Kulturë
Fran Gjoka: Qytetari dhe koha moderne
E merkure, 07.10.2020, 07:16 PM
QYTETARI DHE KOHA MODERNE…
-Analizë
e librit të sociologut Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh”-
NGA
FRAN GJOKA
Në
kolanën e vet të 20 vëllimeve të botura nga sociologu Gëzim Tushi “Mjeshtër i
Madh” janë të dalluara dy shtyllat mbështetëse të veprës së tij: Politologjia
dhe sociologjia. Një binom krijues, të cilit autori i ka qëndruar besnik në
krijimtarinw e tij të njohur, shumëvjeçare. Por libri i tij “Qytetari dhe Koha
Moderne” është mbase pak më i veçantë në këndshikimin tim. Autori e ka patur
“pikë graviteti” trajtimin me prioritet të problemeve që kanë të bëjnë me
natyrën e reflektimeve të determinantëve sociale në kohën modern dhe
postmoderne.
Në
këtë pikë ai është investuar me shkrime të shumta, emisione televizive,
konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në të vërtetë tërë shqetësimet
për trajtimin e tipologjisë së reflektimeve sociale të qytetarit dhe shoqërisë
në kohën postmoderne i gjejmë më të koncentruar në librin “Qytetari dhe Koha
Moderne”. Por ato i gjejmë edhe në vepra të tjera të tij si “Individi dhe
shoqëria”, “Njeriu pa dimension”, “Sfidat e qytetërimit”, “Shoqëria modern dhe
njeriu i lakuar”, Shoqëria civile” dhe “Turbulencat e postmodernitetit
shqiptar”.
Analizat,
trajtimet dhe konkluzionet e autorit në librin “Qytetari dhe koha moderne” janë
me vlerë aktuale për jetën dhe zhvillimet turbulente të jetës urbane. Sipas
tij, ndryshimet që po ndodhin kanë sjellë transformime thelbësore në strukturën
dhe sjelljen e njeriut si qytetar i inkorporuar i jetës urbane. Madje ai gjykon
se kjo është bërë një “pikë kritike” e të menduarit të qytetarit dhe instrument
për përshtatjen sociale me zhvillimet bashkëkohore. Kalimi në një “shoqëri të
re” doemos që kërkon edhe praninë e një qytetari adekuat me këto ndryshime, si:
cili duhet të rindërtojë ekuacionin e sjelljes në raportin me të kaluarën, të
sotmen dhe të ardhmen. Këtë zhvillim transformues, sociologu Tushi e konsideron
edhe si problem filozofik që ndikon në “ndriçimin e ekzistencës” së njeriut të
kohës postmoderne. Fjala është për një komportim realist të qytetarit me kohën
e tij, duke e kuptuar “tingullin e kohës” pa paragjykime, nihilizëm dhe iluzione
me natyrë sociale. Sepse ato, sipas sociologut Tushi, sjellin frikëra, pasiguri
dhe e bëjnë njeriun një qytetar të flashkët e konformist. Doemos nuk mund të
mos trajtonte në këtë libër disa probleme që kanë të bëjnë me instrumentet
qytetare të sjelljes sociale dhe individuale të qytetarit sikurse janë miqësia,
shoqëria, komunitarizmi, të cilat janë bazë për rindërtimin modern të sjelljes
në hapësirën publike apo private. Autori mendon se shoqëria postmoderne ka
nevojë për një qytetar jo vetëm kulturalisht të orientuar drejt me sfidat,
ngerçet dhe zhvillimet kontradiktore, por dhe të shfaq medoemos edhe “shpirt
publik dhe angazhim qytetar”. Tushi mendon se është qytetar me të meta sociale
dhe cene individuale, qytetari që e gjen rrugën e shpëtimit duke bërë thjeshtë
“indiferentin social”. Ky nuk është komponent që rrit staturën apo zgjeron
statusin social të qytetarit.
Sociologu
Tushi mendon se koha e kërkon intensifikimin e procesit të edukimit qytetar,
duke e menduar se ky nuk është një proces spontan, i vetvetishëm që zhvillohet
në mënyrë empirike apo thjeshtë me “rrjedhje të lirë” edukative. Kjo është
arsyeja pse autori i kushton një pjesë të madhe të librit, zbërtimit të
sfidave, përgjegjësive institucionale dhe mekanizmave të domosdoshëm të edukimit
qytetar.
Natyrisht,
thotë autori, duke marrë parasysh dhe vlerësuar kontektet e ndryshme sociale në
të cilat zhvillohet procesi i edukimit. Ai mendon se edukimi qytetar nuk është
një proces i thjeshtë pedagogjik, që zhvillohet vetëm në institucionet formale
të edukimit sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare apo media, por
është një përgjegjësi e integruar, që “duhet qeverisur” në mënyrë kompakte nga
të gjithë aktorët dhe faktorët, qëndrorë apo periferikë qofshin.
Padyshim
roli I qytetarit në shoqërinë civile dhe sidomos raportet e reja të tij me
shtetin, politikën dhe demokracinë në përgjithësi, janë nga interesimet më
intensive të sociologut G. Tushi në librin e tij “Qytetari dhe Koha Moderne”.
Ideja e tij është se demokracia është një strukturë e pamundur të ndërtohet, të
qëndrojë në këmbë dhe të konsolidohet e të bëhet funksionale në një shoqëri me
“kapital njerëzor” të dobët. Kësaj problematike autori i bën një “skaner” të
gjerë, duke e vlerësuar gjerësisht rolin e zhvillimit intensiv të “kulturës
qytetare” në shoqërinë tonë, duke e bashkëngjitur atë edhe me komponentë të
tjerë po aq dominantw e të rëndësishëm sikurse kultura demokratike qytetare, si
baza e ndërtimit të një shoqërie të lirë, demokratike e ligjore.
Të
gjitha këto komponentë të marrë së bashku dhe të integruar në një strukturë
qytetare kompakte, sipas autorit të librit, janë të domosdoshme edhe për atë që
është akoma më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare: transformimi pozitiv i
“kulturës publike” qytetare dhe përmirësimi i rolit aktiv të qytetarit në
demokracinë e brishtë shqiptare.
Në
këtë kontekst, sociologu Tushi, bën arsyetime të gjëra e elokuente për raportet
e reja të qytetarit me shtetin, për nevojën e zgjerimit të “besnikërive
qytetare” ndaj shtetit dhe demokracisë. Por ai gjithashtu ngul këmbë për
nevojën e largimit të plogështisë qytetare dhe qytetarit indiferent me situatat
kaotike dhe zhvillimet jo fort normale e standarde të demokracisë shqiptare. Në
këtë aspekt gjykimi i tij është se koha kërkon në mënyrë imperative forcimin e
“opinionit qytetar”. Për këtë qëllim ai është i mendimit se shoqëria jonë ka
nevojë për një kulturë e dinamizëm të ri urban, kur është fjala për zgjerimin
dhe konsolidimin e “ligjërimit qytetar” në raport me mangësitë e shtetit,
anomalitë e shoqërisë. Sensibilitetet e qytetarit janë instrumenti bazë që
furnizon dhe ushqen atë që është shumë e rëndësishme për kohën tonë: “gjykimin
kritik” të qytetarit në raport me shtetin, mangësitë dhe difektet e tij.
Libri
“Qytetari dhe koha moderne” ka një lëndë të ngjeshur dhe tejet aktuale me
problematikat e kohës sonë. Autori e ka trajtuar shumë herë, fjala vjen
problemin e nevojës së krijimit dhe konsolidimit të “kapitalit social”, që
sipas tij është instrument bazal për demokracinë, për krijimin e lidhjeve
qytetare, që nuk i bashkon thjeshtw kondicioni gjeografik apo lidhjet e gjakut,
fisnore apo profesionale, por ca lidhje të tjera përtej tyre, të cilat i
bashkojnë qytetarët në “kauza të përbashkëta” edhe pa i pasur këto lloj lidhje
që janë tipike për shoqërinë tradicionale. Kapitali social, sipas autorit,
është një nga kushtet ekzistenciale të funksionimit të shoqërisë postmoderne, e
cila gjithnjë e më shumë, edhe pse bëhët shoqëria e “njerëzve të panjohur”
personalisht, është shoqëri kompakte.
Autori
i kushton një rëndësi të posaçme problemeve që kanë të bëjnë me raportet e reja
të qytetarit me “veten” dhe shoqërinë. Raporte të cilat kanë pësuar ndryshime
esenciale nën ndikimin e transformimeve të thella të tipologjisë së shoqërisë.
Kjo do të thotë, sipas autorit, që kohës së sotme nuk i shkon as qytetari
indiferent, i mbyllur në guackën e “unit vetjak”, as ai konformisti apo, siç
thotë autori, “qytetari pelte”. Padyshim qytetari i kohës postmoderne po krijon
një lloj “ekzistence individuale” të ndryshme nga njeriu kolektivist, pa
staturë vetjake dhe i përshtatur në “turmën kolektive”. Sociologu Tushi gjykon
se në këto kushte është i nevojshëm krijimi i një “uniteti të ri social” midis
individit dhe interesave të tij personale dhe qëllimeve të përbashkëta të
shoqërisë.
Ideja
personaliste e individualiste, si prirje e natyrshme e kohës dhe orientim
dominant i shoqërisë postmoderne nuk mund të jetë në kundërshtim apo në
kundërsens me interesat, qëllimet apo, sikurse thotë sociologu Tushi,
“shëndetin e shoqërisë”. Ideja e deformuar e njeriut individualist, pragmatist
e konsumerist që ka vënë në qëndër të jetës vetëm “unin” dhe “veten” e tij dhe
që i kundërvihet të tjerëve dhe sfidon shoqërinë, është një nga patologjitë
aktuale të shoqërisë, që po sjell dëme të konsiderueshme sociale.
Autori
trajton gjerësisht efektet e kësaj patologjie, duke i bërë një shikim të
thelluar problemeve të lidhjes midis thelbit individualist të qytetarit
postmodern dhe nevojave të natyrshme të socialitetit dhe sociabilitetit në jetën
e përbashkët të shoqërisë. Për këtë arsye, ai mendon se zgjidhja e këtij
problemi nuk bëhet as me urdhër nga “lart”, as vetiu e në mënyrë spontane.
Mendimi i autorit është që “ilaçi” që mundëson korrigjimin apo shërimin e kësaj
patologjie, është forcimi i shoqërisë civile, zgjerimi i kapitalit social dhe
rivlerësimi e konsolidimi i organizimeve të jetës qytetare.
Në
këtë mënyrë mund të krijohet baza për një “kohezion social” të dobishëm e të
domosdoshëm, i cili nga ana e vet krijon mundësitë që qytetari të shfaqet si
qënie sociale. Madje ky tipar, mendon Tushi, duhet të bëhet “ekzistencë
thelbësore” apo natyrë e dytë e dimensionit qytetar të njeriut të kohës tonë.
Kjo do na ndihmojë që të shmangim deformimet narcistike të qytetarit super
egoist, individualist e antisocial. Në fund të fundit, mendon autori, “qytetar
është ai që di të kombinojë matricat individuale të jetës me qëllimet sociale
të shoqërisë, pa qënë i deformuar në thelb dhe i “verbuar pas vetes”. Kjo do të
thotë që interesat e natyrshme private duhen kombinuar me “përgjegjësitë
qytetare”, në mënyrë që qytetari të jetë “qënie private”, por dhe njeri me
“integritet social” të dalluar. Konkluzioni i autorit, në mbyllje të librit të
tij “Qytetari dhe Koha Moderne”, me rreth 400 faqe, është se “ofiqi i
qytetarit” nuk është “titull i trashëguar”, por “cilësi e fituar”…