Kulturë
Hajri Mandri: Halil Rama dekorohet me titullin ''Mjeshtër i Madh''
E marte, 22.09.2020, 08:00 PM
Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerëson
kontributin e gazetarit dhe shkrimtarit të mirënjohur
HALIL RAMA DEKOROHET ME TITULLIN
“MJESHTËR I MADH”
Nga Dr.
Hajri Mandri
Publicistit dhe shkrimtarit të talentuar, mjaft produktiv
dhe me një përvojë të gjatë, Halil Rama, iu akordua të premten (18 shtator
2020) nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, Titulli “Mjeshtër i Madh”. Ky
titull i lartë iu dha autorit të 17 librave monografikë (H.Rama), në një
manifestim festiv të komunitetit artistik të Zall Dardhës, me prezencën e
autoriteve vendore dhe elitës intelektuale dibrane: “Për kontributin e
shquar si shkrimtar, skenarist e publicist i cili në veprimtarinë e tij të
gjerë ka pasqyruar më së miri historinë, kulturën, traditat e cilësitë
identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Dibrës, si
dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar” (motivacioni
i dekoratës).
Jo pa qëllim ishte përzgjedhur Zall Dardha për të vlerësuar
shkrimtarin dhe publicistin Halil Rama, si dhe artistët më në zë të kësaj treve
Liri Rasha, Qerim Sula, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, Sahje Poleshi, Lutfi
Ndreu, Xhelil Imeraj, Neshat Ndreu, Agim Cani, etj. Kjo për faktin se siç
shkruajnë prof.Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit” dhe prof.dr.Saimir Shatku –
“Mjeshtër i Madh”, në propozimin e firmosur prej tyre (Drejtuar Presidentit
Meta), në emër të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”: “Halil Rama ka shkruar dhe
promovuar monografi e dokumentarë për artistë të përmasave kombëtare të kësaj
treve, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, ikonën e artit
e kulturës kombëtare Hazis Ndreu, regjisorin dhe aktorin e shquar Skënder Cala,
për Lutfi Ndreun – mësues dhe artist, etj, të botuara këto edhe në të
përditshmen prestigjioze “PANORAMA”.
Në 17 librat e tij (letërsi dokumentare) Halil Rama
prezantohet si mjeshtër i profilit, duke krijuar personazhe si shembëlltyra që
të mbeten në kujtesë. Tërë publicistika e tij është në një linjë
vetëpërmbushëse, ku autori me mjeshtëri di të përveçojë protagonistë të veshur
me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq
mjeshtërisht.
Edhe në monografinë e sapobotuar “Muhurri, histori dhe
personalitete”, (me 712 faqe në 17 kapituj) si dhe në librat e shkruara dekadën
e fundit nga ky autor, zbulohet thelbi i marrëdhënieve njerëzore. Jetët e
personazheve realë, janë të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme,
drejt sfidës së jetës, drejt suksesit. Shkrimi i tij depërton thellë në shpirt
dhe zbulon botën delikate të intelektualëve dibranë, kukësianë, durrsakë,
shkodranë etj, në strukturën e tyre si njerëz të matur që të veprojnë në
kontekst duke marrë prej tij, maksimalisht suksesin. Ashtu siç është edhe vetë
në jetë autori Halil Rama, personazhet realë që përshkruan në librat dhe esetë
e tij janë karaktere që bartin dashuri dhe buonsens, veti të qenësishme
inteligjence.
Në fushën e të shkruarit dhe në disa institucione ku ka
punuar evidentohet këmbëngulja dhe vullneti i tij për të studiuar, për të
mbledhur burimet parësore, për të mësuar nga përvoja e tjerëve që është
pjesë e stilit të punës kërkimore të Tij.
Halili e formoi personalitetin e tij, jo vetëm në praktikën krijuese
voluminoze por edhe me studime të integruara formale universitare për drejtësi,
(duke fituar edhe titullin “Avokat”) çka i ka dhënë një surplus në
interpretimin e dukurive shoqërore dhe ngjarjeve pikante të historisë. Ai i
vendos intelektualët që nuk jetojnë dhe ata që jetojnë dhe kontribuojnë ende,
secilin në vendin dhe piedestalin e merituar. Dashuria dhe ngrohtësia me të
cilat i mbështjell ata, janë shprehje e humanizmit dhe shpirtit patriot,
demokrat e liridashës të autorit.
Lexuesi mund të shijojë drejtpërdrejtë nokturnet dhe
romatikën që shpërfaqen në librat e H.Ramës (për gjeneral Rrahman
Parllakun-Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Liri Belishovën, Muharrem
Xhedikun, Skënder Calën etj) shkruar me një stil të rrjedhshëm, që ngjajnë me
një ese të gjatë liriko-epike, si një databazë e plotë e vlerave të tyre, duke
plotësuar harmonishëm tablonë gjigande të njerëzve të ditur, të urtë e
patriotë. Veçanërisht libri i tij i fundi “Muhurri, histori dhe
personalitete”, lexohet këndshëm nga
përdorimi me mjeshtëri i mjeteve gjuhësore dhe stilistike, ngjyrimeve
emocionale që fitojnë ngjarjet dhe personazhet, nën talentin dhe
profesionalizmin e Halil Ramës. Ai sjell jehonën e vendlindjes së tij të bukur
dhe të dashur, si shembëlltyrë e jehonës që vjen nga e shkuara tek e sotmja dhe
na zgjon të gjithëve e na thërret, për më shumë humanizëm, dashuri e dinjitet.