E shtune, 27.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Xani: Familja Jonë

E premte, 14.11.2008, 03:29 AM


Halil Xani

Familja Jonë

-Komedi-

Një familje shumanëtarëshe fshatare. Pas privatizimit të ndërmarrjeve babai ka ngelur pa punë. As përqindjen nga shitja nuk ia kanë dhënë. Kjo familje nuk merret me kurrëfarë biznesi, materialisht dobët, në mërgatë nuk ka asnjeri që t`iu ndihmojë. Të vetmin burim të të ardhurave e kanë pensionin e pleqërisë, të gjyshes, dhe bukën nga toka. Pas një debati të gjerë  familjar, më në fund,  vendosin që edhe ata ta formojnë trupën teatrale “Familja…” dhe pastaj të konkurrojnë edhe për pranim në Teatrin Kombëtar. Hasin në shumë pengesa për përgatitjen e repertoarit me material vendor, por edhe për komisionin për pranim, andaj ata propozojnë njëri-tjetrin.

Personazhet: Babai, nëna, gjyshja, dy vajzat: Mirushja dhe Elhemja, djali Uka, inkasanti i KEK-ut…

                                       Akti I

 (Pasdarke derisa nuk kishin filluar serialet televizive në dhomë mbretëron qetësi. Pastaj nis biseda rreth, punës së biznesit që bëjnë të tjerët, shkollimit, serialet, pastaj propozimet për gjetjen e mundësive për të dalur nga kriza që kishte kapluar familjen. Një pjesë e tyre mezi pritnin të fillojë seriali aq i pëlqyer).

 Mirushja: Babush, profesori na ka thënë se këtyre ditëve shkolla ka planifikuar të shkojmë në një ekskursion në Shqipëri.

Babai: Eeee…

Mirushja: Eeeeee, do të dëshiroja të mos ndahem nga shokët e shoqet.

Lemja: Babush, këpucët e mija janë bërë sikur ato të Lulit të Vocërr. Kam frikë se një ditë do ta hanë profesorin.

Nëna: Jo bija ime atë frikë po ta heq unë se as profesori nuk është më ai i dikurshmi. Ruaju ti se po të hanë këpucët e tij.

Babai: Vërtet punonjësit e arsimit i kanë punët keq.

Nëna: Rektori i Universitetit tha para do ditësh se do t`ua ngrit pagat profesorëve në një mijë euro.

Babai: Po, por a i  dëgjuat pastaj reagimet nga ministritë tona.

Mirushja: Po, babi, ata të Financave thanë: Zoti i ndihmoftë

rektorit

Lemja: …të pjekë petulla në ujë, shtuan ata të Ministrisë së arsimit.

Babai: Domethënë, institucionet tona nuk janë të interesuara për standardin e punonjsve të arsimit.

Nëna: Çfaaarë mooore, ata janë të zënë me plotësimin e do tjerave standarde, që na kanë lodhur me to, shpirtin këtu ma kanë pru  

( afron gishtin te hunda).

Uka: Babiii, a e mbaruat temën për arsimin dhe ministritë?

Babai: Po, pse?

Uka: Jo kurgjë, veç desha të të them se ajo Piklajka e Beqës, ia kishte blerë djalit të saj një biçikletë. Bile edhe në shkollë po vjen me të.

Babai: Eeeee!

Uka: Eeee, jo asgjë veç thashë.

Nëna: Ku po merr more ajo pare? Edhe asaj ia patën larguar burrin nga puna, në Gjermani s`ka askend, por asgjë nuk po i mungon.

Gjyshja: A dini çka më ka thënë një ditë ajo piklajka?

Mirushja: Jo, gjyshe s`na ke treguar asnjëherë. Pse çka të ka thënë, a është sekret, apo bën ta dimë edhe ne?

Gjyshja: Më tha një ditë, saherë dilte burri në qytet ia jepja nga 10 euro.

Lemja: Pse a tash nuk po ia jepte, a?

Gjyshja: Jo, se e paska pas pyetur burri se nga po i vinin asaj ato para, me dyshimin se ato para i ka të pista.

 Uka: Domethënë, Beqës i paska kushtuar shtrenjtë ajo pyetje, ia paska tha gabzherrin, a po?

Gjyshja : Sigurisht se po.

Uka: Mirë që nuk e ka pyetur edhe djali për paratë, se përndryshe nuk do të na shiste ai mend me bicikletë në shkollë.

Babai: Nuk kanë thënë kot të vjetrit: Më mirë qiri i fikt, se qiri i flliqtë.

Gjyshja: Fjalët e pleqve nuk donë provë.

Mirushja: Babush, a i kthehemi edhe njëherë muhabetit që patëm për ekskursionin në Shqipëri?

Babai: Për këtë, më mirë bisedo me gjyshen, ajo është pensioniste, mbase e ka ndarë ndonjë lek që i kanë tepruar nga barnat.

Lemja: Njëmend babi, si u bë që gjyshja me punë të amvisnisë e merr pensionin, kurse ti 35 vjet ke punuar si…

 ( e ndërpret fjalën)

Nëna: Si kali.

Lemja: Jo, unë ashtu nuk desha t`i them  babit tim të dashur, por vërtet  edhe ky UNMIKISTANI i ka sjellë do ligje pa lidhje.

Babai: Edhe ata që punojnë, po qe se nuk marrin edhe diçka pasdore, çka mund të bëjnë me këto rroga, mizerie.

Gjyshja: Domethënë të vjedhin a?

Nëna: Pse po të duket se lehtë po e lënë a? A i vodhi ai gjermani 3-4 milionë euro të KEK-ut?

Gjyshja: Eh po të ishte ai i vetmi.

Babai: A po i shihni, sa mbyll e hapë sytë, njerëzit po i ngritin pallatet. Me shku n`Prishtinë, thue se je në Shtutgard.

Uka: Besa edhe veturat më luksoze që po reklamohen në televizor, ende pa dalë nëpër rrugët e Gjermanisë, po thonë  i ke në Prishtinë.

Mirushja: Nuk i bëjnë këto vetëm me hajni, jooo.

Babai: Jooo mooore, çfarë hajnie, me djersë i bëjnë atooo, me djersë!!!

Lemja: Edhe me miell babush, edhe me miell.

Babai: Por ai është krim, bre babë.

Mirushja: Edhe më tepër se krim. Krim e shkuar krimit. Ata janë vrasës më të rrezikshëm se ata që vrasin me armë zjarri. 

Mirushja: Edhe në kontejnerët e shkollës sonë, ata të komunalisë një ditë kishin gjetur shiringa të vdekjes.

Nëna: O zot, o zot, a kanë shpirt ata që na e vrasin lulen e rinisë?

Babai: Edhe prindërit i kanë fajet. Fëmijtë u rrinë tërë natën nëpër kafene, tërë ditën flejnë e ndoshta as nuk i pyesin se ku e kanë kaluar natën.

Gjyshja: Disa herë ua kam treguar atë rrëfimin për dy vëllezërit.

Babai: Atë, “E kanë pa, s`e kanë pa”, a po?

Gjyshja: Po, po pikërisht atë. Ai hajni, një ditë i kish vjedh një penë qe, një ditë një lopë, një ditë e kishte thyer një dyqan dhe një ditë kishte përfunduar në burg, se e kishin pas pa, më në fund. E kungulli nuk do t`iu shkojë gjithmonë mbi ujë.

Nëna: Jo valla, këta të sotmit nuk po i sheh askush.

Gjyshja: Kush me i pa? Të gjithë janë të lidhur zinxhirë.

Babai: S`është mirë as të merremi me këtë muhabet, pasi nuk mund të ndreqim asgjë, po ja që fjala po e nxjerr fjalën e shkuam kaq larg.

Uka: Unë më parë vetëm ju thash se piklajka ia kishte blerë bicikletën djalit.

Babai: Mirushe, flej zbathur, se babi nuk të ndanë na shokët e shoqet në ekskursion.

Lemja: E unë, si të flej, mbathur a zbathur, babush?

Babai: Ngadale, mos u ngut se desha të them edhe ti Leme do t`i kesh këpucët e reja e edhe për sugarin do të bëj çmos t`ia blej një bicikletë.

Uka : Me çkaaa babiiii, a mos po e parandien se do t`i biesh bingos?

Nëna: Valla, deri më tash as me bingo këtij babës së juaj nuk i ka pri fati hiq.

Mirushja: Po t`i ruanim gjithë ato tiketa, do t`i veshnim muret me to në vend të tapetave e ndoshta do të hynim në librin e Ginisit.

Uka: A do të na jepnin pare ata të Ginisit?

Lemja: Po si jo, edhe shumë bile.

Uka: Phiiii, si nuk jemi kujtuar t`i ruajmë. Tash edhe unë do të kisha bicikletë, apo ndoshta ndonjë skuter.

Mirushja: (Qeshet)

Nëna: Çka të mirën ke bija ime, mos po të fanitet najsen?

Mirushja: Jo, jo asgjë, por më ra ndërmend se si atë natë duke e përcjellur në televizor lojën e starbingos, kur thirri daja në telefon, a din qysh kërceu babi nga krevati dhe u përgjigj me zë të lartë :

” TUUUUUNG”

 Babai: Çka the Mirushe se nuk të dëgjova mirë, nuk i pata kësajde.

Mirushja: Tung-dajës në telefon, a din? (afron dorën te veshi)

Babai: Aha, po, po, vërtet atë natë u ngatrrova, po thashë më mirë t`i them tung dajës, apo kujtdoqoftë, sesa starbingos alo, e ta humbi shansin që vjen tepër rrallë.

Mirushja: Babush, si ishte ajo fjala flej zbazhur, a bën ta dimë edhe ne planin tënd financiar, apo burimin e parave?

Babai: Kam vendosur, në pazarin e parë, ta qes me e  shitë mështjerrën e kuqe. Besoj se me to do të mund t`ua plotësoj këto kërkesa që i keni për momentin e pastaj shohim e bëjmë.

Gjyshja: S`e ndalë zoti idaren jo, ju pastë gjyshja.

Babai: Kjo është vetëm zgjidhje momentale. Nëse bëhet realitet një plan që po e bluaj nëpër kokë, ne do të dalim shpejt nga kjo gjendje e vështirë.

Nëna: Për herë të parë po të dëgjoj,  as mua ende nuk ma ke kumtuar këtë farë plani, që  nuk po e di ku do t`i dalë tymi.

Gjyshja: Qe besa edhe unë po çuditem qysh as me mua kurrë nuk e ka pasur këtë bisedë. Kam menduar se ne gjithçka i tregojmë njëri-tjetrit.

Babai: Nënë, vërtet nuk kemi folur për këtë.Unë nuk doja ta bëj publik projektin derisa ta detajizoja mirë e mirë.

Mirushja: Njëmend baba ke ndonjë ide, që s`na e ke thënë ende?

Lemja: Hajde pra na e thuaj sonte!

Uka: Edhe unë po bëhem kurioz të di, vërtet a do të jetë ky plan i realizueshëm dhe a do të na sjellë profit?

Babai: (Ndalet pak, i shikon të gjithë dhe e bën publik planin)

Kam vendosur ta formojmë një trupë teatrale, në të cilën do të angazhohen artistë, këngëtarë e humoristë dhe ta bëjmë një turne nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Se a do t`ia arrijmë dhe a do të kemi sukses, kjo varet prej të gjithë neve.

Të gjithë: Uaaa!                               

Mirushja, Lemja dhe Uka: Baba ne jemi me ty, ne jemi me ty!

Gjyshja: Nëse ia arrijmë qëllimit, sigurisht se do të fitojmë.

Babai:  Do të fitojmë, me djersë e me nder si i thonë një fjale.  

                                             AKTI II

 E lëshojnë televizorin. Fillon ditari i mbrëmjes

 Folësi në TV: Qeveria do të marrë të gjitha masat që korrupsioni në Kosovë të bjerë në shkallën zero.

Babai: Hajde rrenë, haaajdeeee.

Folësi: Pas aktit të djeshëm të krimit në qytet, policia është shumë afër zbulimit të aktorëve të këtij akti të shëmtuar.

Babai: Hajde rrenë, haaajdeeee.

Folësi: Liderët e partive, me insistimin e kryeadministratorit, u takuan sot dhe u morën vesh që në të ardhmën të jenë më unikë.

Babai: Hajde rrenë, haaajdeee.

Folësi: Bordi i AKM-së ka premtuar se së shpejti do të privatizohen edhe 10 ndërmarrje.

Babai: Hajde rrenë, haaajdeeee.

Nëna: (Nga korridori ) Me kë po flet o njeri?

Babai: Me këtë folësin, me këtë rrencin, në televizion. Na këputi tue na rrejtë he zoti e marroftë!

Nëna: Po nuk ka faj ai o njeri, ashtu ia kanë dhënë, ata eprorët e tij, ashtu po ta lexon. Po ti mos u bën nervoz pa nevojë, ndërroje kanalin dhe u krye puna.

Babai: O nuk është zgjidhje ndërrimi i kanalit oj grue, as nuk kryhet ashtu puna. Njëjtë, njëjtë, njëjtë, qite në cilin kanal të duash. Të gjithë po na rreeejnë.

Mirushja: Ta kishim një antenë satelitore babi, kishim shikuar kanale tjera, bile nuk i kishim kuptuar edhe nëse na rrejnë.

 Darka ka mbaruar. Edhe ditari me rrena po. Gjymi mbi shporet. Presin fillimin e serialit. Të gjithë sytë kokërr në drejtim të ekranit. Në dhomë vijnë edhe ata që nuk ishin gjatë kohës së ditarit.

 Babai: A nuk ka diçka tjetër në këtë viran televizori, apo jemi të dënuar të përcjellim veç rrena  e seriale pa asnjë vlerë, pallavra?

Nëna: Shuj, shuj, plako, se tybe treqind tybe na kënaqën.

Babai: Kush bre na kënaqën, këto faqe të zeza a, këto cullakhane a, ( i shikon vajzat) a edhe ju ia keni zgurdullu sytë e po doni me marrë zanat prej tyre a, phu, mos ju pastë hije!

 (Vajzat nuk flasin, por e shikojnë njëra-tjetrën e të dyja babain si me ironi. Mbi shporet gjymat vlojnë tepër, nisin të derdhen dhe askush nuk ua vë veshin. Dikur…

Mirushja: Gjysheee, u derdhën gjymat, çohu mos pritofsh e ndale shporetin.

Babai: S`po të vjen turp, Mirushe, çohu e ndale vetë dhe çitma një çaj se po më kruhet kryet për një çaj të fortë pas buke.

Mirushja: Qe, qe babi, veç edhe pak te kqyri këtë storie.

 ( ekran, një skenë erotike)

Babai: E qe besa, nuk e kqyrët, as s`ia bani ngat.

(çohet e ndalë shporetin dhe e fik televizorin. Të gjithë e shikojnë me habi, por nuk flasin)

Gjyshja: Uh, uh, a je në vete, çka t`bani që e ndale djalo!?

Babai: Çka t`bani, a? Çfarë vakti ka ardhë s`është çudi me na lëshue toka ose me na përbi farë sunami sikur ata në Azi. Edhe ti nënë në pleqëri je bërë si tepër moderne.

Gjyshja: Po, këto seriale me i kqyrë i kanë qitë, bile po thonë i kanë ble me pare.

Babai: Ani, ani, po e lëshoj për hatër tënd. Kqyrne, kënaquni!

Elhemja: (Çohet e përqafon gjyshen). Gjyshja ime më e mira në botë. S`kemi të gjallë pa ty. A po, bre Mirushe?

(Ajo pohon me nojmë kokë)

(Në televizor reklama)

Babai: E kush po ma qet tash mua një çaj?

(Mirushja e shikon Elhemen. Ajo ngritet shpejt e shpejt e përgatit një gotë. E mbush çaj. Duke ia lënë në tavolinë, kthehet shikon kah televizori mos ka mbaruar reklama dhe ia derdh çajin. Bile pak i bie babait në këmbë.

Ajo largohet me të shpejtë nga frika se mos po e ha ndonjë shpullë, kurse Mirushja e merr një gotë ujë të ftohtë e ia lagë këmbën, largon gotën e thyer, fshin tavolinën dhe i thotë babait:

Mirushja: Baba, a shpëtove?

Babai: Shpëtova bre bijë shpëtova diqysh, por shpëtoi edhe ajo kerdhelja e dreqit pa ia dhënë një të nxehtë.

Mirushja: Trullajkë është kjo Lemja, mirë që nuk ta qiti çajin në prehër. (e shikon Lemen dhe ia bën nojmën  me sy)

Uka: Ani kur është duke përcjellë serialin?

Vazhdon shikimi i televizorit. Babai nuk guxonte ta prekte këmbën, por vetëm e luhaste herë andej herë këndej. Kishte  dhembje, ama mbahej si burrat. E shikon Ukën.

Babai: Ukë, ooo Ukë, ( ai bëhet se nuk e dëgjon. Për herë të tretë sikur në mal) ooo Ukooo, hajde bre bir fryjmi pak këmbës se ka nisë po më djeg shumë.

 (Djali ngritet shpejt e shpejt e gjen një karton).

Uka: Qe babë, merre këtë karton e fryj vetë, qe kështu ( dhe e luhat kartonin herë andej e herë këndej mbi këmëbë. Babai e shikon i habitur, kurse Uka vazhdon me shikimin e serialit.

Deri në fund të serialit kishin ngelur edhe pak minuta, kur u ndal rryma. Për disa çaste askush nuk flet.

Elhemja: (Duke e ndezur qiriun) KEK o KEK i dashur, të lumtë ne për ty, herë na e bën dy me katër e herë tetë me dy.

Babai: Ti këngën mirë ia këndove, por mua qe besa hiq qefin nuk ma çarti. Doni m`u qorrue more e s`po e shihni. Ani ky ( e shikon Ukën) me i thanë shko qitju pulave, thotë, jo se kam detyra, e këtej kur ka seriale, as n`mend nuk i bjen për detyra. Hajt tash kryej detyrat me qiri, se me qenë i miri ishe në ma t`mirin gjumë.

Mirushja: (Shikon në dritare). Te fqnjët paskan rrymë.

Babai: Hajde tash, sa s`është ftohur, ma qitni dikush një çaj!

Elhemja: Babi, unë të qes çaj me kusht që të pajtohemi që të përvlova pak më parë, a bën, çka thua?

Babai: Ani, bija ime ani, veç me kujdes se po ma përvëlon edhe tjetrën këmbë, apo po ma qet gotën në prehër siç tha Mirushja?

Gjyshja: Leme, pasi ia nise, hajde qitna të gjithëve.

Mirushja: Phuu, mu te fundi i serialit, u ndal rryma, isha shkue te fqinjët me e këqyrë vazhdimin, po krejt fajet i ka nëna.

Nëna: Pse nëna, çika ime?!

Mirushja: Qysh pse, prej se u kthyem pas luftës, nuk po flasim me fqinjët. Për çka?- për do gota dhe enë që na i kishin pasë marrë, ty t`erdh mërzi dhe u idhnove me fqinjen aq shumë, sa veç stupcat nuk i patët shti në përdorim e mos me mujt me ju nda  KFOR-i e as policia e UNMIK-ut bashkë me SHEPEKE-në .

Nëna: Pak ty po të duket kjo. Me shku te fqinji e ata me të shërbye me gota e me enë tuat.

Lemja: Të dyja keni të drejtë, por më mirë ka qenë që të pajtohemi disi. Bile edhe serialet i kishim kqyrë pa pengesa. Herë na te ata e herë ata te ne.

Mirushja: Po kush me na pajtue se, Anton Çetta ka vdekur qemoti, këta kësajde veç po qesin krande në zjarr e po kanë qef m’u ba edhe ma keq, ani kjo piklajka e Beqës, kukuuu, i raftë mishi copë-copë e dheu brenda mos e lashtë, një fjalë me e ndi, i shton edhe njëqind të tjera veç me i ba belatë, belaxhikja e dreqit.

Presin e presin, por rryma nuk erdhi. Vajzat shkojnë i shtrojnë vendet nëpër dhoma. Babai me Ukën flenin në një dhomë, Mirushja e Lemja në një dhomë, kurse nëna e gjyshja në një dhomë tjetër. Para se t`i thonë natën e mirë njëri-tjetrit, nëna e babai pëshpërisin diçka në vesh. Uka duke dyshuar se nëna mund të vije natën, pasi i fundit e fiku dritën, nëpër terr i la gjymat aty pas dere.

Në dhomë Mirushja e Lemja pasi nuk kishin gjumë në sy, bisedojnë lidhur me planin e mbrëmshëm për formimin e trupës teatrale. Ndërkohë kishte ardhë rryma, por ishte vonë të shkonin te televizori. Marrin një letër të bardhë, ngjyrë të zezë dhe e shkruajnë njoftimin, por ishin në dilemë si të shkonin e ta vendosnin në dhomën e babait.

Mirushja: Leme, merre konkursin e shko vendose në dhomën e babait, se ti je më e vogël e nuk të qorton babai edhe nëse të heton duke hyrë apo duke dalur kaq vonë.

Lemja: Jo motra ime, shko ti se pas asaj çka ndodhi mbrëmë me çajin, babi ende është i mllefosur në mua. Bëri e më hetoi do ta lajë lëmën.

Mirushja: Unë mendova se u pajtuat me babin, por ani, ani, s`prish punë, po shkoj, por kam frikë se më heton babai, e din ti sa gjumin e lehtë e ka ai.

(Duke hapur ngadale derën, rrëzohen gjymat).

Babai: (ngadale) Oj ti grue, çka rrëzove moj, çka po vjen kështu me poterë? (Uka nuk bëzan, por vetëm qeshet nën jorgan)

Mirushja: Unë, unë jam o babë, unë Mirushja, desha të shikoj mos ka ngelur televizori, apo drita e ndezur se ka ardhë rryma. Po gjymat pse i ke qitë pas dere o babë, a po tutesh prej hajnave a?

Babai: Jo bre nuk po tutna, as nuk i kam qitë unë, po ndoshta ky majmuni që po flen.

(Mirushja i largon gjymat, e vendos konkursin ngadale aty diku në mur dhe del)

Lemja: Valla sa e pakujdesshme që je moj dada motër. Gati i çove prej gjumit edhe kojshinë e lëre më anëtarët e familjes sonë. Thashë mos ra ai knusi i oxhakut nga kulmi i shtëpisë.

Mirushja: Eh mori motër, në ditët e sotme  s`ka më fëmijë. Merre me mend, Uka pasi e kishte fikur dritën i kishte lënë gjymat pas dere, sherri i nënëëës, a po kupton?

Lemja: O zot, o zot sa të jetojë njeriu ndin diçka të re. Poo, a po shtrihemi dhe e lusim gjumin të na marrë, apo po bëjmë pak prova pasi nuk po na flihet.

Mirushja: Së pari duhet të mendojmë se me çka do të paraqitemi në audicion, ta mësojmë mirë e mirë tekstin, e besa është mirë të marrim vesh se cilët do të jenë anëtarë të komisionit. Asgjë nuk guxojmë t`ia lëmë rastësisë.

Lemja: Duhet të kemi kujdes edhe për veshjen. Është shumë me rëndësi edhe ajo se si do të dukemi e jo të dalim si bibat.

Mirushja: Mua po më merr gjumi. (Flejnë)

                              AKTI III

 Nëna e babai zgjohen më heret. Donë të dalin në oborr. Duke hapur derën babai, nëna e vëren një shirit të verdhë në hyrje të shtëpisë:

Nëna: Kadale ti njeri se na çove në ajër me shtëpi e me çka kemi.

Babai: Çka t`mirën kie moj, po për çfarë ajri a çfarë hamami po flet kështu?

Nëna: Këqyre more shiritin e minave rreth e reth shtëpisë ku na e paskan qitë ushtarët e KFOR-it, a s’po të bëjnë sytë dritë a?

Pasi e dëgjon këtë dialog, Mirushja zgjohet përgjumshëm, del në korridor.

Mirushja: Mirëmëngjesi pleqtë e mi të mirë. Çka jeni ngulur në korridor si hunj, a ndonjë qen ua ka zënë derën e s`po guxoni me dalë, a?

Nëna: Jo qen, po më zi. Rretherreth shtëpisë, KFOR-i na e kish qitë shiritin e minave.

Mirushja e hap pak derën dhe vërtet  e sheh një shirit me ngjyrë të verdhë. Kthehet kah prindërit dhe duke qeshur gati e lëshojnë këmbët.

Babai: Mos qesh po thuaj shyqyr, që më në fund, e paskan gjetur minën se njëmend kemi mundur të bijmë dikush në të.

Mirushja: Ou ku jeni trimat e mi bre ( don ta hap derën).

Nëna: Mos bija ime, mos e hap derën, hajde të provojmë të dalim nga dritarja, apo ta njoftojmë policinë.

Mirushja: Jo, jo nënë, nuk keni nevojë për panikë. Kam harruar t`ju tregoj se inspeksioni komunal i ndërtimit ka ndërmarrë një aksion për evidentimin e shtëpive të ndërtuara pa leje. Këta të huajt paskan thënë se as në fshat nuk bën tëndërtohet pa leje. Ata paskan qenë derisa ne kemi qenë në gjumë.

Babai: (duke qeshur) Mirushe, thirri edhe anëtarët tjerë të familjes, bjeri një palë gërshërë e ta inaugurojmë solemnisht shtëpinë. Një udhë e dy punë.

Dalin pleqtë në  oborr. Babai lëshoi pulat, u qiti bagëtisë, kurse nëna mori ujë në bunarë për kafetë e mëngjesit. Kthehen në shtëpi.

Babai: Oj grua, çka është ajo letër te vaktija e ramazanit. Mbrëmë nuk ishte aty. Çka po shkruan, se nuk po e shoh pa syza?

Nëna: (Duke belbëzuar) K, K, KOR, KOORPUSI I TRENTË

Babai:  Qy, qy, qy, korpusi , ani  edhe i trentë.

(Zgjohen nga gjumi edhe të tjerët, vijnë në dhomë. Babai kërkon shpjegim prej nga piku ai farë korpusi i trentë). 

Mirushja: O babi, a u morëm vesh mbrëmë që ta formojmë një trupë teatrale.

Babai: Eeee…

Mirushja: Eeee, kjo është shpallja, Konkursi intern, e jo Korpusi i trentë siç po thotë mami.

Lemja: A pajtoheni ta zgjedhim një komision, i cili do të bënte vlerësimin e konkurrentëve?

Gjyshja: Mua, a po më caktoni në komision, apo do të më ndani ndonjë rol kryesor.

Mirushja: Ti gjyshe, do të jesh jo vetëm në komision, por mendoj që të bëjmë kryetare të komisionit. Hë, çka po mendoni ju lidhur me propozimin tim. ( I shikon të tjerët)

Vëhen disa karrige për komisionin, një tavolinë e punës, një fletore, kurse përballë një krroqe si mikrofon. Uka ende nuk ishte në radhë, qëndronte pas komisionit. Në skenë dalin Lemja e Mirushja.

 Gjyshja: Çka po doni ju të dyjat përnjëherë?

Mirushja: Menduam që të konkurojmë me disa dialogje, nëse bën.

Babai: Mirë, mirë, ndoshta nuk prish punë, por a bën që ju të shkoni edhe njëherë në shtëpi e të visheni mirë e mirë, e pastaj të merrni pjesë në audicion.

Lemja: Por babi, unë dëshiroja të kem garderobë si të Mimozës, asaj këngëtares që po del në televizion. Ajo më pëlqen shumë.

Mirushja: Edhe unë desha të dukem ashtu disi si Adelina. Po a ke thënë vetë babi, se babai yt paskësh pas thënë se do të vije dita që femra shqiptare do të vishet vetëm me njëqind gram rroba. A s`është kështu më mirë?

Babai: Po bre bijë, kështu pat thënë rahmetlia, por ju nuk paskit as nga 50 gram rroba në trup, turp.

Mirushja e Lemja bëhen gati të dalin para mikrofonit, kurse përballë tyre, pas komisionit Uka ua ngrit gishtat në shenjë të veshëve të gomarit, ato s`mund të afrohen te mikrofoni nga gazi. Më në fund provojnë:

Mirushja:  A bën që këtë provë ta nis me një strofë të një poezie?

Gjyshja: Hajde të dëgjojmë!

Mirushja: Kush në fshat përbuz bujqësinë, shkon blen shtalba në Prishtinë.

Babai: Besa me pak fjalë ke thënë mjaft për ata që gjithë tokën e kanë mbjellë jonxhë. Kjo është mjaft aktuale. Atyre njëmend nuk iu ka mbetë tjetër, pos të hanë jonxhë, o të blejnë shtalba në Prishtinë, si thua ti. (Uka bëhet gati, del në anën e motrave e pastaj afrohet te mikrofoni)

Uka: Kështu si kemi nisur të bëhemi të gjithë këngëtarë, nuk do të kemi më amvise, s`do të kemi lavërtarë.

Nëna: Të lumtë, topi nuk e luan. E keni parë Iks Ypsiloni e incizon një këngë të vjedhur dhe hooop, mediat tona e bëjnë yll. E priti ti pastaj intervistat e tyre në gazeta e në programe të natës.

Lemja: Meqë ra fjala për këngëtarë, edhe unë i kam dy tri vargje (dhe ia kris) -Ndoshta s`di të këndoj/ e zë nuk kam sikushi/ por me cullakhane/ ekranin jua mbushi.

Gjyshja: Si po qëndroni ashtu para mikrofonit si statuja. Duhet të jeni më të gjalla. Ja tash do t`ju tregoj unë. (niset në drejtim të tyre, duke u dredhur i bijnë kulet. Qeshin të gjithë. Pastaj ajo kthehet prapë në vendin e vet).

Uka: Kur të rritem dëshiroj të bëhem ministër në Prishtinë, se vetëm ashtu do ta shporr varfërinë.

Gjyshja: Hajn të bëhesh aaa?

Uka: Jo, jo, ka një dallim të madh  këtu. Ministri vjedh, por ai për këtë edhe paguhet me rrogë, nuk është ai si hajnat tjerë.

Babai: Fjala jote në vesh të zotit bir, po unë nuk e di a e pres atë ditë, e të më thonë babai i ministrit.

Gjyshja: Jo vetëm që të thonë pastaj babai i ministrit, po besa edhe në tubime të ndryshme ta bëjnë vendin te oxhaku. Afër haxhinjve e hoxhallarëve.

 Mirushja: Komision i nderuar, pasi Uka preku pak në politikë, më lejoni t`i them edhe unë dy tri vargje: Të gjithë në zgjedhje/ vraponi gra e burra/ edhe ku s`ka lumenj/ ne ju ndërtojmë ura.

E dini me siguri kush ka thënë kështu. Ju kujtohet fushata zgjedhore?

Nëna: Po urat nuk u ndërtuan as mbi lumenj.

Mirushja: Pse mos do të thoni se unë jam fajtore. Ata i kanë hëngër fjalët e veta, po pasha balin por dëgjoni edhe këtë: Edhepse fare nuk ujitet/ përditë fort po rritet/ me sukses e kultivojnë/ ata që duhet ta luftojnë. (Përkulet para komisionit dhe shton):

-A po e dini a t`ju tregoj se ishte fjala për korrupsionin dhe të korruptuarit.

Babai: Në fushatën zgjedhore të gjithë politikanët e liderët tanë vinin e na e kërkonin votën duke thënë se po votuam për ta të gjithë do të fitojnë.

Gjyshja: Pse a nuk doli ashtu a?

Babai: Jo, po. Ata fituan pozita e të mira materiale, kurse ne të trashët e surlës.

Gjyshja: Mendoj se audicioni mirë rrodhi deri këtu, por në vazhdim (iu drejtohet konkurrentëve) keni kujdes, unë do t`ua them nga një pjesë të një fjale të urtë, kurse ju duhet t`i plotësoni ato.

(Gjyshja bëhet gati ta thotë pjesën e fjalës së urtë, afër mikrofonit vjen inkasanti i KEK-ut me një çantë në dorë).

Inkasanti: Më falni, ndoshta po jua ndërpres pak programin, por unë kam ardhë t`i kërkoj, një mijë euro borxh për KEK-un, i dua këtu menjëherë  (zgjatë shuplakën e dorës).

Babai: Pse bre burrë, a smutë është KEK-u a, mos doni me üu në shërim jashtö vendit, apo…

Mirushja: Apo, mos i ka rënë prapë rrufejaaa?

Lemja: Apo, mos ndoshta ka rrëshqitur prapë dheu në mihjen sipërfaqësore në Mirash?

Inkasanti: A po taleni me mua, a?

Babai: Jo more çfarë, tallje!

Inkasanti: Jo tallje po cirkus.

Nëna: Leme, hajt bija ime këndoja këtij inkasantit atë këngën…

Lemja: Cilën këngë, nënë, s`po më kujtohet.

 Nëna: Si moj nuk po të kujtohet, ajo që po e këndon duke e ndezur qirin gjatë reduktimeve.

Lemja: Aha. Atë, KEK o KEK i dashur, po, po. Dëgjoje inkasant!

(Ndërhyn më në fund edhe Uka).

Uka: Mos u ngutni, të merremi vesh së pari a paguan xhaxhi inkasanti për këngën, dhe sa para na jep?

Inkasanti: Ju të gjithë qenkit hajgarexhinj të mëdhenj. Kurse unë e kam përnjëmend, o paret, o jua këputa.

Babai: Çka the, çka the, ti me na e këputë, a, jo more po mahitesh ndoshta (me dorën e majtë e fërkon krahun e djathtë)

Inkasanti: Para luftës dojshit me i thye këmbët para sporteleve, kur ishin serbët, e tash talluni ju me mua.

Babai: Po a? E pse pra ti nuk po shkon andej përtej urës t`ua kërkosh parat aryre!?

Nëna: Ku, ëhë, shkon me guxu.

Gjyshja: Më duket se e mbaruam punën me inkasantin, ai mund të shkojë e ne të vazhdojmë aty ku mbetëm.

Babai: Jo, nëse don, le ta shikojë audicionin edhe inkasanti. Asgjë nuk na pengon.

Uka: Jo nuk na pengon, veç unë kisha thënë, le të shikojë, po qe se i jep pesë euro. Ku ka shfaqje pa pare?

Inkasanti: Çka han ti bre djalë i mirë që qenke kaq i mençur.

Uka: Çka ha unë, është punë për dervishin, po ti a po rrin, a po i ngjet për fllad?

Inkasanti: Jo unë eca, veç kur të vi me policinë, atëherë këqyrim qysh po silleni ju me mua...

Uka: Jo me policinë, po merre n`daç edhe KFOR-in.

(Inkasanti niset të largohet, Uka, bën me dorë)

Gjyshja: Ku mbetëm?

Mirushja: Te fjalët e urta, kryetare e komisionit.

Gjyshja: Ah, po. Hajde Mirushe: Djali ende pa le…-vazhdoje tutje.

Mirushja: Djali ende pa le, tri banesa të shkjeve me ndërmjetësimin e avokatit shqiptar ia ka ble.

Gjyshja: Të lumtë Mirushe. Vazhdojmë me Lemen.

Kur t`ia hangsh dikujt gjelin…

Lemja: Kur t`ia hangsh dikujt gjelin, tëndin fshehe mirë se ta hanë.

Gjyshja: Hajde të shohim si do të përgjigjet Uka në këtë:

-Kur të thonë ka dredhëza shumë…

 Uka: Kur të thonë ka dredhëza shumë, mos shko fare as me shportë të vogël.

Gjyshja: Qe besa edhe ti u përgjigje shumë mirë në këtë, por çka thua në këtë tjetrën: Vëllau ta then krahin…

Uka: Nëse vëllau ta then krahun, kurrë mos e nguc.

Babai: (pëshpëritë diçka me anëtarët e Komisionit).

Në vazhdim do të shohim a dini të këndoni?

Uka: Unë do të provoj atë këngën: Sot kurrkuj s`ia pasna ki atë nënë, ose atë tjetrën: O sa gëzim sa shyhret/ po e bajmë vëllaun synet.

Lemja: Unë do të paraqitem me atë këngën- Ah moj Leze, Leze/ pasha, pasha tezen/ o vallahi atë jelek me lezet ta kisha hjekë.

Mirushja: E unë do t`ua këndoj atë këngën: Oh sa gëzim sa lezet/ po e shtimë vëllaun në gjerdek.

Babai: A nuk dini tjera këngë apo vetëm këso me fjalë, mendermethënë, të pista.

Uka: Po këto emetohen gati çdo ditë nëpër radiot tona lokale, o babush.

Mirushja: Edhe në radiot kombëtare.

Lemja: Besa, edhe në televizionet (ndër)kombëtare e qindpërqind të Kosovës.

Uka: Po pra, andaj edhe i kemi mësuar përmendësh dhe i këndojmë më së miri.

Babai: Për sot besoj se mjafton kjo provë dhe propozoj që të ulemi të gjithë së bashku e t`i bëjmë një vlerësim kritik gjithë kësaj që pamë.

(Afrohen të gjithë si në mbledhje)

Nëna: Sipas mendimit tim, prova e sotme merr një notë pozitive.

Babai: Unë mendoj se jo vetëm notë pozitive, por ajo të jetë një notë bukur e lartë.

Gjyshja: Mbase do të ishte ashtu si vlerësoni ju, po të mos e bëja unë atë skandalin me kulet që më ranë, sherri i ushkurit të dobët.

Mirushja: Unë mendoj se nuk ka nevojë as ta quajsh skandal, pasi që ti nuk ke qenë konkurrente, por cili është vlerësimi yt për paraqitjen tonë në skenë.

Gjyshja: Kam pak vërejtje në tekstet e këngëve, ato ishin pak banale.

Lemja: Po, gjyshe, ato nuk janë tekste tonat, ne i kemi marrë prej radiove dhe televizioneve tona.

Uka: Gjyshe, besoj se për herat tjera, Lemja do të na shkruaj tekste shumë më të mira-origjinale. Kjo është shumë aktive në klubin letrar të shkollës.

 Mirushja: Po more, iiih sa punimet i ka të botuara në gazetën e murit.

Babai: A mundemi pra të konstatojmë në procesverbal se prova ishte e sukseshme.

Nëna: Po, po, s`ka dyshim.

Babai: Atëherë, propozoj që të votojmë. Kush është PËR Le ta ngrit dorën!

( Të gjithë e ngritin dorën)

A ka kundër-s`ka. A përmbahet kush-jo.

Uka: A e mbarove mbledhjen, o Nexhat Daci.

Babai:  Jo, mbaroi votimi, por jo edhe mbledhja. Tash duhet t`i përcaktojmë detyrat për periudhën e ardhshme.

Polac, 2,3,4 shkurt 2005                           

 

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora