E diele, 28.04.2024, 09:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Xani: Ditari Javor

E diele, 09.11.2008, 08:46 PM


Halil Xani

 

Ditari Javor

 

E hënë, 3 nëntor 2008

 

Në mëngjes kam shkuar në Skenderaj. Pak para orës tetë isha te ordinanca e stomatologut. Në derë shkruante se punon nga ora tetë, por nuk erdhi deri pas orës 9,00. Dr. Njaziu (Gruda) më kërkoi falje që u vonua pak. Unë ia ktheva: Jo, jo, ju  nuk jeni vonuar, por unë që vërtet kam ardhur në ora tetë, ama jam vonuar një vit me këtë dhëmbin e prishur. Ma ndreqi dhëmbin saora. Nuk ndjeva dhembje.

 

Titullit të një gazete “410 pacientë do të shërohen me radhë” ,  ia shtova: nëse kanë ymer deri t`u vije radha.

 

Në gazetën “Shekulli” , në internet, ishte edhe një shkrim për një luftë me sëpata në mes të axhës me djalë dhe nipit të tij, për një rrip kullose afër shtëpive ( diku në Shqipëri). Sa keq. Kjo ndodh ( në shek XXI) kur shteti nuk i zgjedh me kohë kontestet për pronat.

 

 

E martë, 4 nëntor 2008

 

Në ditën e sotme, më 1967, ka ndërruar jetë  babai im, ndjesë pastë, të cilin shumë e kam dashtë, por edhe më ka dashtë. Jo vetëm unë e kam dashur atë. Se vërtet ka qenë njeri i mirë dëshmon fakti se gjysma e fëmijëve të mëhallës i kanë thënë “babë” sikur edhe unë. Ai pa fije përtese u bënte fëmijëve ski, saja e lodra të tjera, ama tek ai: fëmijët e jepnin betimin se nuk do ta harronin mësimin”. Baba Ferat e donte shumë shkollën. Vet nuk kishte arritur të shkollohej, por këtë e donte për neve. Suksesi im në shkollë e gëzonte pa masë. Nuk kalonte ditë ( kur ishte në shtëpi) e të mos më pyeste a kam marrë ndonjë notë të mirë. Në ditën e sotme, para 41 vitesh, më kujtohet , ishte një mot i bukur sikur sot. I gjithë xhemati ( ishin shumë) hëngrën drekë, morën abdes dhe qëndruan në kopshtin tonë me pemë. Edhe një pjesë e madhe e të pames  qe kryer në ambient të hapur. Deri para luftës të tre djemtë ( ne vëllezërit) e kemi pasur nga një foto të babës, të cilën e patëm rritur e futur në kornizë, por  lufta na i mori edhe ato fotografi. Kështu, tash pamjen e babës e ruaj vetëm në kujtesën time.

 

Librin e dytë me poezi për fëmijë e kam titulluar:“Unë e babi mjeshtër”, në shenjë kujtimi për të. Jam krenar që e kisha një baba të tillë,   dhe gëzohem shumë kur dëgjoj të flasin mirë për të, njerëz që e kanë njohur.

 

Ai për aq sa kishte mundësi nuk kthente kë prapa pa  e ndihmuar kur kërkonte para a ndonjë gjë prej tij.

 

Nga lajmet (ngjarjet e ditës) veçova: Në RTK pashë pamje nga rrënimi i një objekti bukur të madh në një fshat të Prishtinës, ku nuk është zonë e urbanizuar. Zyrtari i Prishtinës tha se do të urbanizohet ( ndoshta) më vonë edhe kjo pjesë. TV jepte pamje të ndërtesave shumëkatëshe në Prishtinë të ndërtuara  me leje të Bajram Begut, por të cilat nuk guxojnë t`i rrënojnë. Kësaj i thonë “Kur s`ke çka i bën kalit,i sjell samarit”.

 

Lajmi më i ri: U arrit pajtimi që qytetarit Ali Kadriu, në anën tjetër të lumit Ibër t`i lejohet vetëm ta pastrojë shtëpinë e vet, se ta riparojë po u hidhëruakan serbët. Deri kur edhe ndërkombëtarët me dy kute? Bëjnë çmos që serbët të mos i trazojë askush, kudo që jetojnë në Kosovë, ndërsa shqiptari matanë urës nuk guxon ta riparojë shtëpinë, por vetëm mund ta pastrojë. Hajde drejtësi hajde!

 

Sapo mendova se e përfundova këtë fletë ditari, më duhet të shtoj edhe këtë se po të komentohen lajmet nga Kosova, duhet të shkruhen edhe shumë faqe të tjera. Ja edhe disa tituj: U arrestuan disa mjekë për transplantime ilegale të organeve në Prishtinë.

 

Kërkohet kryetari i Komunës së Kaçanikut i dyshuar për rrëmbim dhe detyrim. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij policia kishte gjetur shumë armë dhe municion.

 

Ai është arratisur, (thuhet)  jashtë vendit.

 

Mbahen zgjedhjet në SHBA. Ka gjasa të mëdha  Obama të zgjidhet kryetar.

 

 

E mërkurë, 5 nëntor 2008

 

Gjumi më doli më herët se zakonisht. Me kufje dëgjova radion në aparatin telefonik. Radio Kosova kishte pasur program special lidhur me zgjedhjet në SHBA. Përcillej atmosfera e fitores se Obamas,  kryetar  i SHBA-ve. Atmosfera paszgjedhore duhet t`ju shërbejë shembull gjithë botës demokratike, e sidomos neve shqiptarëve. Mc Kein tha se Obaman deri dje e kisha kundërshtar, sot ai është edhe kryetari im.

 

Edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar punimet në rrugën e re, mu para shtëpive tona. Çudi me njerëzit tanë. Gjatë tërë ditës afroheshin afër makinave dhe më tepër pengonin sesa ofronin ndonjë ndihmë. Kisha frikë se mos ndonjërin po e shtypë ndonjë makinë. Sa shumë jemi të prirur për biseda, polemika nevojë e pa nevojë. Një palë kërkojnë të zhvendoset një urë, pala tjetër ngul këmbë vetëm aty ku është, se aty e kanë “rahatu” kanalizimin e shtëpive të veta.

 

Edhe më tej mbretëron mot i thatë. Fermerët drojnë se fara e hedhur e grurit në ara mund të prishet. Shumë bashkëfshatarë po ankohen se uji në bunaret e tyre është pakësuar në minimum. Një fqi ankohej se gratë nuk po ia kursejnë ujin. Ka të drejtë.

 

Eh, si kanë ndërruar kohërat. Një djalë vjen ( në dyqanin tim) e më thotë: Mos i jep cigare veresi babës. E unë e njoh babën e tij. Ai punon më tepër se i biri. Prej nga kjo frikë nga i biri? Pak më vonë erdhi ai baba e më tha, më jep veresi, por mos i trego djalit, këtë borxh ta paguaj vet.

 

 

E enjte, 6 nëntor 2008

 

Paradite isha në Skenderaj. Brenda një ore mbarova punë e u ktheva në shtëpi.

 

Dita e sotme e njëjtë me ditët e kaluara. Thatësi. Punohet në rrugën e re. Pluhur sa të duash. Njerëzit kureshtarë shikojnë makinat, sikundër edhe fëmijët. Në mbrëmje kam shfletuar disa gazeta në internet.

 

Në orët e vona përcolla një pjesë të punës së Parlamentit të Kosovës, në RTK. Është thënë sa e sa herë se në këtë Parlament ka deputetë heshtakë, gjumashë e të pandërgjegjshëm, të cilët kurrë nuk flasin, vetëm mëditjet i marrin. Nga fjala e një deputeti gjëmoi salla nga gazi, (qeshja e deputetëve). Ky qe e mori fjalën pastaj tha: -Nuk është mirë të buzëqeshni, ( të buzëqeshni, tha deputeti) se tema në shqyrtim është serioze.

 

Mbledhjen e kryesonte z. Sabri Hamiti, i cili femrave që nxitonin të diskutonin lidhur me ligjin për abortin, iu tha:

 

-Gra, priteni nenin!

 

 

E premte,7 nëntor 2008

 

Sot ishte mot i thatë, i freskët dhe me erë të lehtë.

 

Në mbrëmje kam qenë në ditëlindjen e katërt të  Norit (Arbnorit djalit të hasretit të mikut tim). Kishte shumë njerëz të ftuar. Gjatë kohës sa ndejtëm, Kemajl Shaqiri me të birin kënduan disa këngë folklorike. Nori ulur këmbëkryq, përpiqej t`i  imitonte këngëtarët me çiftelinë e vogël të cilën ia kishte sjellë daja për ditëlindje. Mendova me vete, sa mirë që daja i ka sjellë çifteli e jo ndonjë armë plastike. Ka kaluar koha e armëve.

 

Nga lajmet: Edhe sot bëhet e ditur se janë arrestuar gjykatës e njerëz të tjerë për korrupsion. Më habiti edhe arrestimi i z. Ilir Rreci i dyshuar se ka dhënë liqencën për transplantime, qendrës private medicinale”Medikus” Ky djalosh që rrjedh nga një familje e edukuar më është dukur djalë i pjekur. Është ndonjë gabim, apo Iliri ka rënë pre e kajtës, kjo do të verifikohet më vonë. Është për t`u çuditur se si njerëzit posa shkojnë me ndonjë punë në Prishtinë, duan që brenda natës të pasurohen . Shumë prej tyre edhe ia kanë arritur, por se a do t`ju shkojë kungulli mbi ujë, (ishalla jo) kjo varet prej EULEX-it.

 

 

E shtunë, 8 nëntor 2008

 

Një ditë e zakonshme e fundjavës. Mot i freskët, i vranët, pa të reshura.

 

Rruga e re po ndërtohet me ritëm të shpejtuar, por a do ta ndërtojmë ne vetëdijen tonë, kjo është çështje tjetër. Edhe derisa punohet, njerëzit pa fije turpi hedhin bërllokun skaj rrugës së re. Një plak, i cili shkon në xhuma, heq thasët e thatë të letrës nga oborri i vet e i hedh afër shtëpisë së fqiut, në stom të rrugës së re. Keq. Kjo më brengos. Kjo pjesë e Drenicës nuk mban mend ndonjë vizitë të përfaqësuesve të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

Për kontejner askush nuk çan kokën.

 

Një plak i lagjes sime ( mund të jetë njeriu më i vjetër i fshatit), ka djalë, ka nipër e stërnipër. Ai edhe gjatë këtyre ditëve me temperaturë 5-6 gradë celzius , ruan bagëtinë në fushë. Ky ishte frymëzim për vargjet që shkrova:

 

 

Dikur fëmijët me ëndje ruanin bagëtinë fushës

 

Tash pleqve ua lanë në dorë këmbët e arushës

 

Mos thoni pleq vaj halli ku- ku çka na gjeti

 

Tash është tjetër kohë, është epokë interneti.

 

 

Se të bijtë ua kanë marrë kuletën ( edhe ashtu të hollë) baballarëve po bindem çdo ditë e më shumë. Sot një “baba” më luti t`i jap diçka veresi, ngase siç tha ai, nuk e kishte të birin në shtëpi. Seç mu kujtua një anekdotë që thotë:

 

Një plaku ia kishin pas marrë djemtë kuletën për së gjalli. Ai e kishte marrë një letër e kishte shkruar, e kishte futur në një bri kau dhe e kishte futur në dhe afër një peme. Para se të vdiste i thërret djemtë dhe u thotë. Unë po vdes. Afër dardhës në filan arën ua kam lënë një thesar.

 

Pas vdekjes së plakut, djemtë groposën afër dardhës, e gjetën bririn e në të një letër në të cilën plaku kishte shkruar:

 

Kush ua lë zotshpillakun djemve, ky bri i hiftë prapa.

 

 

E diel, 9 nëntor 2008

 

Në vendet e përparuara sot (dhe  në çdo fundjavë) pushohet. Njerëzit dalin shëtisin, argëtohen dhe nisin pastaj prapë punën në javën e re. Për ne të gjitha ditët ( pothuaj) janë njësoj. Në gjithë lagjen time, me nja 20 familje, me nja 30 burra, vetëm një mashkull është në punë. Të tjerët, shumica merren me ndonjë punë rreth shtëpisë, bujqësisë, ndërtimtarisë…

 

Mbase përjashtim bën dita e hënë, dita e tregut në Skenderaj, kur nëpër shtëpi ngelin pothuaj vetëm gratë dhe fëmijët që nuk janë në shkollë.

 

-Edhe sot pnunoni,- e pyeta një punëtor të kompanisë “Bejta Comerce”.

 

-Po,- tha, dhe si me shaka shtoi se për punëtorët e punësuar tek padronët kosovarë dhe për frigoriferët nuk ka pushim as të dielave.

 

Flitet se nëpër mediat tona ( publike e private) janë punësuar edhe njerëz të padijshëm, të pashkollë, por që kanë shpinë të fortë. Kjo mund të vërtetohet çdo ditë kur i dëgjon apo i lexon këto media.

 

Sonte në emisionin e Radio Kosovës “Me rapsodët tanë” ,  në orën 18.30 minuta, kënga e parë ishte për hakmarrjen.

 

Syzheu i shkurtër i  këngës:

 

Hasimes ia vrasin vëllezërit. Ajo vendos të martohet me atë që ia merr hakun. Pas tri vjet martese, burri nuk ia mori hakun, por kish ftuar  pleçnarë për pajtim me hasmin. Hasimja, merr “alltinë” shkon të shtëpinë e hasmit. E pyet një plakë ku janë burrat. Ajo i thotë se janë në lamë. “Trimëresha” kërcen gardhin dhe i vret dy burra.

 

Këngët e tilla duhet të  hidhen në “Dhoma pa kthim” (një emision) në RTK-së, apo të palosen në ndonjë qoshe të Institutit të Albanologjisë, a të Historisë.

 

Ç`koinçidencë. Në lajmet e orës 19.00, sonte KTV solli momente shumë prekëse nga pajtimi i dy familjeve në komunën e Kaçanikut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora