Kerko: a
Nikë Gashaj: Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës - 1911
E enjte, 11.06.2020, 08:10 PM
KRYENGRITJA E MALËSISË SË MBISHKODRËS 1911
Nga Nikë
Gashaj
Nisemi nga njohja e
historisë politike se Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 iu imponua fuqishëm
historiografisë shqiptare. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës si dhe gjithë
që e përcolli atë u bë objekt shkrimesh e analizash të bashkëkohësve, të huajve
që përcollën për së afërmi këtë ngjarje, ndër të cilët spikat Edit Durham.
Në fakt, kjo ngjarje
historike u identifikua dhe u përkufizua në përmasat reale të saj, që në hapat
e parë të historiografisë shqiptare. Po veçojmë këtu numrat ekskluzivë të
revistës Leka të botuar me rastin e përvjetorit të njëzet e pestë të Pavarësisë
së Shqipërisë, në vitin 1937. Në këta numra të kësaj reviste iluministe,
paraqiten një kronikë e detajuar me titullin “Kryengritja e Malcisë së
Mbishkodrës” brenda një kuadri më të gjerë me titull:”Kronikë e Agimit të
Lirisë”.
Ndërkaq, historiografia
shqiptare që në fazën e parë të saj(vitet 50, 60 të shek.XX), këtë ngjarje
historike e përkufizoi si segment të rëndësishëm konstitutiv të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Kështu në sintezën e parë histografike për historinë e
shqiptarëve, titulli Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës zë vend të veçantë
në kuadër të kapitullit Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, e të cilin
kapitull e përgatiti historiani Prof. dr. Stefanaq Pollo. Kurse në sintezën e
fundit të historisë së shqiptarëve, kësaj ngjarje i kushtohet një kapitull e
veçantë, i cili është përgatitur nga historiani Prof. dr. Gazmend Shpuza.
Kryengritja e Malësisë
së Mbishkodrës vazhdoi të jetë objekt studimi deri më sot dhe atë në të gjitha
zhanret historiografike: trajtesa shkencore, monografi kushtuar ngjarjes dhe
personazhave kryesore të saj, si pjesë e monografive shkencore për lëvizjen
Kombëtare që mbulojnë këtë periudhë etj. Në këtë drejtim do të përmendim
kontribitin e autorëve: Prof. dr. Shukri Rahimi, Prof. dr. Romeo Gurakuqi,
Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Emine
Bakalli, mr. Gjergj Nikprelaj etj.
Aspekti politik i kryengritjes
Për parashtrimin e
aspektit politik të kësaj ngjarje historike, kemi parasysh një titull sinjifikativ:”Revolta, kërkesa, ndërhyrje”, titull
ky që mbulon kryengritjen e vitit 1911 në monografinë e historianit Prof. dr.
Stavro Skendi, me titullin Zgjimi Kombëtar Shqiptar.
Çka i revoltoi shqiptarët ?
Shqiptarët, më së pari,
i revoltoi: politika e shtypjes dhe e antishqitarizmit që zbatoi regjimi
xhonturk; mungesa e përkrahjes së duhur
nga arbitri ndërkombëtar të kohës – gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane; politika
e pasinqertë, respektivisht armiqësore ndaj Lëvizjes së tyre kombëtare e
fqinjëve ballkanik; ndërhyrja në front të gjerë që ata të hiqin dorë nga
kërkesa politike për autonominë e Shqipërisë, si dhe skamja materiale e tyre.
Masat antishqiptare të regjimit xhonturk
Masat antishqiptare të
regjimit xhonturk: mbydhja e shkollave shqipe, e klubeve, e gazetave;
përndjekja dhe ndëshkimi i mësuesëve dhe veprimtarëve shqiptarë; mobilizimi dhe
organizimi antikombëtar i pjesës fanatike dhe të pavetëdijshme të shqiptarëve
kundër alfabetit dhe simboleve tjera kombëtare; vjelja me dhunë e taksave të
vjetra dhe të reja; çarmatimi, rekrutimi etj. filluan shumë shpejt pasi që
xhonturqit morën pushtetin. Nivelet më të larta të pushtetarëve të rinj osmanë
pretendonin për shkrirjen e shqiptarëve në osmanë duke mohuar ekzistencën e kombit shqiptar. Sa për fillim xhonturqit
projektuan idenë që shqiptarët të zhvishen nga aspiratat kombëtare përmes një
represioni të paparë. Dhe natyrisht e gjithë kjo fushatë u kamuflua me
propagandën intensive për shqiptarët “rebelë”, antireformistë dhe me mendësi
antishtetërore.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, synim politik i
kryengritjes së
Malësisë së Mbishkodrës -1911
Jo rastësisht në fokus
të goditjes dhe represionit të pushtetit
xhonturk u gjend Malësia e Madhe, banorët e së cilës kishin ruajtur me xhelozi
gjithë tiparet etnike-kombëtare paraosmane. Prandaj, malësorët me prijësit e
tyre shpirtëror-tribunët popullor nga bota shqiptare perceptoheshin si
“atdhetarë të zjarrët shqiptarë”. Prandaj, kjo kategori shoqërore e cila
tradicionalisht ishte bartëse e lëvizjeve masive nacionale dhe e rrezikshme për
Perandorinë Osmane. Andaj, regjimi osmanë, malësorët i konsideroshin si
“nacionalistë shqiptarë”. Mbi të gjitha, malësorët kishin arritur të ruajnë
pozitë autonome në relacion me pushtetin osman. Lëvizja kombëtare shqiptare
ishte synimi politik i tyre, si dhe preokupim i madh i malësorëve.
Malësia e Mbishkodrës e mori stafetën e luftës së shqiptarëve për shtetin autonom shqiptar
Derisa një pjesë e mirë
e elitës politike dhe intelektuale shqiptare të kohës, ishin ithtarë që çështja
shqiptare të gjejë zgjidhje mundësisht në rrugë paqësore dhe në kuadrin
kushtetues osman. Prandaj, nuk ishte çudi që kjo elitë deshi të besojë në këtë
opsion politik dhe u involvua sinqerisht në jetën politike osmane sidomos gjatë
viteve 1908-1911. Përkundrazi, Malësia e
Mbishkodrës u detyrua të niste rezistencën e saj në shkallë të gjerë kundër
përpjekjeve të regjimit xhonturk që kjo të nënshtrohej dhe popullsia e saj të
instrumentalizohej. Apo siç thoshte Tringë Smajlja”... do ti vem pushkën
turkut, se raja e tij nuk bahena...”
Malësia e Mbishkodrës me
faktin që doli me kërkesat politike, të cilat i paraprinë Memorandumit të
Greçës dhe sidomos me këtë Memorandum, e mori stafetën e luftës së shqiptarëve
për shtetin autonom shqiptar dhe u bë epiqendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Malësorët e kësaj krahinë u treguan krejt të gatshëm që të hiqnin dorë nga
venomet e tyre me kushtin që këto venome të shkriheshin në autonominë e madhe,
në autonominë e Shqipërisë. Prandaj mund të thuhet se revolta fillestare e
malësorëve u shndërrua në një lëvizje të gjerë e cila pati jehonë në gjithë
Evropën. Stabolli u detyrua që kryengritësit shqiptarë t’i pranojë si palë dhe
të nënshkruajë një marrëveshje me ta.
Fillimi i kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës
Kryengritja e Malësisë
së Mbishkodrës filloi më 24 mars 1911. Udhëheqësit kryesor të saj kanë qenë Ded
Gjo Luli, Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë. filluan veprimet e armatosura dhe në
fillim sulmuan fortikantën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në
Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.
Shpërthimi i
kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet
osmane menduan të përdorin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin
fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve
myslimanë e katolikë, por pa sukses.
Kryengritja përfshiu
menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak
ditësh në 3000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën qytetzën e Tuzit. Garnizoni
i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quejtur
Shipshanik.
Mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes në Cetinë
30 mars 1911
Më 30 mars 1911 u bë në
Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum
drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve
shqiptare, të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në katër vilajetet, në zyra
e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të
gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht
kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit;
ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të
rasteve të luftës. Memorandumi ishe nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa
Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet
Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjthëse kryengritja zhvillohej në një
trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me
kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Lufta e malësorëve në Deçiq ( 6 prill 1911)
Më 6 prill 1911 u
zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit
deri në Kastrat. Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit,
ku asgjësuan 30 ushtarë, ndërsa nga
kryengritësit mbetën në fushën e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte edhe
prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.
Më 8 prill 200 malësorë
u bënë ball në afërsi të Kastratit për gjashtë orë rresht 1200 forcave
xhonturke, të cilat pas tërheqjes së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën Bajzën
e Kastratit.
Me qëllim që t’i fuste
shqiptarët në mes dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova
katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur po vinte nga Gucia, natën e
16 prillit, ushtria osmane u sulmua te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo
nuk arriti të vazhdonte marshimin drejt vendit kryesor të luftimeve përreth
Tuzit.
Për tri javë rresht
xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin
me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin në Deçiq.
( Historia e Popullit
Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.445).
Fillimi i parakohshëm i kryengritjes
Kryengritja e Malësisë
së Mbishkodrës filloi para kohe të planifikuar, si pasojë e presionit dhe kushtëzimit
të ndihmës nga kreu malazias. Andaj, në një pjesë të historiografisë shqiptare
është konstatuar se fillimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së
Mbishkodrës negativisht është reflektuar në planin e Lëvizjes kombëtare
shqiptare për një kryengritje të përgjithshme në nivelin kombëtar. Por, sa
qëndron ky konstatim kur kihet parasysh kohëzgjatja e kryengritjes? Ajo filloi
më 24 mars dhe përfundoi më 2 gusht 1911. Në fakt, çështjen e dështimit të
organizimit të një kryengritje të përgjithshme shqiptare duhet kërkuar në
shpresën dhe besimin e një pjese të elitës politike shqiptare se ende kishte
hapësirë që autonomia e Shqipërisë të realizohej pa luftë, por përmes
angazhimit legal politik, respektivisht nuk ishte e gatshme dhe e vendosur për
një kryengritje të përgjithshme mbarëkombëtare shqiptare.
Përkrahja e jashtme politike
Kryengritjen e Malësisë
së Mbishkodrës, më 1911. e përkrahi Mali
i Zi – ku kishte selinë dhe Komiteti Qendror Kombëtar. Ndihma malazeze vinte
nga lart, nga vetë mbreti Nikollë. Kjo ndihmë, siç edhe del nga të gjitha
burimet e kohës, kishte të bëjë me planet ekspansioniste të kreut malazias. Njëkosisht,
kreu malazias ndërmori hapa për marrëveshje me kreun serb për ndarjen e sferave
të interesit në trojet shqiptare. Ndihma që iu dha shqiptarëve në sistemin e të
përndjekurëve nga Kosova dhe malësorëve kryengritës, kishte për qëllim që ata
të lidheshin këmbë e krye me Malin e Zi,
dhe, mandje pse jo edhe të përkrahnin ekspansionin e këtij shteti në pjesën
veriprëndimore të Shqipërisë me qytet Shkodër, Pejë, Prizren etj. Nëse kjo nuk
mund të arrihej, atëherë së paku të parandalohej një kryengritje e përgjthshme
shqiptare e cila mund të përfundonte me autonominë e Shqipërisë. Dhe në fund të
fundit, kjo përkrahje do duhej të ndikonte në topitjen e rezistencës së
shqiptarëve në momentin kur forcat e Malit të Zi do të depërtonin në Shqipëri.
E vërteta është se shumë pak shqiptarë besonin në altruizmin e kreut malazias.
Të gjithë e dinin se ku qëndronte puna, kështu që mund të thuhet se
bashkëpunimi shqiptaro - malazez bazohej thjesht në interesa të ndërsjellë.
Prandaj Mali i Zi arriti të instrumentalizojë shumë pak nga malësorët e
zhgënjyer dhe të dëshpruar.
Po ashtu, në Itali
zhvillohej një aktivitet i tërë në përkrahjen të Shqipërisë e të synimeve
kombëtare të shqiptarëve. Atje po vepronin komitete si “Pro Albania”, “Komiteti
italo-shqiptar”, “Organizata Kombëtare e Shqipërisë” etj. Prezenca dhe ndihma e dhënë dhe e pritur nga
Italia ishte e një natyre jozyrtare. Në Itali, Lëvizja Kombëtare Shqiptare
përkrahej nga forca politike me orientim revolucionar garibaldian, antarë të
Partisë Republikane dhe Socialistë, demokratë dhe elementë të tjerë
përparimtarë italiane. Midis tyre kishte edhe 60 deputetë.
Çështja shqiptare u
përkrah veçanërisht nga kolonitë arbëreshe, që zhvilluan një veprimtari të
gjerë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Komiteti filloi ta shtrijë
veprimtarinë e tij me anën e nënkomiteteve në vise të ndryshme të Gadishullit
Apenin, duke synuar të mblidhte ndihma në të holla dhe të regjistronte
vullnetarë për kryengritjen shqiptare.
Në këto rethana, me
nismën e patriotit kombëtar Nikollë Ivanaj, u krijua në Bari një komitet i
kryengritjes, i cili u orvat të vendoste lidhje me kolonitë e mërgimit dhe me
komitetet e fshehta brenda vendit.
Komiteti i Podgoricës
Një punë të madhe bëri
Komiteti i Podgoricës për sigurimin e armëve dhe të municioneve. Ai u bë
qendër, ku u grumbulluan gjatë kryengritjes ardhetarë nga viset e ndryshme të
Shqipërisë, si edhe nga kolonitë e mërgimit. Komiteti u ndihmua edhe nga
atdhetarët që ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi, Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi
etj. që shkuan më pas në Podgoricë.
Përfaqësuesit të
lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë përpjekje për të siguruar përkrahje e
qeverive të shteteve fqinje dhe sidomios të Serbisë e të Bullgarisë. Por si
Bullgaria, ashtu dhe Serbia, nëpërmjet pëfaqësuesëve të vet diplomatikë në
Romë, u kumtuan përfaqësuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare se, derisa nuk do
të cenoheshin interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare, ato do të vijojn t’i
përmbaheshin neutralitetit të plotë.
Në këto rrethana
Komiteti i Podgoricës u përpoq të shfrytëzonte ndihmën e qeverisë malazeze, por
pa rënë në kurthin e politikës grabiçare
ndaj tokave shqiptare. Por kjo nuk ishte e lehtë të arrihej. Qeveria e Malit të
Zi mori të gjitha masat që kryengritja të mos fitonte karakter kombëtar, por
kufizohej në caqet lokale. Kjo do t’i jepte mundësi kral Nikollës të ndërhynte
më lehtë e ta përdorte atë për interesat e veta. Përveç kësaj ai punoi që
kryengritja të fillonte para kohe. Në shkurt qeveria e Malit të Zi njoftoi
Portën e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha se nuk do t’i mbante malësorët më gjatë se 28
marsi i vitit 1911.
Ndërkaq, Isa Boletini,
në një takim që pati me kral Nikollën, hodhi poshtë propozimin e tij që
veprimet luftarake të malësorëve të mbështetshin nga trupat malazeze. Po kështu
veproi dhe Dedë Gjo Luli.
Mirëpo, Mali i Zi, duke
synuar t’i nënshtronte me anë të urisë, më 14 mars ua preu ndihmat malësorëve. Në
këto rrethana malësorëve të arratisur iu desh ta fillonin kryengritjen para kohe.
Kuvendi i Greçës (23 qershor 1911)
Memorandumi i Greçës
Me nismën e Komitetit të
kryengritjes (të Podgoricë), u mblodh në Greçë të Bëkajve të Trieshit( Malësia
e Madhe) Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë i cili më 23 qershor
miratoi dokumentin më të rëndësishëm të
kryengritjes, të njohur me emrin”Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail
Qemali e Luigj Gurakuqi. Këtë
dokument, i njohur si “Libri i kuq”(për shkak të ngjyrës së ballinës së
broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit të krerëve të Kryengritjes
Luigj Gurakuqi.
Me këtë akt kryengritja
e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të
cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.
Memorandumi i Greçës
parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë,
sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin e tij morën pjesë
veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive
shqiptare të mërgimit.
Në memorandum
parashtrohen këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin
veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të
gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të
njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të
Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve
shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjestim me popullsinë; të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe
dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët,
sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të
drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e
vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët
e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm
nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në
administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e
qeverisë qendrore;shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për
banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do
të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend,
për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e
të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të
postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoholit dhe të pullave, të cilat ishin
monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u
njihej fshatarëve e drejta të për prerjen e pyjve sipas një takse; këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë
të jepnin vendime për buxhetin e
vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për
rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga
operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin
marrë ( Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e
Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.450).
“Libri i kuq” iu dorëzua
nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut.
Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre,
një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli,
etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesëve të Fuqive të Mëdha në
Cetinë.
Përfundime
Më 2 gusht 1911 në përfaqësinë e Perandorisë Osmane në
Podgoricë, u nënshkrua marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke.
Marrëveshja e 2 gushtit
1911 e arritur me presionin frontal(malazias, ndërkombëtar po dhe nga segmente
të shoqërisë shqiptare (Jak Sereçi),
kishte 12 pika të ofruara nga pala osmane. Pala turke hyri në negociata
me malësorët dhe doli me kundërpropozime sepse kryengritja mund të përhapej;
sepse ajo po bënte jehonë dhe po merrte përkrahje; sepse kishte presion nga
Fuqitë e Mëdha dhe në radhë të parë nga Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe
etj.
Kryengritja e Malësisë
së Mbishodrës nuk arriti të shëndërrohej në një kryengritje të përgjithshme
shqiptare: sepse, në kohën kur ajo ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera
shqiptare ngurruan të ngriheshin në kryengritje; sepse, një pjesë e mirë e
elitës politike dhe intelektuale shqiptare ishte e involvuar në jetën politike
osmane dhe insistonte që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë paqësore në
kuadrin kushtetues osman.
Gjithashtu, Kryengritja
u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme
ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si
një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare,
vunë të gjitha forcat për ta pënguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe
për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.
Gjëndjen e malësorëve e
rëndonte edhe më shumë qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më armiqësor kur
kryengritësit nuk paranuan të vinin luftën e tyre në shërbim të politikës së
Cetinës. Prandaj, Qeveria malazeze ua preu furnizimin me bukë kryengritësve
malësorë dhe ushtronte presion mbi ta, që të prënonin marrëveshjen me xhonturq.
Në ato rrethana malësorët pranuan të bisedonin me përfaqësuesit e Perandorisë
osmane, por ata përsëri, duke parë kombin shqiptar si një të tërë, kërkuan që
të drejtat, që do t’u jepshin malësorëve, t’u njiheshin të gjithë shqiptarëve.
Megjithëse Kryengritja e
vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë objektivat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
respektivisht, ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte
kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës, ajo zë një vend të rëndësishme
në historinë e popullit shqiptar. Sepse, ajo shënoi një hap cilësor përpara në
organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë të lartë ndërgjegjen
politike të shqiptarëve. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme,
të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur
duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e
autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare.
Kryengritja nxori në pah
çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të
tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos
përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.
Historiania e njohur
Emine Bakalli, ndër të tjerat shkruan: “Me plotë gojë mund të thuhet se
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 u bë katalizator homogjenizues
te shqiptarët. Ndërkaq, fakti që Perandoria Osmane u detyrua të nënshkuante një
marrëveshje me malësorët, në sytë e shqiptarëve zhveshin mitin e pathyeshmërisë
së saj dhe trasoi rrugën drejt organizimit të revolucionit nacional shqiptar të
vitit 1912.
Kryengritja e Malësisë
së Mbishkodrës e vitit 1911 është shembull i shkëlqyeshëm se rëndësinë dhe
madhshtinë e ngjarjes historike nuk e përcaktojnë përmasat fizike, por
përkushtimi, vendosmëria dhe orientimi politik në harmoni me rrjedhat e kohës,
në harmoni me postulatat universale, siç janë dinjiteti, prosperiteti dhe
liria.
Sukseset që po shënonin
kryengritësit shqiptarë të Malësisë së Mbishkodrës patën jehonë të gjerë në
opinionin evropian dhe afirmuan çështjen shqiptare si asnjëherë më parë.”
(Prof. dr. Emine Bakalli, Revista Gjurmime albanologjike-Seria e shkencave historike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, f.187).