E shtune, 27.04.2024, 10:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Ishte koha kur ushtarët shqiptarë ktheheshin nga armata Jugosllave te mbyllur hermetikisht në arkivole

E premte, 14.11.2008, 08:26 PM


Begzad Baliu
Begzad Baliu: Ishte koha kur ushtarët shqiptarë ktheheshin nga armata Jugosllave te mbyllur hermetikisht në arkivole, me mbishkrimin: “vetëvrasje”!.
 
U thinja brenda nje nate

 

Nga Albert Zholi
 
CV e shkurtër

Prof. ass. dr. Begzad Baliu ( 20. 11. 1966, Makresh i Poshtëm, Gjilan, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe në Marec (Prishtinës), të mesmen në Gjilan, ndërsa gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik, ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare). Në vitin 1996: asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës; 2000 : magjistër i filologjisë; 2001: themelues i shkencës së citatologjisë; 2004 : doktor i filologjisë; 2004 -: Ass. Prof. në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, mësimdhënës për lëndët: Gjuhë amtare, I, II, dhe ligjërues i lëndëve Fonetikë historike e shqipes, Morfologji historike e shqipes, Shkrim akademik dhe Hulumtim shkencor. 2005: autor i të parës monografi në fushë të bibliografisë, në shkencat albanologjike; 2008: themelues i bibliografisë përmbajtësore.
Shënime plotësuese: 1998-2000: Kryeredaktor i revistës për art, shkencë dhe kulturë “Shenjëzat” dhe drejtues i po të njëjtës shtëpi botuese. Redaktor i kulturës në të përjavshmen “Pasqyra” (Prishtinë). 1994: Themelues i qerthullit të të rinjve të onomastikës «Eqrem Çabej» në kuadër të shoqatës së të rinjve “Pjetër Bogdani” të Prishtinës. 1999: Anëtar i Këshillit Shtetëror të Kosovës për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës. 2000/2005: Koordinator dhe pjesëmarrës për Kosovë, në Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Shkodër. 2001: Drejtor i shtëpisë botuese “Era” dhe i Qendrës për Ndërlidhje Arsimore dhe Shke¬ncore, Prishtinë. 2006: Zëvendës i Institutit Alb-Shkenca (Prishtinë) dhe udhëheqës i Seksionit të Albanologjisë në nivel ndërkombëtar. 2007: drejtor i Institutit Alb-Shkenca (Prishtinë). 2008: Kryeredaktor i Revistës shkencore të Fakultetit të
Edukimit. 1992-2008: Pjesëmarrës, organizator dhe drejtues i disa aktiviteteve kulturore, letrare dhe shkencore në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkodër, Turun, Gjirokastër, Durrës etj.
Veprat: Gustav Majer dhe albanologjia, Prishtinë, 2000; Tiranë, 2001; Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, Prishtinë, 2004; Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit (monografi) Prishtinë, 2005; Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Tiranë, 2006; Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, (bashk.), Prishtinë, 2005; Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt (teza e magj.), 2000, Prishtinë; Onomastika e Gallapit (teza e diser.), 2004; Çabej 1 (Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë) Prishtinë, 2006; Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut, Prishtinë, 2005; Profesor Jup Kastrati për Kosovën, (bashk.) Prishtinë, 2004; Bibliografia përmbajtësore e Seminarit NGJLKSH, Prishtinë, 2008; Toponimi dhe identitet, Prishtinë, 2008 (e gatshme për shtyp); Gjaku i lirisë (1981-1995), I-IV, (bashkautor), Prishtinë, 1996-2000; Kafeneja ballkanike (dramë), Prishtinë, 1996; Shkodër, 2000; Prishtinë, 2005; Grua e dashuruar, (poezi) Prishtinë, 1996; Flamuri vjen nga Kosova, (dramë e shfaqur), Prishtinë, 1994/96; Pesha e komunikimit (ese), bashkautor, Tiranë, 2006 (në shtyp).
 
Vepra dhe revista jubilare të përgatitura për shtyp: Rëndësia e veprës së Gustav Majerit për studimet albanologjike, Sesion shkencor, 1998; Eqrem Çabej – Jeta dhe vepra, Sesion shkencore, 2003; Jeta e re, (Kushtuar Eqrem Çabejt (1908-1998), nr. 4, Prishtinë, 1998); Jup Kastrati, Bibliografia e Eqrem Çabejt, 2003; Bibliografi albanistike, I, 2001; Figura të ndrituna të rilindjes kombëtare I, 2003; Shefki Sejdiu, Sprova etimologjike, dhe Struktura, sisteme, raporte, 2002; Shenjëzat, revistë, 1998; Veprimtaria shkencore e Ruzhdi Ushakut, 2003 etj.
 
Kushdo ne Shqiperi ende eshte i interesuar te dije se si mesohej nga bashkombasit gjuha shqipe kur Kosova përfshihej ne RFJ?


Nëse mësimet e para nuk lidhen domosdo me shkollën ato i kam marrë në shtëpi. Në shtëpinë tonë ishim nëntë fëmijë, prej të cilëve unë më i vogli. Me gjashtë fëmijët e fundit të babait dhe të nënës jam rritur dhe shkolluar. Ata, natyrisht më kanë dhënë mësimet e para: Abetaren dhe Librin e leximit. Kur hyra në shkollë (në prag të moshës 7-vjeçare) unë dija shkrimin, leximin, katër elementet themelore të matematikës dhe në çantë kisha 12 numra të “Gazetës së Pionierit”, të cilat i kisha lexuar vitin e fundit dhe po jua dërgoja 11 kolegëve të klasës. Libra të veçanta nuk kam lexuar deri në klasën e dytë, ndërsa shkolla nuk kishte bibliotekë. Në shtëpi kishim një bibliotekë shumë të pasur, rreth 300 libra të ndryshëm, aq sa nuk kishte e gjithë familja ime e gjerë në qytet. Për Bibliotekën unë kisha një përkujdesje të veçantë.
Ku i morët mësimet e para dhe marrëdhëniet me shokët dhe mësuesit.
Ishim dymbëdhjetë nxënës (katër vajza dhe tetë meshkuj), në pesë banka dhe kishim raporte shumë të mira. Unë isha ndihmës mësuesi dhe përmirësoja detyrat e shtëpisë kur vonohej mësuesi, ndërsa nga klasa e dytë isha i ulur me nxënësin më të dobët të klasës. Në dy bankat e para ishin të ulura vajzat dy nga dy, pastaj meshkujt, ndërsa unë në bankën e fundit. Me mësuesin kemi pasur raporte shumë të mira, por jo të natyrës së shlirshme si tash. Unë i ikja takimit me mësuesin në rrugë, si të gjithë nxënësit e asaj kohe dhe në rast se vinte mësuesi në shtëpinë tonë, unë nuk rrija në dhomën e ndejës, e kjo do të thotë se mësuesi e dinte që unë qëndroja në dhomën ku e kishim bibliotekën, por jo aty ku ai ishte. Babai im ka qenë mjeshtër i njohur i ndërtimeve dhe në vitin 1948 kur u ndërtua shkolla e re në fshat ai drejtoi punët kryesore, prandaj mësuesi shpesh kërkonte ndihmën e tij.
 
 Lëndët tuaja të preferuara?


I kam njohur, prandaj fillimisht edhe i kam dashur të gjitha. Me mësuesin e parë komunikonim më shumë për probleme të gjuhës shqipe (ai ishte më shumë adhurues i gramatikës, ndërsa unë lexues i pasionuar i letërsisë), por në klasë më shumë i ndihmoja në matematikë.

 

Kur keni shkruar për herë të parë në bankat e shkollës dhe çfarë?

Kam shkruar që në klasën e parë, dhe i kam ruajtur të gjitha dorëshkrimet. Kurrë nuk kam pushuar së shkruari. Nga klasa e katërt kam mbajtur edhe ditar, gati të përditshëm. Nga klasa e pestë madje edhe një ditar të letrarizuar, në formën e një poeme rinore. Viti 1981 më zuri në klasën e shtatë. Për shkak të kontrollimit të rreptë që u bëhej familjeve shqiptare nga policët serbë e shqiptarë, prej meje u kërkua që të mos mbajë më ditar sepse ‘mund t’i bëja dëm familjes’. Familjarët kishin vënë re se në ditar unë shkruaja edhe për qëndrimet, për burgosjet dhe për dënimet politike që ju bëheshin shqiptarëve, madje shumë herë edhe nën ndikimin e komenteve të Radio Tiranës. Pastaj dy vjet nuk kam mbajtur ditar, por kam shkruar një roman me temën: lufta dhe dashuria. E ruaj edhe sot atë roman që ka titullin “Nga dashuria në luftë” (200 faqe të fletores). Fjala është për një dashuri idilike në kohën e brigadave shqiptare në Kosovë. Dua të kujtoj se në shtëpinë tonë, në atë kohë – me tregonte babai- ishin vendosur katër partizanë nga Elbasani. Fillimisht Brigadat Partizane nga Shqipëria kishin pasur jehonë në fshat e rrethinë dhe ‘serbët nuk ishin dëgjuar të gjallë’, por me t’u tërhequr ato, në fshat kishte hyrë e ashtuquajtura Brigadë Maqedono-Kosovare dhe kishte pushkatuar shtatëmbëdhjetë shqiptarë, e në mesin e tyre edhe axhën tim.
Gjatë shkollës së mesme kam vazhduar të shkruaj kryesisht poezinë. Libri im i parë me poezi “Grua e dashuruar” është vëllim me poezi të shkruara kryesisht ato vite. Kam edhe qindra poezi dhe disa poema, të cilat kam shpresë t’i përgatisë në një kohë të përshtatshme. Gjatë Gjimnazit, të cilin unë e kalove në Gjilan, përveç poezisë kam provuar të shkruaj edhe disa romane (gjashtë apo shtatë), por asnjërin nuk e kam përfunduar. Kam qenë shumë i pasionuar pas shumë aktiviteteve: leximit të romanit, kritikës dhe poezisë, muzikës, leximit të teksteve në fushë të astronomisë dhe temave fantastike, e në mënyrë të veçantë në fushë të filozofisë, prandaj nuk arrita të përfundoj së shkruari asnjë nga librat. Edhe disa nga poemat nuk arrita t’i përfundoja, prandaj me kanë mbetur ashtu në fletore e blloqe të vogla edhe sot. Atëherë drejtoja dy grupe letrare (në konvikt dhe në Gjimnaz), një diskotekë, këndin e shtypit të përditshëm (shqip e serbokroatisht) etj. Është një kohë kur merrja libra nga tri biblioteka të ndryshme. Nuk e di ku e gjeja kohën, vetëm mbaj mend se flija shumë pak. Nga diskoteka, të cilën e mbyllja në orën 23 vazhdoja leximin në mësonjëtoren e konviktit deri në orën dy pas mesnate. Në shtëpi shkoja kryesisht vetëm në fund të muajit. Dy romanet prej të cilave edhe sot nuk heq dorë dhe të cilat shpresoj t’i përfundoj një ditë janë: romani “Kërkoj dënim me vdekje”, me temë krimin e partizanëve në fshatin tim dhe “Kosmos-kos”, roman fantastiko shkencor. Romani i dytë është një përpjekje për të përdorur teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit në çlirimin e Kosovës nga serbët. Natyrisht, atëherë nuk kisha idenë se Kosova do të mund të çlirohej në mënyrën që është çliruar në fund të shekullit XX, por fantazoja mundësinë e shkëputjes së Kosovës,
nën ndikimin e një gravitacioni të veçantë (!) dhe vendosjes së Kosovës në një sistem tjetër diellor.
Të kësaj kohe (Gjimnazit) janë edhe një numër fletoresh e blloqesh me shënime për lindjen, martesën dhe vdekjen në krahinën etnografike të Gallapit, një zonë malore prej rreth 120 fshatrash të Kosovës Verilindore, të cilave shpresoj t’iu kthehem diku në kohën e pleqërisë.

Student dhe ëndrrat për jetën?


Më lejo të them se nuk kam pasur fatin të jem student i ëndrrave, sikur janë përgjithësisht studentët, pavarësisht se nuk jam njeri që nuk ëndërroj. Vetëm vitin e parë dhe pjesërisht të dytin e kam kaluar brenda ndërtesës së Fakultetit. Me të filluar përjashtimi i shqiptarëve nga puna, unë me disa kolegë ‘ikëm’ në Greqi (fillimisht në Selanik, pastaj në Athinë dhe në fund në Kretë), gjithsej tri vjet me ndërprerje. Në provimin e parë “Letërsi popullore” kam shkuar nga demonstratat që mbaheshin para të atëhershmit Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, ndërsa në esenë e provimit të “Drejtshkrimit” kam përmendur parullën “Kosova Republikë”, atëherë më të përndjekurën dhe të dënueshmen me burg. Edhe sot më vjen keq për këtë. Profesori nuk njihte pikëpamjet e mija politike dhe mund ta quante provokim, por nuk më tha gjë. Ke bërë dy gabime gjuhësore më tha dhe nënvizoi parullën “K.R”. Unë nuk e hapa gojën dhe sigurisht u skuqa. Ai e kuptoi këtë dhe vuri notën (kaloi) në indeks. Porse nuk kam qenë edhe pa ëndrra. Të vetmen lëndë që e kam përcjellë gjatë vitit të parë ka qenë latinishtja. Në Greqi kam shkuar me tri libra të latinishtes, një fjalor serbokroatisht-greqisht dhe një Gramatikë të vjetër të sllavishtes. Atje punohej pakëz dhe mjaftueshëm për kërkesat e mia e të familjes sime, prandaj kohën më të gjatë e kaloja duke punuar në tri gramatikat: latinishtes, greqishtes, sllavishtes së vjetër. Kisha një ëndërr, të studioja filologjinë klasike në ndonjërin prej institucioneve shkencore-arsimore greke, por nuk e mora bekimin e familjes, sepse i frikësoheshin mbetjes sime në Greqi. Në një vend ku “nuk kishte as para të mjaftueshme, as siguri për mua”, sepse grekët konsideroheshin miq historik të serbëve, unë nuk mund të qëndroja më shumë se sa kishte nevojë familja për përkrahje financiare. Kam pasur shumë dëshira, por i kam realizuar dhe eventualisht edhe mund t’i realizoj, por nuk besoj se do të mund të realizoj ndonjëherë ëndrrën për studime në fushë të filologjisë klasike. Frikësohem se me punën time, që e bëj sot nuk do të arrij ato përmasa që i pretendoja dikur. Mbase?

Ditet e veçanta ne ish RFJ?


Në jetën time kam pasur shumë ditë të vështira dhe më duket sikur nuk di të gëzohem. Madje mund të them se ka kohë që të këqijat(gjërat) dhe të këqijtë(personat) i shikoj thjesht me indiferencë, natyrisht duke bërë punën time. Nëse duhet të them ditën më të vështirë, kjo është jo dita por një javë e vitit 1986 (kur isha ushtar në armatën e ish-Jugosllavisë) dhe bashkë me dhjetë shqiptarë e një dalmat (kroat) u dërguam në një kamp armatimi. Ishte koha kur çdo natë prisnim hedhjen e bunkerëve të mbushur me mina dhe barot në ajër dhe bashkë me ta edhe të vetë neve, ose dënimin tonë të organizuar, sikur u tentua të bëhej. Nuk është lehtë të shohësh se si brenda një nate të zbardhen flokët apo të mbushet grushti me flokë të rëna. Fati ynë si duket ishte një major nga Sllovenia, i cili tek “grupi ynë” prej 19 – vjeçarësh gjeti jo grupin e armiqve po të armiqësuar nga sektorë të caktuar serbësh e maqedonësh në armatën jugosllave. Nuk dua t’i kujtoj këtu të gjitha, por megjithatë po e shtoj edhe një fakt. Gjatë asaj jave, brenda gjithë atij terrori, mendjen ma ruajtën dy vepra të Dostojevskit “Krimi dhe dënimi” dhe “Të poshtëruar e të fyer”, të cilat i pata lexuar me një frymë, për t’i ikur trysnisë psikologjike, me të cilën ndesheshim, në atë zonë të thellë malore të kufirit greko-bullgar. Ishte koha kur ushtarët shqiptarë ktheheshin nga armata Jugosllave te mbyllur hermetikisht në arkivole, me mbishkrimin: “vetëvrasje”!.
Disa vjet me vonë, kur po merresha me mbledhjen e te dhënave dhe përgatitjen e biografive për martirët shqiptarë të vrarë ndërmjet viteve 1981-1995, (shih librin “Gjaku i lirisë, I-IV”, Prishtinë, 1996-2000), kam kuptuar se ndërmjet viteve 1981-1989, nga armata jugosllave me diagnozën “vetëvrasje” ose të ngjashme, janë kthyer te mbyllura hermetikisht 81 kufoma të të rinjve shqiptarë.
Ju më thoni kur keni qenë më i gëzuar. Kam disa momente të tilla (ndonëse jo shumë), por frikësohem se do të duken shumë personale, në mos të personalizuara, prandaj nuk po e theksoj në mënyrë të veçantë ndonjërën prej tyre. Në vend të saj po e theksoj një moment (natën e 15 shkurtit 1992, në kufirin shqiptar), për të cilin nuk kam mundur të ndajë gëzimin dhe dëshpërimin. Është momenti kur gëzimi dhe dëshpërimi u bënë dy pjesë të barabarta të një tërësie, por që kulmoi me një hepi end në orën pesë të mëngjesit, i ngjitur pranë kalit, në Shtatoren e Skënderbeut në Tiranë.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në letërsi dhe muzikë brenda dhe jashtë Kosovës dhe Shqipërisë?


Në rininë time të hershme e kam adhuruar shumë muzikën argëtuese (atëherë popin dhe rokun) sado e kam çmuar edhe muzikën xhaz. Nuk e kisha të lehtë, sepse në shtëpinë tonë dëgjoheshin vetëm dy radio: Radio Kukësi dhe Radio Tirana. Pas demonstratave të vitit 1981 e kisha vështirë. Për të dëgjuar Radio Kukësin nuk ishte edhe aq e vështirë sepse aty transmetohej kryesisht muzikë folklorike, të cilët nuk e dallonte lehtë “ai” (eufemizëm për spiunin e lagjes), ndërsa kur lëshonim Radio Tiranën, e cila transmetonte komente dhe muzikë edhe nga Jugu i Shqipërisë, dikush duhej të rrinte te dyert e oborrit për të parë mos kalonte dhe e dëgjonte “ai”. Unë kam pasur fatin të bëj roje shpesh tek dyert e oborrit sepse e merrja si dënim që përveç muzikës kombëtare dëgjoja edhe muzikë të huaj. Sot, megjithëse muzika nuk është më ajo që e kam dëgjuar në rininë time të parë prej adoleshenti, ‘flokët më ngrihen’ kur dëgjoj këngëtaret Tina Tarner dhe Vaçe Zela, grupet ABBA e Boniem dhe këngën “Mora rrugën për Janinë”. Besimtarët thonë se nëse njëherë në ditë arrihet një përqendrim i plotë në Zotin, parajsa është e sigurt. Unë ende ‘rri pa frymë’ para artit dhe para këngës së tyre. Nëse është kështu atëherë parajsën time e kanë siguruar Vaçja (Shpirti ju preftë në paqe!) e Tina Tarner.
 
Sot ka një inflacion botimesh, mendimi juaj për to?


Çështja e inflacionit të librit më kujton inflacionin e historisë që prodhon Ballkani. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, inflacion (pamundësi të perceptimit të tyre) do të kishim edhe sikur të botoheshin vetëm veprat me vlera mirëfillta letrare dhe shkencore. Gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve në Prishtinë dhe gjatë shekullit XX në Kosovë, ne nuk kishim mundësi të botojmë shumë vepra me përmasa kombëtare dhe universale, pa të cilat nuk mund të shkruhet historia materiale, gjuhësore dhe shpirtërore e kombit shqiptar dhe e atij botëror. Për fat të keq, gjatë kësaj kohe ne kishim inflacion botimesh pa vlera dhe mangësi botimesh të vlerave kombëtare. Funksionimi ideologjik i institucioneve kombëtare një kohë të gjatë mbajti peng shumë vepra të shkruara, ndërsa pamundësia për t’iu përshtatur rrethanave të reja ekonomike dhe ideologjike, e ndërprenë pjesën tjetër të veprave monumentale kombëtare të cilat kishin filluar të përgatiteshin. Shikoni një pasqyrë shumë të thjeshtuar të vlerave tona shkencore e kulturore të cilat nuk po arrijmë dot t’i bëjmë të plota: Shënimi i Brokardit është një tekst që interpretohet përgjysmë; Mesharin nuk e njohim të plot, i mungojnë faqet e para; Zef Serembes, besojme se ia njohim vetëm poezinë e kënduar të tij, po jo edhe të shkruar; në fushë të kërkimeve shkencore mungon njëra prej veprave më të mira të gjysmës së parë të shekullit XX, Fjalori i Norbert Joklit besohet të jetë djegur apo gjendet diku në dosjet e Gestaposë; Veprën e Shuflait ende nuk e njohim dot të plotë, Profesor Çabej nuk arrit të përfundojë veprën e plotë të Studimeve etimologjike në fushë të shqipes, Profesor Jup Kastrati nuk arrit të përfundojë Historinë e albanologjisë, dhe nuk e botoi madje as Historinë e gramatologjisë pas vitit 1944; Historia e letërsisë shqipe e Akademisë, ajo e Arshi Pipës dhe ajo Namik Resulit, nuk janë veç se gjysmake me letërsinë e Kosovës së përjashtuar. Profesor Qosja nuk shohim se do ta përfundoj, ashtu sikur e kishte projektuar, Historinë e letërsisë shqipe, Jakov Xoxa gjithashtu nuk arriti të përfundojë serinë e romaneve të tij, prej Profesor Idriz Ajetit pritej një fjalor etimologjik i ndërndikimeve shqiptaro-sllave dhe nuk e presim, Profesor Haxhihasani ka lënë një mal vëllimesh të pambyllura me folklor; Gramatika normative e shqipes u botua pa pjesën e fonetikës së saj, ende nuk u përgatit formati i madh i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe etj., etj.
Nuk e di a e kemi kuptuar ndërkaq dhe a do ta kuptojmë sot e në të ardhmen se veprat e mëdha të formatit nacional nuk bëhen prej individëve po prej institucioneve dhe madje prej brezave.
Kështu, shqiptarët vazhdojnë të krenohen individualisht, por jo institucionalisht dhe kombëtarisht, me vepra të papërfunduara që nisin dhe nuk përfundojnë brenda një institucioni, brezi a gjysmëshekulli.
 
Thuajse kritika shqiptare në krijimtarinë letrare është inekzistente, vallë ka ndikuar ajo në krijimtari.


Kritika shqiptare pret kritikun e guximshëm të fundit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70, i cili tekstin e tij recensues për librin e fillonte me fjalinë “H. H. është njëri prej shkrimtarëve tanë të rinj, që është nisur një rruge të gabuar” dhe e përfundon me fjalinë “Pra, ndërroje drejtimin H. H., sa është herët” (1969). Sado të ashpra të duken fjalitë, përkatësisht paragrafët hyrës dhe mbyllës të teksteve të tij, ato penguan një lëvizje në Kosovë, e cila nuk dallonte shumë nga e sotmja. Pas rënies së ‘pushtetit’ rankoviqist, në Kosovë filloi botimi e ribotimi i veprave aq shumë, sa po të shikohet edhe nga perspektiva e sotme, nuk është vështirë të shihet, se një autor mjaftonte të kishte shkruar 30 poezi dhe librit të tij t’i viheshin kopertina të trasha. Kritika do dije dhe guxim njëkohësisht. Kritikëve sot i mungon jo vetëm dija bashkëkohore e prezantimit, po me shume se kaq, kritikëve ju mungon guximi intelektual dhe qytetar njëkohësisht. Kritika kurrë nuk ka qenë më shumë fjalë e pa etikë si sot. Dikur shkrimtarët akuzoheshin (me vërejtje, me burg dhe me vdekje madje!) për ato që nuk i kishin shkruar dhe madje as në mënyrë alegorike nuk i kishin paramenduar, ndërsa sot nga kritikët ju atribuohen edhe ato që nuk e kane idenë: “vlerat gjuhësore, estetike dhe historiko-letrare”!
E keqja ndërkaq po hap degët e saj. Recensionet për librat e palexuara edhe në fushë të shkencës kanë filluar t’i mbushin faqet e gazetave ditore dhe te faqeve elektronike. Nuk besoj se para njëzet vjetësh dikush e ka pasur kurajon të flasë apo të shkruaj kështu. Nuk e besoj se atë kohë në përurime librash studiuesit i kanë dhënë të drejtë vetës të dalin në tribunë e të thonë: “Megjithëse librin nuk e kam lexuar dua të them dy a tri fjalë!”
 
Sa afër është politika mbarëshqiptare me krijuesit, po në vendimarrje si është roli i krijuesve?


Çka mund të pres krijuesi në një vend ku mësuesi është bërë sinonim i varfërisë, inferioritetit, injorancës. A nuk është mësuesi ai që e nderon e vlerëson dhe e bënë të qenë krijuesin. Me vjen keq që stërkeqja e emrit mësues u bë dhe po bëhet pikërisht prej politikanëve, të cilët dikur mburreshin se ishin poetë, prozatorë (krijues), ndërsa sot mburren se janë më shumë se aq: janë politikanë!
 
Si e keni përjetuar pavarësinë e Kosovës?


Fillimisht kam menduar se ditën e Shpalljes së Pavarësisë do ta pres si zakonisht, ndoshta me një orë punë më shumë në tavolinën e punës, në shtëpi, aty ku zakonisht i kaloj më shumë ditët e pushimit që vijnë si rezultat i festave religjioze dhe vjetore në Kosovë, e ka kaq shumë Festa sa nuk numërohen dot. (Ka mjaftuar të dihet për një festë për të gjallët a të vdekurit, për një fe a një tjetër, për një institucion nacional apo ndërkombëtar dhe të shpallet ditë pushimi edhe te ne). Mirëpo, dy a tri ditë para se të bëhej shpallja e Pavarësisë, rrugët e Prishtinës filluan të mbushen me flamuj kombëtarë dhe sidomos filluan të dalin njerëzit në rrugë dhe të festojnë. I nxitur nga këto shprehje të ndjenjave të njerëzve në rrugë fillimisht shkoja në punë këmbë, pa veturën time dhe madje pa taksinë e zakonshme, në mënyrë që të shoh më afër ngazëllimin e të tjerëve, ndërsa në fund t’iu bashkohem edhe unë. Tri ditë me radhë në shtëpinë time kishte mysafirë nga shumë vende të gjeografisë nacionale dhe kafenë e mbrëmjes e pinim në qytet, bashkë me atmosferën dhe gëzimin e të tjerëve. Dhe si te mos i gëzohesha ditës të cilën e kam përshkruar si “Ditë të lumturimit të Kosovës, një natë para së cilës ‘kaloi Kometa e Dritës’, apo sikur thonë në popull ‘Nata kur hapet Qielli dhe plotëson dëshirat e atyre që kërkojnë’. E populli i Kosovës këtë ditë, siç thuhej shpesh, po e kërkonte qe dymijë vjet. Nuk dua ta fsheh faktin se më shumë se botës sime vetjake i jam gëzuar lumturisë së të tjerëve, që i kisha në shtëpi apo më dërgonin mesazhe gëzimi, nga gjithë hapësira shqiptare. Nuk mund te mos them se sa shumë i jam gëzuar “gëzimit” të gruas sime, e cila për lirinë e Kosovës ka mbajtur dy herë burg politik, që në rininë e saj prej gjimnazisteje e studenteje.
 
Klasa politike e Kosovës çka ka të përbashkët dhe të veçantë nga ajo shqiptare?

Unë nuk po shoh të kenë gjë të përbashkët. Ka ardhur koha të lutemi si në përrallat tona për djalin gjarpër. Të kenë të përbashkët çfarëdoqoftë, madje edhe të këqijat, vetëm le të jenë bashkë.


Kush është më afër Baliut, poezia, publicistika, apo drama?


Për mua poezia është dhunti e brendshme, publicistika komunikim etik dhe drama dialog estetik me kohën. Me poezinë më lidhë fillimi i krijimtarisë sime, me publicistikën tema e madhe e shoqërisë sonë, ndërsa drama me vetëdijesimin tim estetik. Poezinë e shkruaj pa ndonjë orar dhe sa herë e përfundoj them se nuk do të shkruaj më, me publicistikën dhe sidomos esenë më lidhë leximi shumë dashamirës që ju bëjë këtyre teksteve, ndërsa me dramën dy projekte, të cilat nuk po arrij të gjej kohë për t’i përfunduar. Deri në vitin 1989 poezinë, romanin dhe kritikën që botohej në Prishtinë dhe atë që vinte nga Tirana, e kam pasur të lexuar gati plotësisht, ndërsa pas këtij viti kam vazhduar me poezinë e zgjedhur, romanin më të plotë, ndërsa kritikën vetëm në nivel të studimit, për të mos thënë vetëm në nivel të studimit historiko-letrar. Projekti im “Onomastikoni i romanit shqiptar”, që
përfshinë 100 romane të zgjedhura është rezultat i asaj dashurie të vjetër e të përkushtuar që kisha për leximin e tij.

Mendimi juaj mbi kombin shqiptar. Padrejtësitë historike dhe tashmë edhe një shtet i dytë shqipfolës është serishme nja gabim i politikes nderkombetare, apo zgjidhja me e drejte ne rrethanat e sotme ?


Fillimisht po i përjashtoj komentet e mia për anën historike dhe për padrejtësitë e saj. Është folur shumë dhe nuk më duket e arsyeshme të përgjigjem në një pyetje të tillë gjerësisht në një intervistë çfarë është kjo. Kosova është një shtet, i cili mund të na bëjë të lumtur sot, po jo edhe krenar nesër. Kosova sot është një shtet i cili është ndërtuar në proporcion të zhdrejtë me lëvizjen tonë historike. Nuk ndihem aspak i qetë kur mendoj se sa shumë do të na gjykojnë nesër! Nëse bashkëkohësit tanë nuk kursyen jetën për lirinë e Kosovës ne nuk qemë në gjendje të mos kursejmë djersën tonë për ndërtimin e shtetit dhe rilindjen e kombit. Përkundrazi, po investohet shumë për ndërtimin e një kombi të ri: kombit kosovar. Shikoni vetëdijen tonë sot. Pavarësisht nga mendimet tona për etimologjinë e emrit Kosovë, bota shkencore e njeh me etimologji sllave, ndërsa ne bëjmë atë që
nuk kemi lejuar të bëjmë nën Serbi. Ndërtojmë identitetin tonë të ri (kosovar) mbi një etimologji sllave! Turp, me të vërtetë turp për të gjithë ne! A ka nevojë të mendohemi gjatë se si do të na gjykojnë pasardhësit nesër. Paraardhësit tanë na e lanë mbi kurriz një shtet sllav, ndërsa ne po ju lëmë pasardhësve në ndërdije një kompleks të identitetit, i cili nuk i shquan dot se kush janë!
 
A jeni marrë me politikë dhe përse?


Nëse marrja me politikë nënkupton angazhimin në një parti politike, atëherë unë e kam provuar edhe këtë aktivitet. Fillimisht jam angazhuar në LDK, që me themelimin e saj, sepse angazhimin tim e kam parë si angazhim në një Lëvizje, për të mos thënë si mision, por jam larguar me të përfunduar të zgjedhjeve të para në Kosovën e paraluftës (1994). Kam menduar se misioni im kishte përfunduar dhe u largova, por dy vjet më vonë po mendoja se angazhimi i mëtejmë ishte i nevojshëm. Ishte pragu i daljes së UÇK-së në skenë dhe e një lëvizjeje studentore, prandaj iu bashkova kolegëve që donin ta rimëkëmbnin Partinë e Unitetit Kombëtar. Burgosja e Ukshin Hotot si duket pati një ndikim vendimtar në fatin e kësaj partie, prandaj u largova edhe nga ajo. Pas vitit 1996 nuk kam hy më në asnjë parti politike, por kurrë nuk kam pushuar së marri me politikë. Mund të them se politikën e kam përcjellë dhe e përcjell në mënyrë shumë sistematike, natyrisht më pak si aktivitet partiak dhe më shumë si filozofi politike.
 
Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare (Shqipëri - Kosove) ne përgjithësi?


I mungon uniteti i brendshëm, mendimi dhe sistemimi paravajtës i interesave kombëtare, nën nivelin që këtë e bëjnë individët dhe madje organizatat joqeveritare. I mungon ndërlidhja sistematike e të gjitha strukturave kulturore, ekonomike, arsimore, shkencore dhe interesave të tjera me rëndësi kombëtare. Komunikimi i dobët mes strukturave homonime qeveritare mes Prishtinës, Tiranës e mos të flasim për Shkupin.

Sa jeni i lidhur me librin, po me shtypin?


Me shtypin e lidhi kafen e mëngjesit dhe natën vonë nga faqet e internetit, ndërsa me librin gjithë ditën për të mos thënë edhe një pjesë të mirë të natës. Nuk e mendoj kohën ndryshe veç se në tryezë, pranë kompjuterit dhe librave. Dhe nuk e mendoj tryezën e librave ndryshe veç se me veprat më të reja dhe vëllimet kapitale të shkencës kombëtare: kryesisht fjalorë normativ, shpjegues, sinonimik, enciklopedik, po edhe vepra teorike fundamentale të gjuhës, kulturës, letërsisë, historisë etj. Jashtë tryezës, gjatë pushimeve ose udhëtimeve në konferenca shkencore më pëlqen të lexoj kryesisht memoare, kujtime, letërsi, ese dhe përgjithësisht tema kultorologjike, prandaj më ndodhë që disa vepra t’i mbaj në çantën e udhëtimeve nga njëri udhëtim në tjetrin, qofshin ato edhe për nevoja familjare.

Jeni xheloz ndaj kolegeve dhe përse?


Aspak. Njerëzit që më njohin nga afër gjithmonë më bëjnë këtë vërejtje: Ti je kafshata e dreqit, më thonë, sepse punon edhe për ata që nuk duan ta dëgjojnë emrin. Natyrisht edhe unë kam përgjigjen time: Unë nuk punoj për njerëzit po për çështjet që më interesojnë të bëhen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora