Kulturë
Sinan Gashi: Kërkesa për Short Story
E enjte, 18.06.2020, 05:26 PM
KËRKESA PËR SHORT STORY
Nga
Sinan GASHI
Kërkesa
e sotme është që tregimi si dhe llojet e tjera të letërsisë të largohen nga
tradicionalizmi, pra të synohet kah modernia. E di ti se çfarë freskie sjell
proza moderne? –I pëshpëriste duke ecur, një zonjë e madhe, siç e thërriste ai,
se i ngjante me një pamje të Mona Lizës së Mikelangjelos. Vërtetë zoti i kishte
dhuruar një hijeshi të rrallë e që ia kishte bashkangjitur edhe
mendjemprehtësinë që dëshmonte në çdo çast dhe
me gjithkënd. Ajo madje edhe lexonte më shumë se një student letërsie,
ani pse profesioni i saj kishte të bënte me inxhinierinë.
Kontaktonte
më shpesh me Stresin e letërsisë, ku flitej gjithmonë për letërsinë, romanet,
prozën si formë përgjithësisht e madhe e shkrimit, që mundësonte, përmes
formave shprehëse letrare, të thuhet diçka më intime që ua kushtëzonte ndjenja
e simpatisë, e cila ishte bërë për bisedë koluarësh primitive. Kërkesa për të
shkruar tashti tregim modern, short story, të shkurtër e me subjekt po ashtu të
hollë, e kishin diskutuar edhe me mjaft shokë të tjerë e dashamirë të artit
letrar. Atij, në çaste e tilla, i rrapëllonin disa mendime nëpër mend, sa ia
krijonin një ngulçim emocional deri në hetim frymëmarrjeje me ngarkesë e
pushime. Si mund të thuhet me aq pak vrasja pa gjyq në Tauk Bahce të
|Prishtinës e malësorit musteqosh, Isuf Fana nga Arllati, pushkatuar më 1945,
ne vendin e quajtur ‘Strelishte’. Ai gjak i atyre që ishin bashkë me të, që
përbënin një numër jo të vogël, e kishin rimë me gjak të kuq shpirti atë tokë
të zezë. Më pastaj, kur aty dashen të ndërtojnë trafon kryesore të elektrikut
për tërë qytetin, me kamionë u bartën dhe eshtra njerëzish diku në periferi të
qytetit…Ja si nisi tradhtia e asaj jete, proklamuar si më e drejta në faqen e
dheut, e cila zgjati më së gjysmë shekulli. Ja si e dëshmuan kombëtaren e
njerëzoren kuqaloshet e dekadave të më vona…
Bënte
pak pushim sa për t’u ngi frymë. Çapitej dy-tri herë, lëpinte buzët e thara dhe
sërish mendjen e shpinte rragëzimave të fatit njerëzor. Si mund ta zërë ajo
hapësirë moderne e rrëfimit vrasjen mizore të mësuesit e poetit Fazli
Greiçevci, i cili, pasi përshëndetet me motrat e shumta, i thotë së madhes,
martuar te Helshanët e Korroticës së Poshtme, se më nuk do t’më shohësh të
gjallë, se UDB-a ka metoda të rënda për të nxjerrë fjalë për shokët, e unë tradhtinë
nuk mund ta durojë. Duo të vdes sa më shpejt, që mos të jetojë me turpin e
përditshëm lakmitar! Motrat ia dinin kokëfortësinë që e kishte manifestuar që
fëmijë, për çka cilësohej i veçantë dhe krijonte një simpati ndër mocanikët. Ai
mbeti flamur i sakrificës së pastër dhe simbol i formës së prerë ...
Luante
kokën djathtas e majtas, sikur shkundte mendimet e pavlershme për t’i lëshuar
rrugë disave që i kishte skajuar, besa edhe mëshef në skutat e trurit. I bëhej
se kujtesa e ruante mirë faktet sa mos të zhdukën asnjëherë...
E,
ai nxënësi që i erdhi i përgjakur pas shtrëngimit me forcë të dëftesës së
gjimnazit me vilën e republikës së Kosovës, që milicët e kishin zhdëpur me dru.
Si mos të kenë hapësirë më të madhe
profesorët e maltretuar me radhë,
madje publikisht mes nxënësve të tyre, me qëllim të uljes së autoritetit
profesional... Profesorë, thoshte një syrrush, kah të shkoj, kur shtëpinë dhe
fshatin e kam të rrethuar, e besa edhe të holla për rrugë nuk kam...?
Të
gjithë shkrimtarët e sotëm po e lakmojnë këtë formë të re, të freskët që i
përgjigjet dinamikës së jetës së njeriut bashkëkohor, - më shumë i doli fjala
asaj si pëshpërimë sesa mendim i guximshëm. Me fjalët mikluese ia shtrëngoi
krahun me reflektim të ndjenjës së adhurimit dhe dashurisë. Po ashtu, me bisht
të syrit, mundohej t’ia vërej fytyrën e lëmuar, që ia përshkonin dy fitila të
flokut të zi sterrë. E njihte tepër mirë shpirtin e saj, se sa trupin, andaj mu
për këtë i krijohej simpatia me një vello dhembjeje.
Ai
ecte dhe, së bashku me ritmin e ecjes, lëshonte edhe fjalët e vargëzuara. As
erëkëndja femërore që frymonte fare afër, as fjalët e thëna me një timbër të
shqueshëm emocional, nuk ia largonin rastet
e përjetimeve të kohëpaskohshme.
A
e njeh ti Ramadanin, jo më thuaj se nuk e njeh. Ramadani e Emin Turrecit, që
dha jetën heroikisht në Grykën e Llapushnikut, e fare nuk pa e përmendin. Po i ati ishte roman më vete,
hej. Punëtor krahu, deri sa ishte gjallë. Madje punoi edhe në mullirin e Liman Likës
në Banjë... I briri, kryekëput i jati: i dashur, i padjallëzuar dhe i
sakrificës... Jo, jo, pak janë fare pak tri - katër fjali a periudha për ta
thënë tërë atë që është brenda meje, brenda nesh!
Hapërimi
i shoqëruar me fjalë i kishte sjell në tavernën e një lokali karshi rrugës
kryesore të qytezës. Stresi ndezi cigan me t’u ulur, kurse Zonja e Madhe
porositi pijet për të dy. Atij ia njihte shijet.
Edhe
ne një ditë do të vijmë të short storit,
por më vonë. Hajde më thuaj çka ke me marrë ne krahas të tjerëve? Asgjë.
Gjithçka kemi përjetuar me vonesë, atëherë kur gjithkund ka mbaruar ajo si
vlerë nismëtare. E thithi tymnajën e
çibukut, duke kërkuar më shikim aprovimin e personit që e i bënte shoqëri që
paradite, kur një hije gazi të përçudshëm në fytyrën e asaj pikturë, sikur ia
kuptoi hilenë. Ajo kërkonte tema të tjera. Asosh që i shkonin më shumë ndjenjës
së saj, jetës së vet ...
Mirë,
- i tha, - si do e kishte thënë sakrificën e asaj vajzës së re, që për
dashurinë kishte bërë sakrifica, deri në mohim të të vetëve. Mbase është temë e
shtjerr, por mos harro se njeriu është njeri, në çfarëdo kohe e sistemi jeton.
Madje kërkesat intime e njerëzore përcillen vazhdimisht... – sërish thithi tym
të helmtë dhe vendosi që mos të thoshtë më asgjë. Ja mori mendja se e kishte
lodhur Zonjës e Madhe pa ndonjë shkas, apo vetëm nga “sëmundja e tij
profesionale”, siç i thoshin disa.
Miklime
me dorën e freskët të saj Stresin e larguan nga bota e fjalëve. Vetëm pas disa
çastesh, të dy si një, hapëruan kah makina ngjyrë blu, që së bashku me uturimën
e motorit, la pas edhe një shenjë në ajër të mbrëmjes së çiltër.