Kulturë
Liri Pone Bele: Si dy pika uji
E enjte, 30.07.2020, 06:16 PM
SI DY PIKA UJI
Tregim nga Liri Pone Bele
Fatosit
i pëlqente vetmia, ndaj qëndronte gjatë i mbyllur në vetvete, gjë që e kishte
zanafillën vite të shkuara mbas largimit të Valit, me të cilën kishte
bashkëjetuar. Jo vetëm kaq, por kish pasur dhe episode të tjera të pakëndshme,
të cilat vinin duke u shtuar, ca më tepër që vetë Fatosi nuk po mundohej të
gjente një mënyrë refleksioni dhe përmirësimi. Bashkëjetoi plot pesë vjet me
Valin, por me gjithë përpjekjet e skajshme të saj, nuk ia doli ta bindte për
një dasmë të thjeshtë apo për një mbrëmje miqësore. Fatosi qe pakëz i ftohtë në
këtë këndvështrim, ndoshta edhe për shkak se në thellësi të zemrës së tij
dashuria e parealizuar me Silvën u pasua nga një tjetër goditje e fuqishme dhe
paimagjinueshme. Ishte krijuar një boshllëk por i pashprehur së jashtmi në shpirtin e tij , si të ishte një
akullnajë masive dhe që nuk mundi të
shkrihej dot ,përgjatë tri dekadash…
Fatosi
ishte i ndërgjegjshëm për kthjelltësinë e mendimeve të veta, sikurse e pranonin
gjithë sa e njihnin, por njëherazi kuptonte dhe pranonte me keqardhje se
logjika në këtë betejë të pabarabartë, pra përballja me botën e tij të
brendshme shpirtërore, mbetej mbas saj…
Një
mbasdite vonë po qëndronte ulur në njërin nga stolat e bulevardit të qytetit në pritje të takimit me Besnikun,
i cili mund të vonohej për arsye të punës së tejzgjatur. Në pritje e sipër,
Fatosi hidhte vështrime pa interes drejt kalimtarëve.
Befas
u dëgjua një zhurmë e lehtë. Dikush, ulur në skajin tjetër të stolit po nxirrte
prej xhepit celularin, i cili i shkau pa dashje nga dora dhe goditi në pjesën
fundore të ndenjëses metalike. Personi u përkul në moment ta merrte. Teksa po e
mbante në duar, ktheu lehtas kokën anash dhe rastësisht shkëmbyen vështrime
midis tyre...
Pa
mundur ta kuptojë se çfarë po ndodhte, Fatosi shtangu, sepse, duke e vështruar
me vëmendje, iu krijua fillimisht një dyshim i lehtë, që në çast u zëvendësua
me bindje të plotë se po shihte Iliazin, pikërisht personi jo më larg se rreth
një metër larg tij... Të ishte vallë e vërtetë?… Pothuajse po ndihej i sigurt
që kishte pranë shokun e fakultetit dhe mikun e mëvonshëm, me të cilin prej
vitesh nuk ishin takuar, sepse, pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë,
Iliazi, si shumë të tjerë, ishte larguar dhe e kishte ndërtuar jetën e vet në
Kanada. Fatosi e kujtonte shpesh, por lidhja miqësore ishte shkëputur
fatkeqësisht, një problem mbetur i paqartë për të dy…
Çfarë
po ndodhte me Fatosin realisht? Sigurisht nuk po shihte një ëndërr, por po dëgjonte me vesh më të lehtën
zhurmë, po shihte qartë, por drejtimi i shikimit të syve të tij ishte ngulitur
brenda një tjetër periudhe kohe, e cila, në të njëjtin çast po e turbullonte…
Një
djalosh rreth 17-18 vjeçar, tërheqës, truplartë e shpatullgjerë, për të cilin
etiketimi “bukurosh” do të ishte mëse i goditur, bazuar në prezantimin: së pari
të një balli tepër të lartë, të gjerë dhe me një lëkurë të shndritshme;
sigurisht kur rrezet e diellit apo një ndriçim i zakonshëm në momentin e
takimit me atë kontur të veçantë do të riktheheshin pas, duke e shfaqur si një
skulpturë të papërsëritshme, të rrethuar me flokë të dendur të ngjyrës së
verdhë, më e veçanta e të cilave qëndronte në formën e tyre me kaçurrela të së
njëjtës madhësi, të renditura këndshëm njëra pas tjetrës. Çuditërisht të
kujtonin paraqitjen e gjyqtarëve në tavolinat e drejtësisë, parë në shumë filma
të huaj, me të vetmin ndryshim esencial se djaloshi tregonte natyrshëm flokët
në kokën e tij dhe ato nuk prezantonin njërën nga parruket plotësuese si pjesë
përbërëse të uniformës zyrtare të një punonjësi të drejtësisë.
Bukuria
perfekte e flokëve plotësohej me ngjyrën e kaltër, të ëmbël të syve, e siguruar
nga pjesëmarrja së bashku në mënyrë harmonike e gjithë nuancave të asaj ngjyre,
njëherazi duke i dhuruar shikimit të djaloshit një naivitet pothuajse
misterioz… Pavarësisht viteve të shumta të shkëputjes me mikun Iliaz, dikur
shokë studentë në të njëjtin fakultet, në fillimet e punës shoqëria midis tyre
njohu shkallë ngjitëse, duke u transformuar në miqësi, sepse ata nisën punë si
inxhinierë kimist në të njëjtin rreth në dy laboratore, që pavarësisht
largësisë, kishin profil pune të barabartë, prandaj Fatosi mundi të njihte më
tej imtësisht karakterin e tij. Në të njëjtën kohë, në mënyrë të vagullt i
përshkoi kujtesën në formën e shkrepjes së një vetëtime edhe pamja kalimtare e
largët e një fëmije, kur vite më parë mikja e tij shtrëngonte në krahët e
saj...
Punë
e ngatërruar! Përse ky episod kalimtar të vendosej midis atyre kujtimeve shumë
të hershme duke treguar një ngjashmëri të pakuptueshme midis personave që as
njiheshin dhe as kishin më të paktën lidhje me njëri-tjetrin? Apo nuk ishte
kështu?... E pashpjegueshme për Fatosin ngjashmëria gati absolute e fytyrës së
një fëmije dyvjeçar me djaloshin pranë tij ,dhe ky i fundit me Iliazin qëi
kujtoi shprehjen e mirënjohur: “Ngjajnë si dy pika uji”, por për një gjë ishte
mëse i bindur: mbresëlënia i përkiste ngjyrës së syve, reflektimi i naivitetit
të njëjtë fëmijëror, pavarësisht moshës prezantuese dhe valëvitja e rreshtave
të gjerë e kaçurrella të flokëve të verdhë. Çuditërisht ,pa mundur të
qartesohej, ai tani po shihte.. se
Përsëri
Iliazi po qëndronte qetësisht përballë Fatosit. Aq tërheqës dhe i veçantë ishte
konturi i ballit të Iliazit, sa ndonjëherë edhe identifikohej me të, si tipari
më karakteristik:
“Po,
e di cili është studenti që ju doni ta takoni. Është ai me atë ballin e lartë,
të shndritshëm, që e rrethojnë balluket e verdha”.
E
kujtonte me buzëqeshje një episod kthimi të vonë në dhomën e konviktit, kur
Iliazi, për të mos u prishur gjumin shokëve, u mjaftua me dritën e një çakmaku
të ndezur, që të lëvizte brenda saj, kur Pirua, njëri nga shokët e dhomës,
gjysmëzgjuar, u ngrit paksa ndenjur në shtrat dhe ironizoi:
“Zoti
gjykatës, vendimi u diskutua në mbledhjen e orës 12. 00. Bën mirë të ikësh
tani, por mos harro të tregohesh korrekt në takimin e radhës”.
Në
tërësi, pamja e jashtme e Iliazit, e gërshetuar me qëndrimin në jetën e
përditshme, të sillte në mendje një person duke ecur në rrugën e artit
kinematografik. Realisht ishte i dhënë pas studimeve në fakultet, të cilave nuk
iu largua as përgjatë viteve të punës në mënyrë të përkushtuar… Edhe vajzat
mundoheshin t’i binin në sy... Çuditërisht, Fatosi, pa mundur ta përcaktonte
sesi, po e gjente veten vite më parë tepër të emocionuar. Kjo po ndodhte saje
përcaktimit të një ngjashmërie absolute të djaloshit me fizionominë e shokut
Iliaz, me të cilin viteve të fundit, të detyruar nga rrethanat, nuk ishin parë…
Të ishte mungesa e tij aq e fuqishme sa, ta kthente pas në kohë? Ndjenja e
mallit për shokun nxiti si një vullkan në momentin e shpërthimit, energji të
panjohura përfaqësuese të ndjenjave brenda shpirtit të tij dhe Fatosi po
jetonte në vite të shkuara, të largëta... Ngritur në këmbë, kokën të kthyer me
vërtik përballë djaloshit, thirri:
-
Iliaz! Iliaz! Oh, sa shumë më ka marrë malli për ty! Ka kaluar kohë e gjatë pa
u takuar së bashku! Më beso, e kam ndier mungesën tënde…
Djaloshi
ktheu kokën, u ngrit nga stoli, por nuk po mundej të kuptonte se çfarë po
ndodhte me personin dy hapa larg tij, i cili dukej se nuk po jetonte në botën
reale. Emocionet e forta që kishin zaptuar Fatosin, fuqizoheshin dhe
gërshetoheshin midis tyre, aq sa dukej sikur ecnin nëpër rrugë të brendshme të
paekspozuara, por herë-herë të ngatërruara dhe, për njohjen e tyre detyrimisht
duhej të ekzistonte një kod i fshehtë, që vetëm ato e përdoronin...
Momente
tejet të vështira për Fatosin, ndërsa për djaloshin një situatë e
pashpjegueshme, disi e sikleteshme, sidomos kur Fatosi shqiptoi me zë të ulët
në të cilin dukej se mbizotëronte dhembja e shpirtit:
-
Unë të njoh ty… Nëna jote quhet Silva dhe babanë tënd e kam njohur… Kemi pasur
miqësi, por… jeta fatkeqësisht na ndau…
Papritur
djaloshi e ndërpreu, duke marrë një qëndrim dinjitoz, tepër korrekt dhe, si të
ishte në moment para një eprori të fuqishëm, iu kthye Fatosit me një të folur
të vrazhdë, përzier me ironi therëse:
-
Të më falni, zotëri, shoh se keni nevojë të qartësoheni, të mendoheni thellë
dhe të mësoni më të thjeshtën, por më të domosdoshmen në jetën e përditshme për
cilindo, pra sjelljen korrekte. Emrin e dikujt që e konsideron mik, nuk mund ta
ngatërrosh kurrë me atë të një personi tjetër, dhe kjo është njëra nga bazat e
emërtesës “miqësi”.
Pas
shqiptimit të këtyre fjalëve të goditura, konform çastit përkatës, djaloshi u kthye vrulltas, duke u
larguar me hapa të shpejtë. Fatosi po e ndiqte me sy nga mbrapa atë trup të
fuqishëm e shpatullgjerë, tek i cili, edhe mënyra e hedhjes së hapave kishte të
veçantën e saj në çastet kur e ndiqnin njëra-tjetrën me hijeshi dhe shpejtësi
si të mos donin të harxhonin kohë për të qëndruar në tokë dhe vetëm sa ta
preknin kalimthi atë - një mënyrë e të ecurit e cila të krijonte përshtypjen
e çastit të fillimit të një vallëzimi…
Pikërisht
kjo ecje e Iliazit i kujtoi Fatosit humorin e shokëve në vitet e rinisë…
“Si
mund të fillosh ti i vetëm vallëzimin? Ende nuk është dhënë komanda për grupin
dhe koncerti nuk fillon vetëm me njërin”.
Një
mesazh në celular po e informonte Fatosin se shoku i tij Laze, me të cilin do
të takoheshin në orën gjashtë, për një ndodhi të papritur në familje, nuk do
t’u mundësonte takimin e paracaktuar. I kërkonte falje, por Fatosi, tashmë i
goditur nga realiteti, nuk po shqetësohej aspak se do të vazhdonte të qëndronte
i vetëm ulur në stol…
Minutat
ndiqnin njëra-tjetrën. Fatosi e kishte të pamundur të qartësohej. Ai po e
ndiente veten të mjegulluar, gjë që as e shpjegonte, por as po mund të
shkëputej plotësisht nga përjetimi i
jetës së tij të shkuar…
Vite
të bukura në fëmijëri, me një vëlla me dy motra më të mëdha, në moshë të cilat
përherë ishin të gatshme t’i plotësonin çdo kërkesë që ngandonjëherë dukej se
ishte thjesht sjellja e fëmijës tekanjoz. Përgjatë adoleshencës dhe viteve
rinore po tregohej paksa i tërhequr nga grupet e shokëve, ndofta se për
koincindencë shoku i vetëm, Besniku, një natyrë e ngjashme me të, ia plotësonte
kërkesat e përditshme, si: shëtitjet me biçikleta, në kinemanë e qytetit nuk
mbanin mend të mos e kishin parë çdo film që shfaqej për herë të parë, një
pjesë të kohës e kalonin duke vrapuar brenda fushës së sportit në konkurs midis
tyre ndonese kohën e fillimit apo fituesin e përcaktonte saktësisht motra e
Besnikut ,Silva, dy vite më e vogël. Përgjatë viteve të gjimnazit ajo veçohej
si një vajzë që i pëlqenin librat, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të
kohës dhe Fatosit po i tërhiqte vëmendjen fakti se nga dita në ditë Silva
prezantonte një bukuri të natyrshme, me të cilën spikaste në vitet e
fakultetit, pavarësisht se koha po tregonte që vajzave në rritje u nevojitej
edhe ndihmesa e parrukieres së qytetit…
Silva,
një vajzë e thjeshtë me një prezantim tërheqës së largu, bazuar në ëmbëlsinë e
tipareve dhe ngjyrës së errët të lëkurës së gjithë trupit, por të veçantën e
tregonte ngjyra e syve, vetullat e holla dhe të larta në përputhje të këndshme
me atë të flokëve, aq sa i kishin dhënë edhe nofkën “vajza zeshkane”. Për vetë
kohën e gjatë të njohjes me të, Fatosi ishte në gjendje të përcaktonte me
saktësi se si emërtesa e dikurshme për Silvën, “Korrozeza”, u transformua në
tiparin pozitiv të prezantimit të saj në shoqëri dhe ai nuk po mundej ta
kuptonte se si Silva po zinte gradualisht një vend të sigurt brenda zemrës së
tij, ashtu pavetëdijshëm... Sigurisht i paqartë në fillimet e saj, sepse gjatë
viteve të mëvonshme Fatosi kuptoi dhe pranoi se Silva ishte shkrirë në një
subjekt të vetëm së bashku me ndjenjat brenda shpirtit të tij…
Ndihej
i lumturuar brenda vetes për ndjenjat e pastra lindur ndaj një vajze të bukur e
të zgjuar, por hapësira ndarëse midis tyre rezultoi të ishte e pamatë, sikurse
u provua më vonë, ndofta bazuar në vetë karakterin e Fatosit, të formuar
prerazi, si të ishte kthyer në një skulpturë të gurtë, e cila, në mënyrë
figurative, nuk mund të bënte as me të voglin spostim milimetrik, edhe kur
momenti e kërkonte...
Erdhi
çasti i shumëpritur për Fatosin, kur të dy studentë, për më tepër në të njëjtën
degë me mundësinë e një afërsie të sigurt me Silvën, shumë më tepër favorizuese
se gjatë gjithë viteve të fëmijërisë, kur u bind se para ishte hapur një rrugë
e re në të cilën ecte vrullshëm rrjedha e ndjenjave të tij rinore, duke besuar
se do ta pasonin të mëvonshëmet, ato burrërore, të së njëjtës linjë… Rrjedhja e
jetës e detyroi të pranonte pamundësinë e realizimit, përmbysjen e tyre.
Nuk
e harronte atë mbasdite kur i bënë vizitë Besniku me Silvën, e cila gjendej në
mëdyshje për zgjedhjen e degës së studimit dhe, duke besuar në gjykimin e tij,
e pyeti për inxhinierinë kimike. Por çfarë tjetër do t’i sugjeronte ai veç
degës se përzgjedhur ku studionte dhe fatmirësisht edhe ajo do të ishte krahas i tij ,pra një
zgjedhje ideale? Por e argumentoi shkurt pjesën e dukshme të problemit, sa për…
-
Unë preferova inxhinierinë kimike, - tha, - duke njohur kohën, qytetin, fazën
aktuale të zhvillimit të vendit ku ne jetojmë dhe vlerat në rritje të këtij
profesioni ku ne do të punojmë me përkushtim...
Po,
Silva ishte një studente në Fakultetin e Inxhinierisë Kimike dhe konform
natyrës së saj të prirur ndaj përvetësimit të teksteve profesionale, në
pozicionin e studentes mundej të lexonte më pak letërsi artitike. Pra Silvën e
vlerësonin brenda kornizës si një vajzë provinciale, ndërsa kryeqyteti nuk
përkulej para saj… Mbështetur në njohjen, respektin reciprok me Fatosin dhe shkallën
e besimit në ndershmërinë e tij, Silva arrinte deri aty sa t’i tregonte edhe
për ndonjë kërkesë , apo propozim, sikurse etiketohej aso kohe sugjerimi i një
djali për njohje dhe afrimin e mëtejshëm me pikësynim për lidhje serioze me një
vajzë. Sipas rastit mund edhe të kishin një njohje të mëparshme, pikërisht atëherë djali e shfaqte hapur qëllimin e tij.
Në
të tilla biseda Fatosi tregohej i kujdesshëm. Pasi e dëgjonte Silvën me
vëmendje, në çast e pyeste i interesuar, por realisht përpiqej të mos zbulohej
se cilën femër përfaqësonte ajo, në zemrën e tij:
-
Po ti, a i ktheve përgjigje? Patjetër e ke refuzuar, unë të besoj...
Sigurisht
e ndiente veten në një farë ankthi derisa të merrte përgjigjen që priste, pas
së cilës lehtësohej, por pa e kuptuar përse, njëherazi e pranonte se ndaj
Silvës po mbante një qëndrim gati vëzhgues, shtyrë nga një forcë e brendshme
deri pak kohë më parë e panjohur, gjë për të cilën as vëllai i saj në Akademinë
Ushtarake nuk i kërkonte shpjegime.
-
Patjetër që e kundërshtova! - përgjigjej Silva duke buzëqeshur. - Për mua
përgatitja e detyrave dhe notat e mira në provime kanë përparësi, se kohën dua
ta harxhoj për të mësuar në sallën e studimit, jo të shëtis sa andej këtej e
pastaj të kthehem në konvikt pas mesnate. Jam edhe njëra nga studentet e
aktivizuara në jetën shoqërore si sekretare e rinisë për tri grupe paralele në
të njëjtin kurs. Pra, konsumimi i kohës më tepër se kaq është jashtë mundësive,
sipas gjykimit tim...
Ky
argumentim i pëlqente Fatosit, e bënte të ndihej i qetë, vetëm se vitin e
fundit një pyetje e çuditshme brenda tij mbeti pa përgjigje. Nuk e kuptojnte
arsyen përse Iliazi kthente kokën anash dhe nuk denjonte as ta përshëndeste
Silvën kur rastiste të takoheshin në korridor mbasi dilnin së bashku nga
auditori i leksioneve, për më tepër kur ajo i drejtonte vështrime kureshtare
saje paraqitjes së tij të veçantë, një arsye e qartë që tërhiqte vëmendjen e
femrave…
Duke
e sjellë ndër mend këtë qëndrim të çuditshëm të Iliazit, një ditë tjetër, kur
po përsëritej e njëjta skenë, Fatosi iu afrua pranë dhe i tha:
-
Iliaz, Silva është njëra nga bashkëqytetaret e mia, po në ndryshim nga të
tjerat, është motra e shokut tim të
fëmijërisë. Na përshëndet me respekt, ndofta mund t’i pëlqente afrimi me ne dhe
fakti që po njohim shokë të rinj, nuk do të thotë të harrojmë të mëparshmit, po
më kupton? Kurse ti as kokën nuk e kthen. Pse sillesh kështu?!
Ndali
dhe vërshoi kaltërsia në sytë e Iliazit, shoqëruar me një tis të hollë të
lagësht, si të ishte duke i ujitur mendimet që transmetonte në çast: - Tani
është radha ime të më dëgjosh, Fatos, se të duhen ca këshilla. Në periudhën
fillestare të njohjes midis dy të rinjve, kryelartësia, e shoqëruar me
mospërfillje, janë hapat e parë të sigurt drejt një rruge të suksesshme për një
mashkull, për më tepër kur dallohet njëfarë tërheqjeje në sytë e një vajze
bukuroshe ndaj tij dhe, pikërisht kjo do t~ja fuqizojë pozitën djaloshit ndaj
saj... Mos vallë nuk po e kuptoj qartazi se studentja simpatike shkëputet me
kujdes nga shoqet dhe e planifikon përballjen me ne të dy duke e treguar si të
rastësishme? Por ama, dhe ty të ndrit fytyra kur e sheh së largu. Sa për mua,
kohën e kam përpara…
Në
ditët e mëvonshme Fatosi vuri re se ishte Iliazi ai që shpejtonte hapat të
shkëputej prej tij, dilte para shokëve, teksa zbrisnin shkallët, dhe
përshëndeste Silvën, gjasme si rastësisht. Ishin moshatarë, studentë në dy
grupe paralele në fakultet, shokë dhome në konvikt, por në pozicion të ndryshëm
ndaj shokëve e shoqeve në jetën e përditëshme; origjina e familjes tij të
vjetër përcaktohej në njërin prej qyteteve bregdetare, një familje e kamur në
breza; mbase kjo e favorizonte t’i shihte myzeqarët me nivel civilizimi paksa
më të ulët (sipas këndvështrimit të Iliazit)... Sigurisht një tipar egoizmi për
një person në fillesën e rrugeve të jetës. Po, ai renditej midis studentëve me
vleresime të larta dhe shprehej se do të vazhdonte të ishte ambicioz për të
arritur rezultate studimore, të cilat do ta rendisnin në grupin e shkencëtarëve
bashkëkombas të ardhshëm.
Ishin
disa breza të rinjsh që pas shkollës së lartë nisën të punonin në periudhën e
veçantë të kohës që korrespondonte me vitet kur në vendin tonë lulëzonin veprat
e mëdha, si: Azotiku, Industria e Naftës Nxjerrëse e Përpunuese dhe shumë të
tjera. Bankat e shkollës dhe auditoret shumë shpejt ua lanë vendin analizave
precize në laboratorë, përqendrim të skajshëm në pritje të rezultateve të sakta
jo rrallë shoqëruar me përsëritshmëri, si njëra nga pjesët e rëndësishme të
profilit të punës në atë sektor; specialistët me përvojë, teknikët e mesëm dhe
kuadrot e larta ideuan ngritjen dhe vënien në punë të disa uzinave: Uzina e
Përpunimit të Naftës, Rafineria e Naftës, TEC-i dhe puna shkencore ishte e
pamatë.
Nga
studimet dhe eksperimentimet e kryera në sektorin shkencor u arrit në
përfundimin se rërat bituminoze të Shqipërisë ndahen në dy tipe: të lagura me
ujë, të cilat kanë një strukturë të veçantë dhe të tjera të lagura me bitum ose
naftë. Pikërisht mbi këtë bazë sektori shkencor i rërave bituminoze, i
mbështetur në studimet dhe punimet e bëra, arriti që brenda një kohe të
shkurtër të realizonte skemën e përshtatshme, kushtet e ndarjes së mazutit nga
rërat bituminoze dhe të gjitha kampionet që nxirreshin nga punimet gjeologjike,
studioheshin, analizoheshin në laboratore. Njëri prej studiuesve ishte Fatosi.
Zbatimi
i rregullores së parashikuar në punën e përditshme për çdo punonjës në sektorin
e naftës, përkushtimi i përditshëm duket se zbuti paksa madhësinë e puplave
futuruese tek Iliazi, por thellësia e rrënjëve të tyre, prezantuar në
karakterin e tij, mbeti e njëjtë me ndryshimin e vetëm, shprehur me kërkesën
për t’u afruar sa më tepër me Fatosin. Të dy shumë shpejt po drejtonin punimet
në laborator si inxhinierë kimist, Fatosi në laboratorin e Rafinerisë, ku
punonin 12 laborantë, duke analizuar mazutin për TEC-in, bitumin si lëndë për
izolim e asfaltim rrugësh dhe lëndët djegëse; solari për kaldaja, vajguri dhe
benzina. Si inxhinier kimist, edhe pse me natyrë e sjellje krejt të ndryshme me
Fatosin, Iliazi kishte të njëjtin arsimim, profesion me shokun, por atë e
diferenconte edhe diçka tjetër: puna për doktoraturën, sepse dëshironte të
merrte një titull shkencor, për të cilin i duhej të studionte shumë. Kohën ua
përkushtonte librave studimorë, punimeve të thelluara në laboratorin Patos me
25 punonjës, ku bëheshin analiza për llojet e ndryshme të naftës bruto dhe
solucionet e argjilës. Shprehej se koha e lirë e pakët nuk i mundësonte krijimin
e një familjeje të re, por... sa për t’u argëtuar, sipas preferencës së tij,
Fatosi kishte fakte të shumta që provonin se pikërisht jeta familjare do të
ishte më e dobishme për të.
Nuk
mund të mos përmendet edhe ambienti i punës përgjatë 8 orëve, tepër i rënduar
nga hidrokarburet. Të dy shokët
inxhinierë kimist pikësynonin për arritje personale në fushën e
studimeve shkencore, gjë që fatkeqësisht nuk u realizua për Fatosin. Ai e
përjetoi me dhembje të thellë mosvlerësimin real të punimit, sepse i gëzohej
nivelit profesional të lartë individual, krahas me vlerën në thellimin e
studimeve në rang vendi, ndërsa shoku punoi dhe fatmirësisht ia doli, por, në
ndryshim nga Fatosi, Iliazi e shihte me syrin e një miopi marrjen e
doktoraturës. Pra, ajo do të përfaqësonte një kurorë të artë mbi kokën e tij;
sa për të tjerat, i vlerësonte dytësore.
Së
bashku me Iliazin kishin organizuar që kohën e lirë ta kalonin me aktivitete të
ndryshme, si: duke vrapuar në periferi të qytetit, ecje e shpejtuar përgjatë
orësh, anëtarë të skuadrës së basketbollit të formuar me djemtë e rinj, në
palestër çdo javë, sepse, duke kaluar kohën në mënyrë të këndshme konform
moshës, stërvitja drejpërsëdrejti do ndihmonte që jeta e përditshme të mos
ndiqte një linjë të sheshtë dhe e pranonte që jeta e tij shpirtërore po mbetej
e vagët.
Fatosi
nuk mundej ta harronte Silvën, të cilën e sillte ndërmend dhe e ndjente brenda
zemrës çdo çast, por mundësia për t’ia shprehur sinqerisht ndjenjat e çiltra iu
frenua bazuar në disa tentativa paraprake, të mirëmenduara dhe delikate pa i
rënë në sy, të cilat nuk funksionuan përgjatë dy viteve të fundit të
fakultetit. Sa për në kohën kur ajo vazhdonte gjimnazin, ndjenjat e tij të
brendshme nuk ishin konsoliduar në përmbajtje dhe formë, ato ishin thjesht një
tërheqje. Përgjatë dy viteve të shkollës së lartë, disa herë e kishte pritur
atë pas mbarimit të leksioneve të ditës në rrugën bashkuese me bulevardin.
Gjasme se rastësisht i kishte rënë rruga atypari dhe e kishte ftuar të drekonin
së bashku, por ajo prerazi kundërshtonte, prandaj e gjykoi me gjakftohtësi se
një përpjekje e mëtejme për një lidhje midis tyre nuk do të kishte aprovimin e
vajzës që ai e njihte më së miri, përkundrazi do të tregonte një nëpërkëmbje të
personalitetit të tij, nga e cila asnjeri nuk do të ndihej i lumtur, prandaj
vendosi të mos hidhte hapa të mëtejshme në këtë drejtim. I papërshkrueshëm
ishte hidhërimi në çastin kur Fatosi mësoi lajmin se Silva ishte martuar me
Bilbilin, shkurt “Bylo” e thërrisnin, një kryespecialist nafte, punonjës në
sektorin special të evitimit të dëmtimeve apo sikurse e njihnin “Brigada
Avaro-Shpëtuese” në Kuçovë. E njihte së largu Bylon, të cilin e respektonin në
të gjithë zonën, bazuar në rezultatet pozitive të arritura prej punonjësve të
brigadës që drejtonte në vite.
Ky
informacion nuk e pakësoi pafundësinë e trishtimit në të cilin Fatosi po e
shihte veten të zhytur, përveçse, pasi u mendua mirë, vendosi të zgjidhte midis
disa mundësive para tij, afërsinë me një vajzë të re me emrin Vali, në
profesionin e mësueses në ciklin e ulët.
Të dy njiheshin prej vitesh, njëherazi edhe familjarisht. Fatosi te Vali
vlerësonte paraqitjen e saj mbi të zakonshmen, korrektësinë, sjelljen e kulturuar.
E kishte kuptuar dashurinë që mësuesja ushqente për të, me shpresa se një ditë
edhe ai do t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë. Pra vendosi të bashkëjetonte,
nisur dhe drejtuar nga logjika…
÷÷÷
Puna
e përditshme për Fatosin, Iliazin dhe shokët e kolektivit të tyre nuk ishte e
lehtë, prandaj programonin që brenda javës në orë të paracaktuara të shkonin në
palestër për stërvitje e cila i gjallëronte më tepër se aktivitetet e tjera në
qytet. Në njërin nga takimet paraprake,
Fatosi mbeti i befasuar kur po i tërhiqte vemendje gjendja shpirtërore e çelur,
entuziazmi që kishte zaptuar shokun të cilin sapo e takoi para palestrës dhe po
e dëgjonte i habitur të qeshte i kënaqur, teksa po i drejtonte pyetjen:
-
E gjen dot Fatos se cila femër iu shtua kolektivit të laboratorit tonë ditën e
sotme? Bukuria e rrezatuar prej saj i transformoi epruvetat në sende të
argjendta, aq sa ishte gati të pengohej personi kur përshkonte dhomën e punës
përmes dhe prekja e kampioneve të argjilës dukej se imitonte tinguj muzikor,
një melodi e ngjashme me valsin… Besoj se të kujtohet sa kam kërcyer në
mbrëmjet tona shoqërore sa me njërën apo tjetrën valltare, pothuajse pa
qëndruar asnjë çast ulur si pjesëmarrës në të gjitha llojet për kohën dhe
përherë paraprija apo e përfundoja unë vallen, kurse ti mbaje kokën drejt
pjatës...
-
Si ta kuptoj një pyetje të tillë tepër të vështirë Iliaz? Pranë
teje, me sa mbaj mend, nuk kam parë një rast të vetëm kur femra të mos pësonte
transformim duke filluar nga djersa mbuluar ballin, mbasi e shoqëroje me
delikatesën e një princi deri në vendin e saj mes shoqesh apo kur më ka
rastisur rrallë të shihja momentin e dhënies fund të një lidhjeje kalimtare
tënden me një vajzë të re, vërtetuar nga lotët në sytë e saj, pa mundur të
shqiptonte një fjalë dhe mënyra e largimit me kokë të varur në gjoks… Sado të
mendohem, nuk do mundem të gjej se cili person do të ndihej krenar duke punuar
krahë teje këtej e tutje dhe besoj se kjo mund të quhet enigma e shekullit,
sigurisht nëse do të bëhej një pyetësor…
Fatosi
nuk po e përmbante të qeshurën, ndërsa Iliazi, duke i ngulitur shikimin e atyre
syve të kaltër që të kujtonin qiellin e pastër, rrezet e para të diellit kur i
dhuronin përshëndetjen e ëmbël cilitdo që takonin para tyre me një ndryshim të
dukshëm të çastit, se kësaj radhe në sytë e Iliazit lodronte lehtas një
nënkuptim i qëllimshëm:
-
Po të mendohesh, në çast e gjen. Dihet linja e shpejtë direkte zemër-tru dhe, sapo të hedhësh një shikim
brenda zemrës sate, njëherazi pa qenë e nevojshme, të shprehë ajo një rrokje të
vetme, truri yt ta jep vetë përgjigjen e saktë, sepse ti njihesh si njeri i
zgjuar dhe i kulturuar…
-
Sinqerisht, për hir të marrëdhënieve miqësore midis nesh, të cilat u
konsoliduan pasi fillova dhe vazhdoj punën në qytetin tuaj, ato pikërisht më udhëzojnë të të paralajmëroj që të mos trishtohesh kur të mësosh se e njohura jonë e
përbashkët Silva, duhet të ishte duke punuar krahë teje në laboratorin e të
njëjtit profil, por fati e përcaktoi si njërën nga punonjëset vartëse të mia
dhe sigurisht laboratorët që drejtojmë unë
e ti kanë pak largësi…
Realisht
Fatosi po e ndjente veten disi të turbulluar. E kishte provuar herë të tjera
kur vetëm përmendja e emrit të Silvës dhe… papritur e pa e kuptuar as vetë se
çfarë po ndodhte në moment thellësia e
ndjenjave të tij si të ishte një oqean i pamatë do të pësonte në sipërfaqen e
tij luhatje të lehta në formë dallgëzimi të pazhurmshëm, të pakapshëm për
personat pranë tij... Sa për Fatosin, ai i ndjente dhe mundohej të mos e
ekspozonte botën e vet shpirtërore, duke i zëvendësuar valët ledhatuese në një
stuhi të vërtetë, nëse do të shihte Silvën. Pra, ndjenjat e prezantuara jashtë
tij, tregonin Fatosin e dashuruar dhe përpjekjet për ta fshehur sekretin nuk mjaftonin…
-
Nuk kam dijeni çfarë rruge kanë ndjekur këto punë deri këtu, por të më falësh,
tani po e kuptoj se e teprova ca…
Pas
këtij çasti, Iliazi heshti. Të tjera hollësira nuk ishte e nevojshme të mësonte
Fatosi se ritmi i fuqishëm i zemrës, shoqëruar me vështirësi kalimtare në
frymëmarrje ia pengonte të folurit për pyetje të tjera:
-
Silva?! Janë trasferuar në qytetin tonë? Nuk kam ditur gjë…
Njëherazi
e kuptoi se përpjekjet e shumta për t’i fshehur ndjenjat, tërheqjen e vërtetë
ndaj saj, nuk i shpëtuan mendjemprehtësisë dhe mjeshtërisë së Iliazit në këtë
fushë. Ai mundi të kuptonte gjendjen
emocionale të Fatosit ende pa përfunduar shqiptimi i emrit Silva.
Fatosi në heshtje shpejtoi të zbriste shkallët e palestrës. Nuk
dëshironte të merrte të tjera informacione dhe as të vazhdonte bisedën, për më
tepër kur dëgjoi pas krahësh zërin e shokut:
-
Po, erdhi të punojmë në laborator e përzgjedhura, shoqja jonë…
Kishin
kaluar vite nga çasti kur Fatosi ndihej plotësisht i sigurt se brenda zemrës
tij, Silva ishte ngulitur thellë dhe nuk ishte
zëvendësuar me askënd tjetër,
njëherazi përfaqësonte të vetmen arsye për lidhjen e tij me Valin me shpresa të
vakëta se mund ta largonte gradualisht nga shpirti i tij. E pranoi gabimin dhe u bind shumë shpejt që Silva
ishte e pazëvendësueshme, sikur të prezantonte palcën kurrizore të organizmit
të tij. Pra, Silva mbeti e patjetërsueshme. Nga ana tjetër, shihte se lidhja me
Valin, bashkëjetesa nuk po funksiononte
sikurse e meritonin dy të rinj.
Shprehur thjesht, arriti përafërsisht rreth një niveli mesatar (Vali ëndërronte
të përkryerën) dhe ishte e vetmja arsye për Fatosin ta pranonte si rrugëdalje
për ta larguar përfundimisht nga brendia e zemrës Silvën. Kohëve të fundit
ndodhi e paimagjinueshmja kur ndiente që po zbehej ajo pak afërsi për Valin
fituar me përpjekje të skajshme, ndërsa në këndin tjetër…
Një
natë e gjatë, pothuajse e pagjumë përgjatë së cilës Fatosi mendonte të tregohej
sa më i matur në takimet e ardhshme
midis shokësh, ekzaktësisht në prani të Iliazit dhe Silvës.
Asnjërës prej pyetjeve të sinqerta të Valit të shqetësuar së tepërmi për
ndryshimin e papritur të gjendjes së tij shpirterore, qëndrimin e heshtur për
një kohë të gjatë kur të dy ndodheshin brenda shtëpisë, mosngrënien e ushqimeve
të gatuara me cilësi prej saj, gjë për të cilën ishte e mirënjohur, Fatosi nuk
i kthente përgjigje… Pra, ditët e ardhshme takimi i shokëve favorizuar nga i
njëjti profil pune e vuri thellë në mendime Fatosin, sepse duhet të tregohej
njeri praktikë,i natyrshëm, të merrte një vendim të matur, në bazë të të cilit
do të krijohej mundësia e takimeve shoqërore, njëherazi familjare, favorizuar nga fakti se e prezantonte Valin si bashkëshorten e tij.
Për
herë të parë në jetë Fatosi pranoi se rrethanat e detyronin të tregohej një
çift i lumturuar (në mospërputhje me jetën reale të përditshme), argumentuar në
dashurinë e pakufi dhe mirëkuptim të admirueshëm midis tij dhe Valit…Nuk mbante
mend të shtirej apo të kishte përdorur më parë gënjeshtrën si mburojë, por ja
që vjen një çast në jetë dhe shprehja e njohur “Qëllimi justifikon mjetin” iu
duk se do të kishte edhe vlera për të, sikurse u provua më pas, kur pikërisht
ai mori drejtimin për organizimin e takimeve jashtë qytetit, sapo u krijohej
mundësia e sigurimit të kohës së lirë, zakonisht ditëve të diela. Grupi prej
pesë vetësh: Fatosi, Iliazi, Bylua dhe Silva me Valin duhet të siguronte mjetin
për udhëtim, ushqimet e përgatitura dhe të tjera sende të nevojshme përdoruese
gjatë ditës. Nuk ishte përherë e lehtë dhe kjo dukej në fytyrën e Fatosit, që
fshihte brenda saj një zjarr i cili në shikim të parë dukej të ishte i tulatur,
realisht ende i pashuar, nëse tentoje ta prekje dhe atëherë…
Së
largu Fatosi kishte dëgjuar për Bylon si njëri nga mjeshtrit më të vlerësuar në
atë fushë dhe saje experiences së tij shumëvjeçare, kufijtë e kontributit të
tij nuk mateshin në raste avarie, rrallë në puse të naftës. Prezantonte një
mashkull të fuqishëm, por diçka e veçantë tërhiqte vemendje sapo përqendroje
shikimin në fytyrën e tij, pa e kuptuar sesi të transmetonte një përqendrim të
brendshëm të tij si shoqërues të pandarë sa edhe mund të ndiheshe disi i prekur
shpirtërisht për faktin që, ndërsa ishe duke folur me të, Bylua mendjen e kishte diku tjetër…
Mbahej
mend analiza e saktë e një shoku të afërt të tij lidhur me heshtjen pothuajse
enigmatike. Pra ajo do përfaqësonte një përgjigje për këtë qëndrim të
çuditshëm, nëse do të mund të shprehej:
-
Bylo, ti po mendohesh thellë dhe dukesh i përqendruar në veten tënde, prandaj
nuk je pjesëtar në bisedën tonë miqësore… Jam i sigurt se po mban vesh drejt
nëntokës, për të ndjekur me vëmendje drejtimin e gazit dhe shpejtësinë e
lëvizjes së tij, se mos ndofta papritur ai shpërthen dhe pastaj… nafta,
fontana…. Mos e moho, ti je aq i dhënë me ndërgjegje mbas punës, sa do të
sakrifikoje edhe jetën tënde nëse do të ishte e nevojshme të parandaloje ndonjë
aksident të papritur. Të admiroj për këtë qëndrim të rrallë dhe përkushtim që
tregon ndaj detyrës, por besoj se i ke kaluar kufijtë e paracaktuar. E dimë
mirë të gjithë se njohja e parametrave bazë, mbështetur edhe në studimet
shkencore përherë e më të thella, të plotësuara, ndihmojnë në parapërgatitjen
për një shpërthim, shoqëruar me pasoja të rënda, por njëherazi pranohet edhe
fakti që nafta i përket nëntokës dhe atë e shoqërojnë shumë probleme të
vështira që presin zgjidhje… Më kupton, Bylo? Edhe unë jam bir naftëtari, në
këtë sektor e fillova punën qysh në moshën 14-vjeçare, por në ndryshim me ty e
shoh jetën në shumë këndvështrime, jo vetëm të përqendruar në rezervat e
naftës. Pra, mendoj me qetësi që të duhet t’i hedhësh sytë edhe rreth e
rrotull...
Silva,
e pranishme në atë bisedë, e njihte mirë natyrën e Bylos, sepse jeta martesore
me të ishte shpalosur dhe ajo po kuptonte se përpos shumë cilësive pozitive të
bashkëshortit ky fakt e kishte shqetësuar sa edhe zënkat kishin lindur me atë
subjekt, por e kuptonte se ishte e pamundur të ndryshohej karakteri i Bylos,
pavarësisht përpjekjeve. Transferimin e të shoqit në një tjetër qytet ku ajo do
të punonte në të njëjtin profil si inxhiniere kimiste e mirëpriti duke iu
gëzuar mundësisë së një jete më të lirshme për të e Bylon, duke u nisur nga
shkalla e zhvillimit përkatës dhe jo më pak i rëndësishëm ishte fakti për
njohjen e mëparshme me kolegët Iliaz dhe Fatos…
Bylua,
si një specialist i aftë në raste avarie, do të punonte në një tjetër sektor
nafte ku ishte i kërkuar si një profesionist i mirëfilltë saje eksperiencës,
aftësive të veçanta, prandaj ishte tepër i zënë me punë me personelin
tekniko-inxhinier, duke treguar së bashku devotshmëri, sakrificë dhe gatishmëri
si një bazament për sukseset e arritura në atë sektor ekonomik tepër të
rëndësishëm. Pra, ai me shokët ishte në vendin e punës përgjatë gjithë ditës
ndonjëherë gjatë natës, sa rastiste të
ishte në shtëpi brenda javës një herë apo dy herë.
Silva
e mirëpriti punën e re, sepse jo vetëm ishte rritur në këtë qytet dhe njihej me
kolegët inxhinierë, por ishte në pritje për më të mirat për familjen.
Veçanërisht shef Iliazi e mahniste me përkushtimin në punë dhe vënien në jetë
të studimeve, të cilat ishin ende të freskëta nga leksionet në fakultet, njëra
nga arsyet e tërheqjes ndaj tij.
÷÷÷
Nuk
do të kalonte shumë kohë derisa së bashku të organizonin takime jashtë qytetit,
që mundësuan të afroheshin së tepërmi dhe kështu të formonin një grup miqësor,
bazuar në mirëkuptim reciprok, realisht më e mira e këtij transferimi të çiftit
Silva dhe Bylo. Shëtitjet të dielave, kur me vete merrnin në çanta shpine
ushqimet e përgatitura me kujdes gjatë darkës së mëparshme, shishe me ujë dhe
pije shoqëruese; në raste të tjera ngrënien e përgatisnin drekën në zjarre të porsandezura me shkarpa apo degë
pemësh të thata të mbedhura nga grupi i përbërë nga Fatosi, Iliazi, Bylua,
teksa femrat: Silva me Valin, kujdeseshin për ta mbajtur zjarrin të ndezur për
të gatuar.
Shëtitjet
ndiqnin njëra-tjetrën, si: në Llogara, Ardenicë apo në plazhin Seman, sapo koha
tregonte ngohtësinë e verës dhe pothuajse të gjitha vendet e vizituara ishin
mbresëlënëse, pa mundur të bënin diferencë, por më të shpeshta ishin pushimet
ditore brenda javës në bregdet. I tërhiqte plazhi Seman, me shtrirje të gjerë
dhe formë të një brezi rreth 2 metër me dy karakteristika, sikurse rëra e imët,
e ashpër, e pasur me jod dhe pylli i mrekullueshëm i pishave në anën e majtë,
kur i drejtoheshin detit që shtrihej në një pjesë të gjatësisë së bregut në
brendi të të cilit më mahnitës mbetej gjelbërimi përgjatë gjithë vitit, aq sa
shokët e kishin edhe pikësynim të qëndronin vetëm brenda pyllit me pisha të pjerrëta përgjatë ditëve me kohë
të freskët.
Diçka
e veçantë, tërheqëse ishte ndjekja e Valit, një notare e talentuar, nga Silva,
e cila, edhe pse përpiqej t’ia kalonte shoqes, përherë shihej rreth 2-3 herë
pas saj duke mos e llogaritur largësinë e përshkuar, sa vinte çasti dhe
vështirësohej njohja e siluetës së kokave të tyre, tashmë si një formacion i
panjohur. Si të ishin pjesëmarrës në një konkurs noti, dukej se soditësve u
shtohej gjallëria, teksa qëndronin ulur në rërën e pastër të bregut, duke
qeshur dhe thirrur me zë të lartë, por
nuk mund të fshihej mërzitia kur edhe në kthim përparësia përherë i
takonte Valit…
Çuditërisht,
të tre meshkujt ishin në të njëjtën pozitë përsa i përkiste dëshirës së
sinqertë të fitores prej Silvës. Dukej se Fatosi, i dhënë pas sportit të notit,
e njihte mirë tendencën e një personi të apasionuar të talentuar në atë fushë,
kënaqej në fillim të përballjes së dy shoqeve mes dallgëve të kaltra e
ledhatuese (pas notit do të drekonin sëbashku), por kur mbrapa Valit,
bashkëjetueses shihte lodhjen e konkurrentes Silva, në pamundësi të ndjekjes së
triumfueses, nuk mund ta fshihte zhgënjimin, shoqëruar më mërziti… Notari Iljaz, me emocion priste çastin kur të
kthehej Vali e lumturuar, shtrihej në rërën e thatë dhe e ftonte Silvën të
riniste konkursin me të dhe në mënyrë të qëllimtë mbetej disi prapa saj…
Dreka
i qetësonte disi vallëtarët e uritur dhe pas saj vallëzimi, sigurisht nëse mund
të gjendej një hapësirë në formë sheshi për vallëzim brenda pyllit me pisha të
përkulura si një karakteristikë e zonës, ia linte radhën këngëve, pikërisht
atëherë argëtimi arrinte majat. Tregimet si pjesëza jetë të spikatura me humor
e ruanin vlerën edhe në ditët e
mëvonshme, duke i risjellë në mendje sikurse episodi i spikatur në një të diel
mbasdite me plazhistin në Seman, që e kishte lënë makinën me drejtim nga deti,
duke mos mundur ta parkonte si herë të tjera me drejtim nga pylli i pishave.
Mbasi doli nga deti, shkoi të ndërronte rrobat e banjës më të zakonshmet, por
duket se rrezet përvëluese të diellit dhe kohëzgjatja e të qëndruarit në det
nuk i qartësuan ndryshimin e parkimit të mjetit në drejtim të kundërt, sikurse
duhet ta kishte bërë herë të tjera. Pra, kur hapi derën e makinës që të mbrohej
nga shikimet kureshtare të pushuesve përballë tij, nuk po e kuptonte se dera e
dytë, e pasme si një mbrojtëse për të,
ndodhej mbas trupit të tij dhe ai po tregonte një trup plotësisht të zhveshur
drejt kureshtarëve gjysmë të ulur, të cilët qeshnin, duke u argëtuar me një
gabim njerëzor…
Pasdites,
gjatë shëtitjes, ndalonin në fusha para se të ktheheshin në shtëpi, duke dashur
të mos ndërprisnin kënaqësinë.
-
Do mbledh lulet e porsaçelura, - shprehej e gëzuar duke thirrur me zë të lartë
Silva, - dhe t’i vendos në një gotë me ujë se, duke i pasur para syve në
shtëpi, do mundem të kujtoj e lumturuar argëtimin e sotëm e përgjatë disa
ditëve të ardhshme, sepse lulet që do të vendosim në tavolinën e punës në
laborator pjesërisht më përkasin mua…
Ato
dukej sikur ndiqnin me ëndje lëvizjet e shefit brenda ambientit të punës dhe
me pamjen e një vogëlusheje lozanjare Silva shihte e ngazëllyer Iliazin,
i cili mundohej të paraqitej se nuk po e ndiqte kolegen, njëherazi shoqen e
grupit…Pas ngrënies së drekës, kur Fatosi dhe Bilbili e ndjenin të nevojshme të
shtriheshin një copë herë, gjë që e favorizonin edhe dy-tri gota rakie të
prodhuar në mënyrë artizanale, zier në kazanin e bakrit në shtepinë e Zylos nga i ati (i biri e
mbante në çantën e dorës në një shishe të vogël, të zbukuruar, e cila i
përkiste një parfumi të çmuar blerë nga Silva në muajin e mjaltit në Itali)… I
takonte rakisë... Bylua, shoqëruar nga Fatosi, e mbaronin me patjetër shishen
deri nga mesi i ngrënies, ndërsa Iliazi vetëm sa e prekte në buzë duke thirrur:
-
Gëzuar! Për shëndetin e të pranishmëve, momentalisht jo shëtitës! Ky grup
organizon, shijon me meritë argëtime mbresëlënëse!
Natyra
artistike e Iliazit e prezantonte një këngëtar të talentuar kur fillonte si
solist këngë të huaja apo paraprinte shokët në këngët e shumta popullore,
përkatësisht të krahinave tona. Vendosën që një ditë të diele të vizitonin
qytetin antik të Apolonisë, i themeluar në vitin 587 p.e.s. Atje mësuan me një
ndjenjë krenarie pa e fshehur ndjenjën atdhetare se zhvillimin e madh kulturor
të tij e vërteton edhe fakti që në shek I p.e.s., Perandori i parë romak,
Oktavian Augusti, studioi në Akademinë e Apolonisë. Aktualisht është një qendër
tërheqëse për vizitorë, turistë të huaj të apasionuar pas arkeologjisë dhe
historisë së lashtë të këtij qyteti, pranë të cilit ndodhet muzeu arkitektonik
së bashku me kishën, dekoret dhe pikturat murale, pra
një qendër kulturore, artistike e
plotësuar me zbulime arkeologjike.
Pikërisht
atë ditë Bylua, ulur mes lulesh të shumëllojshme, vështronte i heshtur pamjet e jashtëzakonshme
para tij në largësi, të cilat, në mënyrë harmonike ia linin radhën
njëra-tjetrës, duke nisur nga një fashë e gjerë e qiellit të shndritshëm me
ngjyrë të bardhë, të pastër si kristal dhe pa asnje rè, në konturin më të
ngushtë përfaqësues i kaltërsisë së detit dhe në vijimësi shihte fusha të
mbjella, ndarë në konfiguracione katrorësh të rregullt. Afërsia me qytetin
antik u përkiste radhëve të ullinjve të rinj, të cilët qëndronin në pritje të
marrjes së detyrës prej atyre shekullore, gjysmë të përkulur…
Duket
se brenda kësaj harmonie të nënës natyrë ndjesia shpirtërore bëri që Bylua të
largohej disi nga mënyra e zakonshme e jetës së përditshme, ku ai me përpikmëri
i respektonte parametrat e paracaktuar, thjesht e tejkaloi sasinë e rakisë së
prodhuar me shkallën më të lartë të fortësisë së saj dhe ngadalë po e
zaptonte gjendja e dehjes, e cila shpejt
mund ta shkëpuste me realitetin. Pikërisht koha kur Silva me Valin po shëtisnin
me kujdes në sipërfaqen e pjerrët kodrinore dhe në të njëjtën kohë qëndronin
paksa mbështetur në trungjet e pemëve, për të garantuar hapat e mëtejshëm në
terrenin me guriçka të shumtë dhe
vendodhja e tyre përcaktohej nga pasthirrmat e larta:
-
Oh! Oh! Kjo aromë ka forcë të të rrëzojë në shesh dhe të mos dish të marrësh
rrugën e kthimit!
Mbedhur
lulet në tufa, tejet të impresionuara nga bukuria e rrallë e natyrës , duke
nuhatur aromat e këndshme, mes të cilave ndiheshin si të ishin zhytur në një
vaskë të stërmadhe natyrore, në të njëjtën mënyrë si të ishin detyruar nga një forcë enigmatike, ecnin me
kokën ngritur paksa më lartë se zakonisht. Iliazi qëndronte i vetëm për një
kohë të gjatë midis zbulimeve arkeologjike në muze dhe sodiste mendueshëm
skulpturat e vjetra.
Në
një ditë nga fundi i qershorit, mbasi mbaruan vaktin e drekës dhe ulur po
qëndronin Fatosi me Bylon, i cili dukej të ishte afër mbarimit të sasisë së
rakisë në shishen e sheshtë, papritur iu
afrua Fatosit, vështroi rreth e qark të
sigurohej se ndodheshin të vetëm të dy dhe i pëshpëriti në vesh:
-
E shoh që përsëri sot e teprova, vetëm se… një arsye shëndetësore e fortë më
tronditi para tri ditësh, mbas konsultës me mjekun specialist androlog për disa
shqetësime të mia kohëve të fundit. Ai u përqendrua në analiza të shumta dhe
ekografi të organeve urinare, të cilat, në mbështetje të njëra-tjetrës dhe mendimin
e mjekut, fatkeqësisht më informuan se unë…nuk do të lumturohem duke mbajtur në
krahë fëmijën tim trashëgimtar dhe...
nuk do të jem babai i vogëlushëve në të ardhmen… Ky problem ishte i
panjohur për mua, por tani që e mësova këtë diagnozë, ky është informacioni më i hidhur që mund të
merrja për jetën tonë familjare. Sidomos kur Silva e njohu të vërtetën, e
përjetoi me hidhërim të pamatë. E njoh që ka mirësi shpirtërore dhe
zemërbardhësi të skajshme, të cilat po më ndihmojnë ta marrë veten…
Në
të njëjtën kohë, Fatosi po ndihej i hidhëruar pas këtij informacioni
konfidencial që mori nga Bylua, dhe e kuptoi
vlerësimin, shkallën më të lartë
të besimit që shoku po tregonte ndaj tij, prandaj vendosi që sekretin e mikut
ta konsideronte personal. Edhe një
hollësi tjetër disi e çuditshme e periudhës së përbashkët katërvjeçare e cila
nuk mund të largohej nga kujtesa Fatosit:
Të
tre ishin specialistë të një dege, por Silva dhe Iliazi kishin ftesa për
pjesëmarrje në konferenca shkencore në Tiranë, ndërsa emri i tij nuk përmendej
ndër të ftuarit. Përse vallë të bëhej ky diferencim?! Dhe, pa u treguar naiv, i
drejtoi një ditë pyetjen therëse, ironike, Iliazit :
-
Do të doja të më sqaroje pa fjalë të shumta dhe pa kaluar sa nga njëra degë në
tjetrën se vetëm rritja e nivelit profesional në laboratorin tuaj është
treguese për punimet shkencore në sektorin e naftës?. Jam dakord që unë e humba
këtë mundësi të ëndërruar, në ndryshim me ty që po shkon drejt përfundimit me
sukses dhe e pranoj me ndërgjegje se mbase nuk kisha punuar aq sa e
kërkonte subjekti përkatës, por po
Silva, që sa është aprovuar në numrin e kërkuesve dhe nuk ka arritur as një
konkluzion të vetëm?! Të më kuptosh drejt, nuk më shtyn asnjë ndjenjë xhelozie
ndaj jush që ju konsideroj si miq të afërm, por drejtesia njeh vetëm një
rrugë...
Asnjëri
prej tyre nuk i ktheu përgjigje, si të mos e kishin nuhatur nënkuptimin e
veçantë të pyetjeve të Fatosit, realisht objektive. Pa ia mohuar asnjërit
vlerat shpirtërore, shoqëruar me aktivitetin fizik dytësor përgjatë gjithë
shëtitjeve të mirorganizuara nga grupi i konsoliduar, arsyeja që i bashkonte në
shëtitjet jashtë qytetit ishte një lehtësim sado i pakët për ngarkesën
psikologjike në punën e përditshme, udhëhequr nga ndërgjegjësimi për
përgjegjësinë konkrete të secilit në atë sektor delikat. Sa për
mbilodhjen, kryesonte Bylua, por këto argumente dëgjoheshin në kohën kur
ata ndodheshin në grup, apo në rastet kur i bisedonin brenda shtëpisë si Fatosi
me Valin, Silva me Bylon apo në atë pak
kohë të lirë në laborator, midis Iliazit dhe Silvës…
Vetëm
se në thellësi të zemrës së çdonjërit (pa u ndërgjegjësuar se si dhe pa dëshirë
t’i ushqenin) po shfaqeshin filizat e para prezantuese të një gjendjeje
shpirtërore të turbulluar, ndonëse përpjekjet prej tij që t’i eleminonte bëheshin sapo e nuhaste, dhe pa pritur
përballje të mëtejshme, por shtrohej një pyetje e thjeshtë: “A ia dolën?”,
sepse në këndvështimin individual problemet e brendshme emocionale ndiqnin
njëra-tjetrën duke filluar me Silvën. Ajo e njihte mirë të shoqin dhe e
respektonte, por natyra e heshtur dhe përkushtimi i tij në profilin e teknikut
në një sektor jetësor nuk mund t’i dhuronte përherë një gjendje shpirtërore të
këndshme, prandaj ia ktheu gjatë një debati midis tyre, jo pa shpoti:
-
Shoku Bylo, tani është darkë dhe ti sapo u ktheve në shtëpi. Je pranë gruas dhe
problemet e pusit të naftës me të cilat u morët për disa ditë gjithë brigada, i
mbaruat pas mesnatës së kaluar… Tani më dëgjo të bisedojmë për probleme të
brendshme të familjes, je në krye të saj…
Heshtja
pasuese e iritoi Silvën. Të tjera episode moskuptimi nisën të nxirrnin kokë
herë pas here. Më delikatja prej tyre lidhej me faktin e moskryerjes, mungesës
së shkollës së lartë prej Bylos, jo për arsye ekonomike, sepse pikërisht niveli
mbi të zakonshmen kishte ndihmuar që
Silva të aprovonte martesën me të. Tepër
vështirë prezantohej para syve të mendjes së Silvës, në raste të rralla edhe
mes miqsh mungesa e shkollimit të lartë për Bylon, gjë që përtërihej vitin e
fundit, kur ajo po mendonte të thellohej në punë studimore. Ai e refuzoi
prerazi dhe pas shumë diskutimesh pranoi i detyruar, por pikërisht ai subjekt i
asaj teme ishte si një zjarr i mbuluar me një shtresë të trashë hiri që sërish
mbetej i pashuar.
Realisht
mjeshtëria e mirënjohur dhe e konkretizuar në raste avarish dhënë prej Bylos
dhe brigadës që ai drejtonte, prezantonin një bazament të shëndoshë ngritur në eksperiencën shumëvjeçare, përkushtimit të admirueshëm, një kontribut i
vlefshëm për shoqërinë. Sigurisht natyra e mbyllur e bashkëshortit të Silvës
tregonte një ndryshim të kapshëm midis tij dhe dy kolegëve të saj Iliaz dhe
Fatos. Për shembull, ajo pëlqente notin, por në detin e dallgëzuar shihte t’i
afrohej Ilizi apo “këngëtari tërheqës në grup”, siç njihej Iliazi apo
“valltari” Fatos. E kuptonte qartë se këto grimca nuk kishin rëndësi kur i
shihte të veçuara, ama kur ato formonin një tërësi, atëherë mund të mos i shpëtonin shikimit tek asnjë i
pranishëm...
Nga
të gjitha mendimet e thella lindur brenda logjikës së saj dhe njohja e vlerës
për çdonjerin, Silva goditjen më të fortë e pësoi kur mësoi papritur
fatkeqësinë, diagnozën vërtetuese se Bylua nuk do të gëzonte mundësi si një
qenie njerëzore të rriste fëmijët e vet; pikëllimi i saj ishte i dyfishtë, së
pari, vuante hidhërimin e Bylos për të cilin ishte mëse e bidur se përpiqej tej
mase të mos e lëndonte gruan, dhe, natyrisht, pasojat familjare që do ta
preknin direkt Silvën. Sa herë mundej të shijonte bukurinë e natyrës, ajo
pothuajse e falënderonte në heshtje për ato pak kohë që shkëputej nga
problemet e jetës, të cilat sa vinin po
shtoheshin, por a ekzistonte një rrugë shpëtimi?
Kaluan
shpejt më tepër se pesë vite jetesë të
përbashkët, gjatë të cilave miqësia midis çiftit Fatos dhe Vali pësoi një
krisje të lehtë, fillimisht duke përfunduar rreth gjashtë muaj më vonë, në
largimin përfundimtar të saj kur ftohja e marrëdhënieve arriti në pikën e
ngrirë dhe nuk mund të rikthehej në parametra normal. Të dy e kuptuan se
përpjekjet e bëra për ta mbajtur gjallë atë lidhje mirëkuptuese i kishin
konsumuar të gjitha mundësitë, martesa e tyre mbeti në formë ideje dhe nuk u bë
reale. Natyrisht , gjendja shpirtërore e Valit, plotësisht e rrënuar, shenjat e
para tregonte kur në mjaft raste
grindeshin me Fatosin, pa pasur arsye të vërtetë, gjë që ajo e vuri në dyshim
kur po kuptonte se afrimi i tyre apo më thjesht grupimi, se po e gjallëronte
bashkëjetuesin në
prani të Silvës, pavarësisht në shoqërim të
përbashkët. Qartazi ai reflektonte
gjendje të çelur shpirtërore që
pothuajse përtërihej sapo përmendej emri i saj dhe... shpejt zëvendësohej me
zymtësi në ditët e planifikuara për dalje jashtë qytetit, por në pamundësi të
realizoheshin për ndonjë arsye objektive të lindur befas. Vali e respektonte
Silvën si një femër të zgjuar, të dhënë pas studimeve profesionale dhe ambicien
për të fituar një gradë shkencore e shihte si diçka jo të zakonshme; fakti që
ishin punonjës në të njëjtën fushë me Fatosin, Ilizazin dhe shpesh i dëgjonte
të bisedonin për probleme të njohura për ta, nuk e shqetësonte, por brenda
shpirtit trembej se ndofta një ditë kjo do të shërbente si urë lidhëse, aq sa u
pendua për qëndrimin egoist, sigurisht kalimtar kur Fatosi nuk arriti shkallën
e doktoraturës.
Me
gjakftohtësi vendosi të mos e fajësonte Silvën për rrugën e pambaruar të
lidhjes me Fatosin, i cili ishte ai dhe vetëm ai përgjegjësi i shkelmosjes së
ëndrrave të saj, Valit, sepse
ndonjëherë personi i Fatosit i
kujtonte një personazh kryesor në njërin nga librat e letërsisë botërore, i
cili, në një pozicion kulmor, drejtonte në heshtje jetën e personave pranë tij
që as mund ta kundërshtonin, sepse nuk e njihnin vendqëndrimin dhe as mund ta
përballonin forcën e tij mbinjerëzore, sepse vendi i vëzhgimit të tij dhe
vendimet që merrte ishin enigmatike… Po, nuk kishte më të voglin dyshim se ai e
simpatizonte Silvën dhe ajo përfaqësonte një femër ideale, por në të njëjtën
kohë tregohej korrekt me të, sikurse me të tjerët, asnjëherë të vetme nuk
prezantoi hapur ndjenjat e zemrës, të cilat, edhe sikur të mund t’ia nxirnin
forcërisht, do të dinte t’i mbronte, edhe… në se duhet ta paguante me jetën e
tij.
Diçka,
ndonëse e vogël, e bënte Valin të mendohej: fakti që edhe Silva tregohej e
matur ndaj Fatosit, duke respektuar kufijtë shoqërorë, njëherazi njerëzorë, gjë
që nuk i plotësonte kundrejt Iliazit... Qartësisht tek Iliazi dukej pamja e një
artisti të vërtetë, shoqëruar me karakter dhe sjellje të zhdërvjellta, niveli i
lartë profesional të cilin e argumentoi edhe marrja e gradës shkencore, duke
pohuar se nuk do tërhiqej për të tjera më të larta, duke u thelluar në punime
kërkimore shkencore në vitet e ardhshme dhe ajo më e thjeshta, por konkrete, ai
drejtonte punën në laborator, ishte në pozitën e shefit dhe ajo ndiqte nga afër
aktivitetin e përditshëm në punë të Iliazit se mbas saj nuk mund të merrte
asnjë të dhënë, ndonëse ishte tejet e interesuar.
E
verteta është se Iliazi nuk kishte një karakter të qëndrueshëm. Sa shpejt
afrohej, po aq shpejt i largohej lidhjes
me një tjetër vajzë. Rastësisht Silva mësoi rreth një lidhjeje dashurie të
Iliazit me një vajzë të re që nuk mund ta pranonte disfatën, ndërprerjen e
marrdhënie midis tyre, për të cilat disa herë kishte tentuar të ktheheshin
sërish, disa herë e kishte parë në korridor në pritje të vëmendjes prej tij,
por pas dy-tri orësh largohej me lot në sy…
Në
njërën nga ditët kur u kërkohej një
rezultat analizash tepër të rëndësishme mbi të cilat do të ngrihej një
punë intensive me kosto të lartë;
pikërisht për këtë arsye personelit të laboratorit i kërkohej përkushtim
maksimal, sepse ato rezultate do të shërbenin si udhërrëfyese dhe përcaktuese
për punën e ardhshme, por zëri i natyrshëm i shef Iliazit, ku dallohej respekti
si rrallë herë, e detyroi të dyshonte për vendin dhe kohën kur po jetonte, aq
sa një drithërim e lehtë i përshkoi tërë trupin, shoqëruar me djersë të pakta
në ballë.
-
E kam njohur vartësen Silva si një femër të zgjuar, punëtore dhe me një bukuri
të pakomentuar, por nuk besoja se shkalla profesionale e saj do të arrinte maja të larta. Urime të
sinqerta, i meriton, sepse këto përfundime të sakta na nderojnë të gjithëve!
Ditët
e mëvonshme gjesti i shefit do ta çorientonte sapo e ripërtërinte, por e
çudiste edhe një element tjetër: sikur në vend të Iliazit, shefi të ishte
Fatosi, a do ta përjetonte episodin kalimtar me të njëjtën forcë emocionale? E
sigurt se midis tyre çka ajo shihte, e
ndjente brenda vetes një ndryshim të thellë dhe as që mund të përcaktonte
pozicione paralele…
Goditja
e papritur, më e forta dhe hidhërim i pafund, ishte çasti kur mësuan për një
defekt teknik në njërin nga puset e naftës, pasojë e të cilit Bylua humbi
jetën. Goditja fatale e një pjese metalike nuk mund ta rikthente në jetë. Veç
tri ditë jetoi, saje një përkujdesi të papërshkruar të stafit mjekësor dhe
afërsisë njerëzore. ÷÷÷
Mbas
kësaj fatkeqësie, pa kaluar shumë kohë, Silva e ndërpreu punën në laborator
duke e rifilluar në një qytet tjetër me të njëjtin profil. Atje do të ishte
pranë familjes së të vëllait, që kishte krijuar familjen e vet dhe vazhdonte të
punonte. Çdokush nga grupi prej pesë shokësh ndihej në vetvete i trishtuar kur
kuptonte se ato ditë të kaluara pushimesh të organizuara me përkujdesje, të
filluar një ditë më parë dhe plotësuar përkatësisht të nesërmen, pra, saje
parapërgatitjes krijohej mundësia që gjithë fundjavat të ishin mbushur me
gjallëri, këngë, humor dhe shijimin e ushqimeve të gatuara në shtëpi apo shtesa
të porsapërgatitura në orët e qëndrimit
lirshëm në mes të gjelbërimit, aromës së këndshme të luleve të
shumëllojshme; të gjithë e meritonin çlodhjen dhe prisnin mbarësi në javën e
ardhshme.
Fatosi
po e përjetonte shumëfish hidhërimin. Mbasi Vali e braktisi, e kuptonte qartazi
se ajo nuk ishte për të gruaja e ëndërruar. Vali, një femër me karakter të
formuar, nuk mund të pranonte lëmoshë, sikurse ajo pak afërsi të cilën Fatosi
ia afronte në çaste të shkurtra rrallazi, prandaj nuk po mundej të vazhdonte
jetesën së bashku në ato pozita. E gjykoi saktë se vendimi i detyruar për
shkëputjen me Fatosin po
përcaktohej prej sjelljes
së tij kohëve të fundit.
Tronditja
e Fatosit mori përmasa të pamatshme kur mësoi se Silva kishte një fëmijë, të
cilin e lindi mbas largimit nga qyteti i tyre, saktësisht disa muaj pas vdekjes
së Bylos. Ai nuk mund ta harronte bisedën konfidenciale të Bylos, shqetësimin e
vërtetë të tij kur, në besim të plotë, zgjodhi të hapte zemrën para Fatosit,
pra, shatzënia e Silvës, qoftë edhe në muajt e fundit të jetës së
bashkëshortit, mund të mos tërhiqte vëmendjen e miqve, por në mënyrë absolute
kjo gjë nuk do t’i shpëtonte logjikës së hekurt të tij... Me cilin të ishte
afruar ajo vallë? Me personin që nuk u martua të kishte krijuar një lidhje?
Jashtë imagjinate për të… Pikërisht ky fakt e dërrmoi Fatosin, i bëri
përshtypje të thellë, sepse Silvën e kishte dashur në heshtje dhe vazhdoi ta
dashuronte çmendurisht pas largimit të
bashkëjetueses Vali…
Teksa
ndihej i vetmuar dhe besonte se të njëjtën gjendje shpirtërore po përjetonte
edhe Silva, e gjykoi me gjakftohtësi të bisedonte hapur me të dhe t’i
sugjeronte më të mirën e të dyve, martesën, realizimin e së cilës Fatosi e
shihte si zgjidhjen ideale të ëndërruar prej vitesh. Informacionet rreth saj i
kishte të pakta, se nuk dëshironte ta bënte si një bisedë të zakonshme me të
tjerë persona; njëherazi as në ato telefonike nuk pëlqente të tregonte botën e
tij të brendshme shpirtërore dhe e vetmja siguri qëndronte në besimin se Silva
do të pranonte një takim me Fatosin, si
miq të vjetër, për më tepër që do të ishte e dobishme për të në situatën e
krijuar tejet trishtuese.
Takimi
u realizua një pasdite vonë në një mjedis të qetë, të cilin e përzgjodhën
paraprakisht. Fatosi ndodhej atje rreth gjysmë ore më parë dhe po e përjetone
çastin e takimit, bisedën pasuese me emocione të forta si kurrë ndonjëherë
tjetër, po priste me ankth një njeri të cilin e njihte, e ndiente të afërt, por
njëkohësisht e shihte veten të pazotin të shqiptonte qoftë një fjalë të vetme,
për më tepër edhe mendimet po i ngatërroheshin, ndonëse e kishte menduar
hollësishëm shumë herë thelbin e bisedës. Teksa po i afrohej, Silva prezantonte
pothuajse të njëjtën pamje tërheqëse në tërësi; veçanërisht fytyra me pamje të
zeshkët, si të ishte e sapokthyer nga qëndrimi disaditor në bregdet...
Pas
disa çastesh të vështira, Fatosi po e zotëronte veten dhe, pa e zgjatur shumë,
hyri në brendi të problemit që e shprehu thjesht:
-
Silva, për vetë kohën e gjatë të njohjes sonë, unë do të shprehem shkurt dhe po
të njëjtën përgjigje pres prej teje… Fati na ndihmoi të njiheshim dhe të
afroheshim miqësisht njëri me tjetrin, por rrethanat e sotme na krijojne një
mundësi tjetër të favorshme për të dy. Pra dëshiroj të formojmë një familje të vërtetë së bashku, gjë që mua
më ka munguar, ndërsa ty fatkeqësisht t’u këput përmes... Jemi ende të rinj,
jeta është para nesh dhe ne e meritojmë ta gëzojmë së bashku, sepse jo vetëm
puna është ajo që sjell kënaqësi. Në situata të papritura, të paparashikuara,
njeriu përpiqet të gjejë një rrugëdalje në jetë, pavarësisht kostos dhe
problemeve të vështira brenda saj apo të tjera shoqëruese, një pjesë e të
cilave mund të mos vihen re nga një tjetër përson...
Ishte
një çast kur Fatosi, me zemër të drithëruar, shoqëruar me një ndjesi peshe të
rëndë në gjoks, të paprovuar kurrë më parë, po priste një përgjigje aprovuese
dhe ishte mëse i bindur që ajo do pranonte… Nuk po mund të priste, përsëritej
më i fuqishëm turbullimi i shpirtit.
-
Silva, më kupto! - vijoi ai. - Ne edhe e nisim si një bashkëjetesë. Sa për
dasmën, kur të na krijohet mundësia…
Silva
qëndroi gjatë pa iu përgjigjur dhe tregonte me një tundje të lehtë të kokës se
do të shprehte mendimin, por së pari nguliti shikimin e syve të saj të bukur,
më të theksuarën nuancë të ngjyrës së zezë, që, pa e kuptuar se si, Fatosit i
dukej të ishte përballë një plumbi, trajektorja e të cilit, e fiksuar drejt
tij, do të depërtonte permes vetëm pas një sekondi; Silva i dha përgjigje me zë
të ulët, gati në pëshpëritje:
-
Së pari, dua të të falënderoj për këtë sjellje miqësore tënden. Realisht nuk
gjej tjetër emërtesë, por dua të jem plotësisht e sinqertë me ty dhe sigurisht
edhe me veten time… Do ta pranoja kërkesën tënde, por ti duhet ta dish se unë
nuk jam e vetme, sikurse ti më di. Fatos, më duhet të sqaroj se në kohën që
Bylua fatkeqësisht u largua nga jeta, atëherë isha shtatzënë tre muajshe… Pra,
tani kujdesem edhe për një vogëlush dyvjeçar... Ja, është duke ma sjellë,
dadoja se kur erdha këtu ishte duke fjetur…
Pikërisht
momenti kur Fatosi ndjeu një marrje
mendsh të papritur, djersë të ftohta ta përshkonin në fytyrë dhe drithma të
lehta në trup, aq sa po i dukej se edhe dhëmbët e tij po bënin një zhurmë
kërcitëse, teksa mundohej të shtrëngonte buzët dhe të mos i kthente Silvës përgjigjen e merituar... Po Silva mund të
gënjente cilindo para saj, por të vetmit njeri me emrin Fatos të mos guxonte as
ta shkonte nëpër mend, sepse një bisedë e bërë midis tij dhe burrit saj tre vjet më parë kishte
ngelur e freskët në mendjen e Fatosit, si të ishte duke u zhvilluar atyre çasteve...
Ndaj atij iu deshën përpjekje mbinjerëzore të përmbahej e të mos tregonte të
vërtetën drithëruese për një fëmijë, të birin e Bylos…
Rastësia
e solli që në derën e xhamtë rrotulluese të hynte një femër mesogrua me një
fëmijë bukurosh, i cili sapo iu afrua Silvës iu hodh me vrull në krahët e saj
të drejtuara para.
-
Mami! Mami! - dhe me shpejtësi afroi kokën në kraharorin e Silvës, duke e parë
pjerrtas Fatosin, i cili po përjetonte më të pikëlluarin çast të jetës. Po
mendonte nëse duhet ta njihte apo jo fëmijën e Silvës me atësi Bylon para se të
krijonte një familje të shëndoshë… I lindën dhe dyshime të shumta se kujt i
ngjante ky fëmijë. Sikur t’i shkrepëtinte një rrufe në qiell të freskët i
përshkoi mendjen fizionomia e Iliazit… dhe Fatosit iu kujtua papritmas një episod i hershëm kur i
kishte parë së largu në një kthesë të rrugës, pas së cilës shihej një godinë
luksoze shumëkatëshe në Tiranë. Silva me Iliazin dukeshin së largu të
lumturuar..., por me dyshim se atëherë mund të ishte gabuar dhe të kishin qenë
persona të tjerë, pikërisht ripërtëritja e asaj pamje në vetëdije e bindi se
kishte ekzistuar…
Pa
e kuptuar se si, po ndihej i poshtëruar brenda vetes, sepse të gjithë e njihnin
saktësisht sipërfaqësinë e Iliazit, paqëndrueshmërinë e karakterit dhe sjelljet
aktoreske ndaj femrave... Disa i njihte, atëherë rrathët koncentrikë që po
mblidheshin shtrëngueshëm rreth zemrës së tij i mundësuan të shprehte dy fjalë,
i ngritur në këmbë:
-
Silva, përgjigjen e saktë ma dha ky vogëlush dhe… naiviteti im i pafalshëm. Jo
përherë njihet e mira… Sa për mua, besoj se fati nuk do të tregohet përherë
mizor… Do të të këshilloja që ti të ishe e sinqertë. E pranoj se edhe kësaj
radhe e humba betejën, gabova, sepse besoj që forcat e mia kanë mundësi të
ndihmojnë vetëm ty, por dhe një person të tretë, sikurse ky vogëlushi këtu, nuk
munden t’ia dalin... Ti do më mbetesh
brenda kujtesës sime, sepse vetëm këtë meriton dhe asgjë më tepër… Të jap
fjalën ty dhe vetes sime! Lamtumirë!
Afër
mesnatës Fatosi u kthye në shtëpi, por ende nuk ishte kthjelluar; për më tepër
telefonata e papritur nga ana e Silvës, ndërprerjet e herëpashershme dhe
paqartësia e shqiptimit të disa fjalëve, ia rikthyen trishtimin. Në ndryshim me
atë të disa orëve të mëparshme, po i dukej se i ngjante një qielli të mbushur
me rè të errëta në prag të nisjes së rrebeshit, çuditërisht pas tyre po
shiheshin disa rreze të pakta dielli, të cilat aty-këtu dukeshin të qarta, kur
retë ishin shpërndarë…
-
Fatos, përherë të kam besuar dhe kam treguar respekt ndaj teje... Njoh mirë
karakterin dhe ndershmërinë tënde, bujarinë e zemrës sate, e cila do të bënte
që vogëlushi im të kishte një baba… Fatkeqësisht, rrjedha e jetës sime nuk ia
siguroi atë. Babai biologjik nuk e di të vërtetën dhe jam e sigurt se kurrë nuk
do të dëshirojë ta mësojë; tjetri, sipas dokumenteve, ka ndërruar jetë dhe
ti... je i vetmi që mund të zgjatësh dorën drejt nesh, të na dhurosh sado pak
ndihmë, sikurse ke bërë edhe herë të tjera… Të lutem, më lejo të takohemi
sërish, premtoj që do të tregoj me sinqeritet gjithçka ka ndodhur deri kur ne
arritëm në këtë pikë... Po, shpresoj, Fatos…
Gjatë
kësaj bisede të zgjatur ai nuk e ndërpreu dhe, sapo e kuptoi se Silva nuk po
mund të vazhdonte më tej, shqiptoi:
-
Natën e mirë, Silva! Të uroj gjithë të mirat!
Dt 4 maj 2018