Kulturë
Ndue Dedaj: Ndue Gega - Gjeografia e Mirditës
E shtune, 20.06.2020, 06:46 AM
Nga
Ndue Dedaj
“Gjeografia
e Mirditës” është një sprovë studimore e autorit Ndue Gega, mësues i pasionuar
i gjeografisë, prej dyzet e pesë vitesh, në gjimanzin e Rrëshenit, shkollën e
mesme Industriale të Rubikut etj. Fillesat e tij për dukuri gjeografike të
trevës së Mirditës i hasim në publikimin, në almanakun “Mirdita” 3, 1975, e një
studimi mbi popullsinë e Mirditës, pjesë nga punimi i tij i diplomës, i nxitur
dhe nga studiuesi i njohur mirditas në Tiranë, Dr. Pal Doçi.
Ndue
Gega, në vitet e shkuara ka shkruar rrallë, por të mbetet në kujtesë një
artikull i tij në gazetën “Mirdita” mbi Teknikumin e Rubikut, në vitin 1989, më
rastin e 20-vjetorit të krijimit, më pas një shkrim mbi “Maturën e parë” të
gjimnazit të Rrëshenit, që do të pasoheshin nga disa libra monografikë kushtuar
qytetit të Rrëshenit, Mirditës administrative, arsimit të mesëm në Mirditë etj.
Një kontribut të dukshëm do të jepte ky autor dhe sa i përket librit “Rrugëtimi
i Diturisë”, botuar me nismën e Zyrës Arsimore Mirditë, në vitin 2017.
Interesant në prurjen dhe shpalimin e tij është dhe libri “Gjeografi për të
gjithë”, që ky gjeograf ka botuar para ca vitesh, fryt i skedimeve të bëra
kohës pas kohe.
Por
puna studimore më e plotë e tij, deri në këtë botim të ri, mbetet monografia
“Mirdita Gjeografike”, botuar në vitin 2006, që u mirëprit nga nxënësit,
studentët dhe mësuesit e Mirditës. Ajo u shfrytëzua si literaturë ndihmëse për
lëndën e gjeografisë, atë të vendlindjes, punën me projekte të gjimnazistëve
dhe punimet e diplomës së studentëve etj.
Ishin
shkruar libra të natyrave të ndryshme për Mirditën, pas 90-s, në këto vite të
tranzicionit, por nuk kishte pasur një manual të mirëfilltë gjeografie, çka e
kishte shtyrë Ndue Gegën t’ia hynte punës për një të tillë. Mirëpo, me kalimin
e viteve, ai kishte parë se monografia e tij e parë kushtuar gjeografisë së
Mirditës kishte nevojë të thellohej e pasurohej, ndaj e rikonceptoi e
strukturoi atë, duke mbërritur te ky botim i dytë, që është dhe nuk është i
pari. Një ndihmesë për autorin kanë qenë vrojtimet e vëzhgimet e tij të
drejtpërdrejta në terren, guidat e ndryshme të botuara vitet e fundit, si ajo
për Munellën, si dhe koleksioni i pasur i atlasëve të ndryshëm gjeografikë, që
autori i ka siguruar kryesisht gjatë vizitave jashtë vendit, në Amerikë dhe
Europë.
Kështu,
lexuesi merr sot në dorë një punim gjoegrafik dinjitoz, që e kundron Mirditën
në të gjitha rrafshet, që nga pozita gjeografike e relievi, mineralet dhe
burimet ujore, bimësia dhe fauna, toka dhe ekonomia, popullsia dhe demografia,
zhvillimet rurale e urbane në të kaluarën dhe kohën e sotme. Në libër gjejnë
pasqyrim dhe monumentet e kulturës dhe ato natyrore, në funksion të
trashëgimisë dhe turizmit, nga piktogramet e njohura të Rubikut gjer te
petroglifet e Xhuxhës (Fan), zbuluar vetëm pak kohë më parë.
Në
këtë qasje, “Gjeografia e Mirditës” është dhe një guidë për turistët për
njohjen e kësaj krahine etnologjike, që shtrihet brenda dhe jashtë bashkisë së
Mirditës. Tashmë ky botim iu shtohet atyre për historinë, etnologjinë, traditën
kishtare, kuvendet, kanunin, bimësinë, gjeologjinë në trevën e Mirditës, duke e
përmbushur me tej korpusin studimor të saj.
Ndue
Gega, jo vetëm ka shkruar për Mirditën dhe sidomos për vendin e tij të lindjes,
që nga fshat me emrin Fusha e Lumthit u bë qytet - qendër administrative e
rrethit të Mirditës, por dhe kontribuoi dukshëm për mirëqenien, gjelbërimin,
mjedisin, estetikën dhe qytetarinë e Rrëshenit, gjatë katër viteve që ishte në
drejtimin e bashkisë së tij.
Autori
i këtij libri gjeografik, student i shkëlqyer në auditoret universitare të
Shkodrës dhe Tiranës, në gjysmën e parë të viteve ’70 dhe më pas mësues i
përkushtuar dhe drejtues shkollash në Mirditë, por dhe funksionar i pushtetit
vendor e qendror, përkatësisht në Berat e Tiranë, është i biri i edukatorit unik
të pas Luftës së Dytë Botërore në Mirditë, të ndritshmit Gegë Bardhoku, të
cilin shkollarët mirditorë të ardhur në Konviktin e Rrëshenit nga “gjeografia”
e largët e Velës, Munellës e Selitës e kishin quajtur “Babë Gega”, si rrallë
ndonjë edukator tjetër në këtë vend.
Një
traditë familjare shekullore në lëmin e arsimit, nga ati te biri, që pasurohet
nga koha në kohë, nga ora e gjeografisë në oborrin e shkollës - duke treguar me
dorë malet përreth dhe katër anët e horizontit - te librat e gjeografisë, që
rrokin Shqipërinë dhe gjithë botën.