Kulturë
Resmi Osmani: Ditari i Pandemisë
E shtune, 19.09.2020, 09:21 AM
Refleksione
DITARI PANDEMISË-RRËFIME NGA KARANTINA
Libri i ri i Prof. Agim Vinca
Nga Prof.
Dr. Resmi Osmani
Një armik i padukshëm por i pranishem, i pabesë, tinzar e shpesh
vdekjeprurës, një koronavirus i emërtuar Kovid -19, që se di nga vjen e si vjen
u kthye në pandemi. Ndër masat mbrojtëse është edhe karantina. Mbyllja në
banesë. Izolimi. Si shumë të tjerë,në Prishtinë e Kosovë dhe ne në Tiranë e Shqipëri,
karantinës ju nënshtrua edhe Prof Agim Vinca në Prishtinë. Më duhet ta them, që
Prof. Agim Vinca,është personalitet i shquar i kulturës shqiptare, me
veprimtari te shumanshme: poet, kritik, historian i letërsisë, teoricien dhe
metodist, publicist, veprimtar shoqëror,mendimtar, polemist i mençur, pedagog
në universitet, autor i veprave të shumta e të larmishme. Dhe ja: është i
detyruar të mbyllet brënda katër mureve! Një gjendje e pamenduar por e
detyruar. Mund të rrish brenda mureve, por nuk ka mure që veçojnë njerëzit.
Edhe kur është i vetëm, njeriu s’është fillikat. Me të janë mendimet, që i
kapercejnë muret,janë kujtimet, një jetë
e shkuar, historia, por edhe e sotmja që e mundëson teknologjia, qoftë në aspektin
vendor apo planetar.Por a mund të qëndrojë i ndryrë Brenda dhe t’i shkojë ditët
në limonti duke përcjellë ngjarjet brenda mureve, dijetari Agim Vinca?
Naturisht që jo. Vendos të mbajë ditarin e “ngujimit”.Që siç thotë në
parathënie:”Të lë një dëshmi,nëse jo për histori, së paku për jetën e
përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë
pandeminë Covid-19. Si dëshmi dhe borxh për ata që i vunë gjoksin kësaj
semundjeje”. Dhe në një vend tjetër: nganjëherë më duket se po të mos e mbaja
këtë ditar do të harroja ditët dhe nuk do të dija ç’ditë është sot: e hënë, e
martë apo e mërkurë…Ditët brënda shtëpisë, vetëm apo vet i dytë, i ngjajnë aq
shumë njëra-tjetrës, sa rrezik të mos i dallojë njeriu, jo vetëm si ditë po
edhe si datë, po të mos ishin celularët dhe kalendarët. Kësisoj,ditë pas dite,
fletë pas flete, u ngjiz libri ”Ditari i pandemisë-rrefime nga karantina”,që u
publikua në Prishtinë nga “Artini”në korrik 2020, për t’ua vënë në dorë
lexuësve.
Profesori, në pamundësi për
shkak të kufizimeve, për ta dërguar librin e shtypur në letër, ma dërgoi në postë elektronike. Pas leximit të
vëmendshëm, nuk mund të mos parashtroj mbresat e mia, për lëndën që ngërthen ky
ditar i veçante ne llojin e vet, që i ngjan,siç thotë autori, një përralle të
bukur por edhe të frikshme njëkohësisht. Janë gjithsej tetëdhjet ditë, nga 14
marsi-1 qershor 2020. Me përjetimet për
ngjarjet e përditshme, por edhe ato të shtrira në thellësi të kohëve,
informacionin nga vendi dhe bota, opinionet për përditshmërinë e jetës së
trazuar politike, pikpamjet për jetën, kombin dhe atdhedashurinë, fëmijët dhe
familjen, traditat, doket , zakonet dhe filozofinë, interest shkencore dhe
artin e letërsinë, duke e kthyer këtë ditar në një rrëfim sa intim aq edhe
publik, që ka vulën e bindjeve dhe
personalitetit vetjak të autorit. Nëpërmjet ditarit, lexuesi, njeh njeriun dhe
dijetarin Agim Vinca, mendjehapur, që i thotë gjërat dhe zhvillimet ashtu siç i
mendon dhe gjykon , me erudicion, kurajo e të pa ndikuar, që e do gjer në
dhimbje Kosovën dhe Shqipërinë. Por nëpërmjet tij lexuesi mëson edhe shumçka
nuk e ka ditur dhe për të përbën risi diturore.
Për nga shumllojshmëria e
problematikës, dhe ngjyresa e veçantë e secilës prej tyre, ditari shëmbëllen me
një tabllo-mozaiku modern, të hedhura pa simetri e planvendosje, në dukje pa
lidhje, por kjo është dukje e rreme, sepse fundekrye lënda në shtrirje lineare,
ka unitetin në kohë dhe hapsirë. Në pamje diturore, ditari përngjason me një
enciklopedi, pasi në të sillen ngjarje të larmishme, të thjeshta por edhe
komplekse nga fusha të ndryshme të dijes, te ndodhura jo vetëm në trojet amtare
por edhe në hapsira të gjera, të shtrira në kohë, që nga mesjeta e gjer ne
ditet tona. Per epidemitë: murtajën, kolerën, linë e bardhë, gripin spanjoll
dhe epidemitë që kanë shuar miljona jetë njerëzish. Por në çdo rast, njerzimi
ka triumfuar, shkenca ka përparuar dhe jeta ka vijuar. Covid-19 është
sfida me të cilën po ndeshet bota në
ditët tona dhe autori beson se jeta do të dalë fituese edhe mbi këtë të keqe që
e ka pllakosur.
Koha ecën, ditët i lenë vendin
njera-tjetrës. Faqet e shkruara te ditarit-kronikë shtohen.Por çfarë përmbajnë
ato? Janë disa subjektet peërmbajtesore: të rejat e ditës,që për shkak të
karantinës përcillen kryesisht nga mjetet e komunikimit masiv. Për çdo dite
thuajse nuk mungojnë njoftimet për pandeminë në Kosovë, Shqipëri dhe në botë,
me shifra: të infektuarit, viktimat dhe të shëruarit,në dinamikën e kësaj të
keqeje, ditë pas dite. Zvillimet e mbrapshta politike kryesisht në Prishtinë
por edhe në Tiranë. Pjesë substanciale janë kujtime që përkojnë me data
ngjarjesh të larmishme, që nga ato vetjake, familjare, të vendlindjes, apo të
ngjarjeve të rezistencës, demonstratave studentore dhe luftës kundër pushtuesit
serb, por edhe ato të karakterit kombëtar por edhe ndërkombëtar. Në të gjitha
trajtesat, ditarmbajtesi erudit me dituri enciklopedike, shpalos jo vetëm
ndodhinë për ditën e dhënë, që paraqet interes për veçantitë e saj, por jep
edhe opinionin dhe pikpamjet vetiake, duke i lënë të drejtën lexuesit që të
jetë ose jo i një mendimimi me të. Jane pjesë e ditarit edhe bisedat telefonike
me miq, ato të përmallshme me djalin dhe nipërit në Amerikën e largët; një
shëtitje në parkun e Germisë, apo nje kafe ekspres me miqtë në kafet e
Prishtines, shoqëruar me përshtypjet e kësaj kohe jo të zakontë.
Kosovës, si të mos i mjaftonte
pandemia e Coronavirus-19, që kërkon një angazhim sipëror për t’u përballuar
dhe shpëtuar jetët e rrezikuara të njerëzve, politika e zhyt Kosovën në një
krizë të thellë me sherrnajën meskine për zotrimin e pushtetit. Koronavirusi,
gjeti një aleat në Kosovë,politikën. E pazakontë. Verbëri politike në kohë
pandemie. Grindje në zi! o Zot, o Perëndi!Është si një klithje. Kastat politika
që kanë njëzet vjet në zotrim të pushtetit, janë turrur kundër Vet- Vendosjes
dhe kryeministrit Albin Kurti, që ende si ka bërë as pesëdhjet dit qeverisje e
që u votua si shpresë për të sjellë ndryshim. Mocion mosbesimi, séancë pas
seancash parlamentare, diskutime pa fund;fjalë,fjalë, fjalë.Diskutime, replika,
kunder- replika. Dalldi.Turp.Deri në absurd, një tragjikomedi dhe, në fund me
makinacione qeveria rrëzohet. Me ngut vihen ne levizje mekanizmat,Gjykata
Kushtetuese, nisin intrigat, lojrat e pandershme politike për të krijuar
qeverinë e re. E gjithë kjo maskaradë
gjen pasqyrim të plotë dhe analitik në ditar. Autori i takon atij brezi dhe
krahu qëka luftuar për Kosovën e lire, e që ka vuajtur nga represioni e shtypja
serbe, shpreh vullnetin popullor, që aspiron ndryshimin, daljen nga moçali politik
që po mbyt vendin. Mban anën e qeverisë legjitime, të partisë që ka fituar
zgjedhjet, si shprehje e vullnetit popullor, demaskon kastën politike, krerët e
saj të pasuruar me korrupsion që janë kapur me thonj e me dhëmbë pas pushtetit
e që nuk pranojnë ndryshimin. Në faqet e ditarit, me stil brilant, humor të
hollë e sarkazëm vihen në lojë e përqeshen drejtuesit e partive ashtu siç i
quan populli: prsident Hashimi-Hasha, Haradinaj-Rambo, kryeministri Avdulla
Hoti-Dulla, Isa Mustafa-Isa (ose Putin).Ky i fundit, politikan karriere, që u
ka shërbyer shumë padronëve, me shkopin e tij të invalidit, po sjell verdallë
gjith Kosovën. Janë personazhe të neveritshëm, qesharakë, të kësaj balloje
politike me maska. Nuk mbetet pa u stigmatizuar edhe i dërguari i posaçëm i
ShBA-ve, ambasadori Grenell, që bëhet palë për ndryshimet e qeverisë Kurti.
Autori sheh te Albin Kurti shpresën e ndryshimit,ngaqë ai është i zgjuar,
inteligjent, i formuar dhe mirinformuar, se nuk ka hyrë në politikë për t’u
pasuruar apo pëër të gëzuar privilegjet qe gëzon pushteti. Djegia e tij
politike është djegie e shpresës për luftë kundër së keqes. Dhe e gjithë kjo
ndodh në kohë pandemie!
Në spitale personeli mjekësor
bën luftën për të shpëtuar jetën, në ekrane luftë politike. Politika helmon.”Patologji
politike”.Keshillave për antivirusin-shenon ne ditar autori- i duhen shtuar
edhe: fikni televizorin, ndrroni kanal, shihni filma dhe emisione për
kafshët.Shëroni shpirtin me muzikë dhe letërsi të mirë. E thotë këtë i
neveritur, pasi politikanët luftojnë për pushtet si çakenjtë.Teksa bota lufton
për shpëtimin e jetëve, çakejtë tanë-vëren autori- duan t’i hanë kokën
njëri-tjetrit. Sllogani I tyre: urrej pra egzistoj!
Ndryshe nga gjinitë e tjera letrare, ku lexuesi vijon leximin duke hamendësuar zhvillimin e subjektit, ditari eshte si nje teresi të panjohurash, që prêt te zbulohen faqe pas faqe të librit, për çdo ditë të dokumentuar në ‘të, çka e mban të tendosur vemendjen dhe kërshërinë për ta shpënë leximin deri në fund, si I thonë, me një frymë. Ja disa gjetje: gdhihet dita e re: besimtarët myslymane nisin ramazanin. Autori evokon kujtime nga ky muaj ne familjen e vet dhe të atin besimtar te devotshem, dhe gjen rastin te flase e trajtoje per harmonin fetare që është një ndër vlerat e shqiptarëve. Në ditën botrore të poezisë, evokohet poeti sirian Adonis. Në një rast tjetër një letër e shkruar në shqipen arbërore për një poet arbëresh; një vdekje në vendlindje, ku nuk mund të shkohet për të hedhur një grusht dhe, bashkë me dhimbjen evokohen cilsitë e mira njerzore qe e bejne njeriun te kujtohet gjatë. Nëndë maji, është dita e Europes,vendi I Shqipërisë është në Europë, por…Para se të hyjmë në Europë ne duhet të bëhemi Europë. Në pesëmbëdhjetë maj perkujtohet politologu dhe filozofi Ukshin Hoti, njëzet vjet I zhdukur, që ka hyrë në kufijtë e legjendës. Pjesë e përditshmërisë janë edhe leximet: autori pyet:ç’është një libër-a të mirë? Dhe pohon: më kanë ndryshuar, më kanë shëruar nga vuajtjet dhe gabimet. Më kanë dhuruar lumturi, besim dhe paqe. Ma kanë kthyer shpresën. Rilexim me një këndvështrim të ri i “Murtajës” së Kamysë, ”Verbëria” e Saramagos dhe autori pyet: Mynxyra e koronavirusit do të na i hapë sytë, apo do të na verbojë më keq? Njëzet e dy maj. Ditlindja e poetit.Një lkujtesë retrospective dhe mendimi përmbyllës: jeta, rendesi ka si e jeton atë , etj. Por ditët do të dukeshin më të zbrazëta pa muzikën dhe poezinë.Muzika, poezia dhe miqësia, bëjnë që për një çast të harrohet pandemija, mbyllja, izolimi. Miqtë kujtohen në ditë të vështira. Biseda telefonike me Prof.Rexhep Qosen, me shkrimtarë dhe poetë, shkëmbim mendimesh.
Në ditar pasqyrohet edhe një
pyetje që e bëjnë sociologët, psikologët por edhe shumkush nga ne që përjeton
privacionet e pandemisë: si do të duket bota pas pandemisë, si do të jetë jeta
pas pandemisë? si do të duket ajo? Dhe autori mediton: njerëzit do të kenë
arsye ta duan më shumë njëri-tjetrin; më dashamirës, e solidarë, më humanë, por
në kërkim të kohës së humbur mund të bëhen edhe më grykës e më egoist se më
parë! Lufta kundër koronavirusit duhet të ishte edhe luftë kundër së keqes. Dhe
një vrejtje:”Ndoshta prej kohësh e kishim braktisur veten dhe karantinimi duhet
të na ndihmojë të rindërtojmë veten, pa u ndikuar nga të tjerët.Karantina duhet
të shërbejë si katarsis dhe refleksion për jetën, si është jetuar dhe si duhet
jetuar.
Më Një Qershor, hiqet karantina.
Rastis të jetë festa e ditës së fëmijëve. Prishtina është plot jetë. Fëmijë,
vocrrakë të shoqëruar me prindër, në parqe
i gëzohet ditës së bukur dhe jetës. Jeta, vëren autori, është si ai lumi
i madh degëshumë që se ndal asgjë; as partitë, as qeveritë, as grindjet, as
marrëzitë, e madje as sëmundjet dhe epidemitë.
Më 18 maj, autori shkon në zyrat
e sigurimeve, për një deklarim jete! Njëri nga nëpunësit e njeh dhe i
thotë”Profesor na shkruani diçka të mirë”.Bëhet shkak kjo kërkesë që në ditar
të vijojë një përsiatje për letërsinë e mirë dhe kërkesat e lexuesve duke i
ndarë, sipas Mopasanit lexuesit ne disa grupe, sipas prirjeve dhe kërkesave që
ata kanë për një libër si: më ngushëlloni,më argëtoni,më pikëlloni, më
mallëngjeni,më shtyni të ëndërroj, më bëni të qesh, më bëni të dridhëm, më bëni
të qaj, më shtyni të mendoj! Është ky rasti që autori I ditarit, në mënyrë fine
dhe elegante, të bëjë pyetjen: ”Artisti provon me sukses apo pa sukses. A do të
jetë i tillë ky ditar? A do t’i shtyjë lexuesit të qeshin, të qajnë, të
mallëngjehen, të argëtohen, të pikëllohen, të ëndërrojnë, të mendojnë?
Dua t’ia heq këto dyshime autorit
të “Ditarit të pandemisë” Ky ditar është i tillë. Të bën të mendosh, të
pikëllon, të vësh buzën në gaz, të mallëngjen, të revolton dhe të mëson gjëra
të reja e që si ke ditur. Lexuesi do të më japë të drejtë kur ta lexojë e të
pasurojë bibliotekën me këtë libër të
veçantë në llojin e vet.
Ditari mbyllet, në vend të
epilogut me poezinë “Dollia e fundit”, e poetit kilian Nikanor Parra, një dolli
për të nesërmen, si një hymn për jetën.
Dhe në fund urimi për të
keqen”Shkoftë e mos ardhtë”.
Tiranë, më 19.08.2020