Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Si i forcuam urat krijuese dhe e thyem kufirin e pakuptimtë kulturor kombëtar
E premte, 09.10.2020, 06:45 PM
Si reportazh
Takim me një grup krijuesish nga Gjakova,
Bajram Curri dhe nga Peja
Sejdi BERISHA:
ETJA PËR PESHËN E FJALËS SË SHKRUAR, OSE, SI I FORCUAM URAT KRIJUESE DHE
E THYEM KUFIRIN E PAKUPTIMTË KULTUROR KOMBËTAR
Kishte kohë që nuk ishim takuar. Përveç shumë problemeve të jetës, këtë
na kishte kushtëzuar edhe pandemia. Por, një ditë kishte gufuar malli i poetëve
dhe i krijuesve për t’u takuar dhe për t’u çmallur, kuptohet duke biseduar për
jetën, por edhe për krijimtarinë dhe synimet tona për ta afirmuar gjithnjë e më
shumë peshën e fjalës së shkruar, vargun, poezinë, prozën, shkencën,
historiografinë dhe kulturën përgjithësisht. Sepse, në këtë drejtim, jo se jemi
të etur, por edhe nuk kemi arritur ende sa duhet, sidomos në afirmimin e tërë
asaj që është vlerë shpirti e peshë historie në të gjitha trojet shqiptare,
duke e “herrur” inatin, smirën apo edhe ato gjërat që pa vetëdijen e njeriut,
ende na ngarkojnë dhe në bëjnë dëm shumë.
_________
Vlerat e bashkuara të mirëfillta
letrare dhe kulturore, janë forca më e mirë e afirmimit shumëdimensional
kombëtar
Dhe, e kishim një alibi dhe një
bazament për të biseduar për të gjitha, sepse, këtu e pesëmbëdhjetë vite e sa,
me një angazhim e mund të madh i forcuam urat krijuese dhe thyem kufirin e
pakuptimtë dhe të dhembshëm të vlerave shpirtërore dhe kulturore të një
populli, të një kombi, pothuaj se në tërë Shqipëri dhe Kosovë, e veçmas në
rajonin e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Krahinës së Tropojës. Atëherë, disa nga
ne krijuesit, Tahir Bezhani, Lulzim Logu, Muharrem Kurti, Gjon Neçaj, Sejdi
Berisha, por edhe të tjerë, u angazhuam që përmes Mitingut Ndërkombëtar të
Poezisë në Gjakovë dhe të Orës së Madhe Letrare në Bajram Curri, e cila tanimë
kjo organizohej në kuadër të mitingut, të sensibilizojmë synimin dhe rrugën për
ta realizuar një punë e vepër që nuk ishte bërë deri me tash. Pra, për të
gjetur format e thyerjes së kufirit krijues dhe për forcimin e urave të vlerave
të mirëfillta letrare dhe kulturore, të cilat mendonim se ato ishin forca më e
mirë e realizimit të këtij synimi mbase edhe historik. Kjo u bë realitet me
punën e palodhshme, duke organizuar manifestime të shumta letrare të
ndërsjella, që nxorën në pah nevojën por edhe vetëdijesimin e krijuesve dhe të
vetë qytetarëve për ta mbështetur dhe pëlqyer një punë të tillë, edhe pse,
aty-këtu, gjë normale, kishim pengesa dhe mospajtime nga një numër i vogël
njerëzish, e besa edhe krijuesish.
Krijuesit, Muharrem Kurti (Gjakovë), Tahir Bezhani (Gjakovë), Sejdi Berisha (Pejë) dhe Lulzim Logu (Bajram Curri), pas takimit te Kompleksi “Koha e Re” në Pejë
Tash, ishte vënë themeli i
shëndosh i bashkëpunimit dhe i afirmimit krijues. Shkrimtarët, poetët dhe
artistë tanimë e njihnin dhe e respektonin dhe e admironin punën e
njëri-tjetrit. Ishte kjo një e arritur e madhe në thelb, edhe pse, në realitet
dukej si diçka që mund të ecën me hapin e breshkës. Por, jo. Kjo evoluoi dhe
përfshiu edhe shumë qytete të Shqipërisë dhe të Kosovës e Maqedonisë, por edhe
të Luginës së Preshevës.
Kështu, të gjitha dilemat dhe
mëdyshjet se kufiri kulturor është i “çeliktë”, kurse afirmimi dhe shkëmbimi i
përvojave krijuese, tek disa dukej si “ëndërr” e ëndrrave të parealizuara, tani
i takuan së kaluarës me botimin e Antologjisë së Poetëve të Malësisë së
Gjakovës, e cila u botua në vitin 2013, e në të cilën u përfshinë hiq më pak se
dyzetë e gjashtë poetë nga trevat e Malësisë së Gjakovë, dhe u shënjuan edhe
emrat e afro treqind prozatorëve, krijuesve për fëmijë, të historianëve të
studiuesve dhe të intelektualëve të ndryshme. Pra, kjo ishte një vulë që i
ngjante një stralli që nuk shuhet kurrë, që, jo vetëm se i begatonte vlerat
krijuese letrare kombëtare, por ishte edhe si një katalizator për të bërë edhe
shumë vepra të ngjashme, të cilat e përjetësojnë dhe e afirmojnë madhështinë
dhe peshën krijuese kombëtare, duke përfshirë këtu të gjitha trojet shqiptare.
Bisedat kanë peshë kur dëgjohet
dhe vlerësohet mendimi i secilit krijues
E theksova tërë këtë jo pa
qëllim, sepse, edhe tash ka nevojë të koordinimit të punës në këtë aspekt, duke
futur në program forma të reja dhe stimuluese e afirmative. Sepse, nuk dua ta
pranoj, se në punën e deritashme është shtresuar nga pak pluhur, por, ndoshta
shumë faktorë që e përcjellin historinë më të re kombëtare, pra, edhe atë
kulturore dhe letrare, e kanë vështirësuar, ndoshta punën vëllimore jo, por
punën cilësore të këtyre fushave. Pra, shumë faktorë, thua se e kanë sjell në
cep të cepit rëndësinë, peshën dhe zhvillimin më dinamik të vlerave letrare dhe
kulturore, e cila mund të rrëshqas apo edhe të mbetet zvarrë e duke u luhatur
sikur ai lavjerrësi që mashtron në ndërtimin e drejt dhe të qëndrueshëm të
murit!
Në mendjet tona trokiste padurimi i
asaj që e do zemra dhe shpirti- krijimtaria, vlerat dhe problemet që i
përcjellin ato
Të gjitha këto i zbrazem në
tavolinë sot, prapë me shokët që e kishim nisur këtë maratonë para pesëmbëdhjetë
e sa vitesh. Por, kësaj radhe, ata kishin shfaqur dëshirën që të vinin në Pejë,
për të ma bërë mua qefin dhe zemrën mal, por edhe për ta kënaqur vetveten,
sepse i kishte marrë malli edhe për mua, edhe pse “nuk jam” edhe aq
gjakëmbël...!
Ishte një takim që i kishte vlerat e veçanta (Tahir Bezhani, Sejdi Berisha, Lulzim Logu, Muharrem Kurti dhe Kujtim Hajdarmataj)
Për të biseduar lirshëm dhe pa
“pengesa” nga mysafirët e tjerë, zgjodhëm Kompleksin Hotelier Turistik “Koha e
Re”, në afërsi të Grykës Piktoreske të Rugovës.
Por, kuptohet, me miqtë e
zemrës, biseda nuk zhvillohet pa e shtruar sofrën e mendjes dhe të shpirtit.
Dhe, pasi u përqafuam, përkundër pandemisë, u ulëm dhe me etje e pyetëm
njëri-tjetrin për shëndetin, mirëqenien dhe për familjet. Pastaj, vetvetiu, në
mendjet tona trokiste padurimi i asaj që e do mendja, zemra dhe shpirti, e ajo
ishte krijimtaria, vlerat dhe problemet që i përcjellin ato kudo dhe në çdo cep
të vendit.
Foto që e ka peshën dhe vlerën e kujtimit të përhershëm (Tahir Bezhani, Sejdi Berisha, Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti)
Etja, na detyron që të kthehemi
tek krijimtaria jonë më e re e secilit dhe tek mundësia që të gjejmë mënyra se
si t’i promovojmë ato, me qëllim që t’ia ofrojmë lexuesit, por edhe t’i tubojmë
dashamirët e vargut, të letërsisë dhe të kulturës, të cilat, kuptohet, kur
promovohen veprat e reja, ato begatohen edhe me fjalën e ëmbël por edhe me
këngën dhe vallen kombëtare.
Në bisedë, sikur të gjithë
ishim të një mendjeje se deri me tash ka ngelur një boshllëk për shumë arsye,
por, gjithashtu, bashkërisht u pajtuam se në këtë aspekt ka ngecje por edhe
eufori, sidomos tek krijuesit e rinj, të cilët nuk i “kontrollojmë” dhe nuk i
mësojmë e këshillojmë se vetëm krijimtaria e mirëfilltë ka vlera të qëndrueshme
dhe jetë të gjatë. U pajtuam se edhe ky problem do t’i kushtojë kulturës dhe
letërsisë, por e mbyllem këtë duke shpresuar se me kohë edhe ky “vrapim” do të
bie në tokë dhe do të krijohet themeli i shëndosh krijues.
Zilia dhe dobësitë tjera, ende po e
pengojnë afirmimin e krijuesve dhe krijimtarinë e mirëfilltë
Nuk ishim takuar kaherë, dhe të
gjithë ishim të etshëm t’i themi të gjitha ato që i kemi përbrenda vetvetes,
brenda zemrës e shpirtit. Por, sikur dominonte mendimi se ende zilia mënia dhe
dobësitë e tjera ende po e pengojnë afirmimin e krijimtarisë së mirëfilltë, e
që këto janë dukuri që ndoshta reflektojnë nivel ende të ultë të kulturës
individuale, të vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit edhe në shkallë kombi! Dhe,
për këtë temë dhe shumë probleme tjera, besa esenciale, të gjithë si me
“zemërim” bisedonim, duke prekur këtu edhe çështjet politike dhe historike të
kombit, të cilat diku-diku sikur ecin me paterica, e që sikur të gjitha
shkaktohen nga shoqëria. Padyshim se e dhembshme është kjo, sepse gjëra të
ngjashme na kanë përcjellë në të gjitha periudhat kohore dhe historike!
Thonë se libri është dhurata më e mirë: shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha duke ia dhuruar librin autobiografik t, “Njeriu ‘pa’ vendlindje”, z. Kujtim Hajdarmataj nga Bajram Curri
Por, sërish të kthehemi tek
krijimtaria, tek pesha e zërit krijues dhe tek pozita e tyre, e cila, s’do mend
se nganjëherë janë edhe të nënçmuara, e papeshë dhe përbuzura...! Megjithatë, u
zotuam se do të vazhdojmë punën për madhështinë e vlerave dhe për afirmimin e
tyre, sepse, edhe tash, edhe dje, pak janë afirmuar vlerat e mirëfillta, por
janë afirmuar, vlerësuar dhe janë shpërblyer ato vepra, respektivisht, ajo
krijimtari sipas krahut dhe njohtësive. Jam i vetëdijshëm se kjo dukuri ka qenë
prezent edhe përpara edhe do të jetë edhe tash e nesër, por, kjo dëmk thellë i
godet vlerat e mirëfillta të kulturës dhe forcimin e themeleve afirmative
brenda kombit, e aq më shumë në instancat ndërkombëtare. Edhe kjo është
ligatinë, për të cilën sikur nuk na ha shumë palla për te dhe për pasojat që i
ka lënë dhe do t’i lë.
Qyteti i Pejës ku u mbajt ky takim me krijuesit nga Gjakova, Bajram Curri dhe Peja
Tërë këtë bisedë, kujtoj me
peshë, me krijuesit dhe miqtë nga Bajram Curri, Gjakova dhe nga Peja, e begatoi
edhe humori dhe shumë kujtime tona të cilat i rikujtuam, dhe të them të drejtën
edhe na relaksuan shumë, dhe sikur na bënë me detyrim për t’u takuar sërish për
të biseduar për gjëra edhe më me peshë për letërsinë dhe për jetën, e cila po
ecën si lumë me valët hidhërake...!
E mbyllem bisedën me synimin që
Mitingu i sivjem i Poezisë në Gjakovë, në këtë kohë pandemie, bile të shënohet
përmes sistemit online, edhe pse pesha e tillë nuk e ka as çerekun e vlerave
letrare dhe as kulturore që duhet ta ketë. Uruam që edhe për orën letrare në
Bajram Curri, të gjenden forma të realizohet.
Ishim të
gjithë të etshëm që edhe në Pejë të organizojmë një promovim të veprave të mia,
por u thash, se po e presin “madhështinë e ndrydhur” për t’u gëzuar toka e
qielli me peshën e fjalës poetike, për respektin dhe engjëlloren që nuk duhet
përbuzur, se na mallkon rrugëtimi jetësor dhe historik...!
U përqafuam fort e fort, me
shpresën se së shpejti do të takohemi. Na dëshiroi rrugë të mbarë dhe suksese
në krijimtari edhe pronari i Kompleksit Hotelier Turistik “Koha e Re”, z. Arbër
Bytyqi.
Në nismë bëmë edhe disa foto
para Kompleksit “Koha e Re”, që do të ngelin kujtim, në mos kurrgjë, bile për
ta shprishur kohën që po ikën...
Pasi u përshëndetem,
nuk di pse mu kujtua shkrimi im eseistik, “Ëndrrat e mia u realizuan, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e
përqafoj si dua vetë”, botuar në dy vazhdime te gazeta “Bota Sot”, para shtatë
vitesh...!