Kulturë
Fritz Radovani: Kush na e vrau Trimin e Hotit?
E diele, 11.10.2020, 12:58 PM
Fritz RADOVANI:
Kujtoj…Sot,
mbas 105 vjetësh:
Flamurtarin
e 1911...
Kush
na e vrau Trimin e Hotit?
Kush kjé Dedë Gjo’ Luli?
Me
dashtë me u përgjegjë si duhet shtyllat e një fletorës janë tepër të ngushta.
Nuk përmblidhet në një rryp letre nami i një Fatosi; e, si thotë Poeti ynë:
“Namin
e tyne per me e kndue si duhet,
O
nieri lypet, lypet Iliada”
(A.Gj.Fishta,
“Hylli i Dritës”, vj. I, Nr. 2, 1913).
Atje
ndër ato Bjeshkë të Nêmuna nën hinin shekullor, ruheshin gacat e pashueme të
Lirisë, ndër votrat e kullave të gurit ku, as acari, as murlani, as shiu e as
bora, nuk mujtën me e ba ortek e me e tretë diku andej ndër ujnat e ngrohta të
përshkueme në Dardanele apo në Suez...
Ky,
pra, ishte bagmi i përjetëshem në ballin e të gjithë Atyne, që lindën dhe
vdiqën vetëm me një emën: “Shqiptarë”.
Ky,
pra, ishte fruti i sandaleve të Françeskanëve dhe i të gjithë Atyne
Misionarëve, që për shekuj me rradhë predikuen ndër ata male pa u lodhë dhe pa
u frigue asnjëherë Até Formulë, të pacenueshme e të daltueme në mend e në zemër
për stërnipat e Gjergj Kastriotit: “Fé e Atdhé”.
Ky,
pra, kje Miku besnik i At Mati Prennushit e At Çiril Canit, prej të cilve Ai,
mori Flamurin e palosun nder gjokset e Tyne...
Hasan
Riza Pasha, kur mori fund Lëvizja e Malësisë u pat shpreh kështu, për Dedë Gjo’
Lulin: “Ai asht Burrë e Atdhetar. Jam mundue me i dhanë pare, por, nuk ka
ndigjue kurrsesi”. Deda i asht kenë përgjegjë: “Nuk ka Sulltani pare aq sa me
më thye mue!”
Por,
Sulltani, nuk ka arrijtë me kuptue se “shqiptari i shitun” arrinë për një
kolltuk me vra edhe vëllanë pa pare... Kur ushtria esadjane në vitin 1915,
filloi ndjekjen e Malësorëve në marrëveshje me serbët, Dedë Gjo’ Luli me disa
besnikë të vet u nis për në Mirditë. Mbas dy ditësh ushtria lëshoi pritat për
mashtrim dhe u nisën në dy drejtime për Orosh, ku ndodhej Deda. Në një anë
morën drejtim forcat esadjane dhe në tjetrën ato serbe. Kur Deda doli bashkë me
Nik Prelocin e djalin e vet tek qela e Oroshit, ku ishte thanë se po e pritshin
shokët e armatosun, por ku përkundrazi aty gjet ushtarët e Serbisë.
Ti
pamën ata veç, tha, këto fjalë: “Sot kemi marue!” U kollit; pështyni përtokë,
dhe trimnisht Ju afrue kapitenit serb, që i kërkoi me i tregue për shokët. Deda
ju përgjegj se s’kishte për t’i qitë kurr ku janë. E ndane prej të birit e Nik
Prelocit, që serbët i lëshuen në dorë t’esadistëve; Deden e lidhën dhe në Mal
të Shenjt t’Oroshit kjé coptue me bajoneta prej tyne, me 24 Shtator 1915. Trupin ia mbuluen me gjeth,
qendroi mbi dhé: mbas pesë javësh e gjetën barijt’ e, prifti i atij vendit tue
e vjedhë natën me 8 Tetor 1915, e vorrosi tek Kisha e Oroshit.
Në
vitin 1917, Shkelqësia e Tij Delegati Apostolik i Shqipnisë Imz. Ernest Cozzi,
atëherë, ishte Feldkural i ushtrisë Austro-Hungareze dhe mik zemre e shumë herë
shok pune i Fatosit tonë, si bani hetimet e duhuna e gjeti vorrin e Tij.
At
Anton Harapi e percaktoi me këto fjalë aso kohe: “Ai ishte tri herë Fatos, pse
i fali Atdheut dy të birt’ e Vehtën, tue u ba shenj i salvimit të zhoenturqve,
të sllavëve dhe esadistëve...
Në
Té vërtetohet fjala e popullit se,
ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare.”
Qé
Burri! Martiri i kohëve tona! Fatosi i Traboinit; t’atij Malit, që sot ka
mjerimin e dhunën me kenë i shkelun prej kambës së huej. Diten e vorrimit të
Dedës në Rrëmaji Don Lazër Shantoja me fjalë të dalun prej zemre tha: “Para se
të ndahemi prej këtyne Eshtnave, të Fatosit të Maleve tona, të Atij Plakut të
Traboinit, të Dedë Gjo’ Lulit, unë do të kujtoj me interpretue dëshiren e të
gjithve ju, tue i përcjellë me dy fjalë të fundit...
Po
ju kujtoj fjalën e Lamartine, se: “Hini i të vdekunve krijoi Atdheun!” E,
Atdheu Ty, sot, o Dedë Gjo’ Lul, po të falet nderës para gjithkuj pse me Gjakun
Tand të papërlymë ké shlye faqen e zezë të të gjithë atyne shqiptarve, që ndër
këto kohët e fundit e edhe sot, nuk patën e nuk kanë turp me marrë pare prej
anmikut të përjetëshem, prej atij Serb, prej të cilit ti, o Fatos, tjetër
dhanti kurr nuk more, përveç, plumbave të mauzerres! Sot Atdhetarët e vërtetë e
idealistë, Ata që Shqipninë e deshtën, e donë e kanë për ta dashtë po,
përbetohen para Eshtnave Tua, me të ngritë një monument në gur, e Emni i Yt do
t’i mbesë i paharrueshëm, sikurse, të paharrueshme tash mbesin Malët e
Traboinit!”
***
Por,
Dedë Gjo’ Luli, i vdekun endè sot Ai flet: Flet tue i ba me dijtë Europës së
padrejtë se, krymbi i kohës ka me brè shumë ma parë letrat zhele të traktateve
që me gisht të vet të ndytë ka vulosë, se zemrat e çelikta t’Atyne Fatosave, që
për vend të vet edhe vdesin. I flet Evropës dhe i flet Shqipnisë:
“Për
Ty vdiqa! Për Lirinë Tande! S’kam dashtë tjetër!”
Por,
prej Atyne Eshtnave të ftohta, i ngrohtë vrumullisë zani i Fatosit që mnershëm
kumbon në vesh të Shqiptarëve, tue thanë: “Shqiptarë! Pashë Zotin e pashë
Shqipninë, mos ma përlyeni emnin! Mos ma dhunoni vorrin! Ma rueni Shqipninë!
Shqipninë e Lirë, krejtë të Lirë: Shqipninë si e deshta unë, me djelmët e mij
vdiqa dhe, me Fis tem u dëbova!”
Asht
bash Një Fis i Atyne Maleve kreshnike i shuem per Atdhe, per Atë Flamur e per
Liri!
Ndersa,
At Gjergj Fishta ka thanë: “Shkodra, që ka mot që asht lanë gati krejt mbasdore
e, së cilës, sot shumë kush turpnisht do me i mohue shkëndinë e Atdhetarizmit,
me rastin e këtij vorrimi kaq të lulzueshëm i tregon mbarë Shqipnisë se, Ajo ka
nderën me pasë në gji të vet Ata njerëz që dijnë çka asht Atdhetarizmi; dijnë
me ndigjue zanin e Atdheut.
Difton
se, Ajo emnin Fatos, shpetues i Atdheut, e ka program që mos me ia falë kujdo,
por Atyne të Mëdhajve për të cilët, poetët këndojnë: “Njaj asht Fatos që tue
luftue mbaron!”...
“Shqiptarë:
Çka kjé Dedë Gjo’ Luli? - Çka nuk jemi na..!”
Shenim nga F.Radovani: Materiali asht marrë nga Libri im i
pabotuem
“KURRMA SI JU, O DEMOKRATË” 2011.
Melbourne, 22 Shtator 2020.