E shtune, 05.10.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Ndre Mjeda - themelues i shkollave të para në gjuhën shqipe

E premte, 20.11.2015, 11:00 PM


NDRE MJEDA – THEMELUES I SHKOLLAVE TE PARA NË GJUHËN SHQIPE

(me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së Dom Ndre Mjedës)

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Periudha që nga fillimi i shekullit XX e deri në kushtetutën e vitit 1908 në historinë arsimit kombëtar mund të quhet lëvizje për arsim dhe kulturë kombëtare. Pas shumë përpjekjeve, më në fund Sulltanati u detyrua të bëjë disa lëshime. Kështu u lejua liria e besimit fetar për të gjithë nënshtetasit e Perandorisë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Perandoria u dha të drejtën që edhe besimtarët jomyslimanë t’i kryenin ritet fetare sipas përkatësisë së tyre fetare, madje dha leje edhe për hapjen e shkollave fetare.

Kjo periudhë është një ndër periudhat më të ndjeshme për popullin shqiptar, sepse ishin fuqizuar propagandat e huaja, sidomos ajo e Perandorisë, e cila proklamonte aspektin fetar në dëm të kombit, ndërsa kësaj propagande iu bashkua edhe propaganda greke, që luante në të njëjtën kartë. Po në këtë kohë kemi edhe interesimin e Austrisë, e cila paraqitej si mbrojtëse e klerit katolik në Shqipërinë Veriore. Austria me verdiktin e Vatikanit ishte e angazhuar financiarisht që ta mbajë gjallë jetën fetare katolike, si dhe hapjen e shkollave fetare.  Kështu, që të mbahej gjallë elementin katolik në trevat ku dominonte ky besim fetar, u lejua që hapen shkollat fetare katolike dhe si mjet për edukimin fetar të përdorej gjuha shqipe.

Për forcimin e fesë, ata ishin të bindur se së pari duhet të sigurohen libra në gjuhën shqipe, por me përmbajtje fetare. Këto libra në fillim u botuan në dy qendrat e mëdha – në Rumani dhe Bullgari. Libra në gjuhën shqipe me përmbajtje fetare u botuan edhe në Shkodër deri në vitin 1901. Deri në vitin 1904, sipas disa të dhënave, janë botuar 48 libra shqip. Megjithatë ka pasur edhe ndonjë botim edhe nëpër shtypshkronjat e tjera, që botonin kryesisht gazeta. Librat ishin hartuar sipas alfabetit të Stambollit, por shumica e librave me karakter fetar në Shqipërinë Veriore përdorën alfabetin e ashtuquajtur tradicional të “Bashkimit” dhe, më vonë, edhe alfabetin e “Agimit”.

Në Shkodër dhe në rrethinë, me ndihmën e Vatikanit, Austria vazhdoi të ndihmojë për çështje fetare në shkollat e veta fetare. Varësisht nga dobësia e Perandorisë dhe shfrytëzimi i disave konditave që i fitonin shtetet përreth Shqipërisë dhe si rivale të politikës Perandorisë Osmane edhe të asaj autro-hungareze, ndikimin e vet në trojet shqiptare dëshironte ta imponojë edhe Italia. Ajo, për të realizuar qëllimet e veta, gjeti të mira materiale për të shtuar fondet për të hapur shkolla në shumë qytete, si Durrës, Vlorë, Shkup, pra përveç shkollave italiane që funksiononi në Shkodër. Në fillim këto shkolla udhëhiqeshin nga mësues laikë dhe përkraheshin nga të pasurit shkodran, që sigurisht kishin edhe interesa të veçanta. Ato në vitin 1901 në Shkodër arritën të hapin një shkollë për meshkuj me 200 e ca nxënës dhe një shkollë për femra me 160 nxënëse. Në këto shkolla, ku mësimi zhvillohej në gjuhën italiane, gjuha shqipe, si të thuash, asnjëherë nuk u dëgjua. Ndikimi i shkollave fetare, që u hapën në fillim në Shkodër, u zgjeruan edhe në brendinë e Shqipërisë, aty ku dominonte elementi i besimit katolik. Aktivitet më të mëdha për këtë i bënte shoqata “Dante Aligeri”, që kishte për qëllim të përhapte gjuhën italiane jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në shumë vende të Europës, që kjo gjuhë të bëhet gjuhë botërore.

Hapjen e shkollave italiane për elementin katolik italianët e justifikonin se atë e bëjnë për nderë të miqësisë së popullit shqiptar dhe italian. Sa si ka qenë ajo miqësi, këtë mund ta kuptojmë nga një fragment citati të marrë nga gazeta “Shpresa e Shqypnis”, ku shkruhet kështu: “Thonë se Italia asht mikesha jonë. Po të jetë ashtu, pse s’i hap këto shkolla në gjuhë shqipe dhe italishtja të mbet si gjuhë e dytë....?”

Përhapja e shkollave dhe e gjuhës italiane në Shkodër e, më thellë në trojet shqiptare, shkonte në dëm të gjuhës shqipe. Meqenëse vetëdija tek inteligjenca shqiptare ishte ngritur në një shkallë të lartë kombëtare, patriotët shqiptar fare mirë e kuptonin se ku është qëllimi dhe dëshira e të huajve ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Ashtu si çdo patriot, edhe Ndre Mjeda shqetësohej shumë nga hapja e shkollave të huaja, sepse ato kishin për qëllim ta përçanin popullin shqiptar dhe t’i edukojnë shqiptarët me ndenja të huaja dhe kështu të harrohet gjuha e shqipe, të cilën populli e kishte ruajtur si të shenjtë dhe si më të shtrenjtën gjë gjatë gjithë historisë.

Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike, për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë. Prandaj edhe Ndre Mjeda nuk u hamend që ta mësojë popullin dhe të përhapë arsimimin në gjuhën shqipe. Ai i dinte mirë se cilat janë detyrat prioritare për këtë qëllim. Kështu si detyrë primare që ia kishte vënë vetes ishte që të përgatisë nga dora e mendja e tij shumë inteligjente një plan-program mësimor për tekstet në gjuhën shqipe. Për këtë qëllim hartoi abetaren, këndojtoren (libër leximi), numëratoren për klasën e parë dhe një tufë vjershash e tregimesh të moçme shqiptare në gjuhën shqipe.

Dom Ndre Mjeda, duke parë qëllimin e hapjes së shkollave italiane si dhe të atyre osmane e greke, se si po humbej gjuha shqipe, pa hezitim kërkonte shkolla në gjuhën shqipe, haptazi e thoshte meshën në gjuhën shqipe, shkruante në gjuhën shqipe dhe botonte në gjuhën shqipe. Më 1901 Mjeda bashkë me të vëllanë kishin themeluar shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat po me këtë alfabet. Me këtë rast Mjeda përgatiti libra shkollore për nevojat e shkollave po në këtë alfabet.

Veprimtaria e këtij rilindësi nuk mund të mos binte në sy të qeverisë osmane, e cila e ndiqte hap pas hapi. Megjithatë ai nuk u tremb, por me vullnet të fortë dhe pa asnjë droje nga qeveria osmane, në Zadrimë – në fshatin ku ishte vendosur famullia qendrore për shumë fshatra të Zadrimës në Dajç – nisi realizimin e projektit të hapjes së shkollës në gjuhën shqipe.

Në famullinë e Dajçit, Dom Ndre Mjeda në vitin 1902 do ta hapë shkollën e parë për arsim fillor. Kjo shkollë më vonë do të bëhet një shembull besimi dhe pune për të mbjellë arsimin shqip edhe në zonat e tjera të Shqipërisë. Në lokalet e famullisë së Dajçit, Mjeda ngriti edhe një bibliotekë, të cilën vazhdimisht e pasuronte, por mbi të gjitha organizonte takime e biseda të përshkuara me ndjenjë kombëtare e patriotike, që zënin vend në zemrën e tij si demokrat e patriot. Shkollën, që e hapi në godinën e Famullisë të Dajçit, ishte e tipit të shkollave qelie, sepse agjentët turq e ndiqnin hap pas hapi. Shkolla e hapur punonte sipas një programi të hartuar nga vetë Mjeda dhe ishte e karakterit laik. Veprimtaria e tij ishte halë në sy, ndërsa si pretekst ishte zbulimi i një poezie të shkruar nga Mjeda kundër mbylljes së shkollës së djemve në Korçë. Agjentët osmanë po në këtë vit (1902) deshën edhe ta arrestojnë e ta internojnë diku në Anadoll, por falë zgjuarsisë së tij ai shpëtoi duke i bindur se ai kryen detyrën fetare.

Ndre Mjeda, edhe pse ishte i edukuar me ligjet dhe rregullat e shkollës jezuite, ai nga shkolla e ndërtoi personalitetin e vet në fitimin njohurive, qëndrueshmërinë, vetëdisiplinën e aftësitë organizative, kurse në jetë e punë u udhëheq sipas pedagogjisë injaciane që e kishte fituar gjatë mësimeve në Spanjë, Poloni, Itali e gjetiu.

Nga familja e pastër fshatare, nga Shkodra patriotike e arsimore, nga ideologët e Rilindjes kombëtare, si dhe nga kontaktet me njerëz të dijes nëpër botë, me disa prej të cilëve bashkëpunonte ngushtë, arriti që tërë veprimtarin e vetë ta drejtojë drejt lartësimit të ndenjës kombëtare, dashurisë për gjuhën shqipe dhe për kombin.

Ai çdo ditë vinte në këmbë prej Nënshatit, në fillim, e pastaj edhe nga Kukli, ku Mjeda shërbente si famullitar për të mbajtur mësime në gjuhën shqipe dhe për këtë udhëtonte nga disa orë në këmbë. Vuajtjet e tij nga agjentët osmanë, nga udhëtimi, nga organizimi i mësimit në kushte subnormale dhe me orë shtesë deri në mbrëmjet e vona, të gjitha vuajtjet do t’i shprehë në poemthin e tij “I tretuni”.

Edhe pse kishte bërë ca vite moshe, ai asnjëherë nuk mungoi, por me kënaqësi e me devotshmëri punonte për të mbajtur arsimin fillor në gjuhën shqipe. Mjeda, me përvojën e tij teologjike që e kishte fituar nga universiteti i Krakovit të Polonisë në edukimin e nxënësve, si parim kryesor kishte edukimin e fëmijëve mbi normat e moralit fetar dhe të traditës familjare shqiptare. Mjeda, si mësues, është i njohur edhe, siç thonë historianet e pedagogjisë kombëtare, me maksimën që çdo ditë e përsërite: “Bijtë e mij, të doni prindërit, mësuesit, gjuhën dhe kombin si gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe ju jeni e ardhmja e tij, që do të çoni përpara arsimin dhe qytetnimin”.

Mjeda, si një punëtor i palodhur, që lundronte si një anie në oqeanin e trazuar të kohës, dinte të lundrojë me plot sukses në shumë fusha të dijes. Ai shquhet si shkrimtar e studiues serioz poet, prozator, gjuhëtar, historian, muzikolog, arkitekt, pionier i arsimit kombëtar, por edhe si një organizator i shkëlqyer, i cili me fjalët e matura dhe bindëse ndikonte jo vetëm te arsimdashës, por edhe te të huajt.

Kështu falë Mjedës e me ndërmjetësimin e tij në konsullatën austro-hungareze në Shkodër, ai me disa patriotë të shquar, si dhe me ndihmën e të vëllait, Lazër Mjeda, në tetor të vitit 1903 në Pukë të Iballës e hap edhe shkollën e dytë në gjuhën shqipe. Në këtë shkollë si mësues u emëroua pikërisht Ndre Mjeda. Mirëpo, meqenëse ky punonte si mësues feje në Dajç dhe shërbyes feje në fshatrat e Zadrimës, merrej me studime të gjuhës, me shkrime letrare, me përgatitjen e teksteve shkollore, por mbi të gjitha nuk desh t’i lërë nxënësit e vet pa mësime në gjuhën shqipe, disi ia arriti të qëndrojë në famullinë e caktuar, kurse për mësues në këtë shkollë të dërgojë një mik të tij. Edhe në këtë shkollë punohej programin mësimor dhe me tekstet e Mjedës. Edhe aty nxënësit, krahas lëndëve mësimore, i mësonin përmendsh dhe i recitonin edhe poezitë e Mjedës. Kjo shkollë funksionoi deri më 1907.

Kontributi i Dom Ndre Mjedës është i madh në fushën e arsimit, sepse me punën e tij vetëmohuse për futjen e laicizmit në shkollë, për hartimin e teksteve dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, ai mbetet një pishtar i madh i mësuesit, i përhapjes së arsimit shqip, i edukatorit dhe organizatorit të shkëlqyer, që zë vend të rëndësishëm në faqet e ndritura të historisë e arsimit pedagogjik shqiptar.

Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës

Gjuha shqipe

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe m’shungullon

përmbi er’që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’tjera, ndër dhena tjera,

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m’rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora