E marte, 15.10.2024, 10:54 PM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Osmanët kundër alfabetit shqip

E merkure, 20.11.2013, 09:16 PM


NË 105 VJETORIN E KONGRESIT TË ALFABETIT SHQIP

PERPEKJET OSMANE KUNDËR PËRDORIMIT TË ALFABETIT SHQIP SIPAS BURIMEVE DIPLOMATIKE SERBE

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Menjëherë pas Hyrijetit, në shumë qendra e qytete jashtë dhe brenda Shqipërisë, si në: Stamboll, Korçë, Elbasan, Manastir, Shkup, Bukuresht, Sofje, Selanik etj. u ngritën klube dhe shoqata, duke nxjerrë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Krahas këtyre, hov relativisht të madh mori edhe përhapja e arsimit në gjuhën shqipe.

Një ndër problemet imperative të kohës ishte zgjidhja e mirë dhe e plotë e shkrimit të gjuhës shqipe, si çështje që ende nuk kishte gjetur zgjidhje përfundimtare. Edhe pse alfabeti i Stambollit 1879 ishte aprovuar nga shumica e intelektualëve shqiptarë, ende përdoreshin alfabete të tjera.

Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin si nga shqiptarët ashtu edhe nga albanologët e huaj Klubi i Manastirit "Bashkimi" e mori mbi vete të organizojë një Kongres kombëtar, do të thosha një parlament gjithëshqiptar. Në Kongresin e Manastirit që u mbajt prej 14-22 nëntor 1908 nuk u morën vetëm qëndrimet për shkronjat shqipe, por u bisedua për një program operativ për t’i realizuar kërkesat shekullore të shqiptarëve. Dhe kështu gjatë ditëve të Kongresit u hartuan kërkesat në 18 pika dhe u autorizua Shahin Kolonja që t’i dërgojë për miratim te deputetët shqiptarë në Stamboll.

Armiqtë e shqiptarëve qoftë të brendshmit apo të jashtmit me të dëgjuar se po përgatitet të mbahet një Kongres, menjëherë morën iniciativa për ta ndalur atë. Sipas disa burimeve nga shtypi i kohës, kuptojmë për lajmërimin e qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe.

Çështja e alfabetit shqip dhe e shkollës shqipe ishte një ndër faktorët kryesorë për një luftë gjithëpopullore. Sipas një enciklopedie serbo-kroate-sllovene, libri II në faqen 650  thuhet: “se lufta e Shqiptarëve  ishte pikërisht rezultat i asaj që kur Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ju imponojë alfabetin turk, dhe për të penguar këtë ai  ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapte  shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”.

Patriotët shqiptarë punuan në këtë drejtim me një mjeshtri shumë të madhe. Nëpërmjet Kongresit u trajtuan dy anë të të njëjtit qëllim që kishte karakter politiko-shoqëror, ngase nëpërmjet shkronjave shqipe mori hov të madh përhapja e arsimit si dhe lëvizja kombëtare në përgjithësi.

Jehona e mbajtjes së Kongresit mori përmasa të gjera, ashtu siç njofton prof. Kristaq Prifti, jo vetën në tokat shqiptare, por edhe jashtë. Për këtë Kongres shkruan gazetat frënge, italiane, zvicerane etj.: "se shqiptarët do të mblidheshin në Kongres për qëllime politike ose kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë, se Kongresi mund të shndërrohej në një bashkim politik".

Qarqet reaksionare të vendit si dhe shtetet shovene ballkanike pritnin që tani germat të jenë "mollë sherri" për përçarje edhe më të madhe. Shqiptarët nga ky Kongres dolën edhe më të bashkuar duke i treguar botës se edhe ata janë një popull, se kanë një gjuhë, se edhe germat duhet të jenë të përbashkëta.

Xhonturqit dhe aleatët e tyre nëpërmjet disa deputetëve tradhtarë dhe disa feudalëve dhe fanatikëve fetarë përsëri e shtruan problemin e çështjes së alfabetit në Parlamentin e Turqisë. Këta dolën me tezën se popullsia myslimane "gjoja ka qenë dhe janë për alfabetin turko-arab, i cili njëherazi është dhe alfabet i Kur’anit, kurse alfabeti latin e prish fenë myslimane dhe se me te nuk shkohej në Qabe". Kështu xhonturqit nuk lanë gurë pa lëvizur për të sjellë huti e përçarje te shqiptarët nëpërmjet propagandës antikongresiane dhe antishqiptare.

Mllefi i akumuluar i merimangave turke në Shkup, nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin "shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane", organizuan një mbledhje, të cilën e quajtën "Kongres" për të cilin shumë pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim ose kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë.

Shqiptarët e Shkupit, pasi i dëgjuan këto marifetllëqe, u prononcuan me një artikull "Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej: "Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën ta përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e Shqipërisë... Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipëria e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i madh për këta njerëz! ( Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)”.

Propagandat e ndryshme, si nga xhonturqit ashtu edhe nga fanatikët e klerit fetar, nuk kishin të ndalur. Ata filluan të agjitonin me të madhe pa zgjedhur mjete, duke organizuar peticione, mbledhje e mitingje për t’i dërguar kryeministrit të Perandorisë Osmane që shqipja të shkruhej me germa turko-arabe. Ministri i arsimit turk, më 6 shkurt 1325 sipas Hixhrës lajmëron se qeveria turke ndaj alfabetit të arnautëve mbetet neutrale. Po kjo nuk ndodhi kështu sepse  Ministri i Arsimit kishte deklaruar se “gjuha shqipe” në të gjitha shkollat do të mësohej vetëm me shkronja arabe”. Në një raport të nxjerrë nga fondi  J. Jovanoviq lexojmë edhe këtë se: “gjithë bota ka pranuar shkronjat arabe edhe Vilajeti i Kosovës do të ta pranojë këtë”:

Sikur nuk donin të kuptonin se çështja e alfabetit kishte marrë fund pikërisht në Manastir. Ata përsëri thirreshin në nenin 16-të të Kushtetutës Turke se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe rreptësisht ndalohej. Këtë e shohim nga deklarata e kryeministrit turk Ibrahim Haki Pashai që pa droje pat deklaruar se: "Çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman".

Që ta bindin qeverinë turke, shumë gazetarë të paguar shkruanin se gjoja tek arnautët myslimanë dominon një pakënaqësi dhe urrejtje e madhe ndaj germave " të kaurëve". Dhe, në shumë qytete, si në Kaçanik, Shkup, Pejë, Janinë, Shkodër si dhe në vetë Manastirin dominon një pakënaqësi.

Në fondin e Jovanoviqit    dokumentin nr.  886 të 16 prillit 1910, pastaj  edhe nga raporti me nr. 896 qartë kuptohet se si manipulonin me lajme kontraverze si qeveria turke ashtu edhe shtetet fqinje për të mashtruar opinionin, si atë turk, ashtu edhe atë botëror se gjoja në Kaçanik është organizuar një miting kundër shkronjave latine dhe se është sjellë një rezolutë se "germat latine janë në kundërshtim me Sheriatin dhe se banorët e kësaj ane kërkojnë që të mbyllen të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe të ndalohen librat të shkruara me alfabetin latin".

Sipas konsullit Jovanoviq dhe në bazë të dokumentacionit që posedojmë, qartë shihet se si pushteti osman bën luftë të ashpër që të mos lejojë hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, e sidomos moslejimin e përdorimit të shkronjave latine. Sipas një dokumenti të lëshuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë edhe Serbia e  në mënyrë indirekte e kundërshtonte përdorimin e shkronjave latine ku i kërkohet  qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe, sepse shqiptarët me fe islame Serbia i konsideronte si turq. Sipas shënimeve të Jovanoviqit kuptojmë se si përgjigjet qeveria turke ku thuhet: "Problemi i hapjes të shkollave shqipe është çështje që duhet të diskutohet në parlament, e sa u përket germave ajo është çështje e shtypshkronjave”.

Nga një dokument tjetër të këtij diplomati gjithashtu kuptojmë se si deputeti shqiptar në Parlamentin Osman, Hasan Prishtina  ithtar i shkronjave latine ka dërguar nga Shkupi telegramin ku thuhej se ”Vilajeti Kosovës ka nevojë për 10 mësues të gjuhës shqipe. Të gjithë ata që dëshirojnë të kryejnë këtë shërbim le t’i drejtohen klubit “ Bashkimi”, kurse  në Stamboll klubit “Sabah”.

Një dokument tjetër që mban datën 3 shkurt (II), 1910 nr. 234 marrim njoftime  për nxënësit e Idaijes së Shkupit ku një pjesë e madhe e nxënësve kanë përfillë latinishten. Deputeti në Parlamentin turk, Said Efendiu ka shkuar në Idaije që të këshillojë dhe të bëjë presion për heqjen dorë nga shkronjat latine. Nga numri i nxënësve : “12 nxënës kurrsesi nuk kanë pranuar dhe i kanë larguar nga shkolla”. Po ashtu kuptojmë se gjoja Said Efendiu ka shtypur (mendohet se  ka sjellë A. M) një Abetare me germa arabe dhe e ka shpërndarë ndër shqiptarët”. Po në të njëjtin dokument shkruan se ”qeveria turke  pengon përdorimin e shkronjave latine, por shqiptarët nuk rrinë duarkryq”. Sipas të njëjtit dokument, shohim se “katër (4) nxënës po përgatiten për të mësuar në shkollën e Elbasanit, kurse 4-5 nxënës të tjerë i financon klubi shqiptar i Stambollit, ku këtyre iu është siguruar kostume dhe para rruge. Ndihma sigurohet nga Lidhja e Stambollit, sepse klubi i Shkupit nuk ka para”.

Nga  një dokument që mban datën 4 shkurt 1910, nr. 235 dërguar Dr. Millovan Millovanoviqit , Ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë qartë shihet se si konsulli nga Shkupi e njofton për mospagesën e mësuesve në shkollat e jezuitëve në Gjakovë e Janjevë nga  ana e Austrisë (nxënës shqiptar te besimit katolik A. M) dhe se “ka nxënës  dëshirojnë të mësojnë në gjuhën serbe dhe të dërgohen sa më parë mësues serb që të jenë rreth tyre”.

Në dokumentin që mbanë datën e 10 shkurtit 1910 nr. 87 mësojmë edhe për  reagimin e valiut të Shkupit I cili i ka dërguar telegram në Ministrinë e arsimit  në Stamboll duke u kanosur “ se të gjithë ato shkolla që mësojnë me shkronja latine do të mbyllen”.  Pastaj në dokument përshkruhen edhe masat që I ndërmerr pushteti vendit ndaj idhtarëve të shkronjave latine. Nga ky dokument kuptojmë masat represive të pushtetarëve turq. Ata e pushuan nga puna mësuesin e gjuhës shqipe , Bedri Efendiu ( Pejani), pastaj komandantin e xhandarmerisë Sheli, sepse djali i tij është përkrahës i shkronjave latine dhe është  larguar nga shkolla e  Idadies, po ashtu është larguar edhe një nëpunës dogane.  Dhe të gjithë ata që u kanë gjetur libra me shkrim latin janë gjobit me rrogë. Po ashtu edhe një mjek i komunës është larguar nga puna , sepse emrat dhe diagnoza e të sëmurëve ka qenë të shkruar me shkronja latine . Klubit  të këtushëm (  e ka fjalën për klubin e Shkupit)  i është hequr tabela e mbishkrimit  pse ka qenë e shkruar me shkronja latine. Në një dokument të fondit të Jovanoviqit janë përshkruar edhe masat ndaj atyre të cilët kanë shkruar telegrame për përkrahjen e shkronjave latine, ku ndaj tyre parashihet edhe internim në Anadolli.

Dokumenti që mban datën  13 shkurtit 1910 nr. 331 jep të dhëna për aktivitetin e  Klubit  të Shkupit dhe ndër të tjera potencohet se ky klub po përdor gremat latine. Valiu bashkë me deputetin, Said Efendia kanë mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, , Prishtinë, Shkup,, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ata njoftojnë Sulltanatin “edhe pse banorët  janë përcaktuar për germat latine autoriteti i tyre dhe bindja me fakte ka suksese”  . Mirëpo, Said Efendiu  dhe turkofilët nuk mund të pajtohen me këtë të vërtetë dhe ato dërgojnë depeshe në Sulltanat duke thënë “ se mileti i këtyre vendeve janë  manipuluar dhe mashtruar nga armiqtë e jashtëm”.

Said Efendiu do të shkruaj një telegram ku do të njoftojë se gjoja: “Shqiptarët e të gjithë vilajeteve kanë vendos të mësojnë me shkronja arabe dhe se mitingjet janë organizuar sipas porosisë”.

Për të bindur qeverinë Osmane se gjoja  angazhimi i tyre po jepte fryte ato edhe gjerat që s’ kishin lidhje me shkronjat as me shkollën i trillonin duke raportuar mbi gjendjen e mos përfilljes së shkronjave latine.  Kinse në Gjilan shkruanin se gjoja janë djegur orenditë shkollore dhe se janë rrahur dy mësues pse kanë përdorur shkronjat latine. Nga të gjitha vendbanimet shqiptare gazetat turke informonin se gjoja dëshpërimi është shumë i madh te banorët shqiptarë me fe myslimane. Nga fondi Jovanoviqit kuptojmë se edhe një mësues i një shkolle private në Gjilan ithtar i shkronjave latine   ia kanë ndaluar punën dhe do të përgjigjet.

Ndër kohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Ak-Sarajit "Mahfel" dërguan njëfarë Arif Hiqmeti kinse gazetar nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë muslimane për të krijuar një besim se shkronjat turko- arabe janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse  shkronjat  gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem. Për këtë turkofil nga  fondi i Jovanoviqit është edhe një dokument ku  shihet qartë puna e tij dhe shumë të tjerëve që punonin në dëm të shqiptarëve: “ se në Shkup shoqëria për të shkruar gjuhën shqipe me shkronja osmane po punon për të krijuar një alfabet turko-arab  dhe obligon shtypshkronjën e Vilajetit në emër të  Këshillit të shoqërisë të  shpikin 3-4 shkronja plus për të shkruar gjuhën shqipe.”

Derisa po zhvillohej një luftë rreth këtij problemi, patriotët shqiptarë filluan pa leje që të hapin shkolla në gjuhën shqipe jo vetëm nëpër qytete, por edhe në mjaft fshatra. Dhe, kështu, u çelen shkolla në viset e Korçës, Elbasanit, Prizrenit, Beratit, Manastirit, Janinës, Prishtinës, Shkupit, Ohrit, Dibrës, Pejës etj.

Çështja e alfabetit dhe shkollës shqipe sipas vendimeve dhe veprimeve që ndërmerrte qeveria dhe shërbëtorët e tyre po bëhej serioze. Ato vepronin jo vetëm me propagandë, por edhe me metoda shtypëse për ndalimin e alfabetit shqip. Kësaj propagande antishqiptare iu bashkëngjit edhe kisha ortodokse edhe pse nuk i interesonte drejtpërsëdrejti alfabeti turko-arab, por dëshironte që nëpërmjet të kësaj kishe t’i përçante shqiptarët. Kësaj propagande iu bashkëngjitën edhe austriakët dhe italianët. Por, populli shqiptar pa dallim feje e kishte kuptuar fare mirë qëllimin se ç’kërkonin turqit e të tjerët. Por, populli, nuk qëndronte duarkryq.

Nga ky fond  kemi gjetur edhe një dokument ku shihet se Komiteti i shoqërisë shqiptare të Sofjes i cili është drejtuar qeverisë së Beogradit për ndihmë për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, mirëpo përgjigjja ka qenë negative.

Sipas një dokumenti që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 18 shkurtit 1910) thuhet se: “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë protestë kundër shkronjave latine të arnautëve. Nga shumë qytete kjo proteste nuk ishte e mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër – atje kanë mbledhur 3000 frymë”.

I tërë populli u orientua në mbrojtje pa dallime fetare e krahinore. Të parët që i dhanë forcë vendimeve të Kongresit ishin nxënësit e Idadijes së Korçës, më pastaj ish-nxënësit e shkollës së Janinës, Manastirit, kurse nxënësit e Elbasanit e braktisën tërë shkollën dhe bashkë me popullin ku protestuan mbi 7000 veta. Drejtori i Idadijes së Shkupit pse e ndërroi qëndrimin, e pushuan nga puna. Në Berat e ndoqën shembullin e elbasanasve dhe dolën për t’i mbrojtur vendimet e Kongresit mbi 15.000 veta.

Këto veprime patriotike të nxënësve si dhe të shumë patriotëve qartë i treguan pushtetit osman dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për gjuhën dhe shkollën shqipe. Pas kësaj dëshire nuk qëndronin vetëm nxënësit, patriotët, intelektualët, por tërë populli shqiptar pa dallim feje. Me veprimet e tyre qartë treguan se mbrojtja alfabetit dhe gjuhës shqipe me të vërtetë shënon një faqe të lavdishme të historisë sonë dhe është një mësim i qëndresës në momente vendimtare.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Avzi Mustafa: Kush ishte Ramazan Dalipi? Avzi Mustafa: Gazetat dhe revistat në perandorinë Avzi Mustafa: Mësim-besimi në funksion të shqipes Avzi Mustafa: Thimi Thoma Kreji - veprimtar i rilindjes kombëtare nga Krusheva Avzi Mustafa: Llazar Siljani - rekanasi atdhetar dhe intelektual i harruar Avzi Mustafa: Rizgjimi i vetëdijes kombëtare të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni Avzi Mustafa: Kontributi i Hasan Prishtinës për gjuhë të zyrtarizuar shqipe me shkollë të pavarur Avzi Mustafa: Pasqyrimi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në gazetën ''Politika'' të Beogradit Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë Avzi Mustafa: Pasqyrimi i trashëgimisë kulturore shqiptare në tekstet shkollore në Maqedoni Avzi Mustafa: Në kujtim të mësuesit Syreja Imami Avzi Mustafa: 8 Shtatori - Dita Ndërkombëtare Kundër Analfabetizmit Avzi Mustafa: Organizimi i shkollës shqipe në Maqedoni 1945-1990 Avzi Mustafa: Përpjekjet e Josif Bagerit për gjuhën dhe shkollën shqipe Avzi Mustafa: Disa shënime të mësuesit bullgar për Tetovën me rrethinë Avzi Mustafa: Zajavi përballë pushtuesit serb (1912-1915) Avzi Mustafa: Shkollat fetare private në Gostivar e rrethinë ndërmjet dy luftrave botërore Avzi Mustafa: Shkolla shqipe qëndron mbi eshtrat e patriotëve tanë Avzi Mustafa: Disa probleme në punën e mësuesve të gjuhvs për përvetësimin e gjuhës letrare në shkollë Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora