Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Thimi Thoma Kreji - veprimtar i rilindjes kombëtare nga Krusheva
E diele, 12.05.2013, 10:10 AM
THIMI THOMA KREJI – NJË VEPRIMTAR I RILINDJES KOMBËTARE NGA KRUSHEVA
Ekskluzive nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
Thimi
Kreji, sipas disa shënimeve, thuhet se ka lindur rreth vitit 1842 në Krushevë
të R. së Maqedonisë së sotme. Me shpërnguljen e vllehve të Gramozit dhe të
Voskopojës në fund të shekullit VIII dhe në fillim të shekullit XIX, këtu
vendoset edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve nga Shqipëria e Jugut. Supozohet
se kjo familje ka ardhur nga rrethi i Gjirokastrës. Shumica e të shpërngulurve
vllahë ishin të detyruar për arsye politike, ndërsa shqiptarët për arsye
ekonomike. Varfëria e vendeve malore, si dhe shtypja dhe shfrytëzimi i
pamëshirë i administratës osmane, kërkonte ndërrimin e vendbanimit për kushte
më të mira jetese. Kështu shpërngulja ishte edhe një ikje nga pronat e
pronarëve, që ata të mund të merren me zejtari dhe tregti ose te gjejnë një
“tokë pazot”.
Në Krushevë ose, siç i thonë vendasit, Krushovë,
mërgimet bëheshin grupe-grupe nga koha në kohë. Prandaj ky qytet është formuar
mbi ndarjet familjare dhe etnike. Kështu Krushevën e përbëjnë 12 mëhallë:
mëhalla e vllehve, mëhalla Arbinesh (e Shqiptarëve), mëhalla e mijakëve të
ardhur nga Reka e Dibrës, mëhalla e Gjipëve (mëhalla
Mesha në kishën e mijakëve mbahej në gjuhën shqipe,
por pas vitit 1821, kur Greqia e shtoi zgjerimin e kufijve dhe krijoi të
ashtuquajturën “Megali-Idea”, ajo i përdori të gjitha mjetet e mundshme që ta
identifikonte fenë me kombësinë. Kështu të gjithë ortodoksët, pra edhe
shqiptarët ortodoksë, i llogariste grekë. Kjo bëhej me qëllim të caktuar dhe në
vende ku jetonte popullatë ortodokse e etnive tjera. Kisha, nëpërmjet klerit,
bënte propagandë, por përdorte edhe mjete të tjera për helenizimin e popullatës
ndaj etnive jogreke. Këtë e shohim edhe në rastin e mitropolitit për Ohër e
Prespë, ku bënte pjesë edhe Krusheva. Ndonëse mitropoliti grek i kësaj eparhie
selinë e kishte në Ohër, ai e transferon atë në Krushevë vetëm e vetëm që ta ndalojë
të mos dëgjohet aty gjuha shqipe ose arumune. Ky metropolit i kishte thënë
popullit të Krushevës: “Gjuha arumune dhe gjuha shqipe janë mallkuar dhe
aforisuar nga të gjithë të shenjtit, por edhe nga vetë Zoti dhe se vetëm gjuha
greke është gjuha e dashur e Zotit”.
Thimi Krej ndoqi shkollën e meshkujve në
vendlindje. Aty mësimi zhvillohej në gjuhën greke. Familja e tij ishin zejtarë
– me kohë e kishte ushtruar zanatin e ngjyrosjes së flokjeve (postiqeve prej
leshi) dhe merreshin me shitjen e tyre. Thimin, krahas shkollës, e dërguan edhe
në zanatin e terziut te një mijak. Dukë punuar në dyqanin e terziut, edhe pse
ishte i ri, Thimi me vëmendje dëgjonte gjithçka mbi shqetësimet e ndryshme që
rëndonin mbi jetën e këtyre banorëve, si dhe kërkimin e zgjidhjeve për të
ardhmen. Megjithëse nuk dihet se ku e ka mbaruar shkollën e mesme në gjuhën
greke, në bazë të informacioneve të mbledhura nga njerëz të ndryshëm të këtij
qyteti, përshtypje më lë plaku 92-vjeçar Nako me një memorie të çuditshme, i
cili pohon se të “tonit” kanë mësuar “gërkisht”, ngase kisha i dërgonte nëpër
shkolla të gërkishtës. Në fakt, të gjithë ortodoksit, pra edhe shqiptarët e
këtij konfesioni, për arsye fetare mësonin greqisht, sepse mësimi në këtë gjuhë
llogaritej si cilësi e një kulture të lartë, duke anashkaluar gjuhën shqipe dhe
duke mos lejuar shkolla në gjuhë amtare. Por, kur diskutojmë për familjen e
Krejit, plaku Naku thekson se nuk ka dijeni për këtë personalitet, sepse
shpeshherë pushtuesit na kanë djegur e plaçkitur, por thotë se “ne (duke
përfshirë edhe shqiptarët – A.M.) jemi marrë me tregti dhe se neve na quanin
grekë me kuptimin tregtarë”. Disa familjarë nguliteshin në ato vende, ku
punonin edhe me familje. Gjithashtu plaku 90-vjeçar rrëfen me ofshamë se “neve
na kanë shitë bullgarët te osmanlinjtë”. “Shumë familje vllahe e shqiptare
pësuan gjatë kryengritjes së Ilindenit, ndërsa disa u shpërngulën brenda
qyteteve të tjera”. Prandaj, thotë xha Nakoja, edhe Tomajt mund të kenë ikur.
“Tomaj ka në Kërçovë, Manastirë, Shkup. Bisedën e mbyllë duke thëne “se kemi
qenë të detyruar disa herë edhe llagapet t’i ndërrojmë. Të tonit punonin kudo,
edhe në Egjipt, edhe në Stamboll, edhe në Selanik, Bukuresht e gjetiu”.
Kushtet, rrethanat dhe motivet ekonomike-shoqërore
e psikologjike ishin faktorët kryesorë që shumë shqiptarë të kërkojnë fatin e
tyre nëpër vendet e botës. Kjo gjendje tepër e vështirë e detyron edhe Thimi
Krejin të marrë rrugën e mërgimit. Ai një herë mendoi të shkojë në Bukuresht
ose në Sofje, sepse atje kishte shumë ortodoks që punonin, por në kohën kur ai
përgatitej të largohet nga vendlindja me të madhe flitej për Egjiptin si një
vend ku mund të gjendet punë.
Mërgimet
në Egjipt janë ato që lidhen me luftën që beri Turqia kundër mamlukëve dhe me
vendosjen ne krye të qeverisjes së shqiptarit Memhmet Ali Pasha. Egjiptit
ndodhej në zhvillim e sipër dhe atij vendi i duheshin punëtorë të profesioneve
të ndryshme. Shumica e shqiptarëve që kishin shkuar atje si ushtarakë, kishin
mbetur edhe pas luftës. Prej tyre shumica e shqiptarëve ishin vendosur në
qytete të ndryshme, si: Kajro, Aleksandri, Benisuef, Shibin El Kom, Mansuri,
Fishnje, Mamflutë, Bibe, Vostë etj. Një pjesë e shqiptarëve kishin mërguar në
Egjipt edhe për shkaqe ekonomike, ashtu që shumica e shqiptarëve, përveç punëve
nëpër karakollë, punonin edhe punë të ndryshme të zanateve e të tregtisë.
Shqiptarët që jetonin në Egjipt, sipas P. Kabue-së, ishin afër 30 mijë.
Si te shumica e shqiptarëve në vendet tjera, edhe
në Egjipt ata rronin së bashku dhe në ditët e festave ose kohët e lira ose me
ndonjë rast të veçantë, në shtëpitë e banimit ose në hanet e ndryshme gjëmonte
kënga dhe vallja shqiptare. Këtë më së miri e përshkruan Spiro Dine, i cili
thotë: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë, këngët e vallet nuk
reshtin, buzuku, tamburaja e bakllamaja buçitnin në katër anët... na dukej
sikur gjendeshim në Shqipëri”.
Thimi
Kreji në vitin 1860 nga porti i Selanikut udhëton për në Egjipt dhe bashkë me
një shok vendoset në qytetin Shibin El Kom. Me t’u vendosur aty, për Thimin do
të fillojë një jetë të re. Ai shumë shpejt do të bie në kontakt me
bashkatdhetarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë. Pasi siguron një vend pune,
duke iu falënderuar njohjes së gjuhës frënge, pas orarit të punës shkonte në
klube e vende ku tuboheshin shqiptarët. Meqë mërgimi ngjallë dashurinë me të
madhe ndaj atdheut, ai me inteligjencën e dhuruar nga Zoti nuk mund të mos
inkuadrohej në biseda patriotike. Siç duket, ai si intelektual, gjatë
studimeve, kishte njohuri nga historia, e njihte mirë gjuhën greke, vllahe,
bullgare, turke dhe gjuhën frënge. Ndërkaq tani ai do të interesohet për gjuhën
shqipe, për letërsinë shqipe, për lashtësinë e shqiptarëve, për trashëgiminë
kulturore etj. Ai lexonte çdo gjë që i binte në dorë. Si njeri që nuk përtonte
të kontaktonte me secilin dhe i dashur që ishte, që shihet edhe nga
korrespondenca e tij me shumë intelektualë e patriotë të kohës, ai do të
inkuadrohet me tërë qenien e tij në jetën kulturore dhe në lëvizjen patriotike.
Në
fillim shqiptarët e Misirit e kishin vështirë të mendonin dhe të vepronin në
mënyrë të organizuar në lëvizjen kombëtare. Prandaj ishte e nevojshme që
shqiptarët e Misirit të krijojnë një vatër ku do të tuboheshin gjithë
shqiptarët e Misirit, ashtu siç vepronin shqiptarët në Bukureshtit e të Sofjes.
Siç dihet, shqiptarët e Misirit në fillim u organizuan si një degë e Shoqërisë
së Stambollit, e quajtur “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila u
krijua në Aleksandri me ndihmën e Jani Vretos, por kjo pati një jetë të
shkurtër.
Thimi
Kreji, bashkë me Thimi Mitkon dhe të përkrahur edhe nga patriotë të tjerë, u
angazhuan të formojnë një shoqëri me emrin “Bashkimi i vërtetë i atdhetarëve
shqiptarë”, që do të kishte organin “Besa”. Kjo shoqëri zgjodhi motom “Bashkimi
bënë fuqinë”.
Në maj
të vitit 1882 në Egjipt formohet shoqëria e përkrahur nga të gjithë të
mërguarit kudo që jetonin në Egjipt, që do të quhet “Vëllazëria Shqiptare”,
e cila për qëllim kryesor do të ketë ruajtjen e gjuhës dhe të traditave
kombëtare shqiptare. Aty Thimi Kreji do të zgjidhet sekretar i kryesisë së
Shoqërisë për Shibin el Kom.
Anëtarët e Shoqërisë me vëmendje po i ndiqnin
ngjarjet e viteve 1878-1881, kur propagandat e huaja shoviniste, sidomos ajo
greke ushtronin veprimtarinë e tyre grabitqare. Anëtarët e Shoqërisë haptazi iu
kundërvunë këtyre qëllimeve grabitqare dhe asimiluese nëpërmjet polemikave të
botuara në shtypin kombëtar, si “Shqipëria”, “Toska”, “Spata”, “Pellazgu” etj.
Gjuha shqipe për shqiptarët e Egjiptit ishte një
ndër çështjet më të mëdha që mund ta ruante kombin tonë. Por, siç dihet, ende
nuk kishte gjetur zgjidhje alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Prandaj
atdhetarët tanë në Egjipt nuk kursenim as mund e as djersë për të gjetur format
më të ndryshmet që të organizojnë lëvizjen arsimore dhe kulturore, si në
mërgim, ashtu edhe në Shqipëri. Në një letër që mban datën e 17 majtit 1877
Thimi Mitko i shkruan kështu Thimi Krejit: “Për sa i përket qytetërimit të
Shqipërisë së prapambetur do të ishte një vepër me më shumë sukses ngritja në
Egjipt e një tipografie për të shtypur vazhdimisht libra dhe një gazetë”.
Po ashtu nëpërmjet të shoqërisë shqiptare që do të “përhapte diturinë do të
mundësohej që të hapen një ose dy shkolla shqipe në qendër të Shqipërisë”.
Thimi Kreji do të futet në problemet e kohës dhe do
t’i zgjerojë lidhjet e veta me shumë atdhetarë, si në Misir si me Jani Vruhon,
Milo Duçin, Çajupin, L. Lligorin,Th. Tashko, Th. Manon, V. Vithkuqarin, S.
Dinen, Th. Mitkon, Jani Vreton etj., por edhe me patriotë të tjerë të kolonive
të tjera shqiptare. Ai nuk do të shkëputet nga forcat përparimtare. Si njeri me
një intelekt të çuditshëm, ai do të inkuadrohet në çështjet rreth alfabetit.
Derisa të gjendej një zgjedhje përfundimtare, dominonte mendimi që “toskët ta
shkruajnë shqipen me germa helene, kurse gegët me ato latine”, por
intelektualet shqiptarë, si ato të Stambollit, Bukureshtit e Sofjes, po
përgatitin variante të ndryshme të alfabeteve. Një variant që e kishte
përgatitur Jani Vretoja kishte kërkuar mbështetje edhe nga patriotët e Misirit.
Ai ia dërgon këtë variant pikërisht Thimi Krejit në Shibin el Kom që ai ta
propagandojë atë. Kështu këtë variant të alfabetit e përkrahin edhe Thimi
Kreji, Thimi Brandi, Sipro Dine etj. Kështu, të kënaqur për punën e Vretos,
këtë alfabet e quajtën atë si një sistem shkronjës, si një alfabet shumë i
përshtatshëm. Kreji, i bindur se ky ishte një alfabet origjinal i bërë nga një
intelektual i formuar si Jani Vereto, në vitin 1877 do të angazhohet të
shkruajë edhe një traktat mbi alfabetin shqip. Me aprovimin e këtij varianti ai
do të hapë polemikë të ashpër sidomos me shqiptarët në Benisuef, të cilët
udhëhiqeshin nga Thimi Mitko, sepse nga ata nuk u pranua ky variant i alfabeti
të Vretos, siç ndodhi edhe në mesin e shqiptarëve të tjerë të Misirit dhe të patriotëve
në kolonitë tjera .Me gjithë kundërshtimet, ai nuk e humbi miqësinë me
patriotët e tjerë shqiptarë. Këtë e vërejmë në letrën e Thimi Mitkos dërguar
Thimi Krejit më 12.7. 1878, ku ai shkruan: “Thash dhe kuvendova. Papo secili
të ketë idhenë e vet. Idherat e njërëzëve janë të respektueshme”.
Në vitin 1878 Jani Vretoja përsëri do të ofrojë një
variant tjetër me 8-9 ndryshime, ndërsa Thimi Kreji, edhe pse është përkrahës i
projekt-stautit të Kanonizës së vitit 1878, ai nuk është kundër një alfabeti të
përbashkët kombëtar, i cili do të përkrahet nga të gjithë. Edhe ky variant i
alfabetit të Vretos nuk do të gjejë popullarizim dhe do të kritikohet nga
atdhetarët e tjerë, ndërsa Kreji përsëri do të arsyetojë këtë variant të
alfabetit të Vretos. “Ai (Vretoja) është pjesëmarrës në Mbledhjen e Stambollit,
ku do ta paraqesë një variant të vetin, duke dhënë edhe këtë sqarim: “Këtë
alfabet e ka dërguar tek ne i lartpërmenduri Jani Vreto, me qëllim thjeshtë që
të na kallëzojë vështirësitë e këtij alfabeti”
Studiuesit e ndryshëm nuk kanë njohuri se me cilin
variant u paraqit Vretoja në Mbledhjen e Stambollit, por krahas supozimeve të
ndryshme, më i bindshmi është ai i shkencëtarit Alfret Uçi, i cili mbështetet
në fjalët e Thimi Krejit, i cili shkruan: “Në mbledhje janë paraqitur disa
alfabete: grek, latin dhe arab. Më në fund ranë dakord se secili të mendojë e
të parashtrojë projektin e vet. Jani Vretoja në Mbledhje i prezanton të tre
variantet e alfabetit vet”. Megjithatë, ndryshimet që u bënë në vitin 1879
, janë pikërisht variantet e
Vretos, ngase u morën gati 20 shkronja nga ai dhe të atij të Stambollit.
Prandaj Kongresi i Manastirit në nëntor të vitit
1908 për një alfabet të përbashkët shqip nuk është punë rasti, por është një
punë e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Thimi Kreji ishte i pasionuar ndaj leximit,
shkruante edhe vetë, por mbi të gjitha atë e karakterizonte oratoria dhe
zgjedhja e fjalorit. Kryeneçësinë nuk e adhuronte, ishte tolerant, por vendimet
i merrte vetë. Këtë Ai tërë jetën e vet, me energjinë dhe entuziazmin që
kishte, punoi për të qenë një shëmbëlltyrë e vërtetë morale dhe fizike. Gëzohej
shumë kur dikush botonte ose shkruante në periodikun e kohës. Daljen e librit
të Thimi Mitkos “Bleta shqyptare” ai e priti me dashuri të veçantë, madje në
letrën që i dërgon autorit të veprës menjëherë pas botimi ai do të shprehet
kështu: “Shumë kënaqemi duke kënduar zakonet e vendeve tona, të cilat po
thuaj se i kemi humbur”.
Thimi Kreji, krahas veprimtarisë iluministe, na
paraqitet edhe si një figurë që trajton personalitete historike dhe si një
frymëzues me poezitë e tij, që janë parulla kushtrimi për çlirim, janë mësime
moralizuese, shprehen kundër fanatizmit fetar, kundër gjakmarrjes etj.
Pas largimit të tij nga vendlindja, ai do të
kthehet aty në vitin 1864 dhe do të bëjë një vizitë jo vetëm në Krushevë, por
edhe Korçës, Kavallë, Manastirit e Janinës. Aty do ta shohë gjendje shumë të
rënduar të popullit të molisur nga taksat, grabitjet, vëllavrasjet, ndasitë
fetare, injoranca etj. Kjo gjendje do ta mundojë shumë gjatë dhe kurrë nuk do
t’i hiqet nga mendja. Madje, ndoshta nga kjo arsye, ai do të fillojë të botojë
vjersha me frymë atdhetare. Kështu në vitin 1888 do ta shkruajë vjershën me
titull “Shqipëria”, ku do të lëshojë kushtrimin ashtu siç kishte bërë
Vaso Pashë Shkodrani.
“O zot
im, Perëndi,
shtjer
syt’e tu, shikomë ti!
Përse
më le të shkretë sot,
e mjera
vdes dhe s’duroi dot.
O
mëmëzë e dashurë,
ç’na je
kështu se ç’pate ti?
Përse
na je helmuarë?
Përse
qan e na mban zi?”
Gjendja në të cilën gjendej Shqipëria, e lidhi
Krejin me realitetin jetësor. Gjakmarrja dhe ndasitë fetare i shprehin
shqetësimet dhe idealet e autorit. Vjersha me titull “Vret vëllai vëllanë”,
po ashtu është një problem i madh që të huajt ua kishin mbjellë shqiptarëve,
duke mbrojtur të fortit e kriminelët që gjenin mbështetje te pushteti i
korruptuar. Ai habitet se si mundet një Shqipëri me një histori të trimërisë,
tani e ndarë dhe e coptuar, tanimë nuk i ngjan aspak Shqipërisë së Skënderbeut.
Shpëtimin e Shqipërisë Kreji e shihte vetëm në nëpërmes arsimit në gjuhën
amtare, të bashkuar pa dallim feje e krahine dhe në besën e dhenë.
Krijimtaria e tij do të marrë frymëzime kryesisht
edhe nga historia e lashtë e Shqiptarëve. Qëllimi i tij i madh është që,
nëpërmjet frymëzimit nga heronjtë e Atdheut, të arrihet bashkimi i të gjithë
shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Skënderbeut. Prandaj, ai do t’i
rreket përshtatjes nga gjuha greke në gjuhën shqipe të një historie të
Skënderbeut me titull “Istoria e Gjergjit Kastriotit që u quaj Skënderbej,
Princ i Shqipërisë” nga një autor i panjohur. Vepra është në dorëshkrim dhe
gjendet në bibliotekën e Korçës.
Rreth shkrimit të kësaj historie ekziston edhe
letra ndërmjet Thimi Mitkos dhe Krejit. Kreji më 17.05.1877 do t’i kërkojë
Mitkos disa të dhëna lidhur me “sinoret” (kufijtë) e Shqipërisë. Në këtë
Mitkoja i përgjigjet se ai posedon një kopje të një J. Pema në
Zagazik të një “historie të Shqipërisë në gjuhën frënge… Ajo do t’u vlejë.
Unë kam një kopje, por ajo është në gjuhën gjermane dhe nuk ju vlen”, por
Mitkoja nuk e lë Krejin pa i dhënë disa shënime mbi kufijtë: “Mbë Veri Mali I
Zi, Bosnja Serbija,M’anën e Diellit: Kaçaniku, Shkupi, Velesi, Përlepi,
Manastiri (Dhiavati), Ohëri, Mali i Thatë, Gramozi, Konica, Zagori, Narta
(Arta). Në jug është Deti Jonë, nga perendon Dielli, Adriatiku. Nahite
Shqipënisë: Gegëria, Shkodra, Zadrima edhe Malësia, Miridita, Mati Daradania
(Shkupi, Dibraçlart-poshtë edhe bregu i detit gjerë në Shkumbin e në Elbasan.
Toskëria që nga Shkumbini (lum) gjer në lum të Viuosës, e përpjetë Korça e
Kolonjë e Leskovik, Arbëria që në Viosë e gjer në Delvinë e Gjirokastër
(Kaonët), Çamëria, nga Delvina gjer në Nartë (Thesprotia dhe në krahinën e
Sulit edhe Mollosia e përpjetë gjer në Janinë. Ndarjen e Shqipërisë së Sipërme
nuk e njoh…”. Kjo do të thotë se Historia e Skënderbeut nuk është
thjesht një përkthim.
Thimi Kreji me vëmendje do t’i ndjekë të gjitha
ngjarjet që ndodhin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Atij i dhimbset shpirti
vetëmohues luftarak i shqiptarëve. Ai kurrë nuk do të kënaqet me atë që i
ndodhte Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Ai ushqente edhe më tej shpresë, edhe
pse ishte në moshë të thyer, se përsëri shqiptarët duhet të organizohen si më
pare për ta ndihmuar shtetin shqiptar dhe shqiptarët e Misirit. Në vitin 1930
Thoma Kreji përsëri në Kajro do ta themeloi një tjetër shoqatë me emrin
“Tomorri” me qëllim që të botojë edhe një gazetë me këtë emër. Mirëpo, kjo
mbetet vetëm iniciativë, sepse ai më vitin 1931 ndërroi jetë.
Veprimtaria patriotike e Thimi Krejit, me punën e tij vetëmohuese, mbetet një shembull i përpjekjes së një shqiptari nga Krusheva për koloninë shqiptare të Misirit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe pse figura e tij nuk është i ndriçuar thuajse aspak, roli i tij është i madh dhe radhitet ndër personalitetet që punoi shumë për zgjimin kulturor, arsimor dhe politik të shqiptarëve në mërgim, duke u radhitur ndër figurat më të merituara të Rilindjes Kombëtare.