Kulturë
Emin Azemi: Hyjnorja dhe tokësorja tek jete dhe vepra e Nënës Tereze
E merkure, 09.09.2020, 07:13 PM
HYJNORJA DHE TOKËSORJA TEK JETA DHE VEPRA E NËNËS TEREZE
(Përkitazi
me doracakun Gonxhe Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e
hyjit” të autorit Prof. dr. Anton Nikë Berishës, botuar nga ITSHKSH në Shkup)
Nga
Emin Azemi
Studiuesi
dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha me këtë botim të veçantë – doracakun Gonxhe
Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e hyjit”, vazhdon të japë
kontribut të rëndësishëm në studimet mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze, duke
hedhur me këtë rast edhe një gurë të çmueshëm në themelet e ngrehinës së
ITSHKSH, që muaj më parë e zyrtarizoi Departamentin e hulumtimit të
trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiu – Nënës Tereze.
Rëndësia
e këtij botimi qëndron jo vetëm në faktin se ky po vjen në katër vjetorin e
shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për këndvështrimin specifik që studiuesi
Anton Nikë Berisha ofron me
këtë
rast. Pra, mund të themi lirisht se kjo mbase është qasja më e duhur që mund
t’i bëhet figurave që kanë ushtruar ndikim të pakrahasueshëm në rrjedhat e
kulturës dhe civilizimit botëror.
Të
shkruash për figura të mëdha, siç është Nëna Tereze, është sfidë në vetvete,
sepse duhesh të zgjedhësh rrugët më pak të rrahura nga autorë e studiues të
tjerë. Anton Nikë Berisha, me përvojën e studiuesit dhe lëvruesit të shkathët
të problemeve letrare e kulturologjike ndër ne, ka arritur të na ofrojë një
model interpretimi që mund të konsiderohet mjaft i avancuar, si për nga
koncepti i materies, ashtu edhe për nga metodologjia e trajtimit të përmbajtjes
së pasur të jetës dhe të veprës së Nënës Tereze.
I
konceptuar si doracak, ky botim megjithatë tejkalon emërtimin fillestar, sepse
plotëson shumë boshllëqe në njohuritë e munguara të njerëzve mbi jetën dhe
veprën e Shën Nënës Tereze. Kjo falë një metodologjie mjaft sintetizuese që
përdor autorit, i cili madje dorëshkrimit të tij i jep atributet e një
palimsesti, ku kronologjia dhe biografia bëhen bashkë në një hulli që autori me
mjaft gjeturi arrin ta sublimojë dhe të nxjerrë në pah, në një dioptri krejt të
re, nektarin e mendimit botëror mbi Shën Nënën Tereze, prandaj ky libër ka
shijen e ëmbël të ndjesisë autoriale për temat dhe problemet që ngre, si në
pikëpamje të përzgjedhjes së dimensioneve më pak të njohura nga jeta e Nënës
Tereze, ashtu edhe për nga pasuria dhe larushia e shfrytëzimit të veprave të
autorëve të ndryshëm mbi këtë figurë madhore.
Që
nga titulli i këtij botimi Gonxhe Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me
dashurinë e Hyjit” autori ka dashur të na përgatitë për një lexim kreativ të
tekstit, duke i dhënë profilit jetësor e shpirtëror të Nënës Tereze, trajtat e
një mendimi të gjallë që në vetvete ka sensin për të zbuluar hyjnoren në
veprimet e kësaj gruaje të madhe të njerëzimit.
Këtu
mbase mbështetet edhe, siç thotë autori, vetë qenësia e veprimit dhe e flijimit
të Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve, ndërkohë që përmasa hyjnore e
saj tejkalon sjelljen e një bamirëse, sepse gjatë rrugëtimit të saj nëpër
skutat e harresës e të pakujdesisë njerëzore ajo del si një sintetizuese e
misionit human dhe përkushtimin ndaj Hyjit. Ajo i bëri bashkë këto dy dimensione
të qenësishme të mirësisë tokësore dhe asaj hyjnore, sepse ishte e vetëdijshme
se të duash, domethënë të vuash: “Pa vuajtjen tonë, puna jonë do të ishte vetëm
një shërbim social”, thotë ajo.
Nëna
Tereze, sipas autorit, e përmendte shpesh parimin, që e mbante si bazë të jetës
e të veprimit të vet, se duhet “ta japësh jetën” për tjetrin, për njeriun kudo
qoftë ai…“Unë s’jam tjetër pos një lapës në duart e Zotit […] Zoti shkruan duke
na përdorur neve edhe pse jemi vegla të papërsosura. Zoti shkruan në mënyrë të
mrekullueshme”, thoshte Nëna Tereze.
Kjo
thënie e Nënës Tereze që vjen në këtë botim, nuk është përzgjedhur rastësisht
nga autori, dhe kjo është një prej meritave më të mëdha të tij që ta
portretizoj figurën e Nënës Tereze jo thjeshtë si një bamirëse, por më tepër si
një frymë njerëzore që e mbush përditshmërinë tonë me ngrohtësinë që mund ta
dhurojnë vetëm ata që posedojnë energji për t’u flijuar për tjetrin, që në
thelb
nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë.
Nëna
Tereze na mëson se pasuria më e madhe e njeriut, nuk është vlera monetare dhe
materiale që posedon, por është shpirti i sakrificës, për tjetrin, apo siç do
të shprehet kardinali, Angelo Comastri, teksa mundohet të formulojë një mendim
për Nënën Tereze: “Me dëshirë i vë në formën e shkrimit disa kujtime personale
për Nënën Tereze të Kalkutës, po në të njëjtën kohë ndihem pak ngushtë të flas
për të. Në të vërtetë, e kam parasysh se Nëna Tereze nuk mund të definohet, nuk
mund të përshkruhet, nuk mund të rrëfehet për arsye se burimi i jetës së saj
kridhet në misterin e vetë Zotit ”…..
Ky
mendim përputhet tërësisht me urdhrin e Ungjillit: “Duajeni njëri – tjetrin
sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi
vetveten!” (Mt 22, 39).
Autori
Anton Nikë Berisha këtë postulat hyjnor e mbështet me konstatimin se në çdo
veprim Nëna Tereze përligji mendimin se jeta e njeriut nuk është gjë tjetër pos
bashkim i dashurisë së tij me dashurinë e Hyjit, kurse gjakimi i saj kryesor
ishte: “Nuk mund t’u japim asgjë të tjerëve nëse jeta jonë nuk është plot e
përplot me dashuri të Hyjit, nëse zemrat tona nuk janë të pastra…. Për këtë
arsye dashuria hyjnore duhet të ngadhënjejë (“Më i madhi dhe më i vështiri
është: revolucioni i dashurisë ”).
Dashuria
e Nënës Tereze për njeriun kishte një dimension krejt të veçantë. Kjo dashuri
nuk mund ta kishte fuqinë e ndikimit, nëse nuk ndërlidhet me një dashuri
tjetër. Për rrjedhojë Dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun janë të
pandara: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime
për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri…..” Pra, “Qe dashuria të
jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim […] kjo
dashuri më shpie tek dashuria e Zotit”.
Njerëzit,
sipas Nënës Tereze kanë nevojë për një terapi shpirtërore që nuk mund ta gjejnë
në asnjë ordinancë.Njerëzit kanë nevojë të luten, thoshte ajo.
Teksa
e zbërthen këtë parim, autori sjell një detaj nga një ngjarje e vërtetë në
rrugëtimin e Nënës Tereze, pasi kishte vizituar Jemenin, takon një të pasur dhe
rrëfen pastaj përshtypjet nga ai takim:
“Në
Jemen, vend krejtësisht islamik, i kërkova një të pasuri të ndërtonte një
xhami. I thashë: ‘Njerëzit kanë nevojë për një vend ku të luten. Të gjitha janë
vëllezër e motra myslimane. Kanë nevojë për një vend ku mund ta takojnë
Zotin’…”.
Besimi
i Nënës Tereze në Hyjin si dhe jeta, veprimi dhe flijimi i saj, thotë autori,
nuk mund të kuptohen në thellësinë dhe dritën e vërtetë pa e kuptuar mirëfilli
qenësinë e lutjes dhe rëndësinë që ajo i dha asaj.
Për
ta kuptuar më mirë thellësinë e shpirtit të Nënës Tereze, autori i referohet
pikërisht konceptit që kishte ndaj lutjeve, prandaj Nëna Tereze thoshte: “Lutja
nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në
shërbim të tij dhe të dëgjosh zërin e tij në thellësinë e zemrës sate”.
Këto
janë edhe arsyet, sipas autorit, që Nëna Tereze i deshi njerëzit me dashurinë e
Hyjit, pa marrë parasysh ngjyrën, racën, besimin dhe vendin.
Tani
kur po përkujtojmë katërvjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për
të përmbyllur këtë fjalë timen mbi Doracakun që po promovojmë sot, po sjell, me
ndihmën e autorit, një mendim mjaft domethënës të Nënës Tereze, që tingëllon
paksa edhe profetik në vetvete: “Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do
të jem padyshim një shenjtëreshë e ‘fshehur’: do të mungoj vijimisht në parajsë
që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”.
Uroj
që veprat si kjo të bëhen pjesë e pandarë e studimeve tona në kuadër të
ITSHKSH, kurse studiuesin dhe mikun tonë e përgëzoj për gatishmërinë dhe
dashamirësinë që t’i përgjigjet kërkesës sonë për ta përgatitur këtë doracak me
përkushtimin e duhur.
Shkup, shtator 2020