Kulturë
Femi Cakolli: Sot është Dita e Shengjergjit
E merkure, 06.05.2020, 09:15 AM
Sot është Dita e Shengjergjit
Nga Pastor
Dr. Femi Cakolli
I uroj secilës familje shqiptare, sidomos në
Kosovë, atyre që vazhdojnë ta shënojnë në çfarëdo mënyre ose ta kujtojnë festën
e Shëngjergjit apo siç thuhet në popull Shingjergji. Kjo datë, pra 6 maji, neve
na përkujton njëherit edhe lindjen e Gjergj Kastriotit, kryeheroit tonë. Dita e
6 Majit është festa se e kaluam dimrin dhe po hyjmë shëndosh e mirë në verë.
Kësaj here kjo ka domethënie më të madhe sesa më përpara.
Shëngjergji shënon fitoren e të mirës ndaj të
ligës. Fitore ndaj djallit. Mundjen e dragoit. Bibla na kujton se njëri nga
emrat e të ligut është gënjeshtari dhe gjarpëri. Fitorja mbi te keqën është
premtimi i Perëndisë dhënë popullit të tij. Secili i krishterë e di këtë besim
profetik se e keqja do të humb dhe do të fitojë e mira, drita.
Kujtoj si fëmijë se për Shëngjergj
organizohej takime kudo nëper fshatra por një takim i madh për gjithë malësinë
e Gallapit bëhej në Novobërdë e ku merrnin pjesë përreth kalasë me mijëra veta.
Numri i tyre arrinte nga 5000-10,000 njerëz. Bëheshin lojëra të shumta
popullore, valle, muzikë, shitblerje. Ishte festë. Populli ngazëllonte duke u
takuar në natyrë të hapur. Ishte një cikël jete. Ishte një orar. Ishte një
rutinë. Ishte një ritual. Ishte një besim.
Shëngjergji për ne ishte ngjarje e dashur dhe
e pritshme pasi si fëmijë kalonim kohë të paharruara nëpër “hulaqa” dhe shijet
e ushqimeve të veçanta ishin të lezetshme duke dominuar flija. Në malësinë tonë
nuk kishte shenjtor më të madh sesa Shën Gjergji.
Populli ka nevojë për festa. Populli ka
nevojë që të mblidhet e ta ushtrojë lirshëm lirinë dhe kulturën e tij
mijëravjeçare. Populli ka nevojë për tradita të mira dhe mos t’i harrojë.
Eh tash askush më nuk e lë popullin të
kënaqet vetë pasi secili e tërheq vetëm atje ku ata duan.