E premte, 02.05.2025, 02:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Dashuria e Dora Henorit

E shtune, 08.11.2008, 11:31 AM


Bahri MYFTARI

 

Djaj të lumtur.

                                   

Tregime

 

Shtëpia botuese “Naim Frashëri”

Tiranë, 2008

ARMIKU  I  TIRANËS

Vëllim me tregime

Bahri MYFTARI

Korrektor letrar: Stavri Sharrëxhi

Arti grafik: Aida Kumi

Copyright: Bahri Myftari

ISBN:

Shtëpia Botuese “Naim Frashri”, Tiranë

Shtypi “KUMI”, Tiranë- 2008

 

Për kopertinën prapa.

 

VO:

Studiues të ndryshëm, kryesisht të prozës së shkurtër, i kanë përqasur tregimet e Bahri Myftarit me ato të Markesit, përqasje që na duket e drejtë. Ky pohim buron më tepër prej poetikës së tregimeve të tij. Por jemi të bindur se një përqasje më e motivuar mund t’u bëhet tregimeve të Myftarit me tregimet e Korstarit dhe Karpentierit. Ndërsa me të parin e afron më shumë sintaksa, një sintaksë e saktë dhe e drejtëpërdrejtë; pa fjali të shumta nënrenditëse dhe bashkërenditëse; pa ligjërata komentuese e stërhollime baroke; me Karpentierin e afron prirja për ta çuar drejt skajeve kohën reale dhe kthesat e papritura që shkrimtari u jep zhvillimit të personazheve dhe ngjarjeve.

 

Për faqen e brendshme të kopertinës prapa.

 

Nuk e zinte kurrë me gojë vendin e origjinës, ndonëse ajo krahinë jo vetëm brenda përbrenda, por në tërë Ballkanin Perëndimor ishte e pashoqe. Me male të lartë, dimër të butë e me borë të shndritshme deri në pikun e verës, pllaja e lugina që do ta shkulnin azmën me forcë. Me frutikulturë të hatashme, mollë, ftoj që e mbajnë aromën për gjatë tërë vitit, arra që çaheshin me dy gishta të dorës, rrush, me lëngun mjaltë që nxirrte atë rakinë me famë deri matanë Atlantikut dhe verën që po çante edhe në tregun francez.

 

 

Bedri Myftari

 

Djaj të lumtur

 

DASHURIA  E  DORA   HËNORIT

 

Dora Hënori erdhi në fakultet pas një konkursi bukurie, ku pati marrë një vlerësim të hatashëm: kurorën e bukurisë, por edhe atë të inteligjencës. Çdo gjë e trupit dhe e fytyrës së saj ishte në maksimum të bukurisë dhe të harmonisë. Në veçanti sytë e Dora Hënorit, nëse do të vështroheshe dy herë radhazi, hekur të ishe, do të ktheheshe në skllav i tyre.

          Të parit që i ra në kokë për të ishte Ben Pisha. Ai, pasi u lodh duke i shfaqur dashurinë asaj herë me letra, me pusulla citatesh e, në të shumtën, drejtpërdrejt, gjithnjë pa marrë përgjigjen e dëshiruar, më së fundi u tërhoq. U mjaftua duke shfrytëzuar një dobësi të vajzës. Dora, mbas çdo provimi, dhe gjithmonë e suksesshme, kur dilte në korridor shpërthente, zinte puthte e përqafonte cilindo që i gjendej përpara. Ben Pisha, mbas kësaj, i zinte i pari pusinë, nuk i linte kurrkujt radhë, derisa përshkonte tërë korridorin e gjatë.

            I dyti ishte Ndregjoni, që nëse i thoshje je nga Laçi e jo nga Kurbini, rrezik të shkonte zemërimi deri në grushte. Ishte katolik i bindur. Çdo të dielë i kërkonte ndihmë Shna Ndout që të ndikonte mbi zemrën e Dora Hënorit. Ai e pati fshehur dashurinë, por një natë, në pikun e gjumit, i la pa mend shokët e dhomës. Gulçonte, dëneste, psherëtinte me emrin e vajzës në gojë. Në mëngjes shokët e shigjetuan rëndë. Njëri syresh, Saimir Furrxhiu, edhe pse nuk i kurseu shpotitë ndaj Ndregjonit, ra vetë brenda. U injektua prej asaj dhimbjeje. Puna shkoi derisa i shkreti djalë, duke menduar se, kur guxonte të donte Dora Hënorin ai, maloku i Laçit- këtë nuk e tha hapur- pse të mos guxonte ai, ai që ishte nga qyteti i dashurisë, siç e lavdëronte Korçën e vet. U mbush plot kurajë, plot siguri, se vajza do ta pranonte dhe, si masë të parë, vendosi të ndërronte mbiemrin. “Dora Furrxhiu! Nuk shkon.” Fluturoi lajmi në Korçë; erdhi i ati dhe e quajti troç: budalla. Ndërsa e ëma i dha një mundësi praktike. “Merr mbiemrin tim, mbiemrin e vajzërisë”, i tha ajo. “Dora Hënori, mirë! Dora Antoniu, bukur!”

            Ndërsa Saimiri bënte këto “hesape”, doli në skenë pedagogu i frëngjishtes. E pat edhe Dora Hënori. Na i mori të keqen! Të gjithë menduan se ajo s’kishte ç’ donte më shumë. Pedagogu ishte plot vlera, por edhe simpatik nuk ishte më pak. Një vit kishte që ishte kthyer nga Parisi. Shumëkush e sidomos vajzat flisnin me admirim dhe ia parashikonin të nesërmen: o ministër, o ambasador! Por nuk qe e thënë. Të gjithë gabuan. Dora Hënori e refuzoi. Kjo shkaktoi zhurmë të madhe, që zgjati për disa muaj, derisa u dëgjua një propozim i ri për Dora Hënorin. Një propozim i i guximshëm, një propozim që i befasoi të gjithë.

            Shkëlzen Brati, i ardhur në Fakultetin e Inxhinierisë nga një qytezë minatorësh në verilindje të vendit, i la pa mend. Shkëlzen Brati i shfaqi dashurinë Dora Hënorit! Si djalë, ai biondi i maleve të veriut, nuk shahej, nuk kishte të sharë as nga portreti, as nga trupi muskulor. “Po si, qysh?”  pyesnin veten të tjerët. Ata nuk mund ta imagjinonin Dora Hënorin ta ngryste jetën mes malesh. Dora Hënori rrugëve të kuqërremta të minierës! Dora Hënori, vajzë model, veshur me fustanet e gjata e të çara thellë e më thellë, Dora me minifund një pëllëmbë mbi gjunjë. Ylli i bukurisë! E paskësh lënë mendja Shkëlzen Bratin! Por djali nuk tërhiqej. Një ditë, duke përfituar nga mungesa e të tjerëve në sallë, e puthi, e puthi fort Dora Hënorin. Edhe vajza ia ktheu. Veç jo me të puthur, por e kafshoi, e kafshoi keqas, sa plaga mbi buzën e Shkëlzen Bratit zgjati e dhëmbi deri në prag të provimit të fundit. Pati nga ata që e këshilluan të hiqte dorë, se Hënori nuk ishte nuse për skërkat e Veriut.

            - A nuk e sheh? Ajo nuk do të mbyllet në minierë, jo, - këmbëngulte biondi.- Kufijtë do të shemben dhe unë do ta shpje matanë minierës, matanë minierës është Gjakova, ose e shpje edhe në Prishtinë. Do shemben kufijtë! – Mirëpo kjo thënie e tij, s’ishte thjesht profeci, s’ishte thjesht dëshirë, aq më pak ëndërr. Shkëlzen Brati, më pas, u përfshi në Luftën e Kosovës. Ishte anëtar i brigadës së famshme të Pashtrikut dhe ndër të parët që shkuli atë, gurin e mallkuar të kufirit, me gjasë piramidën, që pati ndarë prej gati një shekulli trojet shqiptare. E shkuli dhe bashkë me një skuadër, të vënë në radhë, e shurruan gurin e mallkuar tutje  në përrua.

            Kur mbaroi lufta, ai u kthye në minierë. Miniera ishte dhënë me koncesion, por vendi i tij si specialist ishte i pazëvendësueshëm. Mu për punë të minierës kishte ardhur në kryeqytet. Në një institut privat shqiptaro-gjerman bëheshin analiza tepër të sakta për pasuritë e asaj nëntoke. Instituti gjendej në hyrje të kryeqytetit. Një ndërtesë shumëkatëshe, e tëra me xham, ishte vepër e teknikës së fundit.

            Ndërsa po kundronte ndërtesën, i kapi syri një çift në dalje. Mashkulli, një burrë me trup mesatar, me kapele “republikë” që, ndonëse i ri në moshë, i shkonte për mrekulli. Jepte e merrte me një femër. I tërhoqi vëmendjen ajo. Iu duk e njohur, por kur e pa se femra tërë bezdi ktheu kokën mënjanë, nuk u ndje mirë, prandaj shpejtoi duke bërë edhe vetë atë veprim. Më pas, ajo hipi në një “BMV” të zezë, që e drejtonte po vetë. Disa metra me tutje, makina ndaloi. Prej saj zbriti femra që nisi t’i bëjë shenja, po ngaqë s’po kuptohej se kujt i drejtohej, thirri: 

            - Shkëlzen, Shkëlzen Brati!

            Ai nuk ishte gabuar, nuk ishte gabuar që në çastin e parë. Ishte ajo, ishte Dora Hënori.

            - Nuk më premton koha, - i tha me nxitim ajo, por do të takohemi, ti do të mbarosh punë me tim shoq... Ai, me të cilin po flisja, ai është burri im... ç’ ke? Është dhe pronari i parë i Institutit, do të mbarosh punë me të dhe... - ajo pa orën - të pres te kulla prapa sahatit në orën 17.00... Do vish, të pres! - Kaq tha dhe iku...

            Pas disa çastesh ai ishte në zyrën e burrit me kapele republikë. Ky i fundit e dëgjoi vetëm dy minuta. Urdhëroi sekretaren të merrte dosjen dhe iu drejtua Shkëlzenit:

            - Nëse s’do të jesh dakord me çmimin, mund të bisedojmë prapë, - i tha dhe u largua.

            - Uluni ju lutem! - i tha sekretarja.

            - Ulur jam, - ia ktheu me të qeshur ai.

            Sekretarja  u skuq, por, megjithatë, nuk po ia ndante sytë mashkullit që kishte përballë. Mbaroi punë shpejt dhe deri në orën që Dora i la takimin mund të drekonte dhe të pushonte në hotel.

            ... Në orën 17.00 ai u gjend i pari në vendin e takimit. Nuk vonoi shumë, mbërriti edhe ajo. Shpejt u vendos e mbizotëroi ngrohtësia për të biseduar. Kujtuan vitet që patën kaluar bashkë... vitet studentore, vite që flisnin shumë për të dy.

            - Dhe ty, Dora Hënori, të donin të gjithë.

            - Përfshi edhe ty, - qeshi ajo dhe, kur pa se atij i ra një përskuqje e beftë dhe flokët sikur iu theksuan më tepër, shpejtoi të rivërë gjendjen e fillimit. Përmendi pedagogun e frëngjishtes. Nëse do të ishte për anglisht, rrezik ta kisha pranuar. A e sheh Shkëlzen, anglishtja na hyn në punë, duke filluar nga këtu ku jemi, e deri, deri... në Kongresin Amerikan. Shaka e bukur! ... Ndregjoni ka hapur një pikë shërbimi automjetesh në dalje të Laçit ose të Kurbinit, siç ia kishte qejfi atij. Saimiri është emigrant në Kanada, ndërsa Pisha, Pisha s’duhet të jetë pishman. Sipas llogarisë që mund të bëhet, i bie t’i kem dhuruar mbi 500 puthje në vit...

            - Më vjen mirë që s’i ke harruar, më vjen mirë që i kujton...

            - Nuk mund t’i harroj, dhe do t’i kujtoj gjithmonë, ngase kurrë dhe asnjëherë për asnjë çast nuk i pata urryer. Shkëlzen, unë erdha te ju, pasi kisha fituar një garë, kisha fituar një konkurs. Ndoshta sedra e fitimtares më përkëdhelte disi, po unë, sinqerisht, edhe sot e gjithë ditën udhëhiqem prej një ndjenje të tillë.

            - Po burrin, me burrin që je lidhur.. – atij iu shfaq burri me republikë, - sikur nuk vura ndonjë ndryshim midis tij dhe...

            - Nuk kam kërkuar bukurinë... normal dhe kaq.

            - Atëherë paratë, - i tha Shkëlzeni, - paratë, pasuria e tij.

            - Para jetës sime nuk vlejnë paratë e tij, para qejfeve të mia dhe dëshirave të mia nuk kanë asnjë vlerë. Ah po, të kuptohemi, kur ato cenojnë jetën time...

            - Fitoret e tua, - e ndërpreu me kast Shkëlzeni.

            - Këtij po, këtij i them urim! – u entuziazmua ajo. Zgjati fytyrën drejt tij, i ngatërroi gishtat e vet nëpër flokët biond të Shkëlzenit dhe i dhuroi një puthje të lehtë në buzë, pikërisht aty ku dikur i pati dhuruar kafshimin. Ndërkaq, u ngrit, nxori prej çantës së vet një zarf dhe iu drejtua atij:

            - Merre dhe hape...

  U bë gati të ikte por ndërroi mendje. Diçka po donte të thoshte. Diçka që shpejt ia gjeti fillin:

-Shkëlzen, më beso, një merak më ka ndjekur prej shumë kohësh. Nuk do të doja që qoftë ti, qoftë dhe ndonjëri prej miqve tanë të përbashkët, të më urrente. Këtë nuk do ta duroja dot.

  Shkëlzeni tërhoqi me ngadalë dorën e zgjatur dhe foli:

-Unë për vete, ende vazhdoj të jem në mëdyshje.. të të urrej apo të të dua! Dora, bëj shaka... po flasim për një histori të mbyllur... veç, veç, sinqerisht as mua, as të tjerëve kurrë nuk u the diçka, nuk u the një arsye, sado të thjeshtë, qoftë edhe për të kaluar radhën, që të justifikoje refuzimin tënd, mospranimin...

-Kjo është e vërtetë,-pohoi ajo.

-Siç është e vërtetë edhe frika jote se, po t’i kishe pranuar dikujt prej nesh, do të humbiste kurora, nuk do të ishe fitimtar, siç ta ka qejfi.

-Histori e mbyllur,- preferoi të përsëriste mendimin e Shkëlzenit të shprehur pak më parë,- Histori e mbyllur... Zgjati kryet paksa, i dha një të puthur të lehtë në faqen e djathtë dhe, teksa i tregoi me gisht zarfin mbi tavolinë, u largua.

  Shkëlzeni e përcolli me sy. Dora Hënori kishte mbetur po ajo; e bukur, krenare, madje edhe me atë ecjen e mirënjohur që, herë të ftonte t’i rrije në krah, herë të mos guxoje t’i afroheshe. Kur dera u mbyll pas saj, Shkëlzeni ndjeu ftoht. Nuk mund të rrinte për asnjë çast aty. U ngrit. E mbërtheu një dëshirë drithëruese të hapte sa më parë zarfin. Nuk donte ta kryente atë veprim aty. Nxitoi. Me t’u gjendur në bulevardin poshtë lokalit, me duart që ende i dridheshin, zuri të merrej me zarfin. S’e kishte idenë, madje as që mund të kishte një ide për çka mbante zarfi! E hapi...në të kishte një fotografi befasuese. Dora Hënori veshur me të bardha, krejt me të bardha, mbi flokë mbante një kurorë, që s’kishte kurrëfarë ngjashmërie me ato të rëndomtat, por i ngjante kurorës së mbretëreshës. Kishte hipur mbi një kolltuk- fron të lartë dhe aty, poshtë këmbëve ishte ai, burri i saj, burri me republikë që me duar ngritur përpjetë, dukej sikur i falej zotit.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx