Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Tymosim dhe qeshim
E diele, 11.10.2020, 02:00 PM
Tymosim dhe qeshim
Nga
Edison Ypi
Kalimtarë
anës rrugës, muhabetçinj nëpër kafenera, sehirxhinj nëpër veranda, bujq nëpër
ara, të gjithë të qeshur, të gjithë buzagaz.
U
futa në atë luginë për tu dehur me bukuritë e fshatrave me shtëpi të gurta
rrëzë maleve buzë lumit, me pllajat mahnitëse, lëndinat e blerta si nëpër
ëndërra. Dhe u deha nga gjithato bukurira. Por dehja ime s'kishte qënë gjë para
dehjes së tyre.
Duke
u kthyer me marsh mbrapsht për tu freskuar te një krua, shkatërrova një Ford që
se nga doli prej një shtegu anësor. Tym, e krisma, e cifla. Shoferin e shpëtoi
fati nga vdekja. Kuriozët që mblidhen në të tilla raste, ata që në një vend
tjetër në të njëjtat rrethana janë seriozë, këtu janë çuditërisht të qeshur
sikur nuk u përplasën dy makina por dy gota rakie. Mes tyre, i dëmtuari, ai të
cilit ja shkatërrova makinën dhe e bëra të shohi vdekjen me sy, gjithashtu
qesh. Polici që bëri kqyrjen përkatëse, edhe ai buzagaz.
Në
vazhdim të rrugës përgjatë luginës së euforisë së papërmbajtur, më mahnitëse se
shtëpizat e gurit, pllajat e gjelbëra, kënga e bilbilit, ura e lashtë mbi lumë,
shushurima e përroit, e njëjta mrekulli, të gjithë të qeshur.
Disa
fshatarka të reja veshur sipas modës me kanotjera të shkurtëra dhe gjithato rripa
për të bërë zap sisët, bëjnë selfie dhe llafosen vesh më vesh duke u shkrirë së
qeshuri me njëratjetrën.
Një
mesogrua, edhe ajo e qeshur dhe e lumtur, tund belin sipas muzikës që i vjen
nga kufjet në vesh.
Dy
banorë, gjithashtu të qeshur, që thanë se ishin krushq, më luten t'i marr. Kur
i pyes krushqit autostopista se ku duan të shkojnë, thonë emrin e një katundit
që e kisha lënë pas. Ore krushqër, u them, keni lajthitur drejtimin. Kërkojnë
të falur, dalin duke qeshur për të pritur makinë në në krahun tjetër të rrugës.
Nëpër
qëndrat e fshatrave s'ka dasëm, fejesë, synetllëk, aheng. Nuk është as ndonjë e
kremte fetare. Megjithatë të gjithë qeshin. Një qef i dridhshëm pa shkak të
dukshëm vërtitet në ajër nëpër ato fshatra.
Pse
je në qef, ke pirë raki ? pyes një Rrahman me trastë në dorë që i thërrisnin
shkurt Mane. Nuk kam pirë raki, tha Mania, thjesht jam në qef.
Në
një lokal në mesin e një fshati, dy tavolina, një brenda një jashtë, shtruar me
të mirat e dynjasë, mish, sallam, djath, mjaltë, byrek, raki, birrë, dhe shumë
eufori, shumë qef në fytyrat e tyre. Ndal për ta parë nga afër, dhe ndoshta
kuptuar arësyen e gjithë atij qefi. Mendova se qeshnin e bërtisnin për inat të
kurvit që i la cop-e-çik me dhjetra vjet, dhe tani po marrin hakun me vonesë
duke shfryrë dufin. Jo-jo, s'po marrim hakun e kurvit, thanë, kurvin e kemi
harruar, thjesht jemi në qef, thjesht po gëzojmë ditët tona, Ymrin që na ka
falur Allahu.
Pasi
ha pak byrek mbretëror, i them njërit me çehre optimiste dhe bullçinjtë plot me
mish; Ku t'i laj duart që m'i yndyrosi fasulniku ? Shko laji te ajo çesma atje
tej, tha mishngrënësi i lumtur, por para se të lash duart, thuaji çesmës;
Bismilah, Rrahman e Rrahim. Vajta thashë "Bismilah, Rrahman e Rrahim"
me zë të dridhshëm para çesmës, dhe lava duart.
Largohem
nga gumëzhitja e qefit dhe qeflinjve misteriozë.
Pak
më tutje një gagaç, edhe ai i qeshur, me një shqiptim të ngecur thotë se e
quajnë Hime. Rrahim të quajnë, i them. Po, thotë Rrahimi i qeshur që mezi i
nxjerr fjalët.
Nga
fundi i këtij panairi të qeshurash, te një kthesë shkëmbore takoj Bajramin. I
rrëfej Bajramit panairin e të qeshurave që lashë pas nëpër katunde. Më thotë
Bajrami; Mos u habit. Nuk qeshim kot. Kemi arsye që qeshim. Unë Bajrami,
Rrahmani, Rrahimi, Bismilahu, Ramazani, Kristua, Pashku, Muhameti, Pejkamberi,
Buda, pra të gjithë ne shqiptarët, hashashin jo vetëm e mbjellim dhe e korrim,
por edhe e ndezim dhe e tymosim, dhe qeshim e qeshim pafund me fatin tonë
qesharak.