjet antitezës, e cila nxjerr në pah gjendjen emocionale,
qoftë edhe nëpërmjet kuptimit tjetër të kësaj fjale (të ngratin), por në
kuptimin figurativ që shpreh çiltërinë e
babaxhanit tek thotë:
“Në prehër mbaj vashën dhe kupën në dorë,
Dy lulëkuqe, a s’të dehin vërtet?!
Të ulin në fron, të veshin kurorë,
Të mbytin me dhele e puthin si mbret.”
(O. Khajamit”).
Fjala “të
shuarin” në vargjet “Eh, dashnor i ngjyer në çupa/…..Më ndez dhe mua “të
shuarin” me kupa...” është si ato stolitë që vetiu i ndryshojnë ngjyrat në
varësi të këndit të vështrimit, por, do të theksonim, edhe më tepër se kaq,
sepse ngjyrat e këtij vargu, edhe në të njëjtin kënd shikimi, përndrisin
ndryshueshëm në njëjtësinë e tyre, si nga një mekanizëm lëvizës brenda poezisë
që funksionon me rrezen e shikimit. Pra, vargu ndriçohet dhe nuk errësohet;
është një referim i ngritur i fjalës së thjeshtë, e përdorimit të zakonshëm,
duke ruajtur rregullsinë në kuptimësinë e vet dhe rendja e poetit pas kësaj
prirjeje e bën atë origjinal në modernitetin e fjalës, vargut dhe poezisë, pa
rendur drejt çrregullsisë së rregullt, e cila, duke qenë se është çrregullsi e pafund, e lë
fjalën në errësirë, pa më të voglën mundësi për të gjetur çelësin e dekodimit
të vargut e, në këtë pamundësi, disa gjejnë, shikojnë e trumbetojnë modernizmin
e artit të tyre, deri dhe kodifikimin e këtij lloji arti. Dritë dhe errësirë!
Vezullim dhe zbehje e venitje! Shpresë dhe ankth! Poeti H. Mehmetaj e ka bërë
zgjedhjen e tij, ndaj dhe gjen rrugën për të shkuar e t’u thotë nja dy fjalë
poetëve të mëdhenj :
“Te sytë e thellë bojëliqeni
Lundroj me varkëzën e ëndrrës,
Si sylynjar në kroje të fshatit
Pi ujë vashash-flladin e zemrës.”
(“Lirës mendimtare”)
Në nivelin e parë
të leximit të këtyre vargjeve, përfytyrimi dhe figuracioni (metafora, epiteti
dhe krahasimi) depërtojnë në ndjenjën e lexuesit, e freskojnë dhe e qetësojnë
atë. Por poeti tërheq vëmendjen teksa ka hedhur çelësin e dekodimit:
“bojëliqeni”, apo”kroje të fshatit” dhe lexuesi i përgatitur estetikisht, me
lehtësi dhe kënaqësi futet në horizontin lasgushian, duke shijuar kështu këtë
marrëdhënie poetësh, të cilën, herë të orienton ta zbulosh, herë e zbulon vetë,
kur sheh se gurgullon:
“Me mjaltin e dashurisë
Zemrës i hedh një lak,
Te muza jote pi musht,
I ndezur, si grushti flakë”
(“Çajupit”)
H. Mehmetaj ka
shumë për t’i thënë Ali Asllanit për çka ai ka sjellë në poezinë shqipe, për
çka ai frymëzon me vargun e tij, për çka ai tipizon me personazhet e tij.
Nëpërmjet një thurjeje tepër interesante të vajzave “guguftu” dhe Hanko Hallës
me vargjet e veta, poeti H.Mehmetaj me intuitën poetike dhe vetëdijen e një
krijuesi të një niveli cilësor të lartë, arrin të përcjellë artistikisht vijimësinë
dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së vlerave monumentale të artit të poezisë dhe ngritjen mbi atë bazë
të vlerave të reja, mision të cilin poeti ka mundur ta realizojë nëpërmjet një angazhimi që kërkon mund e talent të
spikatur, për të ngritur e vendosur në vargjet e veta monumentin e rëndë të
Hanko Hallës, pa e cituar A. Asllanin, pa e kopjuar, por në një qasje
origjinale ndërtekstuale, në të cilën spikat demonstrimi i H. Hallës në sfilatën e modës së
postmodernizmit shqiptar.
*
* *
Lirikat e
dashurisë nisin me poezinë “Amaneti i
ëndrrës”, si një “in memoriam” të O. Khajamit, poetit simbol të dashurisë.
Dashuria është ëmbëlsia e jetës. Poeti i
derdh kupat e helmit që hidhërojnë e vdesin dashuritë dhe i mbush ato me
dashuritë që vdesin dhe:
“Pastaj lumturisht, kur të ndërroj jetë
Në një botë tjetër pret miku poet,
Më pret miku im me një tufë lule,
Me buzën në gaz, ledhe dhe pekule.”
(“Amaneti i ëndrrës”).
Çfarë kundërvënie!
Jo ankth e makth, por këndellje për vithisjen e vdekjes. Frymëzim magjepsës!
Nuk i këndon vdekjes për të jetuar, por i këndon jetës për të mos vdekur:
“Ajo parajsë është hiç për mua,
Të puthurat, dehjet këtu i dua,
O ti, qyqar, nëse këto s’i gëzon,
je bredh i tharë, pa ujë, pa krua.”
(“Khajamiane”)
Në ciklin e lirikave të dashurisë, ajo që bie në
sy është se poeti ka përfshirë në të një sërë poezish për drurët e shkurret: gjineshtra, mersina, bathra,
shqopi, xina, murrizja, vidhi, ftoi, shega, molla etj. Përmbledhur në këtë
cikël, askush nga lexuesit nuk pret që poeti të përshkruajë këta drurë me
karakteristikat e tyre dhe vlerat që kanë. Por nuk pret, gjithashtu, as
shkëmbim ndjenjash dashurie me ta. Eshtë kjo një mënyrë e të shkruarit,
interesante, jo për ta lodhur lexuesin duke e vështirësuar komunikimin me të,
veçori kjo e pranisë së “bashkëkohësisë”, por për ta qetësuar, tërhequr,
kënaqur, për ta shijuar fjalën dhe mendimin. Ai u drejtohet drurëve si t’i ketë
bashkëbisedues,“ falënderon”, ndonjë edhe e “qorton” me dashamirësi e,
megjithatë, lexuesi e merr informacionin më se kuptueshëm e, bashkë me të, edhe
kënaqësinë estetike që i sjell ndërlikimi i fjalës për thjeshtëzimin e
intrigës:
“Ty bathër të përdorja si jastëk
në lëndinën pranverore të blertë,
o gjarpër, dija helmin tënd të helmtë
veç pështyma jote më jepte jetë.
…………………………………………………….
Faleminderit, o helm, i ëmbli im,
që lejen ma jepje me tënden pështymë!”
(“Gjarpri i bathrës”)
Për lexuesin që
nuk e njeh bathrën, “lidhjen” e saj me gjarprin dhe që nuk di se çfarë do të
thotë fakti kur mbi fletët e bathrës vëren pështymën e gjarprit, këto vargje do
të ishin pa kuptim dhe kjo jo “për ndërtimin ters e ndryshe” në krahasim me të
shkruarit tradicional, por thjesht për arsye të mosnjohjes. Pakuptimësia, në rastin konkret, nuk ka të
bëjë me publikun masë, sepse nuk ka fshatar, qoftë dhe i pashkolluar, që të mos
njohë bathrën dhe “marrëdhëniet” e saj me gjarprin, etj., ndërkohë që nga të
shkolluarit, përjashtuar specialistët e fushës, janë të shumtë ata që nuk e
bëjnë dot këtë lidhje. Me logjikën e pakuptimësisë këto vargje do t’i takonin
tekstit letrar të tipit postmodern, aq më tepër që kësaj here janë ndërruar
vendet dhe vështirësinë e ndien më tepër publiku pakicë, “elita”. Por poeti H.
Mehmetaj nuk e shikon modernen te vështirësia e dekodimit. Ai, në njërën formë
apo tjetrën, i jep sqarimet, por e veçanta që e bën vargun e tij bashkëkohor
qëndron në asociacionet e fuqishme, që i japin përgjigje dhe pyetjes së
mësipërme të përfshirjes së drurëve e bimëve në lirikat e dashurisë, në atë
mirëkuptim me gjarprin, i cili “respekton” dashurinë, duke u larguar prej
barishteve për t’ia lënë vendin djalit dhe vajzës, dashurisë së tyre, kësaj
ndjenje aq të fuqishme, sa edhe hidhërimin e helmit e ëmbëlson. Kjo strukturë
ndërtimi vihet re në të gjitha poezitë me tituj drurësh e shkurresh:
“Sigurisht, e shumuar nëpër varreza,
por ti je e veçanta selvi,
ke ngazëllyer të rinj me breza,
sa zemra dashurore janë zhveshur te ti!”
(“Selvia”).
Koncepti për modernen te H. Mehmetaj nuk mjaftohet me
efektet artistike të realizuara si qëllim më vete. Ai e ndien të arrirë poezinë
kur ajo lë gjurmë te lexuesi, kur transmeton tek ai, pra, kur kuptohet prej
tij. Selvia, druri që afron në strehëzën e vet, ngroh dhe mbron dashuritë, ushqen jetën, formë e të shprehurit
të idesë se jeta dhe vdekja sa janë pranë, aq janë edhe larg, se vdekja nuk e
tremb jetën, përkundrazi, jeta harliset dhe në lëmin mortor.
Poezia “Me
turkeshën e Dritëroit” është nga më interesantet e lirikave të poetit, jo vetëm
për ndjeshmërinë, por edhe për teknikën e shkrimit, shpalosjen e frymëzimit,
ftesën për përfshirje të lexuesit nëpërmjet thurjes ndërtekstuale dhe jo të
përjashtimit të tij, duke e orientuar atë drejt teksteve paraprijëse, plot
kureshtje për t’i lexuar e shijuar ato. Poeti, si çdo krijues, dëshiron që
vepra e tij të ketë një numër sa më të madh lexuesish, gjë që mundësohet kur
ajo është e pranueshme për të gjitha nivelet e lexuesve, pa cënuar praninë e
referimeve të ngritura dhe shtjellimeve stilistike të idesë, mendimit e
shqetësimit të tij. Dhe H. Mehmetaj
është treguar shumë i kujdesshëm. Bëhet fjalë për kujdes artistik të
përmbushjes së kërkesave bashkëkohore, jo si zbatim normash e rregullash, por
si reflektim i ndjenjës poetike. Referencën autori e jep qysh në titullin e
poezisë, pra, te D. Agolli. Dhe e bën këtë që ta kuptojë edhe lexuesi më pak i
kultivuar, i cili ndoshta do ta kishte të vështirë, nëse poeti do të mjaftohej
vetëm me motivin e “Turkeshës” së D. Agollit, apo qoftë edhe me ndonjë citim
vargu nga kjo poezi, e cila do të ishte e kapshme nga një nivel lexuesi më i
lartë:
“Dikur kam njohur
një turkeshë
Nga vend i largët
Adana,
Me sy të zez e
vetullzez,
Me flokët lyer me
këna” (“Turkesha”. D. Agolli). Dhe,
sado në thonjëza të viheshin këto vargje si citim në poezinë e H. Mehmetajt që,
ndërmjet të tjerash, thekson:
“Fytyra hënëz e larë, e derdhur e
gjithë gaz,
Beli hark i këputet, si ngushticë e Marmarasë,
Buzët cipëzë qershie, lyer e ngjyer sy e vetull,
Kunadhja më rrëmben dhe mua,
që preva në mes një shekull” …
lexuesit nuk i
shkon mendja te D. Agolli, sepse do të mjaftohej, siç thotë U. Eco, me atë që
është treguar dhe jo me mënyrën si është treguar (shkruar). Kjo ndërthurje
poetike që U. Eco e quan lojë e ironisë ndërtekstuale, mund të realizohet
nëpërmjet shndërrimit të personazhit, ndryshimit të kohës së ngjarjes,
kapërcimit nga figurë biblike në historike, apo nga figurë historike në artistike etj. Operacione të tilla e
vështirësojnë të kuptuarit për të gjitha nivelet e leximit, por qëllimi nuk
është përjashtimi i lexuesit naiv, por përfshirja e tij edhe në tekstet e
referencës. Në këtë kuptim, zgjidhja
stilistike që bën poeti është e arrirë dhe lexuesit i jep ftesë për një vizitë
te turkesha e D. Agollit dhe te turku (Orhan Pamuk), i cili sjell “turkeshën e
bekuar me inxhitë palë-palë”, gërshetime figurash këto, personash, nëpërmjet
një metonimie të goditur mjeshtërisht .
Heroi lirik i
poetit H. Mehmetaj të krijon përshtypjen e një bohemi që ka ndërmarrë një
udhëtim të gjatë; me shkopin në dorë zgjedh rrugën ku të hedhë hapat dhe në
trastën hedhur krahëve ka shtënë gjithë sa i nevojitetet shpirtit të tij
“aventuresk”, trastë të cilën e mbush, por që edhe e zbraz, pa e lënë të mbetet
asnjëherë bosh. Jep edhe merr. Aty, mes njerëzve! Ritmi i frymëmarrjes! Kjo e
bën të shëndetshme poezinë, këngën e tij. E bën të pastër, të natyrshme e të
rrjedhshme , sepse kënga e tij nuk vjen erë myshku të kënetës, as erë lëvdatash
hipokrite apo pushtetarësh shpirtkalbësirë. Trasta e tij sa më shumë rëndohet
me fllad pranvere, dëshira rinore, me nur e hir ciganeje, me zonjusha grabitëse
zemrash, aq me të lehtë e ndien veten, aq me të hareshme dhe kjo për arsye se i
flet varfërisë nga varfëria, dashurisë nga dashuria, pushtetarit nga
thjeshtësia, hipokrizisë nga sinqeriteti dhe tradhtisë nga besnikëria. H.
Mehmetaj ka derdhur shpirtin e tij në vargje, ndaj poezia ka jetë, ndaj duket
se fletët e librit sikur fëshfërijnë a pëshpërisin, sikur pulsojnë, kanë ritmin
e zemrës. Eshtë zemra e poetit, e njeriut të thjeshtë që i ngre monumente të
lavdishme jetës dhe bukurisë së saj:
“Je qenie e bukur fytyrëmermer,
…………..............................
Je forcë titanësh netëve të gjalla,
mbretereshë që në gjunj të përulen,
koten binjakët fytyrësterrë,
nga asnjë tërmet themelet s’të tunden.”
(“Bukuri e përlotur”).
Modernizmi i
poetit H. Mehmetaj nuk qëndron në ndërlikueshmërinë e vargut, as në lojërat
gjuhësore e rendien pas figurave pa funksion. E veçanta e lirikave të tij është se një numër të konsiderushëm poezish
me strofa katërshe (katërvargëshe) i mbyll me një distik (dyvargësh), i cili,
herë ka trajtën e aforizmës (“Kur farën e turpit mbjell e shfrytëzon/Jeta me
leckën e turpit të mbulon”), herë këshillon nëpërmjet qasjes vetiake ndaj
shfaqjeve të qortueshme (“Mjerë ata që bien në prehër të xhelozisë/ Dhe
thajnë liqenet e dashurisë”) dhe herë ofshan kur sheh që vuajtjet e
mundimet për të arrirë pak kënaqësi janë të dëshpëruara (“Dergjet lisi i
shkretë, dergjet e derdh lot/dergjet duke pritur, t’i ulet një zog….!”).
Ajo çka e dallon modernizmin e poetit nga ai në modë, është fakti se ai nuk
qëndron në pozitat e një soditësi dhe konstatuesi. Ai mjeshtërisht ndjenjën e
vet e përdor si përcjellës që transmeton energji, duke vënë në lëvizje ndjenjat
e përqasësve, në të dy krahët e vet, duke i harmonizuar ato. Ndjenja është
shpirti i lirikës, pa të ajo nuk mund të ekzistojë, sepse i heq kështu nervin
dhe e kthen poezinë në predikim e poetin në moralizues të thatë e të
mërzitshëm. Këtij rrengu i është shmangur poeti, pa e humbur aspak toruan,
sepse ai ruan thellë lidhjet me traditën dhe orientohet drejt nga lirikët e
mëdhenj, aroma e frymës së të cilëve ndjehet dukshëm në vargjet e poetit,
i cili ecën dhe kërkon rrugë të reja të
bashkëkohësisë, por gjithmonë kapur për dore fort me ta, ndaj dhe në distikun
përmbyllës të poezive shpesh janë të pranishme apostrofat:
“Sfidoni, o miq
të mi, zhegun tërbim,
Freskoni me cicërima shpirtin tim!”
***
Kur përfundon së
lexuari vëllimin poetik “Lirika” të H. Mehmetajt, ndien njëfarë
lehtësimi nga angështia, një shkundje nga plogështia që të rëndon mbi shpinë
deri në kërrusje të saj, ndien një puhizë erëmirë freskuese e kthjelluese që të
shpërgjum nga topitja rraskapitëse e larushisë së mendimit filozofik, politik,
letrar e artistik në përmasa çoroditëse, çuditërisht “të adaptueshme” e të
zbatueshme prej “krijuesve”, të cytura nga snobizmi neveritës në përkrahjen dhe
përqafimin e “së resë” në letërsi dhe arte. Duke folur për funksionet e
letërsisë U. Eco thekson se: “Bota e letërsisë është ajo gjithësi në të cilën
është e mundur të bësh teste për të përcaktuar nëse një lexues ka kuptimin e
realitetit apo është pre e shajnive të veta”. Nëse i hedhim një sy drejtimeve
letrare prej Rilindjes e deri sot, nuk mund të mos vëmë re se ato pasardhëset
lidhen me kontestimin e ekzistueseve në përputhje me zhvillimet shoqërore-politike.
Kështu ka ndodhur me Rilindjen (shek.XIV-XVII), klasicizmin (shek.XVII),
romantizmin (shek.XVIII), realizmin (shek.XIX) dhe modernizmin (fundi i
shek.XIX dhe fillimi i shek.XX). Postmodernizmi, duke qenë se hapësirat
kontestuese të realitetit i ka të kufizuara, deri në pohim të plotë të tij,
nëpërmjet “shfuqizimit” të rolit dhe detyrës së filozofisë, ia kalon këto
funksione letërsisë dhe arteve. Në këtë
atmosferë të zhvillimeve botërore, ku kriza ka shtrirë krahët e veta sa gjatë e
gjerë, artit dhe letërsisë, para se ta pasqyrojnë, u duhet ta zbulojnë dhe
shpjegojnë të vërtetën e krizës, por nuk munden, sepse filozofisë i morën rolin
dhe jo mjetet, ndërkohë që me mjetet e veta nuk arrijnë dot synimin, veçse të
sajojnë lojëra gjuhësore, të shfrenuara në fantazi, të pamata në kohë e
hapësirë, duke u bërë kështu edhe vetë pjesë e kësaj krize. Sepse mungon
kontestimi dhe aty ku ai gjen vend, si
normalitet i zhvillimit dialektik, çliron krijuesin dhe lexuesin nga ankthet e
jetës, nga llahtaria e Apokalipsit që grish apopleksinë t’i blatojë peshqeshe
vdekjes. Thënie të tilla si: “Letërsia është imagjinatë, del jashtë
realitetit”, të cilat nuk mungon t’i publikojë dhe media, janë bajate jo vetëm
në konceptimin e letërsisë si art, por edhe në ndërtimin gjuhësor të fjalisë,
sepse imagjinata mbështetet në përvojën jetësore, pra, në realitet dhe jo
jashtë tij si diçka e pakonceptueshme dhe e
pakapshme.
Poeti H. Mehmetaj
dhe një sërë krijuesish të tjerë, krijimtarinë e tyre nuk e shëmtojnë me
shëmtinë e realitetit, sepse nuk pranojnë teorinë “bashkëkohore” të shkrirjes
së dy shëmtimeve për të përftuar një trajtë të re të bukurisë, duke qenë të
bindur se ai lloj bashkimi veçse e dyfishon shëmtinë. Ata i kanë vënë vetes
detyrë ta kontestojnë shëmtinë në të gjitha format e shfaqjes së saj me gjithë
forcën e artit të tyre dhe kjo bën të jenë të angazhuar për një realitet më të
mirë, të pastruar nga banalitetet dhe fëlliqësitë, si dhe për një art që ndez e
gjallëron dhe jo që ftoh e vegjeton.
Hiqmet Mehmetaj
nuk vuan nga deliret e komplekset që të mund të rekrutohej në radhët e
konformistëve, për të ecur “zbathur” e me kostum nëpër sallone, apo me
pantallona xhinse të grisura e me papion nëpër podiume. Veshja e tij është
tepër modeste. Kostumin e vesh kur shkon në takim me muzën a me vashën, si
gjithmonë, i ndershëm në poezi,
“E shtrenjta
muza ime varfëruar
me çjerrje nuk dua të shurdhoj askënd” (“Të kërkoj ndihmë”), i pastër
e i sinqertë në dashuri:
“Një trazirë
ndiej, kur dal nëpër fushë,
Më verbon një dritë, më verbon një gushë.
………… ………………………………
S’ndërroj gjë tjetër, atje të pi vesë,
Të ngopem i shkreti, pastaj të vdes!” (“Ajo gushë”).
Kur jetës i ke
falur gjithë ç’ke mundur, vdekjes nuk i frikesh, por e sheh si pjesë të saj.
Kjo është filozofia e poetit dhe misioni i tij poetik, angazhimi në të cilin
është i asaj force që e bën sojin e poetëve t’i thonë vdekjes “Prit dhe pak!” (D. Agolli). Dhe ajo i bindet
“në mirëkuptim”. Këtij soji i përket autori i vëllimit me poezi lirike, H.
Mehmetaj.
24.01.2017
[Botuar në
studimin monografik “Përqasje e çoroditur”; Tiranë: Dudaj, 2019, f.
481-508]