E marte, 10.12.2024, 06:19 AM (GMT)

Kulturë

Brahim Avdyli: Ngushëllimi

E diele, 20.09.2020, 09:50 AM


NGUSHLLIMI

-Tregimi tjetër që kam lexuar nga Agron Iliriani

Nga Brahim Ibish AVDYLI

Ndoshta ju e keni patur fat të mirë midis fatkeqësisë që ta keni nëpër duar ndonjë shënim timin e fat që ta lexoni, përderisa dua që t`i keni këto porosi të mëdha, sepse jo të gjithë mund të shkruajnë, por po u them se një gjë të tillë nuk u ka rënë asnjëherë në mendje si mua, sepse forcën e mendimeve të mia duhet që ta keni pasur apo kjo forcë e imja nuk ka pushuar para dhunës së armiqve tanë. Kjo gjë vie në shprehje në të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet që i kanë në dorë, të ligjtë.

Mund të ikë mendja e ta humbësh kontrollin e saj. Largimi i mendjes dhe mbajtja e kontrollit të saj, është një mjeshtri. Të quajnë „të çmendur“, aq sa nuk e di se çka fletë. Ose „të shlyer në mendje“, kur fare nuk flet, etj…

Aq sa koncentrohet mendja e ikur, kur trupi i juaj rëndomë djegë e dhembë deri në shpirt, për të dalur edhe ai nga trupi, gjë që e dëshirojnë armiqtë e shumtë si një oligarki e dhunës së shfrenuar, duhet ditur si ruhet mendja. Jo të gjithë dinë t`ua thojnë. Prandaj, po bëj përpjekje t`ua shpjegoj.

Njëherë, më dëgjoni këtu çfarë duhet që ta dini. Kur nuk ke asnjë mundësi tjetër, parasegjithash u nevojitet njëfarë ngushllimi. Po, ngushllimi! Jo t`ua shprehësh të tjerëve, por t`ia shprehni vetes suaj dhe të bëhesh i fortë në vetvete, për të përballuar dhembjet. Ku e di ti sa qenie, edhe nga gjinia e juaj, i përjetoni mbi trupin tuaj, madje që të vinë së bashku me urdhëruesit e kundërt?! Janë si të shkëputet nga trupi yt, ndonjë pjesë e jotja, që të di më së miri çka dhe si mendon. Ata, kur sjellin mbi ty, sjellim aq rrebtë e pa asnjë dhimtë, apo ua „zgjidhë“ duart kryedemoni i madh, lanet pastë, sa të thonë pikërisht ato gjëra që lexojnë nga truri yt. Askush nuk e di si duhet të ikë truri në një hapësirë tjetër e ta ruash medoemos të qartë mendimin e tij.

E thashë, pikësëpari, u nevojitet ngushëllimi. Ju duhet që ta ruani mendjen, jo vetëm brenda trupit, por edhe jashtë vetes.

Po ua zënë mendjen, pastaj shpirtin, të plasi e keqja: vdiçe! Kur vdes, nuk flet. Nuk e ke kontaktin me jetën, që drejtohet prej shpirtit e mendjes së gjallë, pra që doli nga vendi dhe e hupe kontrollin e saj. U shkëpute krejt nga truri, nuk e di ku është truri dhe pastaj fluturove, pra vdiçe tërësisht!...

Që ta ruajsh mendjen të gjallë e të mund të mendojë, të mos bie në duar të armikut, pavarësisht nga dhembja e madhe trupore, është një mrekulli! Në radhë të parë është qetësia shpirtërore. Nuk është e lehtë, jo! Pa qetësinë trupore lëkundjet mendja dhe të ikë. Duhet ta ruajash mendjen, që shpirti të qetësohet. Pra, të kesh në tërësi një qetësi të përkryer, deri në pafundësi!...

Shpesh e kam pyetur veten nëpër jetëvdekje, i hollë sa peri, se ku mund të bazohet pranueshmëria e vuajtjeve të mia, e sakrificave shpirtërore. Më së pari e kam patur të qartë se në asnjë mënyrë nuk do të kem mundësi të kyqem në sferën politike, pos në anën e kundërt. Vuajtja ime e përhershme për njeriun dhe të drejtat e tij, është një veprimtari e sinqertë, e cila e përjashton çdo lojë politike. Karriera politike kalon mbi sakrificat dhe gjakun e derdhur nga njerëzit e drejtë, të thjeshtë, të sinqertë e idealist apo mbi gjakun e djersën e sojit tim. Ata që nuk janë të gatshëm dhe “të aftë” për të marrë pjesë në këtë lojë të ndyer e të pistë; që nuk mund të shpresojnë të “ngriten” nëpër shkallët e karrierës; pra ata që nuk e kanë dhënë besën e Zotit të Madh e të drejtësisë; me plot bindje po e them se ata do të qëndojnë kudo mbi kockat e thyera të njeriut “të vogël” e të rëndomtë; të thjeshtë, të virtytshëm e të drejtë; pa sakrificat e të cilëve asnjë epokë e tillë nuk do të mund të fillohej, dhe midis unazave të shekujve nuk ka mundur të zhvillohet asnjë ndërrim në fatin tonë tragji-komik. Edhe ky është një “argument”...

Asnjëherë nuk më ka brengosur se a do të vlerësojnë të tjerët punën time apo jo, dhe a do jenë mirënjohës shtresat e gjëra të popullatës për sakrificat e mia shpirtërore, të cilat i kam bërë për hirë të ditëve më të mira. Jo! Nuk më ka interesuar kjo gjë. Nuk kam dashur të di se çka mendojnë të tjerët. Përkushtimi im ka qenë vullnetar dhe mëse i sinqertë. Në botë dallon i miri dhe i keqi; e drejta dhe e padrejta; e mbara dhe prapta. Këtu dallojnë ata që kanë ardhur me besën e dhënë te Zoti i Madh, dhe ata që janë ngulfatur prej demonit e kryedemonit të praptë. Në prapavijën e mendimeve të mia qëndron vetëm matja e të ligës që po e shkatërron njeriun tonë gjithnjë e më tepër; që e kishte kapërthyer në fillim dhe me të padrejtë e keqja e ardhur rastësisht, si një gangrenë e tmerrshme trupin e shoqërisë. Provat janë të shumta, në çdo minutë, me dinakëri të demonëve, kryedemonit dhe të servilëve të tyre. Qeniet e lindura nëpër dhembje, e kanë harruar detyrën e marrur prej Zotit të Madh. Atëherë, u servohet e keqja, që t`i përvetësojë, nëpër çdo minutë. Duhet t`i bëjë tri të këqija të mëdha prej vetes, njëren pas tjerës, e të dalë prej dorës së Zotit të Madh apo Zotit NJË. U tregoj më vonë se cilat janë këto të liga, njëra pas tjetrës, prej të cilave do të kthehet njeriu në demon...

Detyra e marrur në besë prej Zotit të Madh apo Zotit NJË, kur ke ardhur në jetë, ka të bëjë parasegjithash edhe me pikëpamjet që do të marrësh prej jetës; me përcaktimet, edukatën, medimin dhe disponimin e pa fund ndaj padrejtësive të kohës. Për mua, më mjaftonte të ngjall shpresat e thyera të rinisë, të pjesëtarëve të etnitetit tim në një të ardhme e afërt dhe tjetër fare nga kjo “e sotme”, e cila ishte aq e ashpër, aq e padrejtë, dhunuese dhe antinjerëzore. Kush udhëheqë këtë botë e kush do të jetë vetëm poshtë? Kjo dihet! Është i shpërfillur njeriu nga shtresa e ngritura në pushtet, sepse ai mendon pak më ndryshe; është e shpërfillur shoqëria që beson në Zotin NJË; është e shpërfillur etnia që ka rdhur “prej së largu”!

Shpërblim më të bukur nuk ka se të shohësh pas vetes tënde valën e madhe të revoltës që po ngrihej si tufan i vërtetë për të dridhur sipërfaqen e ditëve të përdalura! Nuk mund të ketë kënaqësi më të madhe se sa të shohësh qindra djem e vajza e duke ngritur zërin e tyre pa frikë dhe dyshim, kundër padrejtësive të tmerrshme! Në tërësi, padrejtësitë e tilla po i bëheshin etnikumit tim! I vetmi ngushëllim për zgalemin, i cili po përleshet i pari dhe papajtueshëm tërësisht me stuhitë, është karvani që i shkon pas, përmes të së cilit merr pak guxim që ketë forcë edhe më tutje të përleshej me stuhitë e kohës dhe krenari të rrallë që t`i rrahë flatrat e tij nëpër erë!

Ky është ngushëllimi i thuktë për vetvete, se sa të mos shohës asnjë pas vetes. Është ngushëllim fakti që një përleshje e tillë e bën nga ndjenja e fuqishme shpirtërore, e jo për ndonjë përfitim personal. Shpirti qëndron në trup dhe ai me zemrën i japin ndjenjat, ndërsa mendja i gjykon. Zgalemi mund të përplaset mbi shkëmbijtë e fatit; të thyej krihet gjatë përleshjes apo të plasë tërësisht në furtunë, por kjo nuk e shqetëson këtë zgalem, sepse pas tij ndodhet vargani i pashkëputur i atyre që mund të zënë vendin e tij!

Kjo ka rëndësi të dorës së parë dhe vie si i vetmi ngushëllim. Mjafton që vetë çështja e mirë të ecë përpara, e të mos flé, sepse zhduket! Suksesi nuk do të mungojë asnjëherë, pasi ndodhen të atillë që mund t`i përkushtohen. Vala valen e zë e kurrë nuk do të bjerë! Gjithsesi do të ketë të atillë, që priren nga ndjenja të sinqerta, me sublime njerëzore, të cilët nuk i kursejnë asnjë përpërlitje me kohën dhe tregojnë dashuri ndaj njëri tjetrit, pranë vetes.

Ah, dashuria! Nuk e kuptojnë se ajo është një ndjenjë polivalente! Ç`është dashuria, në një atdhé të robëruar; kur njeriu nuk e di si do të ngryeset; kur nuk e di se do të gdhihet mëngjesi; kur nuk e di çka do të sjellin orët e minutat e saj? Në çdo minutë mund të vie vdekja...

Askush, që është në këtë valë të thuktë të turbullirave nuk ka kohë të mendojë për dashurinë. Ndonjërit, i duket dashuria absurde në këtë kohë, por nuk e ka të qartë se prej njeriut nuk është e ndarë asnjëherë dashuria. E ndërron kahjen dashuria, por ajo prapë funksionon dhe bëhet. Në këtë kohë, në kohën më të çmendur rreth teje, vinë dashuritë e tjera, vepra të mëdha të shpirtit tënd njerëzor. Një punë që e do, mund ta bësh mirë, edhe një çështje tjetër mund ta duash poashtu e mund të përpiqesh me përkushtim që t`a zgjidhesh. Pra, e do, e ke në qefë, e dashuron...

Këtu, ndalem e mendohem! E kujtoj edhe thënien e pavekshme të poetit të madh hungarez, Shandor Petefi, i cili thoshte:

“Për dashuri e jap jetën, por për Atdhé e jap edhe dashurinë!”

E shini?! Kjo është formula më e saktë e veprimit! Ke lindur në një etni, në një komb, e flet një gjuhë dhe ke një atdhé. Për atdheun pushojnë të gjitha dashuritë! Ne jemi shpërfillur nga djalli i madh që të mos e ndjejmë detyrën e madhe të krijimit të atdheut të përbashkët, por duhet që të mos lejomë disa ndjarje të tokës sonë nëpër disa ndarje administrative!

Sipas kësaj premise të shenjtë të dashurisë polivalente, edhe të “atdheut mbi të gjitha”, kam vepruar edhe unë e jam inspiruar nga ndenjat e vërteta të dashurisë, në pjesën dërmuese të kohës! Nuk kam ndjerë një dashuri të vertetë ndaj një femre të veçantë, e kam “mbytur” këtë ndjenjë në pusin e thellë të ndjenjave të mia, dhe kjo nuk ishte e lehtë, dhe kam pasur ndjenja të dashurisë “për tjetrin”, në vazhdimësi, përreth meje. Dashuria ime është shprehur në një formë tjetër. Pra, qenë vetëm një dashuri shpirtërore!

A do të kishte kuptim të rrija duke e fantazuar dashurinë ndaj një femre imagjinare, për të cilën do të më cyste djalli i madh apo demonët e tjerë, sa për të larguar njëherë nga vetja, e në momente të frymëmarrjes së rënduar; të ndrydhjes së trupit të shkallmuar; të copëtimit nga dhuna; të shtypjes brutale te të gjithë njerëzve të mi e kombit; kur më së shumti më nevojitej të shtrydhja shpirtin tim në ruajtje të hapave të marrur deri këtu e të ndërmarr hapa të guximshëm e të tjerë të ligjshëm të sakrificës për hirë të lirisë?! Jo pra, kurrsesi nuk kishte kuptim shfryerja e ndijimeve shtazarake, përpara ndjenjave të vërteta njerëzore! Isha i preokupuar për të ardhmen më të mirë, më të sigurtë, më njerëzore, të lirisë së vërtetë!

Nuk hezitova asnjëherë, në asnjë çast, asnjë orë, sado që më plaste edhe ndonjëherë vetmia; dhembja, brenga, pakënaqësia, trishtimi e boshllëku i ditëve shterpë, si të shtrydhja në gurmazhin tim ndonjë protokall të kalbur. Më mirë ishte të shtydhja ditët e mia, sido që të jetë e mundur, nëpër kohën e pakohë të dhunës, me përpjekje të përhershme të mbrojtjes së drejtësisë, edhe pse u desha të kaloj mes përmes ferrit, fillikat i vetëm, me therrat e dhembjes së dëshirave të paplotësuara, për të bërë sado pak një zjarr të vogël, që mund të bëhej një diell i dashurisë, për tokën e njerëzit e mi.

A më duan apo nuk më duan njerëzit, kjo nuk më interesonte. Dëshirat janë në altarin e preokupimeve të së mundshmes. Duhet që t`i peshosh çdo njërën që e do vetë njëherë, a plotësohet apo nuk plotësohet kjo dëshirë. Qëllimet nuk janë dëshira, ato janë lajtmotive. As dëshirat nuk janë çështje e motivimit, por lidhen me ndjenjat, sepse shpirti i mbanë në zemër ndjenjat. Ndërsa lajtmotivet janë një çështje e madhe e të ardhmes suaj, në jetën e përkohshme. Jo rastësisht ajo quhet “jeta e provave të përditshme”.

A më vlerësojnë apo nuk më vlerësojnë “të tjerët”, as kjo nuk duhet të më interesojë. Kjo gjë, fare nuk më duhet që t`a shqyrtoj. Kur vjen në jetë, vjen me një qëllim të caktuar, që duhet plotësisht të përmbushet, e kjo nuk varet nga vlerësimet që t`i falin të tjerët. Rruga e jote jetësore nuk varet se si të vlerësojnë “të tjerët”, por si duhet e sa mund ta përmbushësh këtë detyrë të madhe njerëzore, sepse je i ardhur me detyra të caktuara.

Ti ke ardhur në një grup të caktuar e do të përballesh me forcën e praptë e më të organizuar kundër teje. Mjafton që të përpiqesh me forcën tënde të drejtësisë kundër padrejtësisë së forcës brutale e ç`njerëzore të armiqve tuaj, e cila më së pari ka e vjedhur rininë tonë, pa zhurmë, dhe përpiqen qetas me çdo kusht, që pranvera e viteve të përpjekjeve tona të kthehet në strofullën e heshtjes. Të jemi “gjenerata e mallkuar”, në shenjë të së cilës tërësisht do të heshtin gjenerata të tëra pas saj! Nëse çështja nuk ecë përpara, ajo heshtë. E nëse heshtë, ti e ke fajin kryesor, sepse nuk ke lënë prova të qarta të luftës njerëzore me të keqen. Nëse askush nuk e vëren këtë përkushtim tuajin sot, përsëri do të jetë nesër ndonjëri që papritmas do ta shikoji këtë çështje!

Pra, motivacioni i juaj dhe forma e shprehjes së këtij motivacioni do të ketë rëndësi të dorës së parë. Do jetë sikur një gjarpër i egër dhe i rritur, sa nuk dihet, që papritmas do të lëshojë edhe nga goja, e do të mbyllet në vrimën e tij. Bollë, gjarpër, kulshedër, apo cila do qoftë nga këto gjallesa të mëdha e të nëntokës, do të tërhiqen pa e përmbushur epshin e tyre helmues, gllabërues apo gëlltitës, duke e lënë një copë të zhveshur të lëkurës së kohës së vet nëpër duart e përleshjeve të ditëve të reja, ashtu siç do të lëmë edhe ne gjurmët tona të së vërtetës dhe të drejtës sonë. Me këte, edhe pravera e jonë do të lë lëkurën e rrezbitur në drizat e kohës së praptë!...

Kjo do të thotë se errësira e madhe e natës do të tërheqet plotësisht vetëm nga rrezet e mëdha të Diellit e të Dijes! Kur nuk e ke dijen, e ke paditurinë. Ndryshe, pa Dije e me Errësirë, do të ngulitet në vend e Keqja...

Nëse nuk e keni harruar qëllimin e këtij shkrimi, po ua përsëris: vetëm një pakicë shqiptarësh e kam pasë pas vete, por nuk kisha kohë që të shqyrtoja vijën time të jetës. Më duket sikur dy të tretat qenë rreshtuar në anën tjetër. Me keqardhje po e them se ky gabim po përsëritej. Midis nesh dhe anës së kundërt, qëndronte pala e dytë!...

Sidoçoftë, çdo gjë sillet në univers. Secila e ka vijën e vet të sjelljes! Kjo gjë është njëfarë ngushëllimi, kur e di dhe e mbanë në mend nëpër përleshjet tuaja! Çdo fillim e ka nga një fund! Dhëntë fati e fundi të jetë më i mirë!...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora