E premte, 02.05.2025, 12:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Rrëfim sintetik e mitik i tematikës romanore

E premte, 07.11.2008, 12:23 PM


Halil Haxhosaj
RRËFIM SINTETIK E MITIK I TEMATIKËS ROMANORE

 

Petrit Palushi: “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, roman, botoi OMBRA GVG, Tiranë, 2007.

 

Nga Halil Haxhosaj    

 

Shkrimtari, krijuesi dhe prozatori i shquar nga Kukësi, Petrit Palushi, edhe kësaj here doli para lexuesit me një roman të ri, i cili mbase që në fillim sugjeron për vlerat në ngritje të krijimtarisë romanore të këtij shkrimtari. Madje, ky roman përbën pjesën e tretë të romaneve triptiko-trilogjike të Petrit Palushit pas “Përroit të Andrrës” dhe “Tri motra në një qytet”. Andaj, romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” është unaza shtuese romanore e këtij triptiku trilogjik të këtij autori. Ky konstatim mund të arsyetohet në disa rrafshe, por mjaftojnë vetëm ato, si: uji, përroi, lumi, ura, pastaj Flaka e Vesa Lisi, e të tjera. Kryetema e romanit shtrihet edhe këtu në shtratin e ujit të lumit Drini i Zi, mu aty ku bashkohet me Drinin e Bardhë. Madje edhe lokaliteti, ura, këmba e saj, rrjedha, thellësia e lumit dhe shtrati i tij shënojnë vendin e trajtimit të rrëfimit të syzheut të këtij romani, sikurse edhe të romaneve të tjerë të Petrit Palushit.

 

Struktura dhe tematike mitike e romanit

 

Tematika dhe shprehja rrëfimore e mitike e romanit “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” të Petrit Palushit strukturohet sipas një përmase shtresore të ambientuar dhe të fiksuar në rrathët e njësive kohore të mjedisit artistik e letrar. Ky rrëfim mitik kapërdihet në përmasat kohore drejtvizore dhe rrethanore, duke mëtuar të bëhet nga një kalim i befasishëm dhe i pahetueshëm nga njëra përmasë kohore tek tjetra me qëllim të krijimit të dinamizimit në tërësinë e romanit. Kështu, në rrëfimin drejtvizor kohor të romanit shtrihen tentativat e Bardh Drinit për gjetjen e trupit të djalit, Egzonit, të mbytur në ujë, mandej për kujdesen edhe ndërtimin e varrit të tij më qëllim të kanonizimit dhe pengimit të ardhjes së vdekjes në familjen e tij, sidomos tek fëmijët: Jugera e Rroni. Ndërkaq, zhvillimi kohor rrethor nuk ka fillim e fund të përcaktuar, por ai rrjedhë sipas një vije sa rrethore po aq edhe parabolike, duke ndërtuar një strukturim të gërshetuar me copa të një mozaiku artistik që ka rrjedhë shumëdimensionale dhe shumështresore. Poashtu, ky shtresim sa vjen e bëhet më dominues dhe më përcaktues në fatin, qëllimin, synimin dhe mëtimin e këtij rrëfimi. Shikuar në aspektin kohor, shtrirja e dimensionuar nuk kapërdihet nëpër të çarat e rrëfimit abstrakt, madje as fantastik e shkencor, por ai rrjedhë nëpër stadet e një rrëfimi më afër mitikes, e pse jo edhe magjikes. Ky konstatim nuk përkon prerazi me realizmin magjik si drejtim letrar, por më tepër është një gërshetim që i nevojitet autorit Petrit Palushi për romanin e tij “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”. Kjo mënyrë e zgjedhjes, madje nuk e zhvlerëson mënyrën e strukturimit tematik, por përkundrazi e ngjiz, e ngjesh dhe e shtrin dendur në rrafshin e shprehjes tematike mitike dhe magjike. Petrit Palushi këtë e bën ngase e njeh mirë mitologjinë popullore, sidomos të trevës së vetë, Kukësit, pra të Shqipërisë së Veriut, Kosovës, por edhe më gjerë. Këta elementë nuk dalin të zbehtë, madje as të kurdisur sa për ta ngjizur rrëfimin e romanit, por ata zgjojnë kureshtjen e lexuesit duke marrë anën funksionale të tyre. Funksionalizimi nuk del i ngurtë në roman, por ai në shumicën e rasteve është rrjedhë e brendshme, e pse jo edhe lirike në strukturimin e romanit. Kështu, fundi strukturor i romanit nuk është asgjë tjetër vetëm se rikthim në bazën fillestare, pas një rrotullimi të dilemës së kryepersonazhit Bardh Drini, ngase historia e kujdesjes së varrit të tij kthehet në pikënisje, pra në fillimin e nisjes. Por, duke shikuar më thellë në veprimet figurative të Bardh Drinit dhe personave të tjerë të romanit, nuk është fare e sigurt se kushtet do të jenë të njëjta dhe gjithçka do të nisë nga fillimi. Siç e thotë titulli , tema qendrore e romanit është tema e luftës kundër vdekjes, e cila do të shtrihet në familjen e Bardhit, sidomos tek fëmijët e tij. Andaj ky personazh i romanit, bashkë me disa të tjerë, do të vuajë gjatë gjithë jetës së tij, ose në një periudhë të caktuar të saj, nga frika se vdekja e pamëshirshme pas marrjes së Egzonit, do të shtrihet edhe tek fëmijët e tjerë. Andaj, ai nuk frikohet nga ajo. Për ta dëshmuar këtë, Bardhi me vetëdije e ndërton varrin e vet afër varrit të Egzonit, për të cilin do të kujdesej. Por, veprimet e tij dikur shtrihen në një mikrounivers të izoluar, sepse për këtë gjë nuk dëshiron të dijë askush. Madje as gruaja e fëmijët. Por, fatkeqësisht ai nuk mund t’u ikën vrojtimeve të njerëzve, e sidomos të rojës së varrezave, Currit.

Unaza rrëfimore e romanit nuk shtresohet dhe as nuk bashkëdyzohet me vështirësi. Edhe pse autori duhet të kujdeset për të gjitha poret e frymëmarrjes së romanit, rrëfimi rrjedh lehtë, pa zori dhe pa ndonjë ndrydhje të tepruar. Kjo bëhet nga pena e kujdesshme e autorit Petrit Palushi. Andaj, autori mëton të bindë lexuesin e romanit të vet se koha e shfaqur në roman nuk ndryshon asgjë dhe nuk sjell ndonjë përmirësim jetësor, por përkundrazi ajo duket se do të shtrihet pahetueshëm nëpër të gjitha poret e jetës së Bardh Drinit dhe familjes së tij. Edhe pse ndonjëherë ajo duket së nuk lëviz, por qëndron në situatën vendnumëro, duke mos pasur zgjidhje fatlume, rrjedha shkon nëpër shkallët që sjellin mjerim, huti, mosdurim, ankth, mosbesim dhe dilemë. Të gjitha këto dhe fate të tjera shëtisin nëpër faqet e romanit nga mendja e Bardh Drinit deri te varri i Egzoni, e pse jo edhe deri tek varri i tij për të cilin kujdesej me aq fanatizëm. Kështu tema e dilemës dhe ndërprerjes së vdekjes plotësohet me temën e boshtit që sillet rreth dy varreve që janë Varri i Egzonit dhe Varri i Bardhit. Ky mozaik herë i shtrirë e herë i tkurrur nuk mëton të lëvizë nga qëllimet e personazhit. Andaj, paralelisht me mëtimin e ndaljes së vdekjes për të mos u shtrirë tek fëmijët e tjerë, shtjellohet edhe rrëfimi mitik i ritit të saj nëpër rrathë autoktonë të banorëve buzë lumit Drini, edhe të Bardhit edhe të Ziut. Kjo bëhet nga Bardh Drini me qëllim të caktuar që t’i shlyej gabimet e mëkatet e tij prej njeriu, duke dëgjuar kështu zërin e ndërgjegjes që edhe mund të mposhtet shpesh nga plogështia shpirtërore, e pse jo edhe nga urrejtja.

 

Rrëfimi sintetik i romanit

 

Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” e bën lexuesin për vete qysh në rreshtat e parë, falë kënaqësisë që jep rrëfimi i lart artistik dhe i mrekullueshëm. Por rëndësia më e madhe e romanit qëndron në pasurinë e begatinë kuptimore dhe në shumësinë e interpretimeve të mundshme me të cilat disponon vepra. Kjo shpjegohet sepse protagonisti Bardh Drini nuk paraqitet si pozicion i thjeshtë letrar i njeriut të zakonshëm dhe as imazh simbolik i një njeriu dogmatik i tipit të ngurtë religjioz. Bardh Drini shpreh simbolikisht gjendjen shpirtërore të të gjithë njerëzve të tillë të kësaj treve në kohë dhe periudhë të caktuar kohore, të cilët kanë pasur të njëjtin fat, duke përjetuar të njëjtat probleme e konflikte ideore sikurse Bardh Drini. Mbi të gjitha, ngjarja në romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” paraqitet si një rrëfim sintetik mbi historinë e Bardh Drinit, përshkruar me anë të mitit të luftës kundër vdekjes, gjegjësisht shtrirjes së saj te fëmijët e tjerë të tij. Kjo duket, mbase ngapak, edhe fantastike e magjike, ngase hapja e varrit që mbetet një kohë i zbrazët sjell kobin e shtrirjes së lajmit ogurzi mbi banorët e kësaj treve. Kjo gjë rrëfimit ia hap shtegun e lëvrimit të situatës së vetëflijimit për shkak të larjes së mëkatit të prindit. Por kjo gjë zhvillohet nëpër formën e një rrëfimi paksa edhe dramatik e shpesh edhe rrëfimor. Kjo rrjedhë shihet edhe në ndërtimin, gjegjësisht në formën e shkrimit që shihet sheshazi në faqet e këtij romani kur autori Petrit Palushi shkruan formën e dramës duke e zhvilluar dialogun në mes të personazhit Bardh Drini dhe birit të tij Egzon Drinit nga varrezat e tyre që janë bri njëra-tjetrës. Kjo formë e shkrimit të rrëfimit në roman veç sa e ngjiz edhe më tepër sintetikën e shprehjes figurative dhe artistike të romanit.

Sikur në romanet e mëparshëm edhe këtu hasim fjalë, fraza dhe shprehje të reja nga autori Petrit Palushi. Bile, kësaj radhe ky autor përdor disa forma dhe shprehje gramatikore të të folmes gegërishte, apo më mirë të thuhet të të folmes së trevës së tij gjuhësore. Kjo bëhet për disa qëllime, por kryesori është sepse autori do ta paraqesë në mënyrë autoktone edhe formën e rrëfimit gjuhësor në romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”. Kësaj edhe ia arrin me sukses.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx