Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Morali i një kohe te “Gjarpri i shtëpisë
E merkure, 20.05.2020, 12:22 PM
Morali i një kohe te “Gjarpri i shtëpisë”
Nga Avzi
Mustafa
Francis Becon-i, në studimet tij, ka thënë se “ka libra që duhet të shijohen, disa të gëlltiten pa përtypur dhe një
pakicë që duhet të përtypen e të treten”. Kjo do të thotë sedisa libra janë
për t’u lexuar pjesë-pjesë, disa janë për kuriozitet dhe një pakicë duhen të
lexohen tërësisht dhe me kujdes e vëmendje . Një roman që lexohet me një frymë
dhe ku gjatë leximit të mbulojnë emocionet, që të josh sikur të jesh brenda dhe
të duket se të flet ty, sigurisht është një vepër që meriton vëmendje. Padyshim
i tillë është romani i shkrimtarit të mirënjohur Arian Leka “Gjarpri i
shtëpisë”,i cili është përkthyer edhe në disa gjuhë huaja.
Arian Leka njihet ndër krijuesit më të
shquar dhe më të kultivuar të brezit të ri. Ai shkruan poezi, ese dhe prozë.
Krahas poezisë, edhe në prozë – siç e vlerësojnë kritikët letrarë –Leka mbetet
një “nyje e fortë mes krijuesve novatorë të brezit të tij”. Ai i takon letërsisë avagardiste,
letërsisë së viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar dhe paraqitet jo vetëm si
një shkrimtar novator, por edhe si shkrimtar që mediton për një të ardhme të
vlerave të larta
Qëkur e merr në dorë
romanin e Arian Lekës me titullin shumë simbolik “Gjarpri i shtëpisë”, të shkon
mendja se lexuesi nis ta kërkojë zemrën e fshehtë të romanit. Ose, më mirë e më
saktë, një roman përfiton nga besimi i bindjes sonë se çdo vepër artistike e
kanë vete një “bosht”, mbi të cilin rrotullohet, ndërsa ne – nëpërmjet leximit
– zhytemi për ta zbuluar atë fshehtësi.
Romanin e Arian Lekës e
kam lexuar edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në rileximin
e tretë kisha një ndjenjë satisfaksioni jashtëzakonisht të madh, duke u
emocionuar nga rrëfimi shumë tërheqës i personazhit të Babait, por edhe nga
skenat tronditëse, mbi të gjitha, duke u përballur me fate njerëzish e
relacionesh me të vërtetën në kohën e një sistemi totalitar.
Romani “Gjarpri i Shtëpisë” i Arian Lekës është roman mbi psikologjinë dhe
moralin e një kohe, “një roman që kërkon rrënjët e mëkatit dhe ndëshkimit, që
shpalos të keqen, përkeqosjen arbërore, shqiptare, që piketon kodet e
shprishjes dhe vendosjes sonë brenda saj – përkatësisht në roman kërkohen kodet
e mbështetjes, kodi i besimit në njeriun”. Këtu gjithsesi behet fjalë për një
epokë kur mbisundonte dhuna mbi mendimin, kur
bëhej“standardizimi” i mendjeve për një njeri që do të jetë një “qytetar
i dëgjueshëm i sistemit” dhe, nga ana tjetër, për “njerëz të hutuar”, që nuk e
dinë se çka kërkojnë dhe kah shkojnë.
“Gjarpri i shtëpisë” është një rrëfim që flet për kohën në të cilën
njerëzit jetojnë në verbëri të plotë. Ai është narracion që ka të bëjë me
gjendjet e jetës në të cilat njerëzit nuk e përdorin mendimin e tyre, madje as
zërin, por ata heshtin dhe jetojnë si qenie që i kanë humbur tiparet themelore
të humanizmit, i cili duhet të ndërtohet dhe të formësohet përmes të menduarit
kritik dhe reflektimit të vazhdueshëm ndaj vetvetes. Kjo ngjarje e ka
protagonistin e saj në figurën e një plaku (Babait), i cili e ka ruajtur vendin
e tij në këndin e errët të hapësirës, duke e jetuar jetën e tij pa zhvilluar
marrëdhënie aktive ndaj asaj që ndodhë përreth tij. Jeta e tij i ngjan jetës njeriut që është
dorëzuar në funksionet elementare të jetës, ku as mendimi, as pamja, as zëri e
as dëgjimi nuk e kanë ruajtur aktivitetin e tyre themelor. Ai është i verbuar
dhe i heshtur para tmerrit të situatave të përditshme jetësore, në të cilat ai
ka qenë dëshmitar, përkatësisht të situatave të brejtjes së humanes ose të
njerëzores. Mendimi i tij ndalon në momentin kur ballafaqohet me faktin se një
epokë, ajo e socializmit, tashmë ka përfunduar dhe se epoka e re krijon një
bazë tjetër që do të ngrihet mbi njeriun si të tillë, ndërsa te njeriu i ri
sheh vetëm zbrazëti, depersonalizim dhe mjerim, që atij ia përdëftojnë faktin
se tek ky njeri nuk kanë mbetur më tipare të njerëzores.
Që në fillim vërehet se
ky është një roman që të mbërthen. Si do të lexohet dhe sa do të mbajë të
shoqëruar një vepër, këtë mund ta kuptosh nga struktura e fjalisë. Romani i Arian Lekës është aq joshës, madje, ashtu siç
shkruan dr. Virion Graçi, “na tërheq fuqishëm me zbulimet e tij të
njëpasnjëshme, me ato të vërteta jetësore të ndriçuara mirë e të radhitura
bujarisht rresht pas rreshti, paragraf pas paragrafi, nga faqja e pare deri te
fjala e fundit, si pjesë që realiteti shqiptar ia tregon vetes dhe përpiqet
t’ia paraqesë edhe botës”.
Për këtë roman janë shprehur
me nota shumë pozitive edhe shumë kritikë letrarë, studiues të letërsisë e
shkrimtarë, si: Ali Aliu, Shpëtim Doda, Natasha Lushaj, Fatbardha Rustemi, Zija
Çela, Luan Starova, Elizabeta Sheleva, por edhe shumë të huaj, në gjuhët e të
cilëve është përkthyer vepra. Kështu për romanin “Gjarpri i shtëpisë”
kritiku Ali Aliu do të shkruajë se “(Arian Leka)sajon një botë ndryshe, të
shndërruar, të shprishur, mbase edhe të deformuar, për të saktësuar të afërtën
e grotesken, që ta portretojë sa më zëshëm atë realen”.
Libri i cili flet për
sistem totalitar gjithsesi që i referohet mungesës së lirive dhe varfërisë,
sepse në kushte të atilla edhe mund “të
çmendesh dhe siguron iluzionin e lirisë dhe përtyp bukë të thatë idealesh, por
diktatura e përçudnimeve që na shpaloset në roman, ajo që sjell zvetënimet dhe
bën shëmti në normalitet, nën një luftë klasash kundër bukurisë, e cila me
mundësinë e parë ikën, kërkon të dalë dhe nga kujtimet. ”
Personazhi kryesor në
roman është Babai, i cili në këtë roman gjithsesi duhet të shikohet nga
refleksioni i gjykimit. Kjo do të thotë se autori Leka e paraqet njeriun që nuk
është në gjendje ta dojë një të afërt, qoftë ai edhe i ati i tij. Kjo të shpie
gjithsesi në konstatimin se këtë roman duhet shikuar si në aspektin artistik,
ashtu edhe në atë psikanalitik, sepse në vepër autori bën fjalë edhe për një
realitet psikik. Madje, ngjarja që zhvillohet në roman duhet të analizohet edhe
nga aspekti psikologjik dhe filozofik. Kryepersonazhi, Babai, i cili ka qenë
një marinar, i cili – siç shprehet në një intervistë vetë Arian Leka – “më
shumë ka qëndruar jashtë shtëpisë sesa në shtëpi”, duke qëndruar me muaj të
tërë në udhëtime detare e duke u zhytur thellë, saqë Shkrimtari thotë se “ka prekur edhe fundin e detit”. Autori i
“Gjarprit të shtëpisë” rritet me nënën, gjyshen dhe me hallën, me ç’rast nënës
i bie barra më e rëndë për ta mbajtur familjen dhe për edukatën e fëmijëve.
Në të vërtetë, në roman
ka shumë material për të vendosur ngjashmëri ndërmjet biografisë së shkrimtarit
dhe heroit të tij. Siç dihet, në letërsi ka shumë shembuj të këtillë.
Megjithatë, nuk guxojmë ta ngatërrojmë kurrë autorin real me rrëfimtarin.
Madje, edhe kur përputhen (si në rastin e rrëfimit autobiografik), “ata mbeten gjithmonë dy instanca të
ndryshme.”
Romani i Arianit, me
mjeshtri shumë të madhe, i bashkon elementet e reales dhe
imagjinares. Prandaj, duke vështruar ndërmjet asaj që është reale dhe
imagjinare, patriarku i kritikës letrare shqiptare, Akad. Ali Aliu, me të
drejtë konstaton se në këtë roman “qëndron
paradoksaliteti si substancë e brendshme e metaforës, si ekspresivitet ironik e
grotesk, mëtimi drejt apostrofimit të njerëzores del si vizion i parë, prandaj
në këtë rrëfim, verbimi nga dashuria është kuptimi, është arsyeja e ekzistencës
së kësaj bote, edhe e botës së qorrave”.
Duke kërkuar, gjegjësisht e duke deshifruar mesazhin që nuk jepet i
gatshëm, por përmes situatave dhe konteksteve alegorike, mund ta kuptosh veprën
pikërisht ashtu siç do të deklarohet shkrimtari Zija Çela, i cili thotë se: “Gjarpri i Shtëpisë e mban ndezur deri në
fund kërshërinë e lexuesit dhe, në përputhje me mirëbesimin e njohur të këtij
totemi, ai nuk intoksikon gjakun, por trazon ndërgjegjen dhe fantazinë e
lexuesit. Megjithatë, shija e hidhur e helmit ndihet përmes rreshtave, sidomos
nën rreshta, veçse ma do mendja se, për ta ngjizur veprën me kaq tension, me
kaq dhimbje dhe humanizëm, ka qenë autori ai që ka marrë përsipër sakrificën e
vetëhelmimit”.
Gjarpri është simbol i traditës kulturore shqiptare. Ai ka të bëjë me
përjetimin e gjendjeve që janë karakteristike për të a.q. “ndërmjethapësira”.
Ato janë botë që janë në tërheqje të përhershme ndërmjet ndjenjave të kundërta
të dashurisë dhe urrejtjes, ndërmjet nevojës që të braktiset Shqipëria për një
jetë në Perëndim, por edhe shtytjes për të qëndruar në atdhe.
Autori, në romanin e tij, e aktualizon e temën e letërsisë si territor i
cili e pasuron njeriun, por edhe si propagandë që vetëm mund ta verbojë, t’ia
rrënoje mendjen dhe të menduarit kritik ndaj botës që e përfaqëson. Heshtja
para realitetit, që ndodhë para syve të Babait si protagonist i ngjarjes, është
shprehje e kontekstit të tij shoqëror në të cilin ai nuk është i vetëdijshëm
për ndryshimet që do ta aktualizojnë çështjen e përgjegjësisë individuale, por
edhe atë kolektive. Koha në të cilën janë vendosur ngjarjet, që e kanë
gëlltitur edhe protagonistin, kryesisht kanë të bëjnë me kodin e vlerave për
atë që është e arsyeshme, racionale, dhe për atë që është “çmenduri”, duke e
shqyrtuar kështu në vazhdimësi marrëdhënien e asaj që shpallet “e drejtë” dhe
“normale” përballë asaj që konsiderohet “e padrejtë” dhe “e paarsyeshme”.
Kështu ngjarja futet në temën e madhe të bashkëkohësisë për kodin etik të
veprimit dhe të menduarit të secilit individ. Në këtë kontekst, nuk flitet më
përgjegjësinë si virtyt themelor njerëzor.
Njeriu është një qenie që e fsheh brenda vetes gjithë njerëzimin. Te çdo
njeri mund të gjesh shumë të fshehta që kanë të
bëjnë me karakterin dhe veprimet e tij. Te çdo njeri duhet ta kërkosh forcën që
ndodhet brenda tij. Te çdo njeri mund ta gjesh edhe dashurinë edhe urrejtjen,
edhe inatet edhe dhembshurinë, edhe sinqeritetin edhe devotshmërinë. Po,
te secili njeri, i cili është vetë një botë, gjen edhe kundërshtime në
pikëpamje të mendimeve, ndërkaq në sistemet e diktaturës çdo mendim tjetër, që
është në kundërshtim me parimet që i vendos sistemi, shpie në prag të Ferrit.
Në romanin e Arianit gjejmë një botë njerëzore, por aty njerëzorja është
shmangur nga rregullat morale, nga parimet sociale, nga predikimet spirituale
dhe nga besimet. Si i tillë, njeriu nuk mund të krijojë një jetë siç dëshiron,
sepse shoqëria i vë rregulla dhe kufij kur vjen në shprehje “asgjësimi i mëvetësisë
dhe unit njerëzor në larminë karnavaleske të historisë së njerëzimit.”(dr. Virion Graçi)
Për një njeri të një moshe të tillë, siç ishte personazhi
Babai, për të “jeta nuk është ajo që ke përpara, por ajo që ke lënë pas”. Jeta e
shkuar lidhet me atë që ke punuar për të ushqyer fëmijët, për t’i shkolluar
ata, për atë që ke ndërtuar një shtëpi. Asaj i gëzohesh. Shtëpia është më
rëndësishmja, sepse ajo është se shenjë se ti je ngulitur përgjithmonë më këmbë
në tokë. Por, mbi të gjitha, ajo është vendi që i ruan kujtimet. Ajo është më e rëndësishme, sepse me të e nderon
kujtesën e të parëve, ndjen lidhjen me shtëpinë
– dhe më pas personi i zgjedh pikat që lidhen me familjen, klanin,
historinë e emrin e familjes. Prandaj, “Gjarpri i Shtëpisë
është një baladë e dhimbsur e dashurisë së helmuar mes brezave, një prozë që
nuk ecën mbi rreshta, por fluturon...” (Gazeta Korrieri),
Shtëpia është vendi ku e keni kaluar
fëmijërinë tuaj, ku lindin ose varrosen të afërmit tuaj, një vend në të cilin
ndodhin ngjarje të caktuara kryesore familjare, por
edhe pikë ku një ditë dikush duhet të të largojë. Ky largim, siç duket, është
imponim i jashtëm, sepse fare lehtë mund ta kuptosh nga fjalët që i përdor ai i
cili të largon nga shtëpia:“Ik nga
shtëpia ime”. Pra jo:“Ik nga shtëpia
jonë”. Ai dëgjon një fjalë të zgjatur “Jaaaashtë”
dhe kur Babai pyeti se “Ku?”,ai i
përgjigjet“Në spital! Në çmendinë!”
Babai nuk mund ta kuptojë Pse?-në e largimit, andaj edhe në ato çaste i shkonte
vërdallë në mendje çdo gjë.
Arian Leka, në rrëfimin
e romanit të vet, e vë njeriun mbi kode kontrastesh, dyshimesh e mohimesh
pafundësisht të ndryshueshme e origjinale. Protagonisti,
Babai, gjatë punës së tij kishte parë shumë vende, shtete e njerëz të racave e
gjuhë të ndryshme. Kur kthehej në vendlindje,sillte – siç shkruan autori – një “pjesë nga bota ku ne nuk ishim pjesë e saj”
edhe banane, ndonjë coca-cola ose diçka që mund t’i gëzonte fëmijët ose gruan e
tij, e cila priste shumë kohë derisa ai të kthehej nga udhëtimet që zgjasin me
muaj të tërë.
Ky marinar, kur ishte i lirë, lexonte libra të klasikëve
nga biblioteka e anijes, ashtu siç thotë “dija
përmendsh jo vetëm batutat e filmave dhe dialogët e romaneve të: Hygoit,
Balzakut, Srevantesit dhe Dikensit. ” Dhe, shpeshherë, me ndonjë hero ai
edhe identifikohej.
Në të vërtetë, deti është një dimension tjetër metafizik i librit të Lekës,
përmes të cilit autori negocion për jetën, që njeriu mund ta kalojë gjithnjë
duke ëndërruar, por edhe duke qëndruar zgjuar. Ai mendon me ritmin e valëve të
detit. Ai është njeri i cili idenë për të bukurën e kupton, por atë e ruan në
vetvete. Lëvizja për të është një “valëzim” dhe një hapërim pranë detit që i ka
hapur daljet drejt hapësirave të lira dhe të pakufishme, por edhe drejt
thellësive që mund të rrëmbejnë dhe të shuajnë jetë. Për Arian Lekën janë shumë
të rëndësishme lëvizjet e anijeve, sepse vetëm ato për të janë simbol i
lëvizjes, rrjedhimisht i jetës së vërtetë.
Babai është personazhi që i kishte sajuar përgjigjet e
veta për çdo situatë filmi dhe versionin e vet në dialogët e librave që i
kishte lexuar”. Ai thotë se nuk ka mbajtur shënime, sepse është frikësuar se
ndoshta do t’u binin dorë “Të m’i gjenin”.
Sepse, Ndërgjegjja (Sigurimi) i ndiqte dhe i dinte të gjitha punët, lëvizjet
dhe veprimet e marinarëve.
Atëbotë shpesh hynte në dyshime e frikë, andaj e shihte
botën e tjetërsimit dhe botën e dyfishtë dhe vetes i bënte pyetje retorike: Çka kam bërë në jetë?;Çka kam fituar nga
puna?; Çka do të më japë mua toka ime?. Kjo është toka që dikur luftohej për
liri, ndërsa sot luftohet për bukë. Jo komuna, as komunizmi, por vdekja do të
na çojë në barazi”.
Romani fillon me frazën “Dhe tani qërohu nga shtëpia ime !Jashtë!”, pra me flakjen e
babait, i cili ishte në moshë të thyer, si një ish-marinar dhe një njeri që
nipit të vet ia kishte dhënë edhe veshkën, një ditë e sheh veten jashtë
shtëpisë nga i biri, kur nis edhe peripecia për të. Kur i
dëgjon Babai këto fjalë, mendon dhe, pa zë, si nëpër dhëmbë murmurit “Ti më shkul nga shtëpia”. Babai, gjatë
gjithë jetës, kishte menduar për shumë gjëra, por asnjëherë nuk kishte dashur
të mendojë për “Shtëpinë”. Kur i
dëgjon këtë fjalë ,se duhej të largohet nga shtëpia ose se do të dërgohej në
çmendinë, ai thotë: “Më mirë një gurë në
qafë dhe udhë e mbarë në fund të detit”.
Kulmi i bëmave nuk ishin as bananet, as coca-cola-t, as
parfumet etj. , por “Syri magjik”, që ai e kishte vendosur në derën e hyrjes.
Sidoqoftë, një ditë ia behu Ndërgjegjja,
i erdhën në shtëpi dhe i kërkuan që të shpjegohej për “syrin magjik”. Atëe
kishin akuzuar se ka sjellë “magji të zezë nga Italia”. Pasi e shkulën syrin
nga dera, ata e mbyllen këtë problem, mirëpo jo edhe fjalën e të birit që
bërtiste “Jaaaashtë!” dhe se “je jo i verbër, por qorr, qorr”, që
dëgjohej me të madhe. Atij ia kishin hedhur në oborr të gjitha rekuizitat që i
kishte një marinar: mushamën, maskën e zhytjes, lopatat e detit, tubat, rripat
me çengelë, zilet e tojave, fenerin e ujit, serinën e grepave etj.
Kjo i kishte ndodhur edhe fqinjit të parë, me të cilin
dikur kishin qenë shumë të afërt, por pastaj “nuk trokitnin në derën e njëri-tjetrit”. Ata kishin qenë edhe
kolegë pune dhe së bashku kishin udhëtuar nëpër dete e bashkë i kishin lidhur
anijet në brigjet e huaja dhe bashkë i kishin parë ëndrrat natën. Por, Babai
ishte futur në dyshime ndaj fqinjit kur atij ia kishin flakur rekuizitat, andaj
kur e shihte nga ballkoni, e kthente shpinën.
Gjithë kjo që i kishte ndodhur babait nuk ishte asgjë tjetër, por– siç
thotë Luan Starova–“një lloj kthimi në
asketizëm, që do të kulminojë me dëbimin nga shtëpia e lindjes, i kultit të
familjes, si vend i ëndërruar pas lundrimeve të gjata. ”
Njerëzit ishin bërë të heshtur dhe të vetmuar. Kur je i
tillë, dukesh se mendon më mirë. Babai nuk e kuptonte se nga vinte Verbëria, që
e bënte më të kthjellët së brendshmi ose mos vallë ishte
sprovë e Zotit që atëherë kur i biri kishte konstatuar se ishte bërë i
pandjeshëm ndaj “çdo vuajtje apo gëzimi
të të tjerëve”. Atë e habiste edhe bindja se dikur njerëzit nuk kanë ditur
të gjykojnë, por vetëm të lavdërojnë, “kurse
sot kanë mësuar të ndëshkojnë”. Edhe pse nga i biri i dëgjonte vetëm fjalët
“je i verbër, i verbër! Kupton?”,
Babai asnjëherë nuk kundërshtoi,sepse nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç
azilit, çmendurisë ose varrit.
Prandaj Babai, me një veturë, u ndodh para një porte ku
dukej një ndërtesë trekatëshe me tulla të kuqe, me çati tjegullash dhe me
dritare qemeri. Atë e merr infermierja Ira, një grua e qetë, humane dhe e
bukur. Duke ecur korridorit, Babai e pyet Irën: “Këtu vijnë të verbrit apo ata që duhet ta mësojnë verbërinë?”.
Babai i fliste Irmës më zë të lartë, ndërsa ajo e luste
të flasë me zë të ulët, sepse nëpër korridore kishte turma njerëzish. Nga një
turmë njerëzish dolën “dy njerëz dhe me
gishtin mbi tëmth me nga libër në dorë”, duke bërtitur:“6 marsin si Mikelanxhelo
Buonarroti e marrë unë”; tjetri:“14
marsin! Ajshtajnin! e dua unë, sepse kam qenë më miri në matematikë”;“18 marsin! Rudolf Dizellin!”etj. Plaku e pyeti Irmën: “Pse po bërtasin, a janë të ri?” ndërsa
ajo iu përgjigj: “Jo, po hidhet shorti”.
Nga fjalët e infermieres Babai duhej ta kuptonte se këtu
fillon një jetë tjetër. Një jetë e Ringjalljes ose e transformimit. Ajo ishte një shenjë e ndryshimit të jetës, që ishte edhe njëlloj metode speciale,
kur nuk të jepet asnjë mundësi tjetër, përveç një lajthitjeje ndaj vetvetes dhe
botës.
Sistemet totalitare, me
metoda speciale, dëshirojnë një Njeri Specifik. Këtë e paraqet më mirë Franz Kafka, një
nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX, në veprat e tij të
mrekullueshme – Metamorfoza, Procesi, si dhe
në një sërë tregimesh të tjera. Ai ka trajtuar, mes të tjerash, karakterin
totalizues e depersonalizues të rendeve juridiko-burokratike të këtyre
sistemeve. Në fakt, ajo që i specifikon sistemet totalitare, sipas tij, është
bash pikësynimi i tyre për të krijuar “një lloj Njeriu Specifik” – ose, thënë
më saktë, “një lloj Njeriu të Ri që,
krahas nënshtrimit ndaj pushtetit politik, do të besonte njëherazi te sistemi
symbyllazi, do ta donte me gjithë mend e me gjithë shpirt. Dhe, po qe nevoja,
do të sakrifikonte gjithçka e gjithmonshëm për të”.
Duke përshkruar me shumë mjeshtri artistike, Leka na jep
tërë atmosferën që duket se del nga mungesa e ndjenjave të atyre që gjenden në
pavijon dhe nga paaftësia e tyre për ta gjetur veten si individë në një vend të
kësaj bote: “Ai kishte besimin tek
ringjallja, tek një botë tjetër ku do të lindin me emra të vjetër për një jetë
re.... ndoshta ndonjërit prej nesh i
qe shkruar në defterët e lart për t’u bërë Ajnshtajn, Mikelanxhelo apo Papë,
dhe kush e di se si kishte marrë jeta dhe në vend të kthente djathtas kishte
prerë majtas”.
Ringjallja e tyre nuk është asgjë tjetër, përveç humbjes
së kufirit ndërmjet ëndrrës dhe zhgjëndrrës, të mundshmes dhe të pamundimshmes,
deri te përjetimi magjik i realitetit.
Arian Leka, me një mjeshtëri të rrallë, do ta vendosë në qendër të
vëmendjes temën e vuajtjes, dhimbjes, rrezikimin e vlerave njerëzore, traumat,
depersonalizimin, si dhe vdekjen fizike e shpirtërore e intelektuale të një
sistemi diktorial. Ai i kthen ato në elemente mbizotëruese në letërsinë e
shkruar pas viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar.
Edhe pse personazhi kryesor, Babai, ishte më se i bindur se sistemi kishte
krijuar një njeri të ri, por një njeri që nuk mund të gjykonte me mendje, sepse
shoqëria kishte prodhuar njerëz, siç thotë Leka “një kope njerëzish të heshtur, të verbuar, që nuk reagojnë për mungesën
e lirisë, por jo edhe pa vlera njerëzore”
Ishte ajo jetë të cilën e kishin kaluar në një epokë në
të cilën botën dhe mendjen ua kishte bërë lëmsh kufizimi i të munduarit, duke
trumbetuar për jetë të rrejshme, se paqja që mbahej me forcë ishte false. Ishte
ky sistemi që e kishte zhytur njerëzinë në thellësitë e humnerës së vuajtjeve e
dëshpërimeve tronditëse. Gjithë kjo i kishte verbëruar njerëzit, duke i
zhveshur nga rregullat e jetës, që të besonin, siç thotë Leka, “tek ringjallja, tek një botë tjetër, ku do
të lindnim me emra të vjetër, për një jetë re”.
Me romanin e Arian Lekës letërsia shqipe dëshmon tipare
artistike që janë të gatshme të dalin përtej territoreve margjinale dhe ashtu
përpiqet të integrohet edhe në rrjedhat më të mëdha të letërsisë evropiane.
Kjo, sigurisht, mundëson dialog ndërmjet letërsisë sonë kombëtare dhe letërsive
të tjera, me të cilat një vepër mund ta krahasohet ose edhe të dallohet dhe të
veçohet përmes vlerave të saj specifike artistike.