E shtune, 12.10.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Mevlud Buci: Sabedin Kurti, matjani mendjendritur

E diele, 04.10.2020, 11:00 AM


Sabedin Kurti me maketin e dingës së barutit, punuar prej tij dhe ruajtur në shtëpinë e tij

SABEDIN KURTI, MATJANI MENDJENDRITUR, MJESHTËR I RRALLË I PUNËS, I ZEJEVE POPULLORE

Nga Mevlud Buci, studjues e publicist

Mendja dhe puna, dy shina jete që rrezatojnë jetën dhe vlerat njerëzore. Mendja është xhevahir, puna mineral, që s’e tret dheu; të dyja përbëjnë pozitën a pasurinë më të çmuar, më të ndritur për veten, shoqërinë, për kohën dhe brezat që vijnë.

S’ke se si nuk mediton, apo nuk gjurmon, kur kujton dikë që e ke njohur, që i njeh mendjen, punën a shpirtin qelibar, si i thonë, që i njeh urtësinë  e pasionin, njohuritë e virtytet. Kështu të ndodh me Sabedin Kurtin e Matit, me birin e thjeshtë e të talentuar për zanatet që mësoi e demonstroi si rrallëkush. E çuditshme, njerëzore, e kuptueshme dhe fare e thjeshtë: s’paska si provat e mendjemprehtësisë, të mirësisë e të pasionit, s’paska si uniteti vëllazëror, shpirti i punës e i kërkimit, s’paska si kultura e lënë, si i thonë, e si pasioni; të gjitha këto e plot të tjera rrëzatojnë si drita në udhët e jetës e të zanateve të Sabedin Kurtit.

* * *

Kur mësova, me vonesë, për ndarjen nga jeta të Sabedinit, m’u duk sikur Deja më ra mbi kokë, sepse e kisha njohur, kisha biseduar dhe në mendjen e zemrën time qe gdhendur matjani i thjeshtësisë, i mjeshtërive të rralla të punëve, “gjeologu” popullor që s’pushonte së kërkuari në krah të vëllait, të paharruarit e shkencëtarit të mirëfilltë, Dilaver Kurtit.

Jeta është e shkurtër, por ngjan me pasqyrën me dy anë, ajo regjistron gjurmët, dritën, vlerat nëpër vite e kohëra. Jeta dhe puna e Sabedin Kurtit, birit të thjeshtë e të talentuar, i ngjan një galerie të thellë, një mali me kurorë e luleshumë, i ngjan burimeve që nuk shterrojnë. Përpara provave të punës, mendjes së ndritur, shëmbëllimit në gjurmime e shpirtbardhësisë së Sabedin Kurtit, cilitdo, sado i madh në pozitë a në para, vetja do t’i dukej shumë i vogël.

Kur nisa këtë shkrim, me pengun e vonesës në shpirt, m’u kujtua një thënie epope dhe kuptimplotë e 90-vjeçarit Dali Totraku i Lùkanit (ndjesë pastë): “Or, bir, ma mirë pak shkollë e mendjehollë, se sa shumë shkollë e mendjeshollë!”. Sabedin Kurti ishte mendjehollë, pasionant, durues, guximtar, mjeshtër i zanateve me shumë vlerë, kërkues ndaj vetes, i papërtuar, njeri i unitetit vëllazëror e prind shembullor. Koha dhe jeta janë “SPAK”-u më real, më i drejtë, që çmojnë drejtësinë për cilindo; u jep herët a vonë atë që meriton. Sabedin Kurtin e nderon puna, shpirtdrita, përkushtimi e pasioni, intuita prej vërtet “filozofi” në mjeshtëritë e ushtruara.

Para se të nisja këtë shkrim modest, ristudjova revistën “Emathia”, ndër revistat më të ndritura të kohës, një thesar për brezat dhe traditat. U ndala tek shkrimi i pendëndriturit, publicistit e poetit të shquar, Rakip Lasku, bir i Gurit të Bardhë botuar në numrin 1 (9) 2009, faqe 50-53. “Vëllezër të pandarë në një hullì” e titullon autori, por më pas shkruan: “Sefa, një libër ende i palexuar”. Shkrim studimor-publicistik mjaft mirë i realizuar, me fakte përvoje e argument, shkrim që ngjan me një përmendore fisnikërie për vëllezërit e nderuar Dilaver e Sabedin Kurti. Sigurisht, që në jetën e përditshme shkrimet duken si diçka e thjeshtë, por në fakt dëshmojnë madhështinë, bëhen themel i monografive, poemave, skicave, përshkrimeve, reportazheve. Dhe, vërtet, kushdo që lexon, a rilexon Rakip Laskun, mediton: - Sa e çfarë mund të bëj edhe më, sadopak për Sabedin Kurtin?!

* * *

Sabedin Kurti, pinjoll i fisit Kola të Burrelit, u lind në Elbasan më 29 shkurt 1936, kohë kur babai i tij shërbente në ushtrinë mbretërore. Sabedini fëmijërinë e kaloi në qytetin e Burrelit, që po shtohej me institucione e numër banorësh, ku mori edhe mësimet bazë. Familja ku u lind, u rrit e ku mori formimin kulturor e njerëzor, përbëhej nga gjyshi Jakup (që e thërrisnin Kurt, emër që u përdor si mbiemër nga trashëgimtarët e tij), gjyshja Selvije (bijë e fisit Sana të Burrelit), babai Ibrahim, nëna Fetije, tetë fëmijët: Shyqyrija, Dilaveri, Feridja (mbretëresha e këngës popullore matjane, “Mjeshtër i Madh”), Sabedini, Meleqja, Vera (këngëtare e dhejtra këngëve matjane dhe e himnit “Më ka zanë maraku me nji cucë matjane”), Lulja dhe Lirija të lindur nga dy martesa të Ibrahimit me Aishen (bijë e fisit Kadiu në fshatin Fshat të Klosit) dhe Fetijen (bijë e fisit Turja në Homesh të Dibrës). Babai i tij, Ibrahimi, pasi mbaroi shkollën ushtarake në Burrel, shërbeu në forcat ushtarake kufitare në zonën e Shupenzës (Dibër) dhe në përgatitjen e paraushtarakëve në Elbasan, ndërsa më pas iu kushtua familjes, duke bërë punë të ndryshme bujqësore e tregtare për të mbajtur familjen. Në krye të organizimit familjar qëndronte xhaxhai, Sadiku, i cili ishte njeri energjik dhe shquhej, si organizator, jo vetëm i jetës familjare, por edhe detyrave shoqërore të fshatit Burrel, nga koha e luftës së parë botërore e deri në vitet ‘70, kur ishte në moshë të thyer. Edhe bashkëshortja e tij, Hikja (bijë e fisit Mingla në Burrel), ishte një nikoqire e zonja. Megjithëse nuk pati fat të kishte fëmijë, ajo u bë nënë për tre vajzat e lindura nga martesa e parë e kunatit të saj, Ibrahimit: Shyqyrijen, Feriden dhe Verën, duke i rritur me ngrohtësi deri në martesë.

Sabedin Kurti vlerësonte shokët, mjeshtërit, ishte burrë me intuitë e mprehtësi të rrallë, bir i Matit e nip i Dibrës, kurdoherë në kërkim e veprim, në kryerje të punëve të çmuara si bletërritës dhe mjeshtër i realizimit të maketeve të zejeve popullore të ushtruara në krahinën e Matit e më gjerë. Gjatë viteve ’50-‘60 të shek. XX, Sabedini iu kushtua punëve në ndihmë të familjes, dhe pati fatin të zbulojë talentin e tij si një marangoz i talentuar falë mundësisë që iu dha të punonte pranë mjeshtërave të kohës në “Kooperativën e Artizanatit”, ndërmarrje e hapur në vitet ‘50 të shek XX. Mes tyre ai përmendte Salë Cekën e Liman Kokën, por me konsideratë më të lartë fliste për Kros Metën me të vëllanë, Asllanin. Prej Krosit ai përmendte gjithmonë këshillën e urtë që i kishte dhënë: “Merre këtë zanat, që s’të kërkon bukë, se ujku nuk ta ha, zjarri nuk ta djeg, uji nuk ta merr e hajduti nuk ta vjedh. Kështu, Sefa është rrekur të hyjë në rrugën e Kros Metës dhe është përpjekur t’i hedhë hapat sipas modelit të tij në jetë.” (R. Lasku, revista “Emathia” nr. 1(9) 2009 fq. 50-53).

Sabedini, krahas punëve të tij si mjeshtër i rrallë nw punimin e drurit, nuk iu nda vëllait, studiuesit fisnik, Dilaverit, i cili në mesin e shekullit të kaluar kishte filluar të merrej me gjurmime dhe studime të trashëgimisë historike-kulturore të trevës së Matit. Së bashku ata udhëtuan në dhjetra vende: rrënoja kështjellash, ura dhe kalldrëme rrugësh antike-mesjetare, ndërtime popullore apo monumente të natyrës, por ajo që e tërhoqi më tepër Sabedinin ishin zejet popullore të ushtruara në krahinën e Matit, të cilat i gjurmonte në terren dhe për ato që nuk ekzistonin më, mblodhi të dhëna nga bartës të ndryshëm, duke u konsultuar edhe më vëllain e tij, Dilaverin. Meritë e tij janë ndërtimi i maketeve në funksion të mjediseve muzeale të valanicës (dërstilës) për prodhimin e shajakut me rrahje me çekiçë dhe ujë, çarqet për ngritjen e ujit për vaditje, mullinj të ndryshëm që punonin nëpërmjet presionit të ujit apo rrotulloheshin me kalë etj.

Një nga meritat e mëdha të tij është rindërtimi i dingës (punishtes) së barutit në përmasa maketi. Bashkë me vëllain e tij, Dilaverin, gjurmuan në zonën e Klosit, ku ishte ushtruar kjo zejë dhe secili në fushën e tij: Dilaveri bëri shkrimin studimor dhe Sabedini ndërtoi maketin e dingës, duke u konsultuar me bashkëkohës të periudhës së punimit të barutit, që fatmirësisht jetuan deri në fundin e viteve ‘60 të shek. XX. Kjo punë e tyre shuajti dyshimet e skeptikëve të qarqeve shkencore e akademike të kohës, që këmbëngulnin se nuk ishte e mundur që baruti të prodhohej në mënyrë artizanale me instrumenta prej druri e guri që vihen në lëvizje nga uji i përrenjve. Gjatë viteve ‘60-‘70 të shek. XX, Sabedini ndërtoi me dhjetra makete të tillë për mjedise muzeale, nga madhësitë reale deri në miniaturë. Këto i ka realizuar për nevoja të Muzeut Historik Mat, Muzeut Etnografik Klos, Muzeut Historik Kombëtar dhe ekspozitave të kulturës popullore të hapura në kohëra të ndryshme në Mat, Tiranë, Shkodër etj.

Një nga këto dinga (punishte) me përmasa reale, ndërtuar prej tij, shërbeu për disa skena të filmit “Flaka e maleve”, ku Sabedini u mbajt si konsulent për t’i shpjeguar aktorit të shquar Ndrekë Luca se si funksiononte ky mekanizëm dhe si ai duhej të sillej me të. Për këtë ai thoshte se Ndreka shpeshherë e quante “profesor”.

Edhe pas daljes në pension Sabedin Kurti ka vazhduar të prodhojë për dëshirën e tij makete të zejeve popullore: maketin e punishtes së barutit, të çarkut të ujit dhe mullirit që sillej me kalë, duke e kthyer shtëpinë në një muze, ku vizitohej, jo vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe vizitorë të profileve të ndryshme, deri te diplomatë të huaj që vizitonin Matin dhe kërkonin të njiheshin me trashëgiminë etnokulturore të tij.

Duke ecur pa u lodhur nëpër luginën e Matit dhe malet historikë që e rrethojnë, krahas vëzhgimeve në kalatë ilire-mesjetare dhe zejet popullore të kësaj treve, Sefa (siç thirrej nga të njohurit e tij M.B.) ushtroi edhe një pasion tjetër qysh nga rinia e tij, atë të bletërritësit. Këtë profesion e ushtroi deri në ditët e fundit të jetës së tij, duke u bërë një bletërritës jo vetëm për veten e tij, por duke ndihmuar me dhjetra të tjerë që dëshironin të merreshin me këtë profesion, duke u mësuar atyre rrugën e drejtë dhe të përkushtuar larg mashtrimeve, që fatkeqësisht kanë funksionuar dhe funksionojnë në shfrytëzimin e punës dobiprurëse të bletës për jetën njerëzore.

Ajo që shkruan i nderuari Rakip Lasku, dikur në revistën “Emathia”: “Sefa një libër ende i palexuar” është mjaft domethënës dhe cilindo lexues, a studiues, publicist, a cilindo e bën të vëzhgojë e mendojë, gjurmojë e krenohet me mjshtëritë e Sefës (Sabedin Kurtit), i cili, krahas shumë artistëve e mjeshtërave të zejeve popullore përbën një vlerë të shtuar për brezat e Matit e të kombit tonë.

* * *

Sabedini u martua më 1966 me Shpresën (bijë e Çitozëve të lagjes së vjetër Berbère të Krujës) me të cilën lindën dhe rritën gjashtë fëmijë: Mirelën, Voisavën, Gencin, Etlevën, Fatjonin dhe Eltonin. Ata  kanë ecur e përparuar në udhët e vështira e të bukura të jetës, të dijes e të punës. Kanë krijuar tashmë familjet e tyre dhe jetojnë në Burrel, Angli dhe Itali, duke i gëzuar prindërit me nipa e mbesa, të cilët janë krenarë për kontributet që ka lënë babai dhe gjyshi i tyre në ruajtjen e traditave më të mira të trashëgimisë kulturore.

Sabedini, pas humbjes së parakohshme të vëllait të shtrenjtë e studiuesit të talentuar, Dilaverit, nxiti dhe angazhoi me gjurmime në terren nipin, të përkushtuarin Artanin (djalin e Dilaverit) duke e orientuar në ato vende me histori në ushtrimin e zejeve, apo në ndërtimtari, ku para rreth pesëdhjetë vitesh i kishte shkelur me  arkeologun, etnografin dhe folkloristin, vëllaun e tij dhe babain e Artanit, Dilaverin. Puna pasionante e dy vëllezërve Kurti është dëshmia e gjallë se si të lartëson pasioni, kërkimi, dashuria për gjurmime e mbi të gjitha nderimi për vlerat etnografike, arkeologjike, kulturore e më gjerë.

Shembulli e përvoja e Sabedin Kurtit të Matit: “...pak shkollë e mendjehollë” - “...zbato ato që di, por mëso gjithnjë!”, tregon se puna, zelli, shpirti pasionant, krijues e zbatues të japin emër e bëjnë që të rrezatojë dituria. Koha dhe jeta, brezat dhe faktet e dritësimit do ta lartësojnë edhe më shumë përkushtimin e Sabedin Kurtit, këtij mjeshtëri të zejeve popullore, burri fisnik i vëllazërimit, i mençurisë dhe i punës.

Sabedin Kurti-Kola u nda nga jeta më 31 gusht 2019, duke lënë një trashëgimi të pasur dobiprurëse në ruajtje të traditave më të mira njerëzore, qoftë në mjetet në dobi të jetës, qoftë në virtytet e një njeriu që është për t’u marrë si model. Ai mbetet ikonë mendjendritur, mjeshtër i rrallë i punës në ruajtje të trashëgimisë së zejeve popullore.

Sabedin Kurti me maketin e çarkut të ujit, punuar prej tij dhe ruajtur në shtëpinë e tij



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora