Kulturë
Lindita Komani: “Dashuri për dashuri“ dhe tradita shqiptare e Besës tek Nënë Tereza
E premte, 07.11.2008, 08:41 PM
“Dashuri për dashuri“ dhe tradita shqiptare e Besës tek Nënë
Nga Lindita Komani
Sot, në 5-vjetorin e lumturimit të saj, kujtohet edhe një herë më shumë e mira Nënë Tereza, që njerëzimit mbarë i mësoi mes të tjerash që paqja nis me një buzëqeshje*. E bukura e qënies sot shqiptar është se veçanërisht në një ditë si kjo, e kemi të drejtën që tek ajo që Nënë Tereza në formën më të lartë të mundshme i fali e i përcolli njerëzimit, të gjejmë tipare të kulturës sonë. Dhe akoma më bukur është kur këto tipare i gjejmë të zbuluara nga një njohës i mirë i saj, At Brian Kolodiejchuk në veprën e publikuar në anglisht me titull „Mother Teresa – Come be my light“. At Kolodiejchuk, i cili e njohu Nënë Terezën për 20 vjet dhe është sot postulatori për çështjen e shenjtërimit të saj si dhe drejtor i Mother Teresa Center, ka sjellë brenda veprës shkrimet private të Nënë Terezës, rezultate nga kërkimet e tij, kujtime të tij nga bisedat me Nënë Terezën, nga deklaratat e saj.
Në kapitullin e dytë të librit ai flet për betimin privat të Nënë Terezës para Zotit, betim të cilin ai e cilëson si një marrëzi dashurie. Për këtë betim që shquan rëndësinë e traditës shqiptare të besës dhe vlerën që ka pasur tek Nënë Tereza kjo traditë, dëshiroj t'i shkruaj këto rreshta (të cilët bazohen tërësisht në tekstin e Kolodiejchuk, fq.28-32 të librit të lartpërmendur). Në një kohë kur jeta sot ka marrë ritme marramendëse dhe shoqëria shqiptare zhvillohet nën ndikime të shumta nga jashtë, është mirë të njohim e të kujtojmë vlerat në bazë të traditës sonë e të kujtohemi që në bazën e sjelljes tonë t'i përfshijmë edhe ato për të mundur të ndërtojmë më tej. Le të kujtojmë e vlerësojmë e le ta sjellim sot Nënë Terezën pranë nesh si një shqiptare e vërtetë.
Dashuria pasionante e Nënë Terezës për Zotin e shtyu atë në vite të kërkonte për rrugë të fshehta nëpërmjet të cilave ajo ta shprehte dashurinë, shkruan Kolodiejchuk. Ajo u betua para Zotit duke e lidhur mosmbajtjen e betimit me dhimbjen e mëkatit të pafalshëm, se do t'i jepte Atij gjithçka që Ai do t'I kërkonte, të mos i refuzonte Atij asgjë. Për këtë betim, Nënë Tereza do të shprehej më vonë: „Unë desha t'i jap Zotit diçka shumë të bukur“ dhe „pa rezervë“. Ky betim që përbënte një nga sekretet më të mëdha të Nënë Terezës, ishte i ditur veç për atin, tek i cili ajo kryente rrëfimin. Duke e njohur mirë thellësinë e jetës së saj spirituale, ati i rrëfimeve ia dha asaj lejen që ta ndërmerrte një betim të tillë, çka sipas Kolodiejchuk tregon që ai besonte në pjekurinë e saj njerëzore dhe spirituale.
Betimi fshihte me të vërtetë thellësinë e dashurisë së saj për Zotin që motivoi të gjithë veprimet e saj, sidomos nënshtrimin e saj pa kushte ndaj vullnetit të Tij. Më vonë ajo do të shpjegonte se takimi i saj me pamatësinë e dashurisë së Tij e bëri atë të përgjigjet: „Pse duhet t'i jepemi Zotit tërësisht? Sepse Zoti na është dhënë neve. Nëse Zoti që nuk na ka borxh asgjë, është gati të na japë jo më pak se Veten, a duhet t'i përgjigjemi ne veç me një pjesë tonën? T'i jepemi Zotit është një mënyrë për ta pritur Zotin Vetë. Unë për Zotin dhe Zoti për mua. Unë jetoj për Zotin dhe heq dorë nga vetja ime, dhe në këtë mënyrë e bëj Zotin të jetojë për mua. Kësisoj për ta zotëruar Zotin ne duhet ta lejojmë Atë të zotërojë shpirtin tonë“. (fq.30)
Duke e përqafuar një detyrim të kësaj natyre, sipas Kolodiejchuk, Nënë Tereza po përpiqej të kthente dashuri për dashuri në një mënyrë më radikale. Një nga paradokset e dashurisë së vërtetë është që i dashuri/e dashura në mënyrë të lirë dëshiron ta lidhë veten në mënyrë të pakthyeshme me të dashurën/in. Ishte kjo cilësi e mistershme e dashurisë që sipas Kolodiejchuk e bëri Nënë Terezën ta vuloste ofrimin e plotë të vetes përmes një betimi e kësisoj në mënyrë të prekshme të shprehte mallin e saj të ishte tërësisht e bashkuar me të Dashurin.
Për atë që është më pak i avancuar në rrugën e dashurisë, vazhdon Kolodiejchuk, ky dorëzim total dhe konformitet i plotë me vullnetin e Zotit mund të duket një mungesë e plotë lirie. Por ai/ajo që dashuron me të vërtetë kërkon ta plotësojë dëshirën e të dashurës/it, të plotësojë pritshmëritë e saj/tij deri në detajet më të vogla. Për këtë arsye për Nënë Terezën betimi ishte një mënyrë e forcimit të lidhjes me Atë që ajo dashuronte duke përjetuar lirinë e vërtetë që vetëm dashuria mundet ta japë.
Kolodiejchuk shprehet se Nënë Tereza mund të ketë lexuar për praktikën e bërjes së betimeve private në literaturën spirituale të kohës së saj dhe ndoshta të jetë frymëzuar prej emrave të përveçëm brenda saj, si prej atit jezuit William Doyle, motrës Benigna Consolata Ferrero dhe Shën Thérèse të Lisieux.
Por më shumë se këto raste të përveçëm Kolodiejchuk thekson se në kuptimin dhe praktikën e bërjes së betimeve Nënë Tereza ishte shumë e influencuar nga prejardhja e saj kulturore. Duke pas qenë rritur në një familje që kishte rrënjë të forta në traditën shqiptare, shkruan ai, ajo ishte njohur me praktikën e nderuar dhe shumë të vlerësuar të besës ose „fjalës së nderit“. Duke qenë se besa kërkon besnikërinë absolute ndaj fjalës së dhënë, ajo ka një karakter gati të shenjtë si nje betim. Ajo nuk mund të thyhet, deri edhe me koston e jetës. Nënë Tereza sipas Kolodiejchuk do të shpjegonte më vonë: „Ata [shqiptarët] kanë një fjalë, besa, që do të thotë që edhe sikur ti të kesh vrarë babanë tim dhe policia të jetë duke të ndjekur, nëse unë të kam dhënë ty fjalën, atëherë edhe sikur policia të më vrasë, unë nuk do e tregoj emrin tënd.“ Në dritën e edukimit të saj, betimi privat i Nënë Terezës mori peshë të mëtejshme: Ajo ishte e vendosur të ishte besnike në fjalën që i kish dhënë Zotit, deri edhe me çmimin e jetës së vet. Dhe siç shprehet Kolodeijchuk pak më tej, çdo hap në jetën e Nënë Terezës do të ishte për të një mundësi e re për t'i dëshmuar vetes besnikëri ndaj premtimit të bërë.
U shfrytëzua si burim: Kolodiejchuk, Brian. „Mother Teresa – Come be my light – The Private Writings of the Saint of Calcutta“, 2007.
* „Peace begins with a smile“ është një nga citatet më të njohur të Nënë Terezës.