E premte, 13.12.2024, 07:37 PM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Ngjarje të përjetuara

E diele, 11.10.2020, 10:31 AM


Fjala e redaktorit

Bedri TAHIRI

NGJARJE TË PËRJETUARA

Hazir Mehmeti, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe. Një jetë të tërë në shërbim të çështjes kombëtare. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm në Vjenë, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në mërgatë; publicist, tregimtar, poet, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.

Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë qëndruan këmbëkryq ngjarjet më të rënda të historisë tonë, ato të përjetuara drejtpërdrejt, që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë historike, helmimet e fëmijëve tanë.

Cerberët e përtej Tunës, që kur zbritën nga malet dhe vërshuan trojeve tona stërgjyshore, me vete morën egërsinë, ligësinë, gënjeshtrën, pabesinë. Iliria zu të tkurret nga barbaria e kësaj fare të mallkuar. Dhuna qe e paparë. Vrasje, masakrime, dëbime, djegie, plaçkitje, shfarosje. Në vitet e ’90-ta, edhe një krim i panjohur për botën e civilizuar: Helmimi i fëmijëve!

Shkollat tona u vunë në cak të kësaj lufte biologjike. Mësimdhënësit shqiptarë, të hutuar, përpiqeshin t’u vinin në ndihmë nxënësve të tyre. Serbët, në anën tjetër, bënin sehir dhe gajaseshin në heshtjen e tyre të zakonshme. Ata, me kohë e kishin paramenduar një gjë të tillë. Kishte kohë që ishin ndarë veçan, kishin bërë segregacion, siç i thoshin asokohe. Ata mësonin ndaras shqiptarëve, plan i eksperimentuar për herë të parë në komunën e Vushtrrisë. E para priu Prilluzha me drejtorin e shkollës TomisllavMashiq.

Dhe, helmimi vazhdonte sipas skenarit të sofistikuar e të përgatitur mirë e mirë në kuzhinat beogradase. Sakaq, ai përfshiu gjithë Kosovën. Numri i të sëmurëve arriti shifra alarmuese. Një dukuri e rrallë që mahniti botën e civilizuar. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e re të njerëzimit. Ishte kjo një nga format e gjenocidit serb ndaj shkollës shqipe.

Pushtetarët serbë, mjerisht edhe ndonjë puthadorë shqipfolës, e mohonin një gjë të tillë. Por, dielli nuk mbulohej me shoshë. Zëri i mekur i mjekëve tanë nuk dëgjohej përtej ordinancave të tyre të ngufatura.

Mantelebardhët, ata që me zemër kishin dhënë betimin e Hipokratit, duhej pranuar  realitetin, të cilin krimnxitësit përpiqeshin ta kamuflonin e t’i hidhnin gjithë botës hi syve. Dhe, një ditë, mjeku francez, Dr. BernardBenedetti tha të vërtetën: Në Kosovë pati helmime!

Të gjitha këto i përjetoi, me trup e me shpirt, edhe mësimdhënësi i biologjisë në QAMO-në “MuharremBekteshi” të Vushtrrisë, Hazir Mehmeti, madje duke mbajtur edhe shënime në ditarin e tij personal. Ato, i barti në gjirmë të zemrës për më shumë se tri dekada, derisa e nxori në dritë librin “PRANVERË E HELMUAR”, në të cilin, në mënyrë analitike e përmbajtjesore, shtjellon këtë të keqe të madhe,  që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Libri “PRANVERË E HELMUAR”, të cilin e pata në dorë si dorëshkrim dhe e njoha që në embrion, përben një mozaik të shkëlqyer të ngjarjeve më tragjike në historinë tonë të re. Shkëndijë e parë që ndezi imagjinatën e autorit për ta vënë në skenë këtë tragjedi kombëtare, padyshim, qe Ditari i tij personal, i cili, po ashtu, është histori në vete.

Materialet e shumta: Dëshmi, foto, faksimile gazetash, mendime, kujtime, vlerësime, përjetime e ritregime, të mbledhura lule me lule, si bleta nektarin, për të qenë me të kapshme për lexuesit, autori i ka konceptuar dhe sistemuar kryesisht në gjashtë kapituj e në disa nënkapituj.

Në kapitullin e parë, titulluar“GJENOCIDI SERB KUNDËR SHQIPARËVE NË SHEKUJ”, jepet një pasqyrë e përgjithshme e barbarisë serbe mbi shqiptarët autoktonë. Që të mos dalë subjektiv, autori flet më shumë me gjuhën e të tjerëve, duke treguar bindshëm shpirtligësinë e pushtuesit serb, që në gjak ka egërsinë dhe gënjeshtrën. “Për serbët, armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre“,- konstaton LeoFreundlich.

Ky gjenocid i vazhdueshëm, argumentohet edhe me paraqitjen e  elaborateve serbe, hartuar në vijimësi historike nga krerët e tyre, me të vetmin qëllim: spastrimin etnik të trojeve iliro-dardane.Mjafton të përkujtohet  princi serb, MilanObrenoviçi, i cili thoshte “Merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb do t’i ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë!”, thënie, që, edhe sot e kësaj dite, e mbajnë vath në vesh të mallkuarit. Ashtu vepruan përherë, qysh kur këmbë e tyre shkeli këndejpari, funvitin e 1912-së e deri te suprimimi i autonomisë, duke arrirë pikën kulmore me helmimin masiv të fëmijëve...

Kapitujt vijues sjellin fakte kohe: mendime e vlerësime të ndryshme, nga të huajt dhe nga tanët, për helmimet, shkrime nga shtypi i kohës, në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e huaja, reagimet e personaliteteve shqiptare e atyre botërore, siç ishte Dr. BernardBenedetti, i cili, pasi kthehet nga vizita që kishte ber në Kosovë, deklaroi: "Afirmoj, deklaron ai, se mbi tre mijë të rinj dhe fëmijë të moshës së mitur kanë qenë të helmuar qëllimisht. Pjesa më e madhe e tyre janë nxënës të shkollave shqiptare".

Nga shtypi shqiptar autori ka konsultuar  gazetat Rilindja, Bujku, Zëri, Shkëndija, Zëri i Popullit,  Bashkimi dhe Mësuesi, të cilat i dhanë hapësirë të duhur helmimit të rinisë shqiptare, si një nga format më kriminale të një regjimi çnjerëzor.

Derisa gjithë bota e civilizuar dha alarmin për një gjenocid të paparë dhe shtypi gjerman, francez, britanik, paskëtaj ai i Zagrebit, i Sarajevës etj., i dhanë jehonë kësaj ngjarjeje, serbët, aq më keq edhe mjekët e tyre, e mohonin një gjë të tillë, duke e cilësuar si një aktrim hollivudian dhe si një aksion të organizuar nga separatistët shqiptarë!

Në Zagreb, madje, u organizua edhe Simpozium për helmimet në Kosovë, nga u bë thirrje për ndërgjegjësim botëror (Simpoziumi "Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore").Dr. Anton Dolenc,kryetar i Komisionit të dytë Federativ, në simpoziumin për helmimet, tha:"Ky raport është punuar për 24 orë, që është kohë shumë e shkurtër dhe nën trysni politike", dhe u distancua publikisht, duke mos e nënshkruar raportin federativ.

Rol të veçantë në ato ditë të vështira, luajti edhe Kisha katolike dhe klerikët e saj atdhetarë dhe motrat e nderit...

Në vazhdim, jepen edhe shifra dhe statistika të të helmuarve nëpër disa komuna të Kosovës (Podujevë, Prizren, Suharekë, Gjakovë, Shtime, Viti, Kamenicë, Prishtinë, Kastriot, Fushë-Kosovë). Sipas shënimeve nga arkivat dhe hulumtimet e deritanishme lidhur me shkallën e helmimeve, nga 28 komunat e Kosovës, helmimi ka përfshirë rreth 70% të tyre,- konstaton autori. Komuna, e cila u kujdes për arkivat, shtypin, regjistrat deri në imtësi, është komuna e Ferizajt, e cila kishte të helmuar më shumë se çdo komunë tjetër e Kosovës (1065 qytetarë të helmuar, kryesisht fëmijë).

Kapitulli Helmimet në Vushtrri, përbënë thelbin e librit në shqyrtim. Kjo është pjesa që autori e njeh më së miri, ngase edhe vetë ishte protagonist i atyre vlimëve përvëluese. Në fakt, përqendrimi bëhet në Shkollën e mesme “MuharremBekteshi”, e cila kaloi nëpër peripeci të shumta, por, si një kolektiv unik, u bë shëmbëlltyrë për të gjithë, duke qëndruar i pathyeshëm përballë stuhive shkatërrimtare të kohës zezonë. Këtu, me kohë, u formuan të gjitha organet paralele dhe u kundërshtuan hapur vendimet antikombëtare të qeveritarëve serbë. Kjo qendër u bë halë në sy për ta, saqë e cilësuan vatër të nacionalizmit shqiptar.

Nisur nga të gjitha këto, edhe helmimet filluan pikërisht këtu, duke sjellë pasoja të rënda për nxënësit e saj dhe personelin arsimor. Në këtë shkollë pati disa herë helmime, por ato kulmuan më 23, gjegjësisht më 26 mars 1990, kur u helmuan 264 nxënës, kurse në qytet dhe rrethinën e tij ishin 353 nxënës e studentë të helmuar.

Pjesa më interesante e librit “PRANVERË E HEMUAR”, padyshim, mbetet DITARI, i cili, siç e shpjegon vetë autori, ka një histori të veçantë, dhe, ka përbiruar për vesh gjilpëre, duke i shpëtuar asgjësimit. Ai përmban shënime brenda datave: janar 1990- 22 shtator 1995. Autori nuk u përmbahet rregullave të ditarit klasik, pra, nuk përshkruan ngjarjet ditore në mënyrë kronologjike. Ai, ndalet vetëm te ngjarjet e veçanta të këtij rrugëtimi historik. Këto fletëza ditari, të përshkruara dhe të vëna si faksimile, paraqesin dëshmi reale të asaj periudhe të rëndë zymtësie, që e mbijetuam kolektivisht, por, edhe si subjektivitet ndjenjësor  i autorit.

Librin e plotësojnë dhe begatojnë: intervista me mjekun sypatrembur vushtrrias, dr. ShukriGërxhaliun, i cili nuk kurseu asgjë nga vetja për tu dalë në ndihmë të helmuarve, tregimi HELMIMIi BedriTahirit si dhe  poezia NDJESË e  Ali Podrimës.

Hulumtimi i panderprerë, nëpër biblioteka të ndryshme, brenda e jashtë vendit, konsultimi i dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, i mjekëve heronj, që përkundër rreziqeve, dhanë ndihmën e tyre, i njerëzve që kontribuuan në forma të ndryshme, shfletimi i një mori gazetash e revistash, në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja, tregojnë peshën e seriozitetit të kësaj vepre. Aparatura e duhur shkencore, fusnotat sipas standardeve të reja studimore dhe literatura e bollshme, mbi 120 burime, ia shtojnë vlerën librit “PRANVERË E HEMUAR”, duke e radhitur ndër studimet më të plota të kësaj fushe.

Dhe, fare në fund, pa mëtuar të shkoqisim librin më në imtësi, ngase ai do të përjetohet vetëm kur të lexohet, autorit i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë, ndërkaq librit përhapje nëpër bibliotekat tona e lexim të merituar!

Galicë, 10 Qershor 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora