Faleminderit
Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë Urtar!
E diele, 26.04.2020, 01:55 PM
LAMTUMIRË URTAR
Zymber
Beshtica (12 shkurt 1950-25 prill 2020)
Nga
Mehmetali Rexhepi
Shkrimi
për Zymber Beshticën më erdhi papandehur, ndonëse e dinim gjendjen e tij të
rënduar shëndetësore... Cytja e parë nga kumti goditës pasoi shfryrjen time për
shuarjen e jetës, përkatësisht shkuarjen në amshim të profesor Zymber
Beshticës, kolegut tim të studimeve dhe të veprimtarisë së shenjtë arsimore...
Shumëçka më lidhte me të urtin Zymber Beshtica...
Andaj, jo pa pikëllim e me dridhje duarsh
po më dalin këto fjalë rikujtimi, nderimi, konsiderate e respekti me
rastin e shuarjes të yllit shkëlqyes të Zymber Beshticës.
Çfarë
fati doli të jetë pengesë, ngjashëm me pengesat tjera të jetës së Zymberit,
pandemia “Covid 19”, për të mos mundur t`i bëhen nderimet e fundit, të
merituara, me dashamirë, miq, shokë e ish nxënës edukatorit, kolegut, veteranit të arsimit dhe
poetit Zymber Beshtica?! Gjatë kësaj pandemie tinëzare edhe figura të tjera
patën fatin e këtillë...
Mund
të pohoj se pata një çmallje, por çmallja ishte diçka e
përciptë, përherë sipërfaqësore, prore e shkurtë, e avullueshme për njeriun që
e do, që e çmon, meqë në shpirtin dhe jetën e tij ka diçka tënden, meqë para
javës së fundit kishim shkëmbime të dendura me Zymberin; aq sa na jepej
mundësia përmes mjeteve të internetit dhe celularit. Zymberi ishte në gjendje
të fliste, ashtu i shtrirë, për tema të ndryshme... Që të dy kishim
parandjenjën e jetës së tij... Zymberi nuk e fshihte fund-jetën e shpejtë për vetveten... Gjithnjë
me taktin e mos-lëndimit, i shmangesha ngjyrimeve emocionale... Megjithatë, Ai
nuk jepej edhe për rrethanën fatlume të lirisë, të përjetimit të kësaj rrethane
shekullore në mënyrën e vet; ndonëse në jetë dhe në sprovat poetike për lirinë,
për qeverisjet skandaloze, për korrupsionin, për përfaqësimin diletant e
hileqarë të institucioneve të shtet-bërjes së Kosovës, për nivelin
joprofesional e të pasinqertë, ishte fare i pakënaqur.
Megjithëse
vonë, Zymberi përjetoi rrethanën fatlume të familjes: bijtë Iliri dhe Etriti,
si dhe bija me punën e tyre dhe shkollimin sipëror arritën, që t`ia ndryshonin
mirëqenien materiale prindërve dhe, t`ia lehtësonin lëngatën...
E
veçanta e Zymber Beshticës, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës, ishte urtësia
dhe kërkimi i arsyes. Zymberi nuk i përkiste tipit të njeriut që nxitohej në
mospajtime, qoftë në kundërshtime,
kënd-vështrime... Në gjykime kurdoherë ruante ndjeshmërinë e masës.
Ishte njeri i butë dhe dashamirë i librit dhe arsimit. Ai kishte ndjeshmëri
poetike.
DISA TË DHËDNA PËR
JETËSHKRIM
Zymber
Beshtica u lind në fshatin Desivojcë të Dardanës (Kamenicë), më 12 shkurt 1950.
Gjimnazin e kreu në Dardanë, ndërsa Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në
Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë. Filloi të
punonte si student. Në vitin 1975, vijoi
mësimdhënien në QSHT në Gjilan, deri më
30 gusht 1982, kur e detyruan të largohej nga procesi edukativ-arsimor, si “i
pa përshtatshëm ideo-politikisht.” Arsimit iu rikthye pas viteve të
nëntëdhjeta, me të gjitha peripecitë e kushtëzimet e shtetit të Serbisë në
Kosovë. Veprimtarinë e tij të mësimdhënies e mbaroi në SHM të Mjekësisë “Dr.
Asllan Elezi” në Gjilan.
Zymber
Beshtica në punën e tij arsimore-edukative ishte i përgatitur, i përgjegjshëm
dhe i sinqertë. Në të gjitha mjediset shkollore të shkollave të mesme, Ai
përkrahu, këshilloi, udhëhoqi grupet letrare, recituesit, përzgjodhi shkrime
nxënësish, tekste për lexim, për interpretime dhe paraqitje të nxënësve për
ngjarje kulturore e festa të historisë sonë kombëtare.
POETI ZYMBER BESHTICA
Kapitull më vete i Zymber Beshticës është krijimtaria
poetike. Që nga bankat e shkollës fillore Ai u mor me vjershërim. “Kur ka
mundur të japë kontributin e vet në moshën energjike e me një vullnet të pakursyer, i mungoi e drejta për fjalën publike. Por, ai ishte i angazhuar
në çdo hapësirë për krijimtarinë letrare” (Shefik Shkodra).
Në
edicionin botues“Jeta e re”, më 1996 botoi
përmbledhjen me poezi “Rrjedha.” Po ashtu, Zymber Beshtica mori pjesë
aktive me një varg bashkautorësh në disa publikime librash poetikë. Ky autor
vargjet e veta i publikoi edhe si student, në gazeta dhe revista të përkohshme
në gjuhën shqipe në Kosovë.
Për
një periudhë të gjatë, që nga dalja e vëllimit të parë të tij, poeti kishte
pushuar paraqitjen në mediet e shkruara dhe faqet artistike në portale... Ai
kishte heshtur... Me rastin e shënimit të përvjetorit të 70-të të ditëlindjes
tij, Zymber Beshtica publikoi vëllimin e dytë poetik të titulluar “Ëndërr e
gjatë.” Libri doli i edituar nga Shtëpia Botuese “Sogjetime, përkujdesur dhe
redaktuar nga Shefik Shkodra dhe autori i këtij shkrimi të përshpirtshëm.
Si
duket botimi, përurimi solemn në njërën nga sallat e Bibliotekës Rajonale “Fan
S. Noli” në Gjilan, më 12 shkurt të këtij viti, mandej prania e konsiderueshme
e dashamirësve të artit letrar dhe, vlerësimi nga Mr. Tahir Arifi, Mehmetali
Rexhepi studiues, Xheladin Mjeku, shkrimtar dhe Shefik Shkodra redaktor i
botimit, ishte larje e pjesshme e një
borxhi shpirtëror për urtarin, për prindin e dashur, për intelektualin
dinjitoz, për edukatorin e breznive shkollare, për kolegun, për poetin Zymber
Pajazit Beshtica.
Pastë
dritë të përhershme kontributi njerëzor i
Zymber Beshticës!
Gjilan, 26 prill 2020