Kulturë
Blerim Rrecaj: Kalimthi nëpër një grumbull ditësh
E diele, 11.10.2020, 12:57 PM
Kalimthi nëpër një grumbull ditësh
Nga
Blerim Rrecaj
Vjen
edhe një shtator siç e thotë poeti me erë molle e mbi qerre me rrush. Shtatori
i fillimvitit shkollor, që sivjet nuk filloi me datën një si zakonisht, po me
14. Oborret e shkollave "pushtohen" nga prindër, nxënës, mësimdhënës,
policë. Me maska kundër viruseve të padukshme. Zhurmë, britma, rrëmujë. Dhe ca
paradokse pandemie. Tash në një klasë mësojnë nga njëzet nxënës, aq edhe sa
duhej të mësonin. Kryeneçësia jonë pra mori ca shuplaka e cila pret të zhduket
virusi për të vazhduar avazin e vjetër. Tash për tash s'po përmendim ndonjë
paradoks tjetër përveç se po presim çka po ndodh më tej. Nja tri-katër ditë
para se të na lë lamtumirën ky muaj marrim pjesë në një panair me libra të
rrallë, të vjetër e të përdorur, që mbahet në oborrin, në pushimoren e Institutit
Albanalogjik të Kosovës. Aty për të rrijnë tre veta, njëri prej tyre që e
njohim, shkrimtar i ri e i talentuar, të cilit para se t'ia dhurojmë nga një
libër nga çantat tona, bisedojmë përderisa edhe vërtitemi rreth kësaj sofre
mbushur libra. Nja dy libra jo dhe aq të vjetër ndonëse duken të përdorur
"grabisim" para se të ndahemi e përshëndetemi. Njëri është libër për
fëmijë i një autori vendas por që ka mërguar e jeton e vepron diku në një shtet
skandinav, e tjetri një autor joshqiptar i një shteti fqinj me të cilin na ndan
deti. I pari libër flet për lojëra, imagjinatë, lule, kopshte ku bredhin
fëmijët, i dyti për një gazetar e shkrimtar që udhëheq faqet kulturore të një
gazete në prag të luftës së dytë botërore dhe pështjellimet e mëdha të kësaj kohe.
E koha ecën. Pas nja një jave marrim pjesë në një promovim libri të shkrimtares
që i ka kushtuar librin djalit të saj që ka ndërruar jetë. Mblidhemi në
kafenenë në Ulpianë te sheshi "Isa Boletini". Marrim librat me
nënshkrim dhe ia dhurojmë nga një libër e pastaj fillon ky promovim pas
lehtësimit të masave kundër-covid XIX, derisa nata ka shtrirë mbretërinë e saj.
Moderatori dhe shkrimtarja flasin për dhembjen, vuajtjen dhe përjetimet që
përmban libri. Pas takimit me të pranishmit, edhe ky aktivitet mbaron, me
shpresë se do marrim veten pas kalamendjes së përgjithshme tash sa kohë
shkaktuar jo vetëm prej pandemisë. Dhe po përmendim dhe një lojë të
përfaqësueses së Kosovës dhe edhe një paradoks pandemie. Keqardhje për
shikuesit që lanë të zbrazëta tribunat, por mirardhje për politikanët që të
paktën s'po mund të ulen në ballë të tribunave, si në ballë oxhaku. Plus
pështjellimi turbullues për mosardhjen e disa lojtarëve nga ekipet ku luajnë,
për të luajtur për shtetin e tyre. Nga sporti e sportet fisnike vazhdojmë me
një aktivitet tjetër kulturor. Një panair libri të hapur në sheshin e një
qyteti, jo fort larg malit e majes së Lypetenit. E klubi letrar me emrin e
rilindasit arbëresh, atë të Jeronim De Radës na bën nder duke vënë librat tanë
të parë në dy stendat e tyre. Ndjenjë e mirë me marr pjesë në panair, tash edhe
me librin tënd. Me ca shokë vizitojmë dhe panairin në qendër të këtij qyteti,
brenda një vargmali tendash. Dhe kalojmë sëbashku një ditë rekreativo-kulturore
duke vizituar edhe bifurkacionin e Nerodimkës, aty ku funksionon edhe një
restaurant. Kthehemi në qytet, pas ndejës në një kafene, përsëri në panair,
para se të mbyllet, një bisedë, një shkëmbim librash. Pastaj përshëndetemi me
mirupafshim e takofshim. Shpërndahemi sikur të fillonim të luanim fëmijërisht
fshehtas. Udhëtojmë nëpër këtë natë me përjetime të ditës së sotme dhe me
librat që bartim me vete...