E shtune, 27.04.2024, 12:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Shpirtrat e ëmbël nuk i duan në parajsë...

E premte, 14.11.2008, 08:04 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

 

Shpirtrat e ëmbël nuk i duan në parajsë...

 

" Vergini prudenti, preparate le vostre lampade : Ecco viene lo Sposo, andategli incontro."

 

" Të martoj me Jezu Krishtin...",- zëri i peshkopit kumbonte në katedralen e qytetit.

 

" Martohem me ty Jezu Krisht..." - zëri ishte i pastër, kumbues, bindës dhe i ëmbël njëkohësisht. Mallëngjyese, lutja dhe premtimi,besimi dhe përkushtimi.Feminiliteti i zërit dhe betimi i virgjërisë ,tek unaza i kalonte në gisht dhe kurora e gjëmbëzuar ulej mbi kokën e saj me vel të kaltër që nxirrte më në pah bardhësinë verbuese të rrobës që e mbulonte. Tek qëndronin të gjunjëzuara , shtatë vajza , më e reja njëzetedy vjeçe dhe më e moshuara tridhjetë, bënë të djelën e fundit të tetorit , betimin e martesës së përjetëshme me Jezu Krishtin , duke u kurorëzuar nuset e tij, shtatë murgesha të klauzurës...

 

Lajmin e kurorëzimit të shtatë murgeshave të klauzurës, e kisha marrë vesh rastësisht, e meqë Katedralja është afër, shumë afër shtëpisë ku banoj, vendosa të mos mungoj...dhe nuk u pendova. Ceremonia ishte e bukur dhe solemne, nën tingujt e organos e zërave femërore të korit e të vajzave nuse të Krishtit, dukej ireale... magjike... ikonat në mure, engjëjt dhe shenjtët që dukeshinn sikur nga çasti në çast do të shkëputeshin nga tablotë e mureve e do të fluturonin në sallë... Kush thotë se nuk ka magji në kisha , një ritual i tillë e ndjehesh i gjendur pezull midis botës së dukshme e të padukshme...virgjëresha që martohen me njeriun e kryqezuar gati dymijë vjet më parë...Jesu Krishtin...Virgjëresha që ja kushtojnë jetën lutjeve e veprave në të mirë të njerëzisë...Amen!

 

Iki, nuk rri deri në fund të ceremonisë. Jo se nuk më pëlqeu, por ndryshe nga ato motra që kishin të siguruar të ngrënët , të pirit e të fjeturit, mua... m'i sigurojnë vetëm shpatullat e mia... duhej të shkoja në punë...E padashur...jo, mendimin e largova me nxitim , preferoj shpatullat e mia. Por ato vajza të ëmbla e të pastra...a do të rezistojnë dot, të mbeten të mira e të pastra , t'i shërbejnë vërtetë njerëzisë ? Shembullin e kam para syve, Nënë Terezën. Po sa Nënë Tereza ka pasur historia. Shtrydh trurin por nuk më vjen ndër mend asnjë tjetër, të ketë mbi supe madhështinë e veprave të saj , ndoshta edhe sepse më mungojnë njohuritë. Apo ndoshta sepse Nënë Tereza kur bëri betimin,i dha dhe besën Perendisë , e besa...besa është diçka që shkon tej betimit e dashurisë. Do të jenë vallë , të dhimbshme e të ëmbla edhe në të ardhmen , apo me kalimin e kohës ajo jetë e ashpër dhe e mbyllur brenda mureve , në pritje të dhëndërrit , ai shndërrim i hormoneve në helme, ai ligështim i trupit do t'u sjellë edhe ligështimin e shpirtit...?

 

Eshtë më se e justifikueshme, të them se nuk i kam njohur murgeshat, nuk kisha se si,tek ne , të paktën që në moshën që kam filluar të mbaj mend. Nuk më kish qëlluar të shihja. Ato , ishin për mua , personazhe librash e filmash. Për herë të parë i pashë këtu në Itali, rrugës tek kalonin , e mendja ime u vishte velin e misterit.E para më qëlloi në azilin e parë ku fillova punë me rregulla,e të them të drejtën,nuk më la aspak përshtypje të mirë. Mund të ishte e mirë, kush dreqin e merr vesh, unë vetëm dy fjalë ndërroja me të, por mua m'i ngrinte nervat. Se ku e gjente atë orar që vinte, tamam kur unë laja korridorin, e nuk pyeste se ishte tharë apo jo, por kalonte serbes edhe pse unë i pata tërhequr vëmëndjen.Me shikonte me sy pa shprehje ,kur e shihja në sy, e më thosh me një buzëqeshje të shtirë , se kisha të drejtë, e pastaj vazhdonte .Ndërrova taktikë , duke buzëqeshur i thashë se e dija se edhe atyre jua këputnin kurrizin në punë, kaq gjë e dija,diku e kisha lexuar, e ajo më buzëqeshi ëmbël. Unë i ktheva krahët e ika, të paktën i thashë ç'kisha për t'i thënë, sepse thonë se duhet të jemi të përulura në shpirt, por a ka përulje më të madhe se sa të respektosh djersën e punën e tjetrit ? Nuk e di pse e ktheva kokën dhe e kapa gafil tek po më shikonte na pas, buzëqeshja engjëllore ishte zhdukur e shikimi i saj... është pak të them se ishte i keq. Kjo i vuri vulën të gjithave dyshimeve të mia, është shpirtkeqe, thashë me vete, nuk ja vlen që të merrem me të. Aq më bëhej se dyshemeja do të mbante gjurmët e saj . Më mirë gjurmët , se atë buzëqeshje hipokrite . Pastaj ,se mos bënte ndonjë gjë të mirë kur vinte atje , ajo shërbyese e Zotit dhe e njerëzimit. Shumë shumë u shpërndante nga dy e tre karamele pleqve ,shoqëruar me atë buzëqeshje të karamelosur , dhe ikte. As edhe një fjalë ngushëlluese e lehtësuese për ato dhëmbje trupi e shpirti të pleqërisë, asnjë, vetëm buzëqeshje hipokrite dhe një shenjë kryqi.Dhe pleqtë që tanimë e njihnin , i merrnin ato karamele me makutërinë e pleqërisë,i kërkonin edhe më shumë, e kur ajo ikte i hidhnin në kosh.

 

Por mua, përveç bezdisë se më prishte punën, më bëri një favor të madh. Padashur më mësoi se si duhej të veproja për të kuptuar njerëzit. Ishte fare e thjeshtë. Nuk gabohesha më, mësova t'i përgjigjesha buzëqeshjes me buzëqeshje, fjalëve të pëlqyera a jo ,me fjalë të mira.E pastaj, sapo ndahesha, bëja disa hapa, e ktheja kokën . Shprehja e fytyrës që kap, kur u ke kthyer krahët e të shohin nga pas ,është pasqyrë e shpirtit dhe e mendimit. Atë moment ajo fytyrë është në lidhje direkte me personin tënd , pa filtrin e maskave ,nuk ruhet se është i sigurtë që nuk e sheh, e derdh në të mirësinë, ligësine,simpatinë apo antipatinë

 

...

 

Por kjo nuk do të thoshte se të gjitha murgeshat janë kështu, e tillë qëlloi e para që njoha. Kur kalova në një vend tjetër pune, gjeta dy murgesha , vajza të reja indiane . Të them se ishin engjëj, është pak . Punova gati një vit me to , derisa i thirrën e shkuan në Indi. Nuk do t'i harroj ato vajza të bekuara. Punonin më shumë se ne që ishim me rrogë , kishin një durim të pakufishëm , ishin të sjellshme e të ëmbla. Dhe është e drejtë që duhet të jetë kështu. Të parën e harrova , nuk e meritonte atë emër, dy të tjerat i doja dhe i respektoja, e bashkë me to, fillova të respektoj figurën e murgeshës . Kur ikën, na erdhi keq të gjithave, mblodhëm disa para t'ua jipnim me vete, por edhe ato nuk ua dhanë, ja dërguan urdhërit të tyre...

 

Do të kisha ngelur aty, murgesha tek ne vinë pothuaj sa herë që bëjnë meshën e të shtunës, por nuk ngatërrohen me ne. Mbaron mesha e largohen me priftin, e unë duke kujtuar dy murgeshat e mira nuk i shoh me sy të keq.Më buzëqeshin , e u buzëqesh. As nuk e kthej kokën, nuk më intereson se ç'mendojnë e ndjejnë për mua. Janë murgesha dhe aq.

 

-Eh, jeta, jeta...është e hidhur jeta ,- psherëtinte një i moshuar , i sapo ardhur në këtë banesë që i paraprin asaj të fundit. Ke të drejtë, thashë me vete,ke punuar një jetë të tërë, ke bërë e rritur fëmijë, ndoshta edhe një shtëpi të bukur që tani do t'a gëzojnë ata, e ti me qera këtu derisa... fundja me qera jemi në këtë botë, vetëm se pagesat nuk janë të rregullta e sistematike,por kur t'u bjerë shorti...e kur të bjen shorti e sheh se sa të lartë e ke qeranë , nuk gjen dot kut të masësh honet e dhimbjes...Por nuk ja thashë këto.

 

- Si te quajnë ? - i buzëqesha . Ai më pa njëherë mua e pastaj kolegen time që është vërtetë vajzë e bukur, mishërim i bukurisë mediterane, e nuk po ja ndante sytë.

 

- Ah, ato sy,ato sy, nuk mund t'i harroj ...- zëri i tij ishte i mekur. - Kam bërë mëkat, e çfarë mëkati , nuk mund të tregohet...

 

- Gjysh,- i tha kolegja ime duke buzëqeshur,- na e trego herë tjetër mëkatin, është ora për të zbritur në kopësht. Do të të shoqërojmë ne të dyja.

 

- Ah, ata sy, ata sy...- rënkoi sërish plaku, tërhoqi xhirelin e tij, u pështet në të e u ngrit në këmbë. Ne vështruam atë e pastaj njëra tjetrën në sy. Përpara ,në mes të këmbëve dukej sikur kish një shalqi të madh të fshehur ndën pantallona , mezi e linte të ecte. E shoqëruam në ashensor dhe e nxorrëm në kopësht sepse ishte ora e çajit.Pastaj shkuam tek infermierja dhe e pyetëm se çfarë kishte ai mysafiri i ri, sepse kështu quhen këtu banorët e azilit. Na tha se ishte një lloj sëmundje e organeve gjenitale. Më vonë mësuam se kish qenë i martuar e kish katër fëmijë, tre djem e një vajzë. Me vajzën për momentin nuk fliste e ne menduam se mëkati duhej të ishte grindja me të bijën. Por pas pak kohe , ajo erdhi dhe u pajtuan. Ndërsa ai çdo ditë rënkonte për mëkatin e tij që nuk mund të tregohej...

 

-Vajza , e mora vesh mëkatin e Pipos, - tha Lea tek hyri në dhomën ku bëjmë pushimin, e ndërkaq unë kisha mbaruar së ngrëni e kisha ndezur një cigare. Nuk lejohet vërtet, por fundja koleget nuk janë edhe aq të këqia, i durojnë duhanpirëset.

 

- Nuk e di për të tjerat, por mua nuk më çudit fakti që ti e more vesh e para - ja pat kolegja që ish ulur pranë meje, së cilës nuk i është aspak simpatike Lea. Fundja gjërat shkojnë kështu ngado në një kolektiv , simpatitë e antipatitë janë nga më të çuditëshmet . Por Lea për momentin, gëzon më shumë antipati , por unë jam optimiste, simpatitë e antipatitë ndryshojnë vazhdimisht.Shikova me keqardhje fytyrën e saj që u ngrys një çast, e sytë e saj të kaltër që e humbën shkëlqimin.

 

- Si të doni, nuk jua tregoj,- ja preu shkurt ajo e doli . Me siguri do të merrte diçka për të ngrënë tek makineta e do të hante në kopësht.

 

- Përse i fole ashtu ? - ju drejtova koleges ,-nuk ka lezet...

 

- Shiko se kush flet ?- m'a ktheu me inat ajo,- a nuk të spiunoi tek kaposala javën e kaluar për akulloret ?

 

- Spiunoi ? Vërtet thua ? Unë kam mendimin se do të ketë qenë ndonjë tjetër .

 

- Përse, ç'farë ka ndodhur ?- u hodh një kolege tjetër.

 

- Shkuan e u dhanë akullore diabetikëve- tha e para.

 

- Unë u dhashë akullore diabetikëve. Lea kur i ra më të, më foli,më tha se kisha bërë gabim e se nuk donte t'a merrte fajin përsipër. Ishim në të njëjtin turn. Unë i thashë se e merrja unë fajin , sepse as që dua t'ja di për ato rregulla idiote , që një e moshuar që ka kaluar të nëntëdhjetat, t'i mohohet një akullore në jave sepse është me diabet.E shkreta, m'u lut si fëmijë, vetëm t'a shihje. Nuk ka për të vdekur për një akullore, por edhe ...sa dëm do t'i bëjë , sa do të rrojnë akoma. Edhe unë e di se më bën dëm duhani, sa herë që marr paketën shoh të shkruar aty "duhani të vret". Të gjithë duhanpirësit e dinë. E çfare , nuk duhet ta pij kur më pëlqen ? E fundja për çfarë, për t'i kursyer vetes dy apo tri vjet pleqërie?Jo , të falemnderit.

 

- Cfarë të tha kaposala ?

 

- Më pyeti se mos ndoshta kisha harruar se kush ishte diabetik , e në këtë rast duhej të isha më e kujdesëshme e të kontrolloja përditë listën e tyre. Unë i thashë se jo, se nuk i rezistova lutjeve të tyre , se do të më vriste ndërgjegja nëse ajo e moshuar do të vdiste nesër e unë të mos i kisha dhënë të hante atë që i pëlqente . Më qortoi rëndë , por nga ana tjetër dha urdhër që t'u japim një gjysmë akullore në javë .Ndërsa Lea, nuk e përjashtoi veten, tha se e kishim bërë të dyja, edhe se tani më mban pak inat se u bëra sebep që t'a qortonin.

 

- Bën kështu që të mbulojë fajin, është false...

 

- Ikim vajza se është ora e darkës - briti njëra pasi pa orën dhe ne u ngritëm të gjitha si me komandë e vrapuam shkallëve.

 

Kur hymë në sallën e ngrënies, Lea po lexonte lutjen e unë vura buzën në gaz .Më pëlqen ajo grua e imët, megjithëse i ka kaluar të pesëdhjetat, ka nje fytyrë e ëmbëlsi fëmije. Mënyra se si e bën kryqin, tregon një dorë të stërvitur, asnjë aty brenda nuk e bën me aq hijeshi.Pasi mbaroi lutjen e bëri kryqin, e vendosi fletën e lutjes mbi tryezë e u largua nga fundi i sallës. E ndoqa me sy ecjen e saj të druajtur, edhe atë e ka si të një fëmije të urtë . Mendova se pak vetë e donin aty e më erdhi keq. Shumë e sulmonin, sidomos ato që mbaheshin për karaker të fortë e i kishin batutat në majë të gjuhës. Kishte pjesen e vet edhe zilia, ishte e zonja në punë dhe e papërtueshme, po kështu jemi pothuaj të gjitha. Jo, ishte diçka tjetër, korrektesa që binte ndesh me natyrën e ëmbël e të butë.Ndoshta po të ish pak më e ngathët, apo harraqe, hutaqe, do t'i ishin falur të gjitha. Do t'a quanin budallaqe e do t'ja falnin atë ëmbëlsi të kaltër të syve të saj dhe sjelljen e hijshme e të fisme. Eshtë hipokrite, false, deklaronin ato që dinë t'i thonë hapur e pa ngurruar gjërat . Eshtë nga ato gra shtëpi- kishë , e këtu kishin parasysh ato mëkataret shpirtkeqe që mëkatonin gjithë javën e pastaj shkonin e i lanin gjynahet në kishë. Ja kishin thënë në sy që nuk e donin dhe nuk u pëlqente . E Lea vazhdonte të mbetej ajo që ishte, e dashur me të moshuarit, korrekte në punë ku mundoheshin t'i gjenin njëmijë yçkla , e disa herë e kishin spiunuar tek kaposala. Isha e sigurtë se edhe për akulloret kishim përfunduar aty se ishte Lea në mes.Qëndrova në një tryezë pranë saj e kërkoja shikimin e saj. Kur e hasa pashë se nuk më mbante mëri.

 

- Do të m'a tregosh mëkatin e Pepes ?

 

-Kur ishte i ri ,ka shkuar me një murgeshë ,- më tha Lea dy ditë më vonë, kur qëlluam në të njëjtin turn .

 

- Murgeshë ! ?

 

- Pse, si të duken murgeshat ty ?

 

- Mua ? Murgeshat ?Nuk e di, ti duhet t'i njohësh më mirë.

 

-I njoh mirë, prandaj nuk dua t'i shoh me sy e i besoj Pepes.

 

- Të m'i thosh ndonjë tjetër këto ...po ti...- desha të shtoja ,ti që lexon përherë lutjen e bën kryqin në atë mënyrë, - mendova se ishe besimtare – përfundova unë.

 

 

-Vonë jam bërë besimtare. Im bir bëri një aksident të rëndë para disa vitesh e qëndroi tri javë në koma. Atëhere fillova t'i lutesha Zotit, ditë e natë,siç nuk i isha lutur ndonjëherë në jetën time, ju luta, ju përgjërova, e kur mjekët e kishin hequr shpresën, im bir u kthye në jetë.E atëherë i mora edhe më shumë inat murgeshat, ishin ato që m'a kishin larguar Zotin nga zemra,e nuk ua fal këtë.

 

- Më fal , nuk po të ndjek dot .

 

- Eshtë histori e gjatë , do të mundohem të t'a tregoj sa më shkurt që të mundem.

 

-Im atë na braktisi për një grua tjetër. Mori të gjitha paratë që kish, e ishte në gjendje. La nënën time në varfëri me tri vajza , më e vogla isha unë. Isha tre vjeç e motra e madhe gjashtë e në mes kishim një motër tjetër.Që të mos vdisnim urie, nëna filloi punë e na futi ne kolegj. Nuk ishte kolegj, ishte pjesë e jetimores së fshatit e nënës sime i merrnin pothuaj të gjitha paratë që fitonte. Jetimorja ishte ndërtuar nën kujdesin e kishës, kështu ramë në duart e murgeshave. Kujtimet e jetës sime fillojnë aty, mes të bërtiturave e thuprave të tyre.Motra e madhe mundohej të më rrinte pranë e nganjëherë më përkëdhelte e mundohej të zinte vendin e nënës. Kur e mendoj, ishte edhe vetë fëmijë.Nuk e lejonin të kujdesej për mua, as të më bënte ndonjë ledhe të vogël. Për një puthje në faqe na dënonin, na rrihnin, dashuria për to fillonte e mbaronte veç në këtë fjalë, asnjë xhest nuk lejohej. Ishin vitet e vështira të pasluftës,ushqimi ishte i keq, ndërsa ato n'a thonin se ne kishim gjetur parajsën aty. Për mëngjes na jipnin qumësht , nga ai pluhur që mua nuk më pëlqente dhe e pija me zor. Kur nuk ndjehesha mirë, nuk mundja as t'a gëlltisja, më vinte për të vjellë. Më linin të gozhduar aty në tavolinë nga mëngjesi deri sa t'a mbaroja, e nëse nuk e mbaroja deri në drekë nuk më jepnin për të ngrënë gjithë ditën. Nganjëherë , motra e madhe, e pinte tinëz edhe racionin tim, por kur na pikasnin , na ndëshkonin. Ishin ca lavamanë çimentoje,me perde. Na fusnin aty poshtë, secilën poshtë njërit lavaman e na linin tërë ditën. Unë isha e vogël e më nxinte, nuk kisha nevojë të përkulesha shumë, por mtra ime që ishte më e madhe se unë me trup e duhej të rrinte me shpinë të thyer ... Natën , na vinin të flinim larg njëra tjetrës të tria motrat, njërën në fillim të kapanonit, tjetrën në mes dhe mua në fund . Kur më vinte për të dalë në banjë natën , nuk linin asnjeri të më shoqëronte, duhej të ikja vetëm, e banja ishte jashtë. Kisha frikë aq frikë sa... nganjëhere nga frika më shpëtonte ujët e hollë aty, në dyshek.Hera e fundit që më ndodhi , isha pesë vjeç , ndaj e mbaj mend mirë. Të nesërmen e kësaj, ndëshkimi ishte të të vinin në mes të oborrit më këmbë , e dyshekun t'a vinin mbi kokë e të linin aty deri sa të thahej.Mirë që dyshekët ishin të hollë , se të ishin si këto të sotshmit...Por ajo që më tmerronte më shumë ishin njerëzit e vdekur e varrimet.Kur vdiste dikush ne fshat, neve na vishnin me nje lloj pelerine e na vinin nga një si tip berrete e na çonin të shoqëronim të vdekurit nga kisha në varreza e të asistonim edhe në varrim duke u lutur.Netë të tëra nuk flija pas kësaj...

 

-Sa kohë ndenje në kolegj ?- ndërhyra më shumë për t'a shkëputur nga ato kujtime të shëmtuara, më bënin keq edhe mua që i dëgjoja.

 

- Isha gati tetë vjeç. Nëna kish njohur një burrë me të cilin u martua .Na mori menjëherë në shtëpi të triave pas martesës. Ka qenë ai babai im, e kam dashur siç mund të duhet një baba dhe na deshi sikur të ishim bijat e tij. Më vonë u lindi dhe një vajzë tjetër , e kështu u bëmë katër motra.

 

-Po ...desha të them babain tënd,atë natyral , a u bë i gjallë ?

 

Jo, nuk deshi t'ja dijë për ne. Shkova unë dhe e kërkova.Motrat nuk deshën, as nuk kanë dashur kurrë t'ja dinë për të. E kërkova, fshehurazi nënës e babait tim të zemrës , për të mos i lënduar.Isha martuar e isha shtatzënë me djalin e parë. Doja t'a shihja atë që kish qenë im atë, kuriozitet mbase, të paktën këtë emër i vura.E gjeta adresën e tij, kish bërë dy djem, të cilët nuk deshën të më linin t'a shihja po të mos u lëshoja një deklaratë se nuk do të pretendoja pjesë nga pasuria e babait. Kish qenë në gjendje , kish punuar shumë e kishte vënë diçka. E lëshova atë deklaratë, nuk doja para nga ai njeri që më kish munguar në rolin që i takonte. Hyra në shtëpinë e tij vilë, duke përmbajtur mllefin që më ishte mbledhur në vite,e kuptova se ai më kish sjellë aty, doja t'ja shprazja e të ikja. E gjeta të gozhduar mbi një karrike me rrota. Ndrysha nga ç'e kisha parashikuar, takimi ishte shumë prekës, edhe sot mbushem me mornica kur e kujtoj. Mllefi ... ishte zhdukur . E desha e më deshi atë orë që isha aty, qamë të dy, ndenjëm të përqafuar...nuk ngopesha me erën e tij...Pastaj më përcollën, e shoqja e dy djemtë. Më thanë të mos shkelja më aty, nuk isha e mirëpritur... Thashë me vete se nuk do t'a lija me kaq, do të kthehesha , qoftë edhe për inat të tyre, por pastaj linda djalin e u qetësova. Kisha familjen time, motrat ishin martuar gjithashtu e ishin bërë me fëmijë,ndërsa prindërit e mij me kohë u plakën dhe u sëmurën. Nëna iku e para , pastaj babai.Tek jepte frymë në duart e mia, mendova se më kishte dhënë aq shumë dashuri prindërore, sa nuk ja vlente as të mendoja tjetrin.E nuk shkova, më dërguan një telegram kur vdiq ,pas varrimit e aq.

 

Dhe aq, mendova unë tek e shihja Lean tek fshinte lotët me druajtje.Tani e kisha të qartë përse e bënte hijshëm atë kryq, atë rregullsi e përpikmëri në çdo gjë që bënte, ashtu siç e kisha të qartë edhe atë mënyrë të druajturi të ecuri e të shikuari. Lea nuk ishte false,përkundrazi . Përse është kaq e vështirë të pranohen në jetën reale këta njerëz me shpirt kaq të mire e të ëmbël, apo sepse shikojmë kontrast , jeta herë herë na bën të egr e brutalë ,të paktën në shpirt a në mendim e nuk mund të pranojmë shpirtra që mbeten të ëmbël edhe kur rriten në mes të keqtrajtimit e brutalitetit...I shohim si mishërim të dobësisë e gabohemi...a ka më të fortë se to...Jo, është vrazhdësia ,brutaliteti, ai që maskon shpirtra të dobët...

 

Lexoi sërish lutjen atë mbrëmje e unë pashë vajzën e vogël me kaçurrela të verdhë e sy të kaltër tek mbante mbi kokë dyshekun e urinuar, vajzën që rrinte kërrusur ndën lavamanin e çimentos për orë të tëra, vajzën që ju skuqnin pulpat e këmbëve nga thuprat frushullitëse sepse guxonte të puthte të motrën , atë grua të re shtatzënë që kish ndenjur vetëm një orë për t'u çmallur e ndarë me babain që e kish braktisur, e bijën e dashur që i mbyllte sytë atij që kish zënë vendin e babait , atë engjëll të vogël e të tmerruar në krye te kortezhit mortor të të panjohurve...Lea përfundoi së bëri kryqin duke afruar gishtat tek buzët...Shpirt i ëmbël fëmije, kishin dashur t'ja përshtasnin "parajsës" tokësore të murgeshave të jetimores, kish refuzuar dhe nuk e kishin dashur.

 

Tani ndoshta besonte në parajsën qiellore,dhe e meriton, por a ka vend atje për shpirtra rrebelë e të ëmbël... ose parajsa duhet të jetë shumë e vogël ,vetëm për ta ... ose....nuk e di se ku mund të shkojnë. Nëse parajsa është e murgeshave të tilla , shpirtra të tillë nuk i don as parajsa...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora