Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Kufiri si formulë e studimit të dhembjes dhe lumturisë
E marte, 15.09.2020, 07:14 PM
Specifikat e një analize ndryshe të një romani
KUFIRI SI FORMULË E
STUDIMIT TË DHEMBJES DHE LUMTURISË
(Muharrem Kurti: “Kufiri
i gjakut”-roman, botoi “Bogdani”- Bruksel-Prishtinë, 2020)
Romani
“Kufiri i gjakut” e ka peshën e veprës moderne, dhe si i tillë mund të lexohet
edhe si roman, edhe si tragjedi, edhe si dramë, edhe si melodramë, e që të
gjitha këto janë të fiksuara në çelësin e lumturisë dhe të qëndresës.
Ai,
paraqet më vete mesazhin e veçantë për temën që shtrohet e trajtohet...
Nga
Sejdi BERISHA
Në temat bizare
mbase edhe të frikshme e ndonjëherë pa rrugëdalje, gjithnjë mund të dalin shumë
komente por edhe dilema për historinë, për njeriun dhe karakterin e tij, duke
përfshirë këtu edhe kombin dhe fatin e tij, i cili, jo rrallë, vetveten dhe të
gjitha ngjarjet e tragjeditë e veta, në vend se t’i luftojë vendosmërisht dhe
me përkushtim e mençuri, ndonjëherë sikur krijon vetë korniza të forta për të
mos dalë nga to. Apo, nganjëherë na krijohet përshtypja se njeriu, mbase edhe
komuniteti, e ka “traditë” për t’i krijuar dramat e tilla të çuditshme, e që,
padyshim duan studim të thellë shkencor, psikologjik, social dhe historik. Që
të gjitha këto që i theksova, i hasim dhe i vërejmë që në nismë të romanit, që,
si gjithnjë, njeriu i ynë përherë frikësohet së shqiptarëve do t’u ndodhë
ndonjë ogur ose e papritur!
Andaj, romani më i
ri i shkrimtarit, Muharrem Kurtit, “Kufiri i gjakut”, nëse largohemi pakëz nga
ngjarja që na ofron autori, na shndërrohet edhe si formulë provokuese, apo edhe
si detyrim që fenomenin “kufi” ta zbërthejmë në shumë rrafshe socio-filozofike,
por edhe si çështje të pastudiuar si e sa duhet, apo edhe fare, dhe atë pothuaj
se në të gjitha aspektet jo vetëm lokale dhe rajonale. Ndoshta, pikërisht nga
kjo “pykë” e së keqes historike, autori duke na i prezantuar shumë ngjarje, na
sjell shumëçka për ta kuptuar pak më ndryshe temën dhe materien që e shtjellon,
e cila, padyshim se në spikamë ka historinë, armiqësinë, okupimin, ndarjen fizike të kombit, por edhe copëtimin e
atdheut.
Kjo ngase, kufiri
ka shumë kuptime, ka shumë ndrydhje e ngufatje të të gjitha natyrave dhe
formave të njeriut, ka shumë plasaritje po ashtu të formave të ndryshme, të
cilat evoluojnë me rebelimin e shpirtit, e ndoshta (edhe pse po dua të besoj)
në numër shumë të vogël për tradhti, për ligësi të lloj-llojshme, që edhe sot
dikujt-dikujt u ngjajnë në desert për të kënaqur shpirtin për ta “rritur”
namin, duke mos e par vetveten si një krijesë e cila nuk di rrugë as drejtime,
e cila ngritë pallate mjegullash, rebuse famëkeqe etj. Dhe, “garezi”, kuptohet
se është tek fjala “kufiri”!
Në të
nëntëmbëdhjetë kapitujt të romanit, çështja e kufirit përmes ngjarjeve dhe
rrëfimeve thua se shndërrohet në formulë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston
fare, sepse, historia është aq këmbëngulëse por edhe aq e luhatshme dhe dinake,
sa që askush ndoshta kësaj çështjeje kruciale edhe nuk ia vë veshin sa duhet,
por vetëm bëhet dhe mbetet dhembje e njeriut, e familjes, e kombit mbase edhe e
vetë botës: “...Ishin të bindur se, të dyja shtetet, nuk e lejonin lirinë
e lëvizjes, siç kishin bërë mbi katër dekada. Gjithçka mund të ndodhte, por
kufiri nuk i hapte portat, -mendonin shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të
Shqipërisë.
Madje, mund të qe një kurth, ku do të binin atdhetarët të cilët do të
kalbeshin burgjeve të Jugosllavisë.
Ndërsa, lajmsjellësit po e thoshin me bindje se plogështimi i kufirit
kishte ndodhur, plasaritja e tij ishte bërë...”!
Dhe, pikërisht kjo
damkë të cilën e ka shkaktuar koha por edhe njeriu, sjell gëzime edhe të rreme,
edhe të shpresës, sjell ëndrra e disponime të “lumtura” që, në të njëjtën kohë
edhe e mobilizojnë, edhe pse, “hapja e kufirit” gjithnjë apo shpesh ka qenë dhe
mund të jetë kurth për ta çrregulluar jetën e secilit, dhe atë në mënyrat më të
ndryshme... Sepse, siç thotë autori: “...Kurrsesi nuk harrohet se nuk u
morën pak jetë të njerëzve(andej e këndej kufirit) që u kapën në kufi, në të dy
drejtimet...”!
Dhe, prej këtu,
ngjarja zhvillohet në shumë dimensione të jetës për të treguar tërë atë histori
trishtuese, gjithë atë llahtari, tërë atë mall e etje, gjithë ata lot e këngë të thurura në kushte
specifike, që këpusin shpirtin, por, edhe trimërojnë e japin shpresë...!
Dhe, shih. E tërë
kjo, po ta trajtonim ndryshe, kjo temë do të dukej ose do t’i ngjante formave
të gjeometrisë deskriptive, nga të cilat forma vështirë se mund të dilte me
qartësi e me dritëjete! Sepse, përthurjet e jetës i kanë shkaktuar dhe i
shkaktojnë regjimet dhe shërbimet, të cilat, sa herë që i kanë “begatuar”
dosjet e tyre, sikur kanë ndier kënaqësi edhe shpirtërore, edhe pse, një
“begati” e tillë tek ta nuk ka ekzistuar kurrë. Andaj, edhe për këtë autori i
librit thotë: “...se qeveritarët e shtetit jugosllav thoshin: ...se
Shqipëria është armiku ynë, e unë do të thosha se, armiku ishte i përzier,
i cili thellonte hendekun e jetës së pastër dhe normale.
Rrëfimet dhe detalet interesante e përkushtuese, si dy vepra paralel në një
libër...!
Prandaj, kujtoj se
autori i romanit, me rrëfimet dhe detalet interesante e përkushtuese, ia ka
arritur t’i realizojë, të themi kushtimisht, dy vepra të fuqishme përnjëherë;
në njërën e ka sforcuar madhështinë dhe vuajtjet e njeriut nëpër periudha e
situata ndër më të ndryshmet. Dhe në të dytën; thellë dhe bindshëm ka
ravijëzuar historinë e rëndë dhe shtypëse, të gabuar e faqezeze, që për tërë
këtë, në të ardhmen, në kohërat që do vijnë, ndoshta do të qeshë e do të qajë
historia dhe rrugëtimi i gjeneratave të reja, dhe atë, jo vetëm të rajonit dhe
të vendit prej nga vjen autori dhe njerëzit e tij...!
Këtu pra, është
madhështia dhe pesha shumëdimensionale që sjellë autori përmes librit të tij,
gjithnjë për t’ia mundësuar lexuesit mbase edhe studiuesit, mendimin sovran për
të mundur për t’i analizuar ndryshe gjërat që qëndrojnë aty, por gjithnjë
qëndrueshëm dhe me bazë shkencore e historike. Për këtë arsye, në këtë analizë,
me qëllim i jam shmangur shprushjes së thjeshtë apo edhe tradicionale të
ngjarjes që shtjellon autori, edhe pse, kështu më lehtë mund të vihej në
spikamë mesazhi dhe pesha e librit.
Dhe, nëse i
referohemi vetëm pjesës së fjalisë, “...E kaluara e kufirit të kujtonte
trishtueshëm dhunën...!”, që autori e shtron diku në faqen njëzetë e
pesë të librit, atëherë, nga kjo vetë lexuesi, “vetëtimthi” mund të sjellë në
vetvete një roman tjetër, ndoshta edhe më me peshë, edhe më trishtues, që
dashtë e pa dashtë i përbiron të gjitha kohërat dhe periudhat historike, të
cilat janë plakë, por që kanë ngelur gjithnjë të freskëta dhe zjarr i pashuar,
por edhe me plot harresë, plot gënjeshtra, por edhe me të vërteta, që në forma
të ndryshme gjithnjë peshojnë dhembjen, të cilave kurrë nuk mund t’u japin
vlerën as peshën e duhur. Por, këtë e kompleton edhe fjalia jo paqëllim e
theksuar: “...Ndërkohë, kosovarët pyesnin njëri-tjetrin: si ishin
shqiptarët e Shqipërisë! Si ne, apo ndryshe?”! Shih pra. Edhe përmes kësaj
përvijohet filozofia e shtresuar por edhe e mykur dhe e ndryshkur për kufirin,
fenomen ky i cili kudo në botë edhe në kohërat e kaluara por edhe sot e kësaj
dite evoluon, qëndron, heshtë, shkatërron dhe kështu krijon teza e teori për
fenomenin-njeri, për fenomenin-ndarje, shtypje, robëri, liri, e që, të gjitha
këto fshehën nën “frazat” demagogjike të filozofisë së historisë nëpër të
gjitha periudhat. Dhe atë, gjithnjë duke na shpjer e përplasur rrugëve të jetës
me temën për kufirin, si lak në fyt. Por, e tërë kjo, intelektin e lexuesit e
intrigon edhe për shumë dobësi të tjera, të cilat nëpër vakte të caktuara e
kanë përcjellë njeriun, fjalën e tij, fatin e tij dhe të kombit e atdheut!
Ja, se si
“provokon” (këtë e bëj gjithnjë duke bërë analizë ndryshe për librin) autori:
“...Në te mungonte kulla e gurit trekatëshe e Familjes Alia... Ku kishte
shkuar ajo kullë historike?”.
Nga këto fjalë
plot etje, pyetje e habi, shkrimtari na sjellë mendimin se çfarë peshe
monstrume ka kufiri, sa që edhe kur gjërat i bashkojnë njerëzit, historia
përmes kufirit i përplas dhe i tremb për gjithçka jo vetëm njerëzit por edhe
zogjtë e malit! Bile, zhgënjen edhe për
kujtimet dhe për karakterin e qëndrueshmërinë, edhe për zjarrin dhe etjen për
bashkim e unitet, të cilat gjëra tash vihen në peshoren e dilemave të reja, të
cilat nuk mund të shpjegohen, apo, gabimisht mund të interpretohen duke
përfshirë këtu edhe “ndihmën” e tensioneve të kohërave të akumuluara.
“Kufiri i gjakut”,
gjithashtu, sikur na imponon detyrimin e identifikimit të dhe shprushjes të
rolit dhe peshës së lidhshmërisë të njeriut me njeriun, gjithnjë duke na i
përkujtuar edhe ato ndasitë të cilat njeriun e kanë tretur dhe e kanë daktisur,
duke e bërë atë edhe të “huaj”! Për këtë arsye, pra, kufiri ka shkaktuar tragjedi
të formave të ndryshme mbase edhe të sofistikuara, por edhe njerëzit i ka bërë
që ta studiojnë çdo pëllëmbë të tokës, bile edhe “aromën” e saj. Megjithatë,
kufiri është “melhemi” më i tmerrshëm i cili futet edhe brenda mendjes dhe
shpirtit, që çimentohet si mjet refuzues apo edhe sundues, e që e ka vetinë e
helmit më të tmerrshëm të të gjitha ligatinave. Një virus i tillë, sikur është
pjesë e pandarë e jetës së njeriut nëpër shekuj.
Ndoshta, për ta
sforcuar më bindshëm këtë konstatim, por edhe për të hapur tema të tjera,
autori, sikur na plotëson edhe këtë: “...Në kufi të Bokës janë vrarë tre
shqiptarë të Podujevë, që kanë dashur me dalë në Shqipëri, për me i shpëtuar
përndjekjes. Në malin Pashtrik, janë ekzekutuar njëmbëdhjetë shqiptarë të
Klinës, të cilët ishin gjendur aty, duke i ikur përndjekjes së regjimit
komunist të Prishtinës. Në Qafën e Prushit janë kapur tetë shqiptarë të
Dushkajës, teksa po udhëtonin me shpirt ndër dhëmbë, për t’i ik ndjekjes së
Mbrojtjes Popullore. Te Boka e Shishmanit, ranë në pritë nëntë qytetarë të
Gjakovës dhe u masakruan. Pranë bjeshkës “Gurrat e Bardha, ranë në pusi katër
shqiptarë të Rekës së Mirë, dhe i vranë mizorisht. Ndërsa, te Bjeshka e
Belegut, u pushkatuan shtatë shqiptarë të Lugut të Baranit, teksa po iknin përndjekës
së OZNA-s. Diku në një pikë kufitare, u kapën dy të rinj të Llapit dhe dy të
reja, vajzat u çnderuan, djemtë i burgosën. Thuhet se, në zonënë e kufirit
Has-Has, janë arrestuar tridhjetë e pesë shqiptarë të Kosovës dhe janë dënuar.
Dhe sa e sa të tjera jetë të marrura... Dhe sa e sa arrestime e sa pusi në atë
lak dreqi. Nuk i thua dot për tri netë a për katër ditë...”!
Nga kjo vërehet
edhe një detal tjetër; se tragjedisë dhe kapërdirjes nga kufiri nuk i kanë
shpëtuar shqiptarët e pothuaj të tërë Kosovës dhe të të gjitha krahinave të
saj. Andaj, kufiri si fenomen, nuk është vetëm si vuajtje dhe as si këmishë e
vdekjes. Ai në vete ngërthen edhe jetën tërësisht të ndrydhur, të heshtur, apo
edhe të ndritur pjesërisht, mbase edhe ndonjëherë tërësisht të errësuar! Po,
pra. Kur te hunda i rri pyetja njeriut: “...A ka nga ju që nuk duan të
ndjekin armiqtë e shtetit?”!
Fuqia e mesazhit dhe filozofia e kuptimit të kufirit si dhembje dhe
provokim nëpër vite e shekuj...
Është shkruar
shumë për kufirin, por edhe do të shkruhet. Megjithatë, asnjëherë sikur nuk
është bërë përpjekje që të shtrohet e shpjegohet historia dhe qëllimi i tij,
dhe as ajo, që kufiri ka “parë” e përjetuar. Andaj, ai, kujtoj se secilin
krijues, secilin shkencëtar, secilin historian, e qorton me etjen për të thënë
se çfarë ka parë dhe çfarë ka përjetuar ai, kufiri?!
Dhe, hajt, ta
hedhim, të themi si çështje banale, apo si provokim mesazhin e përgjithshëm të
kufirit në përgjithësi por edhe në këtë libër. Sepse, edhe më thjeshtë, secili
njeri nga pak në vete ka, apo edhe e lind, e krijon kufirin! E natyrshme, por
shumë e padrejtë dhe jonjerëzore, e them këtë, nëse i referohemi urave të
bashkimit, të cilat, për habi shpesh edhe brenda natës rrënohen...!
Pra, e tërë kjo,
sa fuqishëm dhe bindshëm nga mundëson të analizuarit ndryshe të librit “Kufiri
i gjakut”, e që këtë, si perlë e ngrehin edhe fjalët e autorit të romanit: “...Kufiri
kishte mbetur aty ku ishte, barbar, ndarës, vrasës, i padrejtë dhe i dhunshëm,
i përgjaktë dhe jetëmarrës, që tmerronte...!”.
Dhe, deshe apo nuk
deshe, shtrohet pyetja: pse kufijtë vetëm në mes shqiptarëve, edhe në mes
njëri-tjetri...?!! Padyshim se e rëndë është kjo...
Plaga më e madhe
nëpër shekuj ka qenë se shqiptarët kanë qenë të copëtuar, atdheu i tyre ka qenë
dhe është i tkurrur. Për këtë arsye, në shpirt dhe në zemër e kanë pasur drynin e mbyllur të ndarjeve e të
bashkimit të familjeve të një gjaku, të një barku, të një fshati apo të një
qyteti. Prandaj, ëndrrat e njeriut(andej e këndej), kanë qenë mollë e ndaluar,
jo rrallë edhe mollë sherri, kanë qenë edhe tragjedi, edhe rrezik për gjithçka
që jetën e bën normale, njerëzore dhe të ndërgjegjshme.
E theksova këtë,
sepse, “kufiri” është (e ndoshta nuk e dimë) temë për studim, temë për të sjellë e zbritur në
tokë njerëzoren. Kjo gjithnjë, kur kemi parasysh shumë “ligje” të njeriut tonë,
të cilat mëzi pret t’i “begatojë” ato edhe me ligjet dhe “amendamentet” e
gjakmarrjes, nga të cilat, pastaj, derivojnë mbylljet, “mini” kufijtë familjarë
në fshat e qytet. E dhembshme kjo, apo jo?!!
E kjo, e trashë
edhe atë lakun me të cilin ndahen njerëzit, mezhdat e shpirtit dhe të zemrës, e
në këtë mënyrë forcohen edhe kufijtë e kufijve, edhe kufijtë e padrejtësisë e
të dhembjeve shekullore, që shkaktojnë ngjarje interesante, unike e të rënda,
që e kanë edhe peshën e vetë specifike, si kjo në romanin e Muharrem Kurtit,
“Kufiri i gjakut”! Për t’i mbështetur fuqishëm të gjitha këto, autori me
mjeshtri dhe elegancë prej krijuesit të rryer por edhe me sensin e psikologjisë
filozofike, thotë: “...Sfinks ndalues, mund të quhej ky kufij krimbi mbi
shqiptarë. Lakore e mbyllur, përdridhej ky kufij i gjakut, i arrestimeve dhe i
vrasjeve”! Dhe, si të shprushet filozofia e jetës me kufij, kur:
“...Spiunë të heshtur që përgjonin çdokënd dhe kudo. Ata kishin për
detyrë me raportuar në organet shtetërore për deklaratat pa partishmëri të
qytetarit shqiptar. Çdo vënie ne sprovë, apo kundërshtim i direktivave të saj,
raportohej.
Raportohej për veshjet me stil perëndimor, për dëgjimin e muzikës “dekadente”,
për qëndrime të qytetarëve të pakënaqur, të cilët mund të fyenin apo sulmonin
regjimin komunist, për çdo shmangie nga ideologjia marksiste leniniste”!
Dhe tash, hajt të
themi, pse “Kufiri i gjakut”?! Këtu qëndron edhe thelbi i të menduarit dhe i
shtruarjes së materies në vepër. Ngase, kufiri i ngjanë edhe dergjës, mortajës,
kolerës, i ngjanë të të gjitha të këqijave që edhe tokën e gërryejnë, e
çoroditin dhe e shëmtojnë dhe dosido edhe e gjakosin tmerrshëm: “...E kam
fjalën për tri udhët; kur u mbyll
kufiri, zuri të dalë bari në ta në pranverën e vitit 1948. Sapo u shkri bora e
dimrit, bari fillon t’i mbushë udhët. Pastaj, shirat pranverore, verore e
vjeshtore, e shemben dheun e brigjeve të tyre, duke i rrafshuar ato shkallë-shkallë.
Në afërsi të kufirit, rrugët u bënë të asgjësuara. Aty nuk ecte kush dhe
nuk qarkullonte qerre, as makinë, as pajton. Bari i veshi udhët dhe i tjetërsoi. Pas barit, udhët i kapluan edhe
shkurret, fieri dhe gjembat...”!
Por, përkundër
tërë kësaj, rrugëtimi i jetës begatohet edhe me ngjarje dhe tregime të tjera,
që dosido jetën e bëjnë të lumtur, të qëndrueshme e me plot shpresë.
Kështu, autori i
librit e “bylmen” mrekullueshëm rrugëtimin dhe rrjedhën e ngjarjeve gjatë
gjithë romanit, të cilat padyshim se kanë peshë shumëdimensionale për gjithçka
që njeriun e forcojnë, e bëjnë edhe të lumtur, edhe pse, ndonjëherë e mbush me
mllef, me mall e mërzi, e që nuk janë gjë tjetër veçse kalitje për t’i sfiduar
jetës në çfarëdo rrethanash: “...Nuk pranoj me u fejua me ndonjë tjetër.
Vetëm një takim e kishin pasur ndër veti dhe kurrë më nuk e harruan
shoku-shoqen”. Ose: “...Zoga shtatselvi, fill reje, fytyrë ëmbël
e fytyrpaqe. Shtatgjatë si bajrak, elegante si bredhi i ri i malit, gojëkuti e
vetullhark, krah dallëndysheje. Me dhëmb inxhi e fjalëmatur. E prajshme si
puhiza, dhe e ndritshme i rrezet e diellit...”!
Ky përshkrim kaq
detal dhe i fuqishëm, lexuesit sikur ia ofron një madhështi hyjnore të femrës
shqiptare, e cila i jep jetë e kuptim çdo gjëje. Prandaj, shih sa prajshëm,
edhe në rrethana çfarëdo qofshin ato, në këtë rast, koncepti “kufi”, apo edhe
vetë kufiri, padiktueshëm apo figurativisht shkrihet, nuk ekziston kundruall
forcës dhe vullnetit që ka njeriu! Edhe ky detal, është një shtyllë e veçantë e
specifikës së një analize ndryshe, që librin e bën formulë jete, por edhe
sentencë se veprat janë me peshë jo vetëm për ta përqafuar materien dhe
ngjarjen, duke shprehur përjetime çasti dhe të shpirtit. Sepse, kufiri, me të
vërtetë ka kuptim të gjerë, jo vetëm si diçka që ndanë vetëm tokën e vendin,
por është histori e rëndë që dhemb e që shkakton gjithnjë probleme, tragjedi e
dhembje shpirtërore.
Në mes trojeve shqiptare dikur kurrë nuk kishte kufij, prandaj kohërat
reflektojnë dramën e dhembjes së shqiptarëve që nuk harrojnë...
Për këtë, jo pa
qëllim, autori i romanit, Muharrem Kurti, pothuaj se hëpërhë shprush çdo detal
të jetës-dramë, ku shpërfaqen skenat dhe “dokumentari” jo vetëm i një individi,
i një numri njerëzish, i një vendi apo krahine por edhe i tërë kombit dhe i
atdheut.
Prandaj,
romansieri nuk thotë pa qëllim, se: “...Kufibërësit ishin
kancellaritë e Evropës së kulturës
mirënjohëse. Aty ku nuk kishte pasur kurrë kufi, u bë me të tillë, u ngulën
piramida dhe e ndanë Shqipërinë
pjesë-pjesë.
Kurrë nuk kishte pas kufi me Çamërisë dhe Shqipërisë, mes Iliridës dhe
Shqipërisë, mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me shqiptarëve të Malit të Zi dhe
Shqipërisë...”!
Në këtë formë,
autori, sikur secilin lexues e “detyron” ta thellojë mendjen tek historia, apo
edhe e hapë shtegun apo edhe rrugën që secili lexues, secili historian dhe
shkencëtar, të konflituojë me vetveten për zbardhjen e fatit të tokave
shqiptare, të cilat nëpër kohëra janë tkurrur, e druaj që edhe tash të tkurren.
Këtu qëndron ai tharmi i gjakut, se kufiri s’është gjë tjetër veçse një
përbindësh, i cili as gjakun nuk e lë të qetë, por, edhe as që mund të jetë i
qetë!
I tërë ky
“dilerium”, ndoshta ishte dashtë që të na kthejë mendjen tek konferencat dhe
kongreset, ku janë zierë gjellërat e padrejtësisë dhe të jonjerëzores. Ndoshta,
kjo vazhdë, edhe pse pak më ndryshe, edhe tani, bile tani në shekullin e
XXI-të, në të cilën kohë njeriu e ka mendjen e mprehtë, diturinë e lartë por
edhe aftësitë për të menduar e vepruar drejtë. Ja, një detal që autori na ofron
si me mllef fatin e tokës dhe vënien e kufijve: “...-Vendose këtu!,
hungërinte ariu rus-dhe ndahej përgjysmë fshati shqiptar. Vendose atje!-jepte
urdhër sërish, dhe përgjysmohej rajoni shqiptar. –Vendose këtej!-thoshte i
mllefosur gjithe uri, dhe bëhej dy pjesë krahina shqiptare. Urdhërin e Ariut të
Bardhë të Siberisë e aprovonte Ulkonja e Italisë... E pranoj, -thoshte Dhelpra
e Anglisë... –Pajtohem me këtë ndarje të Shqipërisë në pesë shtete,-shfrynte Derri i Gjermanisë.
–Edhe unë po i bindem copëtimit të tokës
arnaute,- dredhonte Luani Plak i zgjebosur i Anadollit. –Le të krijohet hartë e
re e Ballkanit,-fishkëllonte Bolla e Francës,-duhet bërë legjitim copëtimi i
Ilirisë...”!
Dhe kështu autori
e zgjeron rrëfimin për këtë histori, e që fuqizoi dhembjen e kufirit, i cili në
çdo cep të tokës është histori në vete, dhe i cili, në mënyra të ndryshme
rrjedhë e pikon gjak...!
Por, dikur
shpërthen kufiri i mbyllur! Sepse, gjithmonë dregëza e kufirit ka qenë dhe
është një histori që i ngjanë vullkanit të heshtur, gjithashtu i ngjanë edhe
një miti, që kur rrëfehen përrallat për te, hasim në dilema, në luhatje, në
trimëri, në rrena e monafiki, të cilat shkaktojnë pezmatim plagësh, e që
ngjajnë në grimcat e mishit kur “grihen” në makinë qeni!
Edhe këtë çështje
e trajton autori, të cilën detyrueshëm duhet që të realizohet mbi bazën e
specifikës të një analize ndryshe: “...Cubi i kishe bërë dëm, shpesh e
kishte ndjekur Colin si njeri të dyshimtë. Kishte qit në litar bashkëvendas për
t’i shërbyer Partisë së Punës edhe në agoninë e vetë. Trupcung dhe partiak i
vërbër, servil dhe besëprerë, kundërshtar kryesor i kalimit të kufirit gjatë
diktaturës;kurse tani hiqej trumbetues i zhbërjes së kufirit. Thoshte: -Do ta
heqim këtë kufi ndarës të shqiptarëve!
Qeshën me të banorët e malësisë. –Do ta fshijmë këtë gardh të kalbur! –Ha
ha ha; qeshnin të pranishmit. –Hi hi hi, -ironizonin bashkëvendësit. –Do të
derdhim edhe gjakun tani,-vijonte ai! ...Si the?-i kishte ndërhyrë, Blend
Dizdari, nëntëmbëdhjetë vjeç, kaluesi i parë i kufirit gjatë viteve
nëntëdhjetë. –A nuk ishe ti që e qite në litar Bardh Bardhin, se mbajti dy ditë
mikun e shtëpisë në konak?”.
Këtë detal,
krijuesi na sjell jo pa qëllim, për të na përkujtuar vuajtjet dhe reprezaljet e
pakuptimta, që u janë bërë popullit në atdheun e tyre. Pra, edhe kjo konsiston
nevojën për analizat specifike jo vetëm të kësaj vepre, siç është ky roman.
Shenjtëria e luftës së UÇK-së, dëshmoi se gjaku dhe liria nuk njohin kufij
Në libër, janë
përfshihen edhe shumë gjëra pas “thyerjes” së kufirit, e që kanë sjell shumë
ndryshime, edhe pse, nganjëherë edhe euforike. Mirëpo, autori sheh madhështinë
edhe tek lufta në Kosovë me gjithë karakteristikat e veta, sepse, popullata
kishte përjetuar një tmerr, eksod e kalvar të paparë. Por, lufta e UÇK-së,
ishte e shenjtë dhe e vendosur, gjë e cila stolisë dhe madhështon një periudhë
të artë të historisë kombëtare: “...Ishte fuqizuar mësymja e UÇK-së dhe
po ndodhte tërheqja e ushtrisë serbo-malazeze, vijonte zmbrapsja dhe rimarrja e
pozicioneve nga UÇK, avancim në territore të lira nga armiku;kishte pasur, në
disa zona, dhe rikthim të shpejtë të UÇK-së. Kishte humbje në radhët e hasmit,
të cilat pasoheshin me dëme të popullatës së pafajshme, por, edhe te
vullnetarët e lirisë...”.
Pastaj, në libër,
fuqizohet dhe përjetësohet lufta e UÇK-së me ngritjen e shumë obeliskëve, të
përmendoreve dhe të monumenteve në tërë
Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë. Të gjitha këto, vihen në spikamë për shumë
arsye, sepse, historia e vërtetë ka peshë të madhe për t’u ndriçuar deri në
fund, e ndoshta edhe në raste specifike edhe për t’u rishkruar një pjesë e
historisë.
Ndoshta e ka
domethënien shumëdimensionale që kjo analizë të përmbyllet me fjalët që autori
i spikatë në kreun e fundit të librit, që janë edhe si perlë për vetëdijesimin
kombëtar dhe njerëzor, por edhe si qortim për plagët e pashëruara që janë
krijuar dhe ngelin edhe tash të tilla tek njeriu i trojeve shqiptare me gjithë
mallin dhe atdhedashurinë që ka, e që ndër shekuj nuk është shuar dhe as nuk do
të shuhet: “...Shqiptari do
mbrohej nga shqiptari. A kishte më paradoksale se kjo?! Plaga po mbyllej, por
varra e saj jo...”!
Romani “Kufiri i
gjakut”, është një vepër, e cila, nëse lexohet me përkushtim, e ka peshën e
dhembjes dhe klithjen se ende nuk është vlerësuar as nuk është ndriçuar “guri”
i kufirit, siç po ndodhë edhe tash në Kosovë e në...!
Lidhur me këtë, sikur puthitet mirë edhe mendimi i Volterit, i cili thotë:
“Jeta është e mbjellë dendur
me gjemba, dhe nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa
më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për
të na dëmtuar!
Por, edhe është e vështirë t’i çlirosh
budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë”!
Prandaj, edhe në këtë rast, nuk është
e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë
dhe të prekemi prej saj!