E premte, 29.03.2024, 02:11 PM (GMT)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Gjergj Pekmezi - figurë poliedrike

E hene, 05.02.2018, 08:51 PM


Me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së dr. Gjergj Pekmezit

GJERGJ PEKMEZI – FIGURË POLIEDRIKE

Nga Avzi MUSTAFA

Gjergj Pekmezi  (1872-1938) është një figurë shumëdimensionale me shumë tipare që e dallonin atë si një ndër intelektualët që karakterizohet me ndenja të theksuara kombëtare si dhe me nivelin e lartë shkencor, kulturor e në përgjithësi enciklopedik për të zgjidhë probleme të mëdha e në mënyrë bashkëkohore. Ai posedonte kulturë perëndimore, një elokuencë të shkëlqyer, ku fjala dhe mendimi i tij kishin peshë. Në mozaikun e tempullit shqiptar paraqitet si një intelektual me mendje shumë të hollë ku tërë dijen dhe intelektin e çuditshëm e derdhi në dobi të atdheut dhe ngritjes së kulturës shqiptare në 10-vjetshin e fundit të Rilindjes Kombëtare.

Lindi më 1872 në fshatin Tushemisht të Pogradecit. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Ohër e Manastir, falë kushërinjve nga e ëma e tij që jetonin në Ohër. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, Gjergj Pekmezi do të punësohet si mësues në shkollën shqipe të Llëngës në Mokër të Pogradecit.

Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë. U diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Meqë Gjergji u pajis me dituri e kulturë të lartë, atë e ndalin në fakultetin ku studioi më qëllim që të huajt të mësojnë për shqiptarët e për gjuhën shqipe.

Pas diplomimit, gjegjësisht më vitin 1901, Gjergj Pekmezi dërgohet nga Akademia e Shkencave e Austrisë në Elbasan për studime dialektologjike, por me porosi të veçantë nga akademikët e Vjenës që të studiojë shkrimet e vjetra të këtij qyteti. Qëllimi kryesor ishte që të studionte alfabetin e Dhaskal Thodhrit të shpikur më 1803 që sipas dr. Hanit  mendohej se ishte alfabet “pellazgjik”. Dr. Pekmezi me vëmendje të posaçme e analizoi këtë shkrim dhe i hodhi të gjitha hipotezat, duke pohuar se “ky alfabet është një kurziv i greqishtes së shekullit XVIII i stilizuar individualisht”. Këtë mendim ai do ta botojë në një “Raport paraprak mbi studimin e të folmeve shqipe të Elbasanit”, më 1901 në gjuhën gjermane. Studimi ishte shumë i rëndësishëm për karrierën e Gjergj Pekmezit se më 1903 do t’i hap rrugën që atë ta emërojnë Shef i Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës.

Dr. Pekmezi qe njeri me autoritet dhe shumë miqësor si me shqiptarët ashtu dhe më të huajt. Aktivitetin patriotik do ta fillojë më vitin 1904, kur edhe do të themelojë Shoqërinë Kulturore Patriotike me emrin “DIJA”.

Entuziazmin dhe punën e palodhur, interesin për gjuhën shqipe do ta sublimojë më vitin 1908 me botimin në Vjenë të “Gramatikës së gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, janë prezantuar edhe mendime të autorit për gjuhën letrare shqipe, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mithat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë, si bibliograf i parë në historinë e kësaj fushe.

Me një bashkëpunim të ngushtë si me sugjerimet dhe ndihmën e  shumë gjuhëtarëve gjermanë, ai do botojë veprat: “Bibliografia e Gjuhës Shqipe”,  “Udhëzues i Gjuhës Shqipe“, “Libër Mësimi e Ushtrimesh në Gjuhën Shqipe”, “Gjuha Shqip dhe Dialektet.”

Nga Akademia e Shkencave austro-hungareze, Gjergj Pekmezi do të marrë rrugën për në Shqipëri për qëllime studimesh, ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë.

Gjergj Pekmezi nga kërshëria që kishte ndaj gjuhës shqipe si dhe numri i madh i alfabeteve si dhe dialektet e të folmet i shtuan interesin,  që ai herë pas here të botojë trajtesa mbi problemet e gjuhës letrare kombëtare të përbashkët për gjithë shqiptarët. Më 1909 ai botoi një artikull shumë interesant me titull: “A do të kemi një të vetme gjuhë letrare shqipe?”

Dr. Gjergj Pekmezi në dorë për recensim pati edhe Gramatikën e Gjuhës Shqipe” të shoqërisë “Dija” pjesën e parë të botuar në Sofje më 1912, kurse të dytën në Vjenë më 1913. Po në këto vit, në bashkëpunim me albanologun e njohur gjerman Maksimilian Lamberc, në Vjenë do të botojë në gjuhën gjermanishte librin me titull: “Libër mësimi e leximi i shqipes”, ku vepra mbyllet me një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip, me rreth 3 000 fjalë.

Gjergj Pekmezi ishte poliglot: njihte gati të gjitha gjuhët sllave, por  edhe greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe njohja e këtyre gjuhëve i mundësonin atij për të bërë edhe studime komparative.

Është me interes të thuhet se Gjergjit i interesonte shumë historia e popullit shqiptar, luftërat, sakrificat, mbrojtja e trojeve etj. Nga patriotizmi i pashoq ai hyri pa frikë për t’i shërbyer çështjes Kombëtare, të gjuhës, të traditave e të emancipimit mbarëkombëtar. Kureshtja e fyti të qëmtojë material nëpër arkiva dhe biblioteka të huaja. Kështu, ai më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës, që Vaso Pasha e Sami Frashri ia dërguan Kongresit të Berlinit.

Më 1913 ai do të jetë diplomat shumë i ndërgjegjshëm, pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, ku me mençuri e argumente e sidomos me metodën që përdori me historinë e monedhave, që ua lëshoi një grupi  fëmijësh në Korçë për t’u treguar të huajve se ata shaheshin shqip njëri me tjetrin. Ai më këtë desh t’u vërtetonte të huajve shqiptarësinë e trevave të jugut e jo siç pretendonin nacionalistët grekë.

Siç dihet, me nismën e të mëdhenjve: Ligj Gurakuqit, Gjergj Fishtës e  Ndre Mjedës që të gjendet një zgjidhje për gjuhën letrare shqipe, pas Kongresit të Manastirit, në Shkodër më 1 shtator 1916 u formua Komisia Letrare e Shkodrës, që ishte një nismë e patriotëve shqiptarë dhe intelektualëve të Shkodrës për formimin e një gjuhe kombëtare shqipe. Pas formimit të kësaj Komisie, ftesë i bënë edhe Gjergj Pekmezit edhe pse në fillim pati disa spekulime rreth kyçjes së Gjergjit në këtë shoqatë. Mirëpo themeluesit nuk hoqën dorë derisa ai të kyçet si anëtar i barabartë.

Gjergj Pekmezi më 27 shtator 1916 zgjidhet kryetar i kësaj Komisie. Me kërkesë të Gjergjit më vitin 1917 ftohen në Shkodër disa profesorë të  Katedrës së sllavistikës të Universitetit të Gracit, bashkë me Mjedën, Pekmezin dhe Rajko Nahtigalin që të qëndrojnë në Elbasan për të bërë hulumtime rreth shkrimeve në Elbasan. Nga kjo ekspeditë, në krye me Nahtigalin, në gusht të vitit 1917 do të botojnë në gjermanisht artikullin “Përkujtime mbi  çështjen e një gjuhë shkrimi të përbashkët shqipe”.

Gjergj Pekmezi, Ndre Mjeda, Ndua Paluca, Luigj Gurakiqi, Sotir Peci, Gjergj Fishta, Luigj Naraçi dhe Hilë Mosi bënë përpjekjen e parë për t’i kodifikuar problemet drejtshkrimore, duke i afruar të dy variantet letrare. Përveç çështjeve gjuhësore mbi ortografinë e gjuhës shqipe, në vitet e ardhme u diskutuan gati të gjitha çështjet që kishin të bëjnë me rregullat ortografike, për krijimin e termave, hartimin e teksteve etj. Në bazë të procesverbaleve kuptojmë se në këto veprimtari, Pekmezi ka marrë pjesë 34 herë.

Dr. Gjergj Pekmezi në vitin 1920 emërohet Inspektor i studentëve shqiptarë, që studionin në Austri, Gjermani, Çeki e Sllovaki. Në vitin 1924 transkripton librin folkloristik: “Bleta Shqiptare” të Thimi Mitkos.

Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë.

Më 1927 zgjidhet kryeredaktor i revistës kulturore, “Dialëria” që ishte organ i Studentëve shqiptarë në Vjenë. Më 1936 përktheu dhe botoi në Tiranë romanin “Robinson Kruso” të D. De Foes.

Më 1928 ai ngarkohet me detyrë për mbledhjen e dokumenteve të historisë së Shqipërisë nëpër arkivat e Vjenës. Edhe këtë punë e kreu me shumë sukses saqë deri në vitin 1935 grumbulloi mbi 8.177 faqe ku janë përfshirë relacionet e konsujve të huaj, që gjendeshin në Shkup, Manastir, Shkodër, Janinë, Stamboll e Selanik. Dokumentet e mbledhura nga Pekmezi do të botohen në dy vëllime në vitin 1938 dhe më 1940 në Shkodër.

Prej vitit 1928 riemërohet profesor në Universitetin e Vjenës, në Katedrën e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare.

Marrë në tërësi, veprimtaria e dr. Gjergj Pekmezit është e shumëllojshme: profesor e udhëheqës katedre, linguist, poliglot,  komparativist, bibliograf, përkthyes, diplomat, organizator shoqatash, redaktor e kryeredaktor i revistave të njohura, aktivist i shumë veprimtarive për planifikim e shqipes së përbashkët, i shumë takimeve e studimeve, bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm me intelektualët më të mëdhenj të kohës, shqiptarë e të huaj, si me: Rajko Nahtigalin, Nobert Joklin, Albert Thumbin, Paul Kreçmerin, Maksilan Lambercin, Majer-Lybken, Franc Miklosiçin, Karl Burgmanin etj. Ai u shërbeu edhe studiuesve të huaj që merreshin me shqipen, albanologjinë, ballkanologjinë dhe evropianistikën.

Dr. Gjergj Pekmezi, një figurë shumëdimensionale e historisë së kombit tonë ishte dhe mbetet shëmbëlltyrë jo vetëm për brezin e asaj kohe, por edhe për brezat e ardhshëm. Prandaj këtë punim do ta përmbyll me fjalët e poetit Visar Zhiti:

….Hodhi jetën dhe vdekjen e tij për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare. U bë  rrënjë e saj nën tokë”.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora