Kulturë
Liri Pone Bele: Çiltërsi
E shtune, 19.09.2020, 08:08 AM
ÇILTËRSI
Nga
Liri Pone Bele
Pushimet
verore gjatë ditëve të gushtit pranë bregdetit të Vlorës janë të këndshme,
tërheqëse dhe mbresëlënëse, pa mundur të
përcaktohen mes tyre se cila pjesë e saj të dhuron kënaqësi më tepër, kur në
orët e paradites vendos të shijosh freskinë e ujit të pastër dhe formimin e
dallgëzave të lehta shoqëruese të pandara përgjatë rrugës paksa më të gjatë se
zakonisht, krahasuar me të tjera plazhe në vendin tonë, sepse pikërisht ajo
pjesë e bregdetit prezanton diçka të veçantë: distanca nga bregu, derisa valët
e lehta mundësojnë përqafim miqësor me ty dhe të shoqërojnë me përkëdhelje të
lehta rreth gushës. Pikërisht në ato çaste të është dhënë mundësia të soditësh,
saje pastërtisë së kristaltë me më të bukurën nuancë të ngjyrës së kaltër të
sipërfaqes së lëmuar e të qetë të ujit, mozaikët e papërshkrueshëm të rërës.
Është e pamundur ta shkëputësh shikimin admirues, ngaqë ravijëzimet e tyre janë
shembëlltyrë e panoramës së një sipërfaqeje gjigante të hojeve të bletëve në
momentin e veçantë, kur bletërritësi e ngre lart kornizën, duke e vështruar
vëmendshëm piten, por konturet e përshkruara në rërë kanë përmasa disi të
ndryshme midis tyre, janë të
paimagjinueshme dhe të panumërta.
Pikërisht
një ndodhi e veçantë, pothuajse e jashtëzakonshme që prezantoi sjelljen e
paimagjinueshme të mbesës sime 5-vjeçare verës së sivjetme, arriti të më tregoi
qartë bukurinë e vërtetë të bregut të Vlorës dhe vlerat e saj të veçanta, të
cilat i kisha njohur, por jo admiruar dhe shijuar si kësaj radhe, çka tregon se
një e mirë përkrah shoqes merr përmasa të pamatshme dhe prezanton forcën e saj
të fuqishme të panjohur më parë, gjurmët shpirtërore të së cilës zënë vend
brenda zemrës dhe atje mbeten përherë…
Po,
në ato thellësi uji që shpesh më nxisnin të përjetoja emocione pozitive,
ngrohtësi shpirtërore, shoqëruar me rrahje të këndshme të zemrës. Këtë vit dy
mbesat e mia të vogla, të cilat notonin në mënyrë mjeshtërore pranë meje, më mahnitën dhe e pranoj me sinqeritet se pikërisht
vogëlushet me zhdërvjelltësinë e tyre të papërshkrueshme në ujin e kaltër,
kristal, pa e ditur dhe pa e kuptuar si, po më tregonin qartazi se ishin
pikërisht Livia dhe Lea, që po ma dhuronin, mbrekullinë reale në vlera të
pamatshme, gjë e cila më kishte munguar.
Përshkrova
njërën nga bukuritë e natyrshme të plazhit, sepse ato pasueset janë
më të vështira për t’u renditur pas së parës, për më tepër çastet e
perëndimit, kur dielli prezantohej me ngjyra të përflakura, me forma të
rrathëve simetrikë, të cilët, sa më në periferi të jenë pozicionuar,
prezantojnë intensitet ngjyrash më të zbehta, si të na transmetonin lehtas
ndjesinë e keqardhjes, lidhur me ndarjen e përkohshme, disaorëshe me pushuesit,
që ende nuk i shkëpusnin vështrimet nga reflektimi i fashës rrezatuese
shumëngjyrëshe të ujit të detit, tashmë ngjyre gri. Mos vallë na dhuronin me
bujari një përshëndetje lamtumire disaorëshe, shoqëruar me urimin për një natë
të qetë?
E
kam pasur përherë të pamundur ta përcaktoj në pozicionin e një pushuesi në
bregdet se cili prej dy vendndodhjeve të diellit në horizont zotëron nivelin më
të lartë të magjepsjes: fillimdita përgjatë çasteve të takimit dhe
përshtatshmërisë me freskinë e ujit apo largimi i tij tej horizontit, në
momente të krijimit të një tabloje universale, kur me delikatesë tenton të
largohet nga pafundësia e sipërfaqes së mëndafshtë të ujit dhe nis t’i
ndryshojë nuancat e çelura të ngjyrave, duke i errësuar ngadalë.
Edhe
koha disaorëshe nën mbrojtjen e çadrave kashtore ndaj forcës së rrezeve të
fuqishme të diellit, që arrijnë pikun në mesditë ka pjesët e saj tërheqëse;
njëra prej tyre është edhe mënyra e pakësimit të etjes me lëngje freskuese të
ofruara nga shitësit ambulantë apo të tjerë, ulur mbi karroca të thjeshta e jo
rrallë të improvizuara, reklamojne frutat e stinës të mbledhura në kopshtet
personale orëve të para të agimit të asaj dite…
Njëri
prej tyre ishte Rakipi, rreth 65 vjeç, me pamjen e një mashkulli të ushtruar me
aktivitet fizik, çka e tregonte konstrukti i muskujve të shpatullave, krahët
dhe sidomos kërcinjtë, që i shfaqeshin dukshëm nga pantallonat e shkurtra të
dokut. Edhe pse mosha kishte vendosur prerazi kufijtë e saj, në fytyrën e
Rakipit ende ruheshin tiparet e një njeriu të pamshëm, që theksohej edhe nga
mënyra e thjeshtë e bashkëbisedimit me bashkëmoshatarët pushues, me të cilët
nuk kishte asnjë shkallë njohjeje. I pëlqente të shkëmbente disa fjalë me
tjetrin, ndikuar kjo edhe nga nevoja e pushimit disa minuta, sepse lëvizja e
përditshme përgjatë paraditeve të gushtit, duke përshkuar rërën e nxehtë
(freskia në ujin e detit ndodhej në një largësi rreth dy-tre metra, gjë që
Rakipi nuk mund ta shijonte, shikimet e shkurtra hedhur anash, të shoqëruara me
çaste psherëtimash dhe tundje të lehta koke, vërtetonin se realisht ai
ndodhej pranë detit, por…).
I
mbuluar me djersë përshkonte kilometra rrugë buzë detit, duke drejtuar një
karrocë të modifikuar nga një biçikletë e vjetër, ku vendoste disa arka të
tejmbushura me fruta të stinës. Fliste
me zë të lartë për vlerën e frutave të sjella nga fshati më i largët me
bregdetin. Nëse realizonte të tërhiqte vëmendjen e pushuesve për t’u shitur
perime, atëherë hidhte dy-tre hapa drejt çadrës përkatëse; dukej se ia kishte
ënda të shkëmbente disa fjalë me tim shoq, që përherë i sjellshëm dhe
mirëkuptues nuk ia pengonte ato çaste çlodhjeje, shoqëruar me blerjet e ditës,
edhe si një lehtësim në rrugën e gjatë të shitësit ambulant.
Më
habiste fakti që Rakipi, në të shumtën e rasteve shoqëronte reklamën e vlerës
së cilësisë dhe freskisë së frutave me një veprim të shpejtë, të përsëritur,
kur në moment gëlltiste një kumbull apo me shpejtësi mbllaçiste një pjeshkë apo
një mollë, të cilën e përfundonte në më të shkurtrën periudhë kohe; disa kokrra
rrushi apo një dardhë të madhësisë mesatare, çka më bënte të mendoja se mjeshtëria
në fusha të ndryshme të jetës njerëzore është ende e panjohur. Thjesht kisha
kuriozitet të mësoja deri sa mund të ishte kapaciteti i stomakut të tij për t’u
mbushur me fruta, në funksion të “testeve bindëse” përgjatë orëve të paradites
në gjatësi bregu të konsiderueshme. Sa për pakësimin e sasisë së frutave në
koshat prej kauçuku me ngjyrë të zezë, dikush pas tij plotësonte mungesat.
Një
paradreke u larguam më herët së bashku me Leonidhën, duke i lënë mbesat të
shoqëruara nga halla e tyre, të vazhdonin lojërat e përzgjedhura me statuja
rëre të lagur, në afërsi të detit. Më vonë ato u kthyen; ishte vakti i ngrënies
dhe pas gjysmë ore Lea e vogël, që në maj kishte mbushur 5 vjeç, me hapa të
shpejtë, e freskët pas dushit, veshur me një fustan shumëngjyrësh që e tregonin
edhe më të bukur flokët e saj të verdha kaçurrela të përhapura mbi supe,
shoqëruar me bukurinë e papërshkrueshme të syve të kaltër, veçanërisht në
momentet kur të drejtonte dhe përqëndronte shikimin. Ajo iu afrua gjyshit të
vet, tepër serioze në pamje si asnjëherë tjetër, me zë të qartë dhe të prerë,
ku zakonisht spikaste vendosmëria shoqëruese e mendimeve të shprehura
momentalisht, vetëm se kësaj radhe po prezantohej shtesë
një indinjatë e thellë, tha:
-
Gjysh! Gjysh! Ai shoku yt është mashtrues! Është gënjeshtar! Ja, shih këto
farat e rrushit këtu në pëllëmbën time…
Asnjëri
prej nesh nuk po kuptonte se për se e kishte fjalën vogëlushja, e cila në ato
çaste shtriu para nesh dorën e djathtë të hapur, ku midis gishtërinjëve
shiheshin disa fara të vogla, të errëta të rrushit që kishin blerë pas largimit
tonë; por unë nuk po mund të bëja lidhjen me shitësin…
Në
atë çast vura re me habi përshtypjen e fjalëve të porsashprehura nga Lea, të
cilat ndryshuan pamjen e tim shoqi… Nuk mund ta përshkruaj shqetësimin e
menjëhershëm shprehur në fytyrën e Leonidhës, veçanërisht në ndryshimin e
prezantimit të ndjenjës së kënaqësisë, zakonisht reflektuar në ngjyrën e bukur të gjithë
nuancave të së kaltrës deri te bluja e spikatur, që së bashku, në harmoni midis
tyre, krijonin njërën nga mrekullitë qiellore, pikërisht në ato çaste kur ai,
gjyshi i Leas dhe i Livias, kishte pranë vetes mbesat e shtrenjta dhe bisedonte
me ëndje, pavarësisht përmbajtjes së bisedës .
U
ngrit me vërtik, pyeti se për cilin e kishte fjalën Lea:
-
Më fol qartë, shpirti im, cili nga shokët e mi është mashtrues?
-
Po, gjysh, ja, do ta tregoj tani të vërtetën. Më dëgjo. Ai burri shitës me
karrocën mbushur me perime ndaloi sot afër çadrës sonë dhe na pyeti për ty. Pas
pak na tregoi se kishte sjellë një lloj rrushi me ngjyrë të errët, të veçantë,
sepse nuk kishte fara në kokrra. Unë e pëlqej atë lloj rrushi dhe, mbasi mora
një verige nga qeska kur shitësi ishte larguar, e lava me ujin e çesmëz dhe
fillova ta vija në gojë kokrrën e parë, të dytën. Farat, në secilën prej tyre
ishin radhazi. Ja, shihe edhe ti vetë, por më mirë të haje ti disa kokrra, që
të jesh i bindur në fjalët e mia…
Ngriti
lart një verige rrushi mesatare në madhësi duke ia vendosur në duar Leonidhës,
i cili, pa humbur kohë, sapo vuri në gojë të parën kokërr, e vërtetoi në çast,
edhe pse pa atë veprim ishte i bindur se e mbesa kishte plotësisht të drejtë. E
përqafoi Lean dhe, duke e shtrënguar në gjoks, i përsëriti se ajo po thoshte të
vërtetën për praninë e farërave në kokrrat e rrushit, sapo i provoi edhe vetë
disa në gojë dhe e pranonte mendimin e saj për shitësin me sjellje jo korrekte.
Vazhdoi
ta mbante në kraharor duke përsëritur se më e rëndësishmja për një person të
çdo moshe, në cilindo vend dhe për asnjë
arsye, është mospërdorimi i gënjeshtrës. Absolutisht jo. Leonidha, pa shprehur
asnjë fjalë, teksa më hidhte vështrime të momentit lehtësisht, po e kuptoja se
përcaktimi për një sjellje mashtruese, bërë natyrshëm nga e mbesa, po e
gëzonte, e ndihmonte të kuptonte qartazi se po rritej ajo vajzë e zgjuar, duke
na treguar bindëshëm vlera pozitive.
Por
ishte vogëlushja që nuk u mjaftua me këto gjykime të gjyshit, ende nën forcën e
padrejtësisë së verifikuar dhe provuar prej gjyshit. U shkëput nga krahët e
Lonidhës, qëndroi para tij, sepse me
siguri gjithçka po drejtohej nga forca e hekurt e logjikës së saj në më të
lartën shkallë pastërtie, e barazvlefshme me një gur diamanti të rrallë, kur
përfundoi mendimin:
-
Gjysh! Atë shitësin gënjeshtar duhet ta marrë policia dhe të përgjigjet për
gënjeshtrat që u thotë njerëzve...
Heshtëm.
Pas disa çasteve Leonidha përsëri mundi ta ulte në prehrin e vet dhe ju
përgjigj me bindje se ato episode nuk do të shfaqeshin më. Mbasditja kaloi si
herë të tjera, por ishte radha ime dhe e bashkëshortit tim që të thelloheshim
në brendinë e atij episodi të veçantë që
dukej i lehtë në sipërfaqe, por tepër i thellë në përmbajtje.
Nuk
po mund të shkëputesha prej episodit të porsa njohur, sepse po i gëzohesha
konceptit të ndërgjegjjes së pastër dhe formimit të karakterit korrekt të një
vogëlusheje në hapat e parë të jetës, sikurse të njëjtat koncepte po shprehte
Leonidha. Në njëfarë mënyre, po i shprehja në heshtje falënderime nënkuptuese
sjelljes së plakut, në pozicionin e një shitësi ambulant bregut të detit ditëve
të nxehta të verës, që me qëndrimin e tij i prezantoi vogëlushes një nga
këndvështrimet e jetës aktuale. Natyrisht jo të gjithë e aprovojnë gënjeshtrën,
sikurse realisht kundërshtim të vendosur prezantoi qëndrimi i një
vogëlusheje.
Të
nesërmen ishte ditë e zakonshme në plazh, e këndshme, pranë detit dhe, ndërsa
po pushoja ulur mbi pjesën fundore të shezlonit, më tërhoqi vëmendjen zhurma
tipike e karrocës së modifikuar ku shiheshin radhazi arkat prej kauçuku,
mbushur me perime të freskëta.
Në
çastin kur shitësi prezantonte llojin e perimeve, natyrisht shoqëruar me vlerën
e tyre superiore duke u kthyer drejt tëndës sonë për të përshëndetur Leonidhën,
i doli përpara me shpejtësi Lea, pikërisht
një hap larg tij ngriti kokën, duke i folur me zë të lartë:
-
O mashtrues! Erdhe përsëri për të na gënjyer, siç bëre dje?
Në
moment unë e gjykova të ngrihesha; iu afrova karrocës, për më tepër vura re se
po i dëgjonin fjalët e mbesës sime dy-tre kalimtarë që ngadalësuan hapat, po
shihnin Lean me admirim. Shitësi, teksa po dëgjonte fjalët e vogëlushes, u
përkul lehtazi dhe po mundohej të prezantohej i qetë, duke tentuar
të tregohej se nuk po e kuptonte arsyen e vërtetë të revoltës së saj, gjë që po
dukej nga përsëritja e pyetjeve.
-
Pa më thuaj, moj bukuroshe, pse je mërzitur me xhaxhin? Unë kurrë nuk i gënjej
njerëzit, për më tepër një vajzë të zgjuar.
Vetëm
se Lea nuk u tërhoq, por u tregua e vendosur:
-
Dje na the se rrushi në kopshtin tënd është i veçantë dhe nuk e kanë kopshtarët
e tjerë, sepse s’ka fara, por kur e provuam, fjalët e tua nuk ishin të vërteta
dhe u bindëm se je një burrë gënjeshtar,
prandaj meriton të dënohesh.
Në
të njëjtën kohë unë ndiqja e përqendruar edhe qëndrimin e mbesës Livia, katër
vjeçe më e madhe se Lea, e cila, në mënyrë të prerë, ia aprovonte veprimet e
motrës me tundje të lehta koke, shikim të ngulitur mbi Rakipin dhe çuditërisht
e njëjta pamje revolte tregonte fytyrën e bukur, e ngjashme me të motrën. Më e
çuditshmja për ne ishte reagimi i menjëhershëm i shitësit kur bëri përpjekje
t’i vendoste Leas në dorën e djathtë një
verige të madhe me kokrra ngjyrë të errët, duke i shpjeguar se ishte mirë të
provonte përsëri , të hante kokrra rrushi pa fara, gjë që nuk mundi ta
realizonte, se Lea vazhdonte të qëndronte në të njëjtin pozicion, të cilin unë
nuk po e përcaktoja ndryshe, veçse treguese të dinjitetit fëmijëror dhe
dëlirësi të sjelljes së saj.
Atyre
çasteve po përjetoja një emocion të panjohur më parë, duke u bindur se
vogëlushja po ecte në hapat e parë të jetës
duke respektuar korrektësinë e cilitdo dhe, kur shihte dikë që e
shkelte, atëherë sugjeronte ndëshkim, por ky qëndrim nuk ishte pak për një
fëmijë 5 vjeç. Po mendoja e lumturuar se pikërisht ky episod i vogël, si pjesë
përbërëse e jetës sonë të përditshme ishte një dhuratë shpirtërore për të
gjithë ne dhe na premtonte shumë, prandaj e konsideroj një ditë të
papërsëritshme kur së bashku me ndjesinë e ngrohtë brënda vehtes, duke soditur
bukuritë natyrore të bregdetit të Vlorës, i gëzohesha një tjetër bukurie
shpirtërore të përmasave të pamatshme, vendosur brënda zëmrës sime, e cila më
bënte të ndihesha krenare.
÷÷÷
Disi
e përhumbur në mendime, teksa shihja e emocionuar mbesën e dashur, m’u kujtua
fëmijëria e largët, kapërceva shumë vite, po kthehesha në atë kohë kur
prindërit tanë të ndershëm dhe punëtorë, edukimin tonë e bazonin në fakte të
vërteta, gjë që e konkretizonin me persona të njohur prej tyre, jeta dhe
veprimet e përditshme të të cilëve ishin udhërrëfyes për ta, njëherazi duke
dashur të ishin edhe për ne shëmbëlltyrë në rrugët e vështira të jetës së
saponisur, na tregonin me siguri absolutesepse i kishin njohur ata njerëz ideal
së afërmi. Në respekt për prindërit dhe për ta, do përshkruaj një episod…
Po,
e shtrenjta nëna ime Sena kujdesej për edukimin tonë, na tregonte si të
rriteshim të ndershëm, pa vese, të donim shkollën dhe të punonim në cilindo
sektor, pa bërë asnjë zgjedhje. Shpesh na përsëriste qëndrimin e veçantë të një
personi në moshë të re afër të 25-tave, komshi me familjen tonë me mbiemrin
Xega, që për disa vite ishte punësuar në një shoqëri tregtare punimesh tekstile, i ndërtuar në bashkëpunim
të një tregtari fierak dhe një beratasi me detyrë për të transportuar prodhimet
dhe materialet paraprake përkatëse nga
një qytet në tjetrin dhe me pagë ditore në përputhje me orët e punës,
ndonjëherë e tejzgjatur.
Punëtori
Kristo Xega kishte ndërruar jetë shumë vite më parë, por sjellja e tij,
qëndrimi korrekt ndaj punës, e kishte kthyer atë burrë dinjitoz, një
përfaqësues të ikonës së vërtetë të njeriut të ndershëm për brezin e tij dhe
atyre pasues. Rreth viteve 1935-1938 në sektorin e tregtisë punonte si
transportues i produkteve të realizuara , shkarazi i kishte tërhequr vëmendje
diferencimi që pronarët e të dy qyteteve tregonin ndaj sjelljes tij një
mirëbesim të skajshëm por tregonin kujdes që të mos u binte në sy të punëtorëve
të tjerë. Pronarët sigurisht kishin vëzhguar cilësinë e punës së tij të
ndershme përgjatë një kohe të mjaftueshme për t’u bindur se fierakut mund t’i besonin
në çdo situatë, njëherazi prezantues i prakticitetit, zgjuarsisë tek një person
që synon të ecë para në jetë .Pjesa më e madhe e kohës së punës realizohej
nëpërmjet një karroce të veçantë me të cilën prodhimet e leshta si batanije dhe
velënxa apo derstile sikurse i etiketonin, i paketonin në fazën përfundimtare
në një karrocë me 4 kuaj drejt ujëvarës së Tomorrit, për t’i rritur cilësinë
nëpërmjet pushëzimit; rastiste herë të tjera të ecte në këmbë rrugëve të gjata,
të vështira duke mbajtur mbi dy supet çanta me materiale të domosdoshme për
endje, të cilat i dorëzonte në destinacionin e përcaktuar. Nuk e njihte
lodhjen, ishte punëtor I palodhur ,i ndershëm, i heshtur dhe i përkushtuar.
Në
një nga rrugëtimet thuajse të përditshme, pronari beratas i vendosi një hejbe
mbi supe, tepër të rëndë dhe në mirëbesim e porositi të mos ndalonte të
pushonte rrugës së zgjatur, në se mbi lodhja do ta detyronte të qetësohej,
detyrimisht të mundohej t’u shmangej bisedave të rastit me kalimtarë; më e
çuditshmja qëndronte në faktin se një ngarkesë të tillë të rënduar të cilën
duhet ta mbante krahëqafë nuk kishte pasur rast më parë ta kishte sjellë nga
Berati në qytetin e tij. Pas një udhëtimi disaorësh në këmbë (asaj dite nuk
pranoi të hipte në asnjërin mjet gjatë rrugës, gjë e rrallë por në respektim,
plotësim të porosisë së pronarit), të mbi lodhëshëm, Xega mbërriti te shtëpia e
tregtarit fierak, i dorëzoi hejben e rëndë dhe u ul të qetësohej paksa pranë
portës së shtëpisë së tij.
Nuk
arrinte të kuptonte pse po zgjatej koha e pagesës sikurse herë të tjera kur
tregtari fierak në çast i jepte vlerën monetare konform punës së përfunduar,
megjithatë mençuria e udhëzoi të priste derisa, zotëria thënë ndryshe pronari
,ta gjykonte të arësyeshme.
E
pabesueshmja ndodhi pikërisht në çastin kur pronari pas një kohe të zgjatur
hapi derën e shtëpisë dhe e vështroi me
habi të skajshme Xegën ende ulur pranë
portës në pritje të së drejtës së pagimit të punës përgjatë asaj rruge ,ecje në
këmbë midis dy qyteteve. Xega nuk po e kuptonte këtë pozicion ,sjelljen e tij
krahasuar me të mëparshmit:
-
Akoma këtu je ti?! Nuk qënke larguar për në shtëpinë tënde të çlodheshe
pas gjithë kësaj dite tepër të
ngarkuar?!
Xega
e pa drejt në sy me shikimin e tij të natyrshëm I cili tregonte qartë se, ishte
pikërisht pronari ai që duhej të vlerësonte veprimin e vetë krejt të ndryshëm
nga të mëparshmit. Pra Xega nuk do të largohej pa marrë vlerësimin monetar të
ditës së një pune të jashtzakonëshme . Papritur, pronari e gjykoi si qëndrim
korrekt të punëtorit dhe bëri hapa të shpejtuara drejt personit të përkushtuar,
të ndershëm deri në kufijtë e së pabesueshmes; i tronditur e pyeti:
-
Ti po më lë pa mend… Vërtet, nuk e dije se çfarë malli kishte hejbeja plumb e
rëndë që ti ma dorëzove sot pasi e solle nga Berati?!
-
Jo, nuk e dija zotëri dhe as po e kuptoja pse rëndonte aq shumë. Bëra përpjekje
ta sillja sa më parë, sikurse më udhëzuan.
-
Kam kuriozitet të mësoj se si munde të mos ndaloje diku , të mësoje rreth
përmbajtjes saj me një peshë të
pazakontë…
Xega
iu përgjigj shkurt, saktë, me dinjitet:
-
Nuk e kam të vendosur kurrë duart e mija në çantën e tjetrit, për asnjë arsye
dhe në asnjë situate.
Atëherë
pronari, duke e parë me respekt, e kuptoi saktë karakterin e Xegës, e përqafoi,
e puthi lehtas në ballë, duke afruar fytyrën pranë veshit të Xegës, shqiptoi i
emocionuar fjalët e papërsëritshme:
- Mësoje tani, brënda asaj çante të rëndë kishte monedha ari dhe floriri,
baza e punës time tregtare të përbashkët me beratasin. Veprim yt i
sotëm është i pabesueshëm, meriton respekt
dhe dyfishin e vlerës së pagës për këtë sjellje të jashtëzakonshme…Kjo
ka ndodhur, është një grimcë jetës njerzore, por kur mëson rreth saj e
vlerëson me të drejtë, e admiron njeriun finik ,të thjesht punëtor, i ndershëm .
Po,
e kam ende të freskët fytyrën e nënës sime pranë, përsëritjen e tregimit të
këtij episodi pothuajse të pa besueshem. Nuk mund ta harroj shprehjen e veçantë
të syve, zërin e ëmbël të nënës kur rastiste ta tregonte këtë ngjarje, sytë e
saj ngjyrë ulliri gati të përlotur rrezatonin mirësi njerëzore, besim dhe
shpresë se në të ardhmen ne, fëmijët e saj, do të ecnim në gjurmët e një njeriu
të ndershëm në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. E përjetoj me emocion atë
periudhë të jetës sime ndodhur shumë dekada të kaluara… Një tjetër rastësi e
çuditshme: Xega ishte lindur më 1913 dhe Lea më 2013, plot një shekull
diferencë, por vlerat e veprimeve të tyre të palidhura me njëri-tjetrin janë
dhe do të mbeten udhërrëfyese për cilindo.
÷÷÷
Fakti
që këto episode të jetës meritojnë të renditen pranë njëra-tjetrës, realisht në
diferencë kohore afër një shekull, tregon se vlerat e tyre të jashtëzakonshme
prezantojnë mendim, sjellje apo veprim personi të cilësdo moshe, seksi,
vendbanimi, sepse kanë përmbajtje të
dëlirë. Ajo shoqërohet me një rrezatim qiellor të kristaltë që arrin në
kufijtë e së pabesueshmes, duke provuar se shoqëria njerëzore i ruan brënda
vehtes ato norma të jetës së përditshme të barazvlefshme me thesare , për t’ua
dhuruar brezave si trashëgimi.
E
pranoj se nuk ishte momenti të përjetoja kujtime të hershme në çastin kur
shitësi po tentonte ta provonte se nuk po gënjente për praninë e farave në
kokrrat e rrushit (më vonë e kuptova se ai poshtë një letre të trashë kishte
vendosur një verige rrushi të varietetit pa fara me të cilën po vetëmbrohej),
por më gëzoi përgjigjja e mençur e Leas, e cila nuk mundej të kuptonte lojën e
shitësit, që realisht edhe për mua ishte vështirë…
Sapo
vendosi midis gjishtërinjve të dorës së djathtë dy kokrra rrushi të cilat i shtrëngoi fort, por brenda tyre
nuk u panë fara, iu drejtua me zgjuarsinë e saj të jashtëzakonshme:
- Po, të shoh tani kur po na tregon se je një magjistar, vetëm se magjia
jote fillon dhe mbaron këtu pranë karrocës me fruta. Ti mbetesh një njeri
mashtrues!
Ishte radha jonë të shijonim forcën dhe vlerën e atij gjykimi të thellë,
shoqëruar me qëndrim dinjitoz të mbesës sonë vogëlushe, që premtonte se Lea dhe
motra e saj Livia do ecnin me hapa të sigurt në jetë, duke respektuar
pastërtinë , vetëm pastërtinë në çdo gjë.
Ky,është një episod i thjeshtë i jetës reale, të përditëshme,si tregues i
rrugës së sigurt përgjatë së cilës po rriten mbesat tona,njëherazi pranojmë se po I gëzohemi lumturis dhuruar
prej tyre.