Kulturë
Kadri Tarelli: Portreti i shkrimtarit Viron Kona në penën e Bashim Saliasit
E hene, 05.10.2020, 08:00 PM
PORTRETI I SHKRIMTARIT VIRON KONA
Në penën e Bashim Saliasit
Nga Kadri Tarelli
Jam i
vonuar që po shkruaj këtë meditim, për librin “Parnasi shikon me bisht të
syrit”, me autor Bashkim Saliasi, ku edhe unë jam pjesë e tij si redaktor. E
prisja, por nuk e kisha parë të botuar: Pse? “Rastësia mbret i jetës, thonë të
mençurit”. Pikërisht kështu, sepse ndodhën ngjarje të pa dëshiruara, më drejt
duhet thënë, tronditëse e plot dhimbje. Ishin tërmetet e njëpasnjëshëm, i
shtatorit dhe nëntorit 2019, më pas edhe virusi dhe pandemia që na ngujoi nëpër
shtëpitë tona, për të mos lëvizur për muaj me radhë.
Libri
doli në qarkullim rreth një vit më parë pikërisht në shtator 2019, ndërsa unë e
mora në mes gushtit 2020, kur Bashkimi dhe Viron Kona erdhën miqësisht në Durrës.
Ishte diçka e bukur, që më pëlqeu si lidhej dhe paraqitje.
Që në
fillim dua të përshëndes autor Bashkimin, për këtë libër voluminoz, rreth 660
faqe, me një titull të çuditshëm të marrë
nga mitologjia: “Parnasi shikon me bisht të syrit”1. Lexuesi nëpër reshta, kur të ketë kaluar disa
faqe, do të kuptojë përse bëhet fjalë. Autori nuk na thotë asgjë veç titullit,
duke i lënë lexuesit të kuptojë, se bëhet fjalë për një monografi disi ndryshe, jo kronikë datash dhe ngjarjesh, por
jeta e shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona, e shkrirë nëpër shkrime, tregime,
poezi, kuvendime, intervista dhe copëza jete, kujtime apo rrëfime. Mes tyre ka
foto të shumta dhe përshtypje e opinione të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe
të mesme, miqve, shokëve dhe lexuesve të shumtë të shprehura nëpër vite. Një
punë me plot mundime, që kërkon durim e përkushtim, njohje e studim, vullnet e
dituri, kohë dhe shumë dashuri. Vetëm autor Bashkimi e di se ç’ ka hequr deri
sa e përfundoi, por duhet ta dijë, se ka bërë një vepër me vlerë.
Nuk
dua të hyj në hollësi, sepse i takon lexuesit të zbulojë pjesët nën ujë të
ajsbergut jetësor të Vironit, pasi jeta e tij ka pasur shumë thyerje, kështu që
secila pjesë ka përjetimet e saj, disa të gëzueshme, kur bëhet fjalë për
takimet me nxënësit e shkollave, si shkrimtar, të trishtueshme dhe plot dhimbje
trupore dhe shpirtërore, si mërgimtar për disa vjet në Greqi. Dhe pas kthimit
pranë familjes, vuajtje që nuk po mundem t’i gjej një emër, kur mendoj që
Vironi me diplomë universiteti, nëpunës i rangjeve të larta në administratën e
kohës, të përfundojë në tregun e “Gabit”, si shitës vjetërsirash, rroba, këpucë
e gjëra të tjera të përdorura.
Të
gjitha janë copëza jete të trazuar në kohë të trazuar, por të hidhura e të pa
njohura më parë për të dhe për ne. Këto më
pas shërbyen si “brumë” për tregime të bukur dhe plot lëng të vërtete, veshur
me fjalën e artit letrar. Nuk e di si e përballuan shumë të tjerë këtë periudhë
thyerjesh të mëdha, por Vironi nuk u thye, nuk u rrëzua dhe nuk u ankua, madje
me durim priti dhe u ngrit përsëri duke gjetur vendin që meritonte si
intelektual. Bashkimi nuk e thotë, por ndjehet nëpër resha, se jeta e Vironit
është një model i bukur për të rinjtë, ku mund të mësojnë si të përballen me
jetën, që shpesh nuk është aq miqësore.
Me sa
lexojmë në libër, çudia nuk mbaron këtu. Vironi, pasi u end për disa vjet nëpër
shkolla të ndryshme të Tiranës, 9-vjeçare dhe të mesme, në qytet dhe në
periferi, si mësues e drejtues, më në fund gjen vend në redaksinë e gazetës “Mësuesi”,
pranë Ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Punë e bukur dhe shumë e dëshiruar
dhe e vlerësuar nga ai, ku dijet, kulturë, përvojën dhe aftësinë e të
shkruarit, do t’i vinte në shërbim të arsimit shqip. Ai e vlerëson këtë periudhë
ndër më të bukurat e jetës së tij, pasi iu dha mundësia të njohë e të krijojë
shumë miq e shokë të rinj mësues e drejtues shkollash, që me modesti shkruanin
artikuj ku paraqisnin jetën e vërtetë të shkollave dhe problemet e tyre. I vjen
keq që gazeta u mbyll pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye.
Pikërisht
kur punonte tek gazeta, u njoh edhe me shumë miq e krijues shqiptarë që banojnë
në Suedi, shkrimtarë e mësues suedez, mes tyre edhe albanologun Wllamr Qvick,
mik i shqiptarëve, miqësi që vazhdon ta mbajë edhe tani që është në pension.
Vironi nuk e thotë, sepse është “modest” si të gjithë vlonjatët, por Sokol
Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Hysen Ibrahimi, Hamit Gurguri, Emine Hoti, etj,
para se të udhëtojnë për Tiranë, telefonatën e parë ia nisin Vironit, i cili i
pret, i përcjell dhe i shoqëron në të gjitha takimet, kudo nëpër Shqipëri,
Kosovë dhe Maqedoni.
E
gjitha kjo përbën një faqe të veçantë e të ndritur të jetës dhe veprimtarisë
krijuese të tij, sepse ka vizituar disa herë Suedinë, këtë vend magjik për nga
bukuria dhe demokracia, dhe nuk është mjaftuar me kaq. Nuk gaboj në përshtypjen
time, se askush nuk ka shkruar për Suedinë, sa dhe si Vironi, duke i dhënë hapësirë
vlerave universale të shkëmbimit të kulturave mes dy popujve. Mjafton të
përmend librin për fëmijë, “Eh, more Bubulino!”, i përkthyer në gjuhën suedeze
nga Qibrije Hoxha, dhe futur në programin mësimor të shkollave.
Për
një çast u duk sikur peripecitë dhe shqetësimet ishin sosur, por ja që nuk
ishte e thënë, pasi sa herë që ndryshonte qeveria dhe ministrat, të parin që e
vinin në listë për tu pushuar ishte Vironi dhe, kjo jo për paaftësi, por kështu
e deshi politika e madhe. Frika ndaj pasigurisë ishte kurdoherë pranë, e ca më
shumë fyese dhe tronditëse, deri sa doli në pension. Jo më kot i kanë mbetur në
mendje fjalët e një mësuesi gjerman që jepte gjermanishten në Shkollën e Mesme
të Gjuhëve të huaja, kur Vironi ishte drejtor dhe u transferua, pa ngrohur ende
karrigen e zyrës: “Nuk e kuptoj se ç’ bëhet
tek ju, nuk e kuptoj…”.
Të
gjitha sa përmenda më lart nuk janë kapituj apo tituj shkrimesh, por të vërteta
të jetuara dhe të rrëfyera në intervista dhe biseda, ku spikat ndershmëria,
çiltërsia, mirësia, dhe pranimi i të vërtetës pa zbukurime e shtesa të sajuara,
janë pasuri e virtyt i fisnikërisë. Fjalë të thëna shqip dhe hapur, duke qenë
vetë autor, aktor dhe spektator, bashkë me shumë të tjerë.
Duke
e parë jetën e “heroit” tonë Vironit, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, Bashkimi
i jep të drejtë dijetarit Ralph Waldo Emerson, të na
thotë: “Qëllimi i jetës nuk është të jesh
i lumtur. Është të jesh i dobishëm, të jesh i nderuar, të jesh i dhembshur, të
kesh këtë qëllim, do të thotë që ke jetuar dhe, jetuar mirë”.
Askush
nuk duhet të çuditet nga numri i shumtë i personave të përfshirë në libër, disa
të rastësishëm, por shumica miq e shokë, si udhëtarë që i bashkon koha: më shumë
të mirë se të liq, më shumë të ndershëm se hileqarë, më shumë të drejtë se tinëzarë,
të gjithë të gjallë e të vërtetë, jo të marrë hua nga personazhet e letërsisë
apo dramaturgjisë. Është një galeri e tërë emrash, fëmijë, të rinj, drejtues
dhe politikanë, akademikë, mësues, gazetar, shkrimtarë, poetë, studiues e
botues librash, të shpërndarë anekënd trojeve shqiptare, madje shumë janë nga
diaspora, mes tyre edhe të huaj.
Unë e
vlerësoj lart autor Bashkimin, për të vërtetën që e gjen në çdo cep të
veprimtarisë së “Heroit të librit”, sepse shpesh ka qenë i pranishëm bashkë me
të, nëpër takime e kuvende letrare, kështu që i ka përjetuar vetë ngjarjet.
Vironi është autor i shumë librave për fëmijë, disa të përkthyera në gjuhë të
botës, ndaj është mirëpritur ngrohtë nëpër takimet e tij nëpër shkollat e
Tiranës, Durrësit, Krujës, Elbasanit, Fierit, Dibrës e Matit, madje edhe në
Suedi, në qytetin Boras. Bashkimi është i vërtetë në ato që shkruan, duke i dhënë
të drejtë Çehovit, që thotë: “Shkrimtari
nuk duhet të përshkruajë ndjenja që nuk i jeton dhe nuk i provon”.
E
besoj plotësisht këtë parim të sjelljes dhe veprimit, pasi shumë herë edhe unë
kam qenë bashkë me Vironin nëpër takime dhe kam ndjerë ato ndjesi të mrekullueshme
që të falin veç fëmijët. Bie fjala në disa takime me nxënësit e shkollave të
Durrësit, “Jusuf Puka”, “14 Nëntori”, “Demokracia”, “Iliria” në Plazh, etj.
Veç këtu
dua të ndalem për një vlerë të shtuar të librit, pasi siç paraqiten nëpër shkrime
dhe intervista, përshkrimi dhe përjetimi i këtyre takimeve apo kuvendimeve, nuk
janë thjesht reportazhe apo rubrika të ftohta me data dhe emra, por janë
krijime artistikisht e letrarisht të bukur. Çdo shkrim të mbërthen t’i shkosh
deri në fund leximit, sepse gjen kumt të dobishëm për shkollën, jetën, shoqërinë
dhe familjen, punën, detyrën, historinë, shkrimin dhe poezinë, aq sa cilido nga
ne, e ndjen veten pjesë të librit dhe ka ç’të mësojë diçka të re. Këtu më duhet
të shtoj diçka nga vetja, pasi janë
fjalë që janë vendosur në libër: “Ashtu
si jeta e shoqërisë në një farë mënyre bëhet pjesë e jona, ashtu edhe jeta jonë
është e pa ndarë nga jeta e shoqërisë. Duke folur për të tjerët, kemi vlerësuar
veten”. K. T. Faqe. 279
Libri,
një vend të rëndësishëm i kushton vizitave dhe veprimtarive të Vironit, jashtë
vendit, bie fjala: Turqi, Greqi, Hungari dhe Suedi, sepse ai ka një huq që,
sapo kthehet në atdhe e qëndis një libër. Nga këto vizita e takime, janë botuar
shumë, intervista, biseda, reportazhe, tregime, por edhe libra, romane,
monografi, madje disa edhe voluminozë: “Dëgjoma zemrën Budapest” (përkthyer në
gjuhën hungareze), “Yje mbi Bosfor”, “Drithërimat e yjeve” (roman), “Bukuri
Suedeze”, “Ju dua më shumë se veten”, “Zonja nga Borasi”, “Kur vjen Sokoli”, “Marigoja
shqiptare në Norvegji”, “Një ditë me Marigonë”, “Poleni viking”, (me
bashkautor), etj, etj
Ajo
që lehtë vihet re, janë fotografit e shumta, që po të mblidhen bashkë, bëhet
një album i plotë. Shumica janë me citim, gjë që me gjuhën e heshtjes fotografia
flet shumë. Aty kuptojmë evolucionin e portretit të Vironit, por edhe dinamikën
e jetës së tij. Vetë ai është i dashuruar me fotografinë dhe ka bërë mirë, pasi
ato janë dokumente të pazëvendësueshme, që fiksojnë kohën. Është një ves i
bukur i Vironit, që na e ka ngjitur edhe ne miqve dhe shokëve, sepse sa herë
ulemi bashkë, nuk harron të na kujtojë: “Të bëjmë një fotografi, pasi sot
dukemi bukur”.
Në
fund meriton një përshëndetje kritiku dhe studiuesi Sejdo Harka, i cili ka bërë
reçensën e librit, një prozë poetike të vërtetë. Po shkëpus vetëm pak fjalë: “Ai përgjigjet në mënyrë metaforike: librin më
të mirë nuk e kam shkruar akoma. Nëpërmjet kësaj përgjigje kuptimplote, ai guxon
të përçojë tek lexuesi mendimin filozofik….. Ai ka një jetë të tërë që rend e
vështron drejt “Majave metaforike të Parnasit” dhe, siç shkruan edhe vetë, i duhet
akoma shumë kohë të arrijë në majë, e cila është bërë simbol i krijuesve të guximshëm,
për t’u ngjitur… Vironi dëshiron ngjitje, vetëm ngjitje, por kurrë nuk mburret,
kurrë nuk është ligështuar kur është rrëzuar edhe pse jo për faj të tij. Durimi
është ai që e ka ngritur e ringritur disa herë”.
Vetë
autor Bashkimi, pas një pune të rëndë
studimore porosit lexuesin: “Lutem,
hidhni shikimin dhe lexoni shkrimtarin V. Kona, me siguri do të mësoni diçka te
re, do të përjetoni vlera dhe emocione të reja, që gjithkujt i duhen dhe i shërbejnë
për jetën, për të sotmen, dhe për të ardhmen”.
Urime
autorit Bashim Saliasi, për këtë “Monument” kushtuar Viron Konës, një monografi
në shkrime, që mbahet në çantë, vendoset në tavolinë pune, në çdo bibliotekë,
mbase edhe sipër oxhakut, si vepër arti.
Kadri Tarelli
Durrës më: 03, vjeshta e dytë, 2020.
Shënim:
1. Mali
i Parnasit. Besohej se aty jetonte
Apolloni, perëndi e muzikës dhe përkrahës i arteve dhe bashkë me të jetonin
edhe nëntë muzat, që mbronin degë të ndryshmë të artit. T’i ngjitesh parnasit, do të thotë të bëhesh
poet.
BASHKIM
SALIASI
Ka
botuar librat: “Dobrusha 1700-2010”, novelën “Katër krisma të mallkuara”, librin ditar dhe përshtypje: “Ne ishim pesë
shokë”, vëllimin me skica tregime: “Po
gjyshi pse i lexon librat emi?!
”monografinë.
“Parnasi
sheh me bisht të syrit”- kushtuar shkrimtarit Viron Kona etj.
Bashkëpunëtor i gazetës “Mësuesi”- organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (sot Ministria e Arsimit dhe Sportit), bashkëpunëtor aktiv i shumë gazetave dhe revistave brenda dhe jashtë vendit, si dhe i shumë faqeve elektronike në botë: “Fjala e lirë”-Londër”, “Tribuna shqiptare-Kanada”, revista “Dituria”-Suedi, “Ilyria” - New Jork, “Rrënjët” - Itali etj. Bashkim Saliasi kontribuon vazhdimisht me artikuj studimorë për arsimin dhe shkencën e biologjisë, me skica dhe tregime letrare, reportazhe, ese, poezi, duke ndihmuar njëherazi edhe me përvojën e tij në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë dhe publicistikës. Botuesi