Kulturë
Merita Kuçi – Thartori: Ndërsa... jam poet!
E diele, 20.09.2020, 12:00 PM
NDERSA…… JAM POET!
Meditim
mbi Vëllimin poetik “Koha në Vargje”. Autor Kadri Tarelli
Nga
Merita Kuçi - Thartori
Pas
një seri botimesh, reportazhe, portrete, kritika letrare e studime, jetë në rrugëtim,
zhvillime në fushën e arsimit dhe të letrave, Kadri Tarelli vjen para lexuesit
me botimin e tij të fundit: “Koha në vargje”. E gjitha kjo, pas një njohje e përvojë
të gjatë, shtrirë edhe në krijimtari, pas një studimi të mirëfilltë, Monografi,
kushtuar njeriut të gjakut e të zemrës, bashkë-udhëtarit të artit të ngjyrave
dhe të gdhendjes, piktorit Hytbi Tarelli. Sot ai, si ish mësuesi i përkushtuar,
drejtues shkolle ndër vite, historian, veprimtar, njeriu i fjalës së mbajtur,
fjalëpaku dhe vlerësuesi i palodhur, kish kohë që gurgullonte me artin e fjalës,
në shtyp dhe kuvende letrare, nëpërmjet vargjeve plot ritëm, muzikë e mendim të
vyer.
E
ndërsa është gati vëllimi i tij i parë poetik, qesh në shenjë admirimi, sepse u
kujtua vonë, ndërsa shpesh pat dëshmuar me modesti, se, “duke ndenjur me ju
poetët, ngutem të jem dhe unë poet!”. Besoj, se janë ndjesi poetike të fjetura diku
në shtratin e punës dhe krijimtarisë letrare e gazetareske, që duan të dalin në
dritë. Kishte të drejtë Dritero Agolli, kur shprehej: “Poezia është si
teshtitja. A mund të ndalohet njeriu të teshtijë?”.
E
vërteta është se z. Tarelli, me qetësinë që e karakterizon, i jep vlerë dhe
lezet tryezës, bisedës dhe diskutimit. E besoj plotësisht thënien, që vjen si
porosi e mençurisë popullore: “Këtë
bëjnë njerëzit e mirë, përpiqen të lenë gjurmë”.
Ai
këtë zgjodhi të bëjë, pa zhurmë e bujë: Të ofrojë e të na besojë, si një
krijues rishtas, duke na lënë në duar, vargjet e ngrohta, në temat e goditura,
ku shkojnë drita dhe e vërteta, ëndrra dhe jeta, zemra dhe ndjesitë e një poeti,
me sytë nga e ardhmja, për të cilin jeta
nuk ecën rastësisht, nuk turbullon për shpirt të trazuar, por lëviz, rrjedh,
ndërton dhe qëmton, dëshmi e copëza jete të vlera. Poeti larton dashuri jete,
dashuri gjuhe, lavdi mëmëdheu, nderim të figurave të kombit, në Shqipëri e më
gjerë, deri në Kosovën martire e trojet arbërore, ku gjen dhe sjell, dëshmi të
trashëgimisë kulturore, folklorike, antike e të sotme.
Bindemi
kur lexojmë, këndojmë e pranojmë, se ai përcjell disa të vërteta, nëpërmjet
gjuhës dhe notave të folklorit, që ironizojnë vesin dhe përsosin jetën, si
duhet të jetë dhe si duhet jetuar ajo, në harmoni mes elementeve të tokës si
zgjim, zjarrit si mendim dhe ujit si lëng deti, e fjalës shpirt poeti, ku në
qendër të tyre mbetet Njeriu.
Në
fakt, i pari njeri, personazh që preket në këtë vëllim është vetë autori, vetë
poeti Kadri Tarelli, për të cilin them me respekt e mirënjohje, është ndër ata miq,
që ndërsa shkon përpara, sytë dhe mendjen mban pas, sepse ai s’di të shohë e të
tërheqë nga vetja, por të jetojë në ty, në çaste thurjesh të mbrapshta të
jetës, me të hedhurat e hidhurat, me injorimin e së keqes, me synimin e të
përparuarit. Dhe, të bëjë dhimbjen trëndafil, lotin valë, gurin monument, verën
në dashuri për poetin, fjalën në melhem, nderim për figurën e gruas, plakut ti
ofrojë diellin dhe fjalën në kuvend, të riut dashuri dhe dije. Vargjet e tij
ngjallin e sjellin, Rilindasit në dritë, poetët në pishtarë, përplasjet në
qasje të befta, politikën në humnerë, mallin për miqtë e vargjeve në kuvende
fjalësh të mençura. Të gjitha nga burimet, nga kujtimet, mes kujtimesh në
gjerdanë jete.
I
tillë pra vjen tek lexuesi, krijuesi Kadri Tarelli. I ardhur pikërisht, tamam
në kohë, me pjekuri artistike, me vëllimin” Koha në Vargje”. Kështu, aty qëndiset
fjala dhe forca për t’u njësuar me poezinë, si me detin, me malin, lumin,
fushën dhe lëndinën plot lule, etj, etj. Kultura e gjerë dhe përvoja, e
ndihmojnë, që të hyjë në njohje të vjetra, guximi ia bën trazimin me krahë, se
vetëm kështu simbolika e të shkruarit e kthen në “mbret” të vargut dhe të
mendimit.
Besomëni:
e tillë është poezia, mbretëri e ëndërrimeve dhe e shkrimeve, mbretëri e zemrës
dhe dalldisje në frymëzim. E tillë vjen “Kënga e Bilbilit”, i cili bredh stinë
më stinë, duke qëndisur bukurinë e paprekur me pasurinë e begatinë e natyrës pa
anë e pa fund. Po! Kështu është “Ora e poetit”, ku vargu vallëzon si ajo balerina
e brishtë, që të ndërtohet “bën naze çupe”, e që të pushtohet ngre tallaze, e “Verë
derdhur prej kupe”. Përmes figurës poetike femërore, si nënë, si grua, mbi
bukurinë e joshjen, poeti ngre bukurinë e dashurisë, bukurinë e gjuhës dhe gurrës
popullore. Të tilla fuqi e bëjnë Tarellin, të ngjitet tek perëndia, megjithëse
poeti e di mirë, ndaj shkallë për lartësitë, ve dijen, mendimin, besimin,
zotësinë dhe ndershmërinë.
Poetet
janë të ndjeshëm ndaj realitetit. Kështu edhe Tarelli, nuk nguron të
fshikullojë kohën që jeton, ku siç shprehet me sarkazëm, “djajtë me brirë”,
kërkojnë poste e të kenë vend në sofrën e parë, duke i quajtur me ironi, “bej i
ri”, i cili përdor duar të tjera, për të mjelë e abuzuar.
Janë
hapësira të lakmuara, që nuk mund t’i mungojnë shpirtit atdhedashës të autorit.
Ato vijnë përmes rrugës së dijes e të punës, ku kalojnë plot hijeshi, plot
madhështi, si stoli të arta, jeta dhe shkronjat e mësonjëseve, motrave Qirjazi,
ninullat që rritin fëmijët. Kalojnë kolosët e poezisë, të cilët, “Qëndisin në
qiellin si yje…”, thotë vargu i poetit. Ata s”janë në garën e të mëdhenjve, as
me njëri-tjetrin, por janë në dollitë e poetëve të vërtetë, të sofrave me
shqiptarë të ndershëm e të ditur. Pa qenë nevoja t’u bjerë kambanave të lavdisë,
qetësisht krenohet me Driteroin e Kadarenë, siç krenohen të gjithë shqiptarët, ndërsa
ngre aq bukur retorikën e mbetur në mendje: “Kush u cakton vendin, lisave në
pyje? …..”
Diku
në faqet e librit hasim një thirrje qytetarie: Moisiu që udhëhoqi popullin e
lirë drejt Jeruzalemit, një Moisi në Durrës, hero në Dramë, vigan në skenë, si
një Ante, që ka frymëzuar edhe poetë të tjerë. Ai “bisedon” me artistin dhe ngre
zërin, që Moisiu ynë të zbresë në sheshin e qytetit, mes durrsakëve, ku e ka
vendin portreti dhe zëri i një aktori me të tilla përmasa.
Vargjet
gurgullojnë më tej, duke shkuar tek idhujt e gjallë të qytetit të tij,
ditëlindja e të cilit, jo rastësisht përcjell dashuri, por fatet janë ndërthurur
në mënyrë të tillë, që një Shën Shpend dhe një Shën Valentin, mbajnë kurora
emblemash, për nga simbolet dhe mesazhet që përcjellin: Njëri në dashuri shenjtëruar
dhe, tjetri kurorë pune e art fjale, humanizëm e mirësi. Me të tilla tone, vjen
poezia kushtuar Shpendi Topollait, mikut të poetëve durrsak, e krijuesve në
tërësi.
Ndjehesh
krenar brenda lirisë tënde, ndërsa ndesh në vargjet e autorit, dashurinë për
tokën e Dardanisë Shqiptare, Kosovën kreshnike, bashkë me trojet, vendet e
bijtë e saj dëshmorë. Pa harruar, duke radhitur vargjet për heroin legjendar
Adem Jashari, të cilin e sipër-emëron “Mekë e shenjtë, i tillë t’u bë varri…”,
apo në këngën: “Drini i Bardhë, Drini i zi”, “Djemtë e Potgurit do ta mbajnë
Bajrakun”, “Mitrovica Dardane, largoji ato re“, e shumë të tjera vargje e këngë
me tematikë historike, duke ngacmuar te lexuesi krenarinë e paepur kombëtare
dhe, e vlerësuar këtë dashuri në zjarr Prometeu. Këto ndërtime nuk vijnë të
rastësishme për autorin, por dëshmojnë edhe një herë karakterin formues e studiues,
si historian i pasionuar, duke ndërlidhur thekshëm, me vullnet e vetëdije, këtë
dëshirë të hershme, me elementet artistik të fjalës së bukur.
Si
i tillë, poeti di të përcjellë me delikatesë, nëpërmjet tyre, gërshetin e
folklorit popullor. Kjo lloj ndërthurje, me element të poezisë së mirëfilltë,
nuk ia prish aspak boshtin krijimeve letrare, por përkundrazi për nga
origjinaliteti i tematikës, na kujton se vesi, mentaliteti i së shkuarës dhe i
të sotmes, e kanë “armën”, që i nxjerr zbuluar. Këtu ndeshemi me lëmimin e mirë-
përkëdheljen të fjalës, nëpërmjet vargjeve plot figuracion artistik, duke
thumbuar me kulturë, nëpërmjet emrash të trashëgimisë kulturore. Le të
përmendim këtu krijimet si “ Trëndafil mbushur me gjemba”, ku moment i takimit
të të rinjve është burimi, kroi. Më tej: “Kolla e thatë në kuvende”, “s’kam
fuqi të kaloj gardhë”, “S’kafshoj dot mollë e dardhë..”, tek poezia “Plaku,
vapa dhe gushti”, apo te poezia në formë dialogu: “Po, apo Jo”, “… nga t”ia
mbajë unë i ziu?...”, ose më tej: “…me dorën e tjetrit, kurrizin mos kruaj”, te
poezia “Thinja pleqërie”, etj, etj.
Gjetje
e bukur në këtë vëllim poezie, janë rrëfenjat, që nisen nga fjalët dhe
shprehjet popullore, të përdorura aq shpesh nëpër kuvende e biseda, më pas
qëndisen e ujdisen, të shtruara këmbëkryq pranë oxhakut, apo pranë sofrës, ku
shakatë janë aq të pëlqyera. Po përmend njërën: Rrefenja që poeti e përdor si
nëntitull: “Nusja, vjehrra dhe mullixhiu”, megjithëse personazhe të hershëm në
krijimtarinë popullore, autori na e përcjellë në formë më të moderuar për nga
koha, por jo nga vesi. Dhe kjo jo vetëm ndërthur, si kohë në ndërtim, të
shkuarën me të tashmen, por edhe realisht përcjell formën gjuhësore të së
djeshmes me format e sotme të familjeve të reja. Do të mbetet simbolikë vargu:
“ shekuj po kalojnë…, ...bota vazhdon tallet, apo fjala, si grup foljor: “qesh
e ngjesh“, e ardhur si frazeologji.
Bashkëkohore
poezinë e këtij autori e bën thjeshtësia, kujdesi për rimën, muzikën, kontrasti
i realiteteve, pasuria, përdorimi dhe përpunimi i gjuhës, edhe për nga filozofia
e mendimit. Këtu vihet re një veçori e përdorimit të tingëllimave të
fund-vargut, kujdesi për të mos rënë në përsëritje, përdorimi i grupeve emërore
brenda tetë rrokëshit, përdorim me bollëk i epiteteve dhe metaforave. Lirshëm,
pa sforcim, lundron në vargun e shkurtër, por edhe në vargun e gjatë, duke i
dhënë më shumë forcë mendimit.
Në
poezinë e Kadri Tarellit ndjehet thekshëm shqetësimi qytetar. Ai nuk e ndan dot
veten nga problemet sociale të jetës dhe shoqërisë. Ai e sheh politikën, si
dëmin më të madh të mbrapshtive, që i kemi mes nesh. Me shpoti fjale, dënon
dembelin, barkfryrin dhe pushtetarin. Guxon të përmendë edhe kriminelin, që e
quajnë veten burra, agallarë, si edhe i citon, por që në të vërtetë kthen në
groteskë talljen e tij modeste, diku duke i quajtur kuaj e gomerë, shushunja, të paditur,
që venë në vend të parë partitë e jo Shqipërinë, si tek poezitë: “Na mbinë
Partitë”, “I padituri “, “Nuk bëhesh i madh”, e të tjera, e të tjera…...
Poeti
nuk le pa prekur dashurinë për të afërmit, si tek poezitë e brendshme të zemrës
“Ora e vëllait”, kushtuar Hytbi Tarellit, që nuk jeton më. “Vivra je vullkan”,
kushtuar poetes e studiueses së zellshme, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, të cilën e
e quan “princeshë” nga soji dhe “mbretëreshë” në letra.
Poezitë
nuk janë të grupuara sipas tematikës, por të shpërndara. Besoj se ka të drejtë
kur shprehet: “Lëndina është e bukur,
pasi bari dhe lulet janë në harmoni të përkryer, pasi janë shpërndarë aty ku
kanë qejf të gjallojnë e lulëzojnë. Kjo më pëlqen!”. Kështu mendon e kështu
vepron, sepse i jep mundësi lexuesit të çlodhet, duke kaluar nga probleme e
forta te ndjesitë më të buta e më njerëzore, si tek “Mbesat”, që i ndezin
zemrën e gjyshit te tyre poet, apo vlerësimet për miqtë e fushës, në tubimin më
të fundit letrar, në Prizrenin e artë e të përmallshëm, me “Një urim me kripë
deti”, që për nga modestia dhe dashuria, e kthejnë durrsakun tonë Kadri
Tarelli, në dritëz qiriu njerëzie.
Kush
ka lexuar librat e këtij autori, të botuara më parë, si: “Misionarë në udhën e
dijes”, “Kur lexoj një libër” dhe “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe
daltës”, menjëherë i bie në sy përdorimi i citateve të mendimtarëve të ndryshëm,
të zgjedhur nga bota dhe nga dijetarët tanë, të vjetër e të rinj. Të gjitha të
përshtatura sipas tematikës dhe përmbajtjes së poezisë. Një punë kjo e
spikatur, e bukur, dhe që i a shtojnë vlera librit dhe poezisë, duke i dhënë
secilës vlera universale.
Ndërsa
mbyll këtë cikël me poezi, në fund mbetet amaneti, në vargjet: “Ku do të
prehem?”, me dëshirën e zjarrtë “… atje në faqe libri, a shkrim gazete/ ku flas
për ju dhe rrëfej për vete”.
Ky
është çmimi më i madh i një njeriu, dashuruar me jetën, si mision dhe vlerë!
Urime! Me shpresë për
krijime e botime të tjera!
Merita Kuçi – Thartori
Durrës, 29 Shkurt 2020