Kulturë
Din Mehmeti: Poezi e mesazhit dhe dashurisë që duhet të kultivohet
E premte, 07.11.2008, 01:27 PM
Parathënie për Librin me poezi; ”Unazë gjaku” të Pal Sokolit e shkruar nga poeti i mirënjohur: DIN MEHMETI
POEZI E MESAZHIT DHE DASHURISË QË DUHET TË KULTIVOHET
Nga Din Mehmeti
Poezia e Pal Sokolit, e përfshirë në këtë vëllim është poezi e dhimbjeve të mëdha. Kjo dhimbje që derdhet këtu është shkaktuar nga lufta e fundit e Kosovës, e cila e përgjaku Kosovën, duke pasur si qëllim përfundimtar vrasjet, djegiet dhe pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga tokat e tyre. Kjo ishte një tragjedi e paparë ndonjëherë për nga urrejtja, fanatizmi, egërsia e barbaria që treguan forcat serbe. S’ është çudi, pra, që kjo poezi del nga thellësitë e shpirtit të poetit me tone të theksuara dhimbjesh, si kujtim i tmerrit i ngarkuar me riga të ngrohta lotësh, të cilët nuk shfaqen haptazi, në mënyrë transparente, po rrjedhin vazhdimisht në brendinë e poetit si një elegji e përjetshme pikëllimi për atë që ndodhi në Kosovë. Autori, Pal Sokoli kishte arsye për të shkruar një poezi të këtillë, kur dihet se lufta ia mori pa të drejtë gjashtë anëtarë të familjes, duke ia djegur e pjekur, duke ia shkretuar plëng e shtëpi vetëm pse ishin shqiptarë.
Përkundër këtyre të bëmave, pra kësaj barbarie, poeti Pal Sokoli nuk shpreh urrejtje ndaj askujt, madje as ndaj vrasësve më të egër, por përshkruan pasojat që shkaktuan ata. gjeste të këtilla bëjnë vetëm poetët e mëdhenj të kësaj bote, të cilët dashurinë ndaj njerëzimit e kanë shumëfish më të madhe e më të fuqishme se sa urrejtjen. I këtillë është Pal Sokoli, dhe për nga natyra e këtillë është edhe poezia e tij, të cilën duhet shikuar jo si lashtësi, por si brendësi. Vlerat artistike shihen në thellësinë dhe brendësinë e saj. Pal Sokoli i ka ikë folklorit politik në poezi, i cili do ta bënte pa vlerë artistike atë. Andaj, poezia e tij vjen si vjen si mendim i ngjyrosur me ndjenja tragjike, për gjithçka që ka ndodhur rreth tij në të kaluarën dhe në të tashmen. Poeti, P. Sokoli, i ka shprehur kujtimet e veta dhe në këtë mënyrë bëhet më i sinqertë, më i afërt dhe më i dashur. Pikërisht kjo arritje e poetit konsiderohet si vlerë, të cilën duhet ta shkrijë në vete poezia e vërtetë. Mbase nuk teprohet nëse përforcohet mendimi dhe bindja se poezia e autorit Pal Sokoli rrjedh pikëllim, trishtim, por edhe optimizëm, e dashuri ndaj njerëzve dhe atdheut, i cili s’ është ky i copëtuar në kufij politikë, por atdheu i natyrshëm i shqiptarëve, atdheu të cilin e kanë projektuar me penë dhe gjak brezat e shqiptarëve gjatë historisë. Poeti është krenar kur flet për këto përpjekje të luftëtarëve të devotshëm të lirisë. Ai, si rilindësit, kthehet në të kaluarën, duke i shprehur vlerat kombëtare me qëllim që të ndikojë te bashkatdhetarët e vet, t’iu ndihmojë atyre me shembujt e trimave të dikurshëm, që t’i çojnë idealet e veta më tej, si: Gjergji i Kastriotëve
Është këngë gjak i Arbrit
Engjëll rreze drite
Atlet i një rruge të bardhë.
Poeti përshkruan rrugën e vështirë nëpër të cilën eci populli ynë gjatë historisë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë:
Notuam
Vërshimeve të reja
Ndërtuam ura
Ura gjaku
Ura shprese
Ura drite
Poezia e Pal Sokolit është një zjarrishtë e mendimeve dhe ndjenjave të poetit, një zjarrishtë rri gjithmonë ndezur thellë në qenien e tij. Është një plagë e hapur që pikon vazhdimisht përbrenda. Ajo që e bën këtë poezi më të afërt me lexuesin, më intime, është nostalgjia e poetit ndaj prindërve që i kujton nga mërgimi. Në këto raste ai do të shprehë dashurinë e madhe si mërgimtar ndaj Kosovës në përgjithësi dhe vendlindjes në veçanti.:
Sa herë rruga
Më dridhet nën këmbë
Shoka e babait më shtrëngon
Dhe një zë i ëmbël më vjen
Është zëri i nënës që më këndon
Dhe gjithçka më kujtohet tash
Babai mbante shall rreth plisit
Gjyshi shall e shokë
Që më bëjnë dritë
Shpirt më japin mua në Evropë.
Ndër poezitë më të suksesshme të kësaj natyre ku shprehet dashuria ndaj prindërve është padyshim poezia “Nënat”, ku poeti në mërgim digjet nga malli i madh që e ka marrë për Kosovën:
Nënat na mbjellin
Ca lule me duar të praruara
Jetën na zbukurojnë
Me duart e veta
Na japin atë
Çka na merr jeta
Dashuria dhe nostalgjia e poetit për Kosovën është shumë e madhe. Ajo nuk mund të krahasohet me asnjë dashuri tjetër. Ndoshta mërgimi, kjo plagë e keqe për shqiptarët, i ka bërë shumë të ndjeshëm ndaj atdheut të tyre, Kosovës:
U bëra pelegrin
Dhe gurë u bëra
Duke thirrur Kosovë
Me gjurmë lotësh në sy:
Poezia e vëllimit poetik “Unazë gjaku” të Pal Sokolit, është interesante jo vetëm për nga temat që trajton, por edhe për nga forma dhe përmbajtja. Kjo bëhet më e pranueshme falë figuracionit poetik që përdorë poeti, i cili ia shton vlerën artistike. Ky figuracion i ka dhënë mundësi poetit t’i shprehë të gjithë fshehtësitë që i mbanë në shpirt ndaj objekteve që përshkruan. Figuracioni i tij del paksa i zemëruar, ndoshta për shkak të rrethanave jetësore të imponuara nga jashtë. Në këtë poezi autori ka përdorur figura tradicionale, por nuk mungojnë as ato moderne shumështresore, që u japin vjershave një dimension të ri. Shprehjet metaforike që ia shtojnë vlerën kësaj poezie janë: fushat e Kosovës rrisin lule lotësh, rrudhat ma kanë kapluar ballin, eshtrat tua dorëza lahutash, varrin ta ruajnë legjendat, ëndrrat e djegura, lëndina e pikëllimit, dielli trason rrugën, era përkëdhel lotin, cicërima në erë rigon dritë të etur, zog që fluturon kah shpirtrat, gurët e varreve këndojnë himnin, kambanat pëlcasin nga zjarri i fitoreve, etj.
Këto figura të bukura ia kanë lehtësuar punën poetit për ta shprehur plotësisht atë që ndjenë, pra të veçantën e objekteve që përshkruan. Metaforat e këtilla përbëjnë bukurinë e gjuhës e cila pjellë vargje të skalitura në pikëpamje artistike. Këto figura bindin se Pal Sokoli ka sens për ta gjetur figuracionin e veçantë që poezinë e bën të bukur. Pali dallohet me një ndjeshmëri të theksuar ndaj ngjarjeve të mëdha e të vogla, të sotme apo të shkuara. Nga poezia e tij rrjedh një mesazh i madh, dashuria që duhet të kultivohet ndaj atdheut, ndaj figurave të rëndësishme historike, ndaj luftës së drejtë që bëri populli ynë për ta fituar lirinë e vet, dashuria ndaj prindërve dhe vendlindjes, në këtë poezi ka humanizëm njerëzor që e bën atë më të afërt, më të domosdoshëm për t’u kënaqur me vlerat e saj artistike.